top of page

Prof. Dr. Eshref Ymeri: Politikanët mashtrues dhe injorantë në “skanerin” e përkthyesit



 

(Ajo që më ka befasuar në qenien e udhëheqësve sovjetikë, ishte mendjengushtësia në gjykim, paraqitja e tyre si analfabetë, mungesa e formimit qytetar, madje mund të shtoj se me ta bëhesha për hekura).

                                                                                                               Viktor Suhodrjev     

 

Viktor Suhodrjev (1932-2014), ka qenë diplomat dhe përkthyes rus i anglishtes, përkthyes personal i udhëheqësve më të lartë partiakë dhe shtetërorë të Bashkimit Sovjetik. Njihet si përkthyesi më i shquar pas Vladimir Pavllovit (1915-1993) dhe Valentin Berezhkovit (1916-1998), që kanë qenë përkthyes të Stalinit (1878-1953). Në vitin 2005, gazeta “Nju Jork Times” e pati shpallur “mbret të përkthyesve gojorë”. Kurse Pavel Pallazhçenko (1949), që ka qenë përkthyes i Mihail Gorbaçovit (1931-2022), e ka quajtur “standard i artë i profesionit”. Pikërisht në saje të Suhodrjevit, Perëndimi arriti të kuptonte disa shprehje frazeologjike të Hrushovit (1894-1971), paksa të vështira për t’u kapur nga ana e të huajve, të cilat ai i përdorte nëpër konferenca shtypi. Është autor i një libri mjaft interesant me kujtime, ku u çjerr maskën udhëheqsve sovjetikë, si njerz të pagdhendur, të cilët në takime me udhëheqës të huaj dhe në forume ndërkombëtare, i nxirrnin bojën vetes me mashtrimet dhe idiotësitë e tyre.

Në kujtimet e veta, Suhodrejvi përmend raste kur shpeshherë qe zënë ngushtë para kolegëve amerikanë për shkak të xhevahireve që nxirrnin nga goja udhëheqësit sovjetikë ose kur mashtronin edhe haptas fare në takime të niveleve të larta.

Ai përmend fjalimin e Hrushovit në sesionin e radhës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1959:

 “Asokohe Bashkimi Sovjetik, në çdo sesion, paraqitej me nismën e radhës, e cila në praktikën tonë të përditshme diplomatike quhej “çështje kryesore”. Këtu reflektohej në radhë të parë qasja konfrontuese e atyre viteve… Nismat që ne parashtronim çdo vit ushtonin me bubullima, por ama u bënin përshtypje vetëm njerëzve të parrahur me problemet e politikës së jashtme. Prandaj edhe këtë herë, para vizitës së Hrushovit, qe përpunuar “një çështje kryesore”. Çështja në fjalë përfaqësonte një program gjigant për “çarmatimin e përgjithshëm dhe të plotë’. Ja shkurtimisht thelbi i programit: brenda katër viteve të realizohej një çarmatim i përgjithshëm dhe i plotë i shteteve, të zhdukeshin të gjitha llojet e armatimeve, përfshirë armët bërthamore dhe raketat, të shpërbëheshin të gjitha forcat e armatosura, të suprimoheshin ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, në dispozicion të shteteve të liheshin ca kontingjente të pakta policie, që do të kishin si mision ruajtjen e rendit të brendshëm dhe të sigurisë së qytetarëve dhe do t’u liheshin si armatim ca pushkë të lehta.

Mendoj se sot nuk është e nevojshme të komentoj gjithë absurditetin dhe pamundësinë e realizimit të asaj nisme “të madhe”. Por ama të mos harrojmë se programi ynë i çarmatimit të përgjithshëm dhe të plotë, për vite me radhë, shërbeu si gur themeli i politikës së jashtme sovjetike… Shumë vite më vonë, bashkë me kolegët amerikanë, me të cilët atë kohë e patëm përjetuar së bashku, gjatë takimeve që kemi pasur, kemi qeshur me çiltëri kur kujtonim atë “teatër absurd”” (Citohet sipas: V. M. Suhodrjev. “Gjuha ime - mikesha ime. Nga Hrushovi deri te Gorbaçovi”. Shtëpia Botuese TONÇU. Moskë 2008, f. 81-82).

Mjaft ngushtë e pati ndier veten përkthyesi Suhodrjev edhe në një rast tjetër në vitin 1961. Më 3-4 qershor 1961, në Vjenë, u organizua takimi i Hrushovit me presidentin Kenedi. Ja si i përshkruan ai përshtypjet që Hrushovi kishte pasur nga takimi me Kenedin:

“Në mbrëmje, kur po shëtisnim përreth rezidencës së ambasadorit sovjetik, Hrushovi, i shoqëruar nga dy ndihmësit e vet, filloi të na fliste për përmbajtjen e bisedës që kishte pasur me Kenedin, të na shprehte përshtypjet e veta. Në ato fjalë e sipër, më drejtohet mua:

- E kam të qartë se po të fillosh t’i hedhësh në letër shënimet që tani, atëherë në bisedimet e nesërme do të të varet koka për gjumë. Prandaj shënimet hidhi në letër kur të kthehemi në Moskë.

Më në fund, Hrushovi e mbaroi fjalën dhe unë, i shastisur, dëgjova mendimin e tij përmbyllës për Kenedin. Ai tha:

- Vërtet, përderisa amerikanët kanë në krye një president të tillë, mua më vjen keq për popullin amerikan.

Unë, natyrisht, nuk mund të pajtohesha me një mendim të tillë. Deri asokohe unë kisha mundur të merrja pjesë në shumë bisedime dhe kisha parë shumë personalitete shtetërore. Kenedi më pati lënë një përshtypje shumë të mirë… Përgjithësisht, mua m’u duk se populli amerikan nuk të ngjallte kurrfarë keqardhjeje për zgjedhjen që kishte bërë” (po aty, f. 143-144).

Përkthyesi përjetonte një revoltë të brendshme për këtë deklaratë absurde të Hrushovit. Sepse ai e njihte mirë se kush ishte Hrushovi, i cili ishte arsimuar copa-copa: deri në vitin 1908 mezi kishte mundur të mësonte shkrim e këndim, në vitin 1922 kishte vazhduar mësimet në një teknikum në Donjeck, kurse në vitin 1936 kishte hyrë në akademinë e industrisë në Moskë, ku më shumë merrej me punë partie. Ndërkohë, Kenedi, në vitin 1936, në moshë 19-vjeçare, me medaljen shkëlqyeshëm, kishte përfunduar Universitetin e Harvardit. Hrushovi ishte i bindur se kush ishte Kenedi, por, meqë nuk matej dot me të, në sytë e përkthyesit të vet, si në fabulën e Ezopit, mori përsipër rolin e dhelprës, duke u shprehur me mospërfillje për rrushin që nuk e arrinte dot.

Përkthyesi Viktor Suhodrjev na përcjell edhe përshtypjet e Andrea Gromikos (1909-1989), ministrit të jashtëm sovjetik, për Kenedin, Ai tregon:

“Pas nja tri javësh, Gromikoja e mori fjalën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në të ashtuquajturin aktiv partie. Andrea Andrejeviçi foli për takimin e Hrushovit me Kenedin në Vjenë. Foli mjaft gjatë. Po përmend vetëm një frazë të tij:

- Me një fjalë, po të mundohemi të shprehemi në mënyrë figurative, ky ishte takimi i një gjiganti me një xhuxh.

Mendoj se nuk ka nevojë për saktësime se kush nënkuptohej me fjalën “gjigant”, dhe kush me fjalën “xhuxh”. Mua, që të shprehem ndershmërisht, më erdhi shumë turp për fjalët që nxori nga goja shefi im. Por, për fat të keq, ai kështu u shpreh… Gromikoja shprehte opinionin e vetë Hrushovit” (po aty, f. 144).

Ngjarjet e pakmëvonshme vërtetuan konkretisht se kush ishte “gjiganti” i vërtetë dhe kush ishte “xhuxhi” i vërtetë. Kjo u duk faqe botës gjatë “Krizës së Karaibeve” të vitit 1962. Politika dritëshkurtër sovjetike, me qëllim që fitoren e Fidel Kastros në Kubë në vitin 1959 ta shndërronte në një vatër zjarri për shpërthimin e revolucioneve në mbarë Amerikën Qëndrore dhe Jugore, me synimin që atje të fitonin forcat komuniste, vendosi që Kubën ta furnizojë me të gjitha llojet e armatimeve, përfshirë edhe raketat. Dhe këtë lloj furnizimi vendosi ta bënte në mënyrë të fshehtë, larg syve të amerikanëve. Përveç këtyre armatimeve, Hrushovi dërgoi atje edhe një kontingjent prej 40 mijë ushtarësh dhe oficerësh që do të shërbenin si “numëror” të atij armatimi. Këtë kontingjent e komandonte gjenerali Issa Plijev (1903-1979).

Më 18 tetor 1962, ministri i jashtëm sovjetik, Andrea Gromiko, i shoqëruar nga përkthyesi Suhodrjev, qe nisur për në SHBA dhe, së bashku me ambasadorin Dobrinin, u prit nga presidenti Kenedi. Pyetjes së presidentit Kenedi për vendosjen e raketave në Kubë, Gromikoja iu përgjigj me një refuzim kategorik. Por një aeroplan amerikan U-2 i lartësive të mëdha, kishte zbuluar praninë e raketave sovjetike në brigjet veriore të Kubës, të pozicionuara në drejtim të Floridës. Qëndrimi i Gromikos para presidentit Kenedi e nxori zbuluar krejt udhëheqjen sovjetike dhe natyrën mashtruese, të pabesë të politikës së saj në qëndrimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përkthyesi Suhodrjev, në heshtjen e tij, e pati ndier veten keq për atë mashtrim aq të pastër të ministrit të jashtëm sovjetik para presidentit Kenedi. Pas atij takimi, trupat sovjetike, të instaluara nw Kubë, bashkë me raketat e tyre, u shporrën me bisht ndër shalë nëpër ujërat e Oqeanit Atlantik, ku po i filmonin reporterët amerikanë.

Mashtrimi i Gromikos, si politikan i kastës së lartë të shtetit sovjetik, të kujton historianin dhe publicistin francez Zhyl Mishle (Jules Michelet - 1798-1874), përfaqësues i historiografisë romantike, i cili ka pasë thënë:

“Në Rusi, që të gjithë, i madh e i vogël, mashtrojnë, gënjejnë… Rusia është mbretëria e gënjeshtrës. Gënjeshtra e ka strehën në bashkësi, të cilën do të duhej ta quaje bashkësi të rreme. Gënjeshtra e ka strehën te çifligari, te prifti, te cari. Mashtrime, gjëra të paqena, iluzione në shtim të vazhdueshëm!” (Citohet sipas faqes së internetit “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”. 19 shkurt 2015).

            Që në fillimet e karrierës së vet, Suhodrjevi pati përkthyer shprehjen e famshme të Hrushovit “Мы вас закопаем” (Ne do t’ju groposim).

Këtë shprehje absurde Hrushovi e pati përdorur në nëntor të vitit 1956, në një pritje për diplomatët e huaj. Ai deshi të citonte tezën e njohur të Marksit, sipas të cilit proletariati është varrmihës i kapitalizmit, por, në dalldinë e fjalimit të tij, i doli nga mendja formulimi i saktë i saj, çka solli si pasojë shprehjen në fjalë.

            Situata asokohe ishte e tensionuar: Bashkimi Sovjetik sapo kishte shtypur kryengritjen hungareze, në Lindjen e Mesme ishte në kulmin e vet kriza e Kanalit të Suezit. Prandaj shprehja e Hrushovit, për më tepër e shkëputur edhe nga konteksti i fjalimit të tij, pati një tingëllim rrëqethës. 

Më pas Hrushovi u mundua ta shpjegonte kuptimin e saj se nuk ishte fjala absolutisht për ndonjë agresion ushtarak kundër Perëndimit. Ajo duhej kuptuar thjesht, sepse, sipas Marksit, komunizmi, gjatë garës së dy sistemeve, duhet t’i zërë vendin kapitalizmit që po “jep shpirt” dhe dikujt do t’i duhet që të merret me “varrimin” e tij. Por një sqarim i tillë askujt nuk ia mbushi mendjen.

            Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shtatorin e vitit 1959, Hrushovi u ndal edhe në Los Anxhelosi. Suhodrjevi kujton se, duke u endur nëpër rrugë, Hrushovi po soditte nga dritaret e makinës pallate dhe shtëpi të bukura, vetura të parkuara pranë tyre dhe, përgjithësisht, jetën e kamur të qytetit.

Gjatë banketit, Kryetari i Bashkisë Norris Paulson (1895-1982), fjalimin e tij fort të përzemërt, e mbylli me një frazë mjaft të ashpër:

            “Zoti Hrushov, ju neve nuk do të na varrosni dot. Edhe po të ndodhë gjësend, ne do të luftojmë deri në fund”.

            Në fjalën e tij, Hrushovi sqaroi se fjala ishte për garën mes dy sistemeve dhe e akuzoi Paulsonin për mungesë njohurish. Se ai, demek, nuk i lexonte gazetat sovjetike, se, në të kundërt, do ta kishte marrë vesh se për çfarë ishte fjala dhe lëshoi kërcënimin se do ta ndërpriste vizitën miqësore në Shtetet e Bashkuara. Të pranishmit u entuziazmuan nga ky skandal publik. Hrushovi urdhëroi ministrin e jashtëm Andrea Gromiko që të njoftohej presidenti amerikan, se po vazhdoi puna kështu edhe në qytete të tjera, ai do ta ndërpriste vizitën e vet. Gromikoja, që atë mbrëmje, iu drejtua Henri Loxhit (Henry Cabot Lodge, Jr - 1902-1985), përfaqësuesit të përhershëm amerikan pranë OKB-së, i cili e shoqëronte Hrushovin gjatë vizitës nëpër Amerikë, dhe i bëri të njohur qëndrimin e udhëheqësit sovjetik. Loxhi premtoi që deklaratën e Hrushovit t’ia përcillte presidentit të Shteteve të Bashkuara, por theksoi se qeveria e vendit të tij nuk mund t’u jap asnjë urdhër kryetarëve të bashkive dhe aq më tepër t’u imponojë atyre pikëpamje politike. Këtu gjithçka u mbyll. 

            Si usta i shprehjeve të thjeshta popullore, Hrushovi kishte parasysh kundërvënien e socializmit dhe të kapitalizmit, por në përkthimin e Suhodrjevit “We will bury you”, kjo shprehje mund të kuptohej ndryshe: “Ne juve do t’ju lëmë në harresë”.

            Shprehja u bë fluturake shumë shpejt dhe përdorej shpeshherë nëpër karikatura që bëheshin për udhëheqësin sovjetik. Shumë vjet më vonë, këngëtari anglez Sting (Gordon Mattheë Thomas Sumner - 1951) do ta përdorte këtë shprehje në këngën e vetë me titull “Russians” (Rusët).

            Në saje të Suhodrjevit, bota e mësoi kuptimin e njërës prej shprehjeve më të forta të Hrushovit: “Мы покажем вам кузкину мать”, e cila, në përkthimin fjalë për fjalë, do të thotë: “Ne do t’ua tregojmë nënën e Kuzkës”. Kjo është një shprehje fraeologjike e stilit vulgar dhe përdoret si kërcënim, në kuptimin: “Ne do t’ua tregojmë se nga keni lerë”. 

Sipas kujtimeve të Suhodrjevit, Hrushovi e pati përdorur këtë shprehje publikisht në ekspozitën kombëtare amerikane që u hap në Moskë, në parkun “Sokolnjiki”, në vitin 1959. Për hapjen e asaj ekspozite të parë amerikane në Bashkimin Sovjetik, kishte shkuar në Moskë zëvendëspresidenti Riçard Nikson ( Richard Nixon - 1913-1994). Gjatë vizitës së Hrushovit nëpër mjediset e ekspozitës, Niksoni e njohu dhe i foli vetë për objektet e saj. Biseda mes tyre mori zjarr pranë maketit të një shtëpie banimi, që ishte ekspozuar në madhësi natyrale, por që jepej me prerje vertikale. Pra, mungonte muri i jashtëm dhe brenda saj dukej gjithçka. Pikërisht organizimi i jetës së një familjeje të thjeshtë amerikane i la pa mend vizitorët e ekspozitës. Shumë qytetarë sovjetikë nuk kishin arritur ende të njiheshin mirë me televizorin, kurse në ekspozitë atyre u tregoheshin frigoriferë që të luanin mendjen e kokës, makina rrobalarëse dhe enëlarëse dhe një mori gjërash nga teknika e përdorimit të përditshëm, për ekzistencën e së cilës qytetarëve sovjetikë as që u kishte shkuar mendja kurrë. Njerëzit rrinin gojëhapur para asaj shtëpie.

            Nikita Hrushovi filloi t’i kritikonte ato gjëra që pa aty dhe i tha Niksonit se e gjithë kjo mënyrë jetese borgjeze është e huaj për njeriun sovjetik, se është budallallëk të ndërtosh një shtëpi (cottage) për çdo familje, kur në vend të saj mund të ngresh një pallat shumëkatësh dhe të sigurosh menjëherë strehimin e qindra njerëzve.

            Me një fjalë, debati në ekspozitë, fjalë pas fjale, nga gjëra të veçanta, kaloi në një nivel më të lartë dhe bashkëbiseduesit filluan të preknin çështje filozofike të natyrës globale, duke u munduar të shpjegonin se cili sistem është më përparimtar dhe më me perspektivë. Nikita Hrushovi, si zakonisht, filloi të përsëritte atë që kishte thënë shpesh herë se “Bashkimi Sovjetik do t’ia arrijë dhe do t’ia kalojë Amerikës” dhe pastaj përdori shprehjen e sipërpërmendur: 

- Ne kemi në dispozicion mjete, të cilat për ju do të kenë pasoja të rënda. Ne do t’jua tregojmë juve nënën e Kuzkës!

 Përkthyesi u zu ngushtë, nga befasia e humbi toruan dhe shqiptoi një frazë të paqëlluar për nënën e Kuzkës. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e morën vesh se për çfarë e kishte pasur fjalën udhëheqësi sovjetik.  Të njëjtën shprehje që e kishte për zemër, Hrushovi e përsëriti po në vitin 1959, kur, siç u theksua më lart, ndodhej për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Suhodrjevi po e shoqëronte si përkthyes.

            Kjo shprehje pati tërhequr vëmendjen së tepërmi më 12 tetor të vitit 1959, pas diskutimit të Hrushovit në Asamblenë e pesëmbëdhjetë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përkthyesi e përktheu fjalë për fjalë: “Kuzka’s mother, çka bëri që dëgjuesit t’i kapë pështjellimi. Kuptimi i saj ishte krejtësisht i pakapshëm dhe prandaj kërcënimi përftoi një karakter krejtësisht ndjellakeq. Amerikanët, ndoshta, menduan se kështu mund të quhej ndonjë armë e re, se asokohe dihej që ishte shpikur  bomba me hidrogjen.

Gjithsesi, këtë shprehje përkthyesit e zëvendësuan më pas me shprehjen  e lartpërmendur “Mëj vas pohoronim” [(We will bury you) - Ne do t’ju groposim]. Meqenëse kjo shprehje u përdor gjatë krizës së Karaibeve dhe pas provave të bombës bërthamore që pasuan më vonë, ajo qe përdorur, gjithashtu, për të treguar bombat atomike të Bashkimit Sovjetik.

Shprehja e lartpërmendur e Hrushovit “Bashkimi Sovjetik do t’ia arrijë dhe do t’ia kalojë Amerikës”, të cilën ai e pati përdorur aq shpesh jo vetëm në takimet e tij me udhëheqës të huaj, por edhe gjatë fjalimeve që mbante brenda territorit të Bashkimit Sovjetik, sidomos në biseda me punëtorë uzinash dhe fabrikash, qe shndërruar mes qytetarëve sovjetikë  në objekt humori dhe ironie të hollë. Ajo pati një përhapje të gjerë pas 22 majit të vitit 1957, kur Hrushovi pati mbajtur një fjalim në një takim zonal të punonjësve të bujqësisë të qarqeve dhe të republikave autonome të Bashkimit Sovjetik. Aty ai pati deklaruar se Bashkimi Sovjetik do t’ia arrijë dhe do t’ia kalojë Amerikës brenda tre vjetëve për prodhimin e mishit, qumështit dhe gjalpit për frymë të popullsisë. Detyra që shtronte Hrushovi për rritjen e shpejtë të mallrave të konsumit, me synim “ndërtimin  përfundimtar të komunizmit”, hasi menjëherë në probleme, të cilat mundoheshin t’i zgjidhnin me metoda aventureske. Përpjekjet e Hrushovit për të reformuar aparatin administrativ, ekonominë dhe sferat sociale, çuan në një krizë serioze në fillim të vitit 1960, kur qe bërë e qartë se synimi për t’i arritur dhe për t’ia kaluar Amerikës për nga niveli i jetesës, kishte dështuar plotësisht.

Ca kohë më vonë, më 04 korrik 1958, në një takim që pati në Peterburg me punëtorët e uzinës “Kirov”, ai përsëri pati deklaruar: 

“- Ne, shokë, së shpejti jo vetëm që do t’ia arrijmë, por edhe do t’ia kalojmë Amerikës”.

 Në këto fjalë e sipër, një punëtor i guximshëm ia pret që nga mesi i turmës:

- Që t’ia arrijmë Amerikës, ne, Nikita Sergejeviç, nuk kemi ndonjë kundërshtim. Veçse për t’ia kaluar s’do të ishte e nevojshme.

- Po pse? - ndërhyri Hrushovi.

- Sepse do të na dukej prapanica lakuriq, - ia ktheu punëtori. (Citohet sipas: “Hrushovi mban një fjalim në Peterburg në uzinën Kirov”. (Faqja e internetit arbat-msk.ru”. 27 janar 2014).

Merret me mend se si duhet ta ketë ndier veten përkthyesi kur Hrushovi e përsëritte këtë shprehje në takime me udhëheqës perëndimorë.

Nga një intervistë që gazetari dhe publicisti i njohur ukrainas, Dhimitër Gordon, i pati marrë dikur Viktor Suhodrjevit, kemi shkëputur tri pyetje, me përgjigjet përkatëse:

Pyetje: Në librin tuaj ju shkruani: “Ajo që më ka befasuar në qenien e udhëheqësve sovjetikë, ishte mendjengushtësia në gjykim, paraqitja e tyre si analfabetë, mungesa e formimit qytetar, madje mund të shtoj se me ta bëhesha për hekura”. A keni pasur raste kur, gjatë përkthimit, ju ka ardhur turp për shkak të udhëheqësve tuaj?

Përgjigje: Më ka qëlluar herë-herë. Raste të tilla lidheshin kryesisht me Hrushovin, i cili nuk ishte në gjendje të bënte shaka të holla dhe ia këpuste me sëpatën e dardharit. Në një fjalim publik, ai mund t’i drejtohej kundërshtarit të vet:

“Po juve kush ua paska rrasur në fyt këtë mi të ngordhur!”.

Shprehje të tilla bënin që çdo njeri normal ta ndiente veten keq. Njëherë, gjatë një bisede me disa gazetarë amerikanë, Hrushovi, i vrerosur nga qëndrimi i kancelarit gjerman Adenauer (1876-1967), në inat e sipër, deklaroi:

“Kurse ne do të veprojmë në atë mënyrë dhe Adenaueri le të lëshojë ndonjë pordhë”.

Mund ta merrni me mend pozitën time, si përkthyes.

Gjatë shërbimit shumëvjeçar, si përkthyes, kanë rastisur gjëra të tilla. Më ka ardhur turp, fjala vjen, për Voroshillovin (1881-1969), i cili, formalisht, në vitet ’60, ishte Kryetar i Presidiumit të Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik.

Kur shkova me shërbim si përkthyes gjatë vizitës së tij në Indi, kur ai ishte i shoqëruar edhe nga dy udhëheqës të tjerë, unë e di se ç’kam hequr. Dhe, çka është më interesantja, indianët patën ftuar kryetarin e shtetit, sepse kishin thënë disa herë:

 “Presidenti ynë Bashkimin Sovjetik e ka vizituar tashmë dy ose tri herë, kurse vizitë të ndërsjellë nuk ka që nuk ka”.

 Dhe pala jonë, duke e ditur që Voroshillovi ndodhej në fazën e fundit të matufosjes, dha e mori dhe i dha karar se një i vetëm ai nuk mund të dërgohej për vizitë. Në përfundim, u mor vendimin që atë ta shoqëronte Froll Kozllovi (1908-1965), i cili asokohe ishte sekretar i Komitetit Qëndror.

Pyetje: Thonë, më falni, se ishte fare pykë në diell?

Përgjigje: Absolutisht pykë dhe pikërisht mua edhe për të më pati ardhur turp, sepse në vitin 1959 isha unë ai që udhëtova me të si përkthyes, për të hapur një ekspozitë tonën në Nju Jork dhe mandej vazhdoi udhëtimi nëpër Shtetet e Bashkuara. Ishte një tmerr i vërtetë: nuk e kishte shokun si një njeri i shushatur  në një mënyrë të pabesueshme!

E treta që do ta shoqëronte Voroshillovin gjatë vizitës në Indi, ishte ministrja e kulturës Ekaterina Furceva (1910-1974). Indianët na pyetën:

“Kush është kryetar i delegacionit?”.

Përgjigjja jonë ishte:

“Kryetar nuk ka. Ata, për nga statusi, që të tre janë të barabartë: anëtarë të Byrosë Politike”.

Indianët e humbën pusullën fare:

“Por nderimet duhet t’i presë dikush, kur, fjala vjen, është rreshtuar roja e nderit, kur duhet të zërë një vend të nderuar nëpër bankete, të cilat në Indi i jep presidenti ynë dhe mandej, gjatë udhëtimeve nëpër Indi, ato bankete i japin guvenatorët e shteteve”.

Pala jonë u dha indianëve përgjigjen e mëposhtme:

“Kryetar, ndoshta, mund të jetë Voroshillovi, por, sido që të jetë puna, për nga pozita e vet, ata të gjithë janë të barabartë”.

Me Voroshillovin atje patën ndodhur gjëra të tmerrshme. Në një muze të Bombeit, që qe mbyllur me rastin e vizitës së mysafirëve të lartë, atij i zunë sytë një person, të themi, jo roje, por një pastrues, i cili i përkiste një kaste njerëzish, së cilës i ndalohej përdorimi i krërit. A e merrni dot me mend se si ishin katandisur flokët e tij? Ezmer, mjekërosh dhe me flokë që i vareshin, të cilët nuk ishin krehur kurrë në jetën e tij. Voroshillovi, pasi e vuri re, nxori krehrin nga xhepi dhe u nis në drejtim të tij, duke thënë:

“Tani unë do të t’i kreh flokët”.

Unë mezi arrita ta ndaloj, thjesht duke i thënë… Por aty mora vesh se i duhej folur fort se qenkej shurdh. M’u desh t’i bërtisja pothuajse me zë të lartë:

- Atij nuk ia lejon feja t’i krehë flokët.

Voroshillovi u hodh përpjetë:

- Feja! A-a-a… Atëherë s’po ia kreh.

Edhe kur vizituam Taxh-Mahalin, Voroshillovi u interesua për katër minaret që ngriheshin në të katër qoshet e sheshit, ku lartësohej ajo mrekulli krejtësisht e shkëlqyer e arkitekturës.

- E çfarë paska brenda atyre minareve? - pyeti Voroshillovi, - ndërkohë që në to varej një dryn i madh. Derguan dikë të merrnin çelësin, por meqenëse shërbimi i sigurisë i kishte larguar nga Taxh-Mahali të gjithë nëpunësit, çelësi nuk u gjet. Voroshillovi u zemërua:

- Mbaj mend kur kam qenë në Turqi, kur vizitova Shën Sofinë, ku nuk u futa, vizitova çdo gjë, kurse këtu s’më lejuakan. Ç’mikpritje na qenka kjo dhe, përgjithësisht, ç’flasim kot për një farë princi, për njëfarë perandori? Ne në vendin tonë këtë kontradiktë e kemi zhdukur me kohë e me vakt. E kemi shpërbërë, merr vesh… Ju na rrëfeni më mirë për ata që e kanë ndërtuar këtë mauzole, ku ndodhen këta punonjës?

Mezi arritëm ta qetësonim. Dhe ky ishte pikërisht njëri nga ato raste, kur unë po përktheja krejtësisht të tjera gjëra, jo ato që nxirrte nga goja “presidenti i një fuqie të madhe”. Madje ky tmerr në përkthim përsëritej praktikisht çdo ditë.

Pyetje: Po si shpjegohet që njerëzit mendojnë se Hrushovi ka goditur me këpucë tribunën e Organizatës së Kombete të Bashkuara?

            Përgjigje: Jo, nuk është kështu, ka goditur jo tribunën, por tryezën, ku ishte ulur delegacioni sovjetik. Në fillim, duke protestuar kundër kritikave në adresë të Bashkimit Sovjetik, ai thjesht po i binte tryezës me grusht. Kurse mandej, në një moment të caktuar, tek po rrija ulur në radhët e pasme, vura re se ai po hiqte këpucën. Meqë ra fjala, ajo nuk ishte këpucë, ishte sandale. Hrushovi kishte qejd t’i vishte sandalet kur ishte mot i ngrohtë. Pas seancës, në një takim me udhëheqësit e vendeve socialiste, Hrushovi sqaroi se ia paskej prishur nervat një folës spanjoll dhe ai, i revoltuar, kish filluar t’i binte tryezës me grusht, çka, si për inat, ora e dorës s’ punonte më. Dhe në gjaknxehtësi e sipër, kishte menduar me vete:

            “Dreqi ta hajë, për qejfin e këtij lakeu kapitalist, prisha një orë të mirë. Dhe kaq shumë m’u ndezën shkotat, saqë hoqa këpucën…”.

Pas kësaj skene, gjithë popullariteti i tij, kuptohet vetvetiu, mori fund një herë e mirë dhe në sytë e opinionit publik amerikan ai dukej si një keqbërës. Rreth figurës së tij ra një heshtje e qëllimshme në shtypin amerikan (Citohet sipas: Dhimitër Gordon. “Përkthyesi personal i Hrushovit dhe i Brezhnjevit, Viktor Suhodrjev”. Faqja e internetit “Bulvar Gordona”. 11 shtator 2014).

 

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page