(Mercenarizmi përballë nacionalizmit)
Para dy ditësh, në Portalin “Fjala e Lirë” lexova me shumë kënaqësi një tregim të nivelit të novelës, me titull “Zarfi sekret”, me autor Pro.dr. Resmi Osmani, një personalitet ky me emër mjaft të nderuar, shkencëtar në fushën e agronomisë, i njohur edhe si shkrimtar, eseist dhe publicist i talentuar.
Tregimi më la mbresa të thella, të cilat po i ndaj me lexuesit e shumtë të këtij Portali. Aq më tepër që për Profesor Resmiun ushqej respekt të veçantë, si bashkëkombas me prejardhje nga treva e Çamërisë, të cilën Babai im, Hasan Ymeri (1890-1970), veteran i Luftës së Vlorës, e vlerësonte si tabanin e mbarë kombit shqiptar.
Përmbajtja e këtij tregimi të skalitet në kujtesë me figuracionin emocionues, me ngarkesën metaforike të tekstit dhe me thjeshtësinë e çiltër të rrëfimtarisë. Ajo i nxit lexuesit fantazinë në përfytyrimin e një realiteti tragjik gjatë viteve të luftës në vendin tonë, kur, për shkak të tradhtisë së krerëve komunistë në shërbim të agjenturës jugosllave, u hodh fara e përçarjes kombëtare, e konkretizuar me luftë vëllavrasëse.
Tregimi bie në sy për frymën origjinale dhe dinamikën e subjektit, bukurinë dhe mjeshtërinë e parashtrimit të ngjarjeve, koloritin e ndezur dhe karakterin e plazmuar mrekullisht të të dy personazheve kryesore. Autori ngjall në botën e lexuesit urrejtjen e papërmbajtur ndaj pabesisë, duke rrënjosur në qenien e tij tiparet e një morali të shëndoshë, si shpirtmirësia, bashkëpërjetimi i fatkeqësive, ndjenja e sakrificës së shqiptarit për shqiptarin për t’i shpëtuar jetën në rast rreziku dhe shpirti i paepur. Lexuesit ai ia prek keq telat e shpirtit dhe e bën të bjerë në përsiatje të thella për vlerat e vërteta të jetës njerëzore.
Në tregim lexuesi vëren një kompozicion linear: ngjarjet janë radhitur në një rend kronologjik. Autori e ka gjallëruar strukturën e tregimit me retrospektivë: lexuesi, herë-herë, ndeshet me kujtimet e dy heronjve kryesorë për të kaluarën. Në themel të tregimit është realizmi. Autori i ka pasqyruar ngjarjet në përputhje me realitetin e viteve të luftës. Heronjtë e tij janë dy të rinj, të cilët i ka vendosur në rrethana tepër dramatike.
Autori, si mjeshtër i penës, megjithëse ngjarjet i shtjellon në një truall konkret nga historia jonë, ai nuk bie në historizëm. Tregimi është model i një përgjithësimi artistik, si metodë që përdoret në artin e aplikuar tradicional. Aty nuk jepen kurrfarë hollësirash për zanafillën e ngritjes së rrjetit të tradhtisë, të përgatitur nga agjentët jugosllavë, të cilët nuk hasën kurrfarë vështirësish për rekrutimin e mercenarëve në radhët e krerëve komunistë shqiptarë. Autori jep vetëm pasojat tragjike të atij rekrutimi. Pra, në këtë tregim, në themel të përgjithësimit artistik, autori ka ravijëzuar mercenarizmin e krerëve komunistë përballë nacionalizmit. Duke e vënë veten në shërbim të armikut tonë tradicional - serbosllavizmit, krerët komunistë minuan themelet e nacionalizmit shqiptar që patën hedhur përfaqësuesit e shquar të Rilindjes sonë Kombëtare në gjysmën e dytë të shek. XIX, themele që u forcuan edhe më shumë pas shpalljes së Pavarësisë dhe sidomos gjatë periudhës së Mbretërisë.
Në librin e historianit të njohur dr. Vasfi Barutit, flitet me fakte konkrete për vlerat e nacionalizmit shqiptar në kohën e Mbretërisë:
“Mbreti Zog kishte merak të madh edukimin e fëmijëve të shkollave me ndjenja patriotike e nacionaliste. Më 1927 Ministria e Arsimit shpalli konkurs kombëtar për tekstin më të mirë për “Patriotizëm e nacionalizëm”, konkursin e fitoi Kristo Floqi, një intelektual mjaft i njohur i kohës, dhe me lejë nr. 1290, datë 24. XI. 1927, botohej teksti i tij “Patriotizëm dhe nacionalizëm”, i detyruar “Për shkollat publike e private të shtetit. Tiranë 1928”, shkruhet në faqen e parë të tekstit. Është tekst shumë i mirë që edhe sot nga të rritur e të rinj do të lexohej me kënaqësi” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 206).
Në faqet e këtij tregimi tepër mbresëlënës, profesori i nderuar Resmi Osmani ka stigmatizuar artistikisht besëprerjen, pabesinë mercenariste të krerëve komunistë në shërbim të agjenturës jugosllave, një pabesi kjo e konkretizuar në mbledhjen themeluese të partisë komuniste më 08 nëntor 1941. Në Rezolutën e aprovuar në atë mbledhje saktësohej detyra “kundër rrezikut që i vjen partisë nga nacionalizmi… Fara e helmët e kundërnacionalizmit, e mbjellë në mbledhjen themeluese të partisë, prodhoi fruta të helmëta për të “dekoruar” me plumb pas shpine qindra nacionalistë gjatë luftës e paslufte dhe me “rrezikun” e nacionalizmit u përgatit strategjia për qëndrim antikombëtar ndaj Kosovës, në interes të politikës kolonialiste të Ttitos” (po aty, f. 270, 271).
Dy të rinjtë, heronjtë kryesorë të tregimit - Petriti dhe Pirroja (Studenti) - kanë prejardhje të ndryshme. I pari është më origjinë fshatare, kurse i dyti e ka prejardhjen nga një familje intelektuale. Pirroja kishte ndërprerë studimet, pas përfundimit të kursit të dytë në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Napolit dhe ishte kthyer në atdhe për të marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë. Babai i tij, dr. Qirko, i kishte përfunduar studimet për mjekësi në Universitetin e Vjenës, pra, i përkiste krahut nacionalist. Petriti dhe familja e tij qe rreshtuar në krah të ushtrisë nacional-çlirimtare. Aty Petriti ishte pranuar edhe në radhët e partisë.
Autori i tregimit e ka vënë Petritin para një prove tejet të vështirë: komandanti dhe komisari i njësitit partizan, në një zarf sekret, të cilin, së bashku me Studentin, duhej ta çonte në komandën e një tjetër njësiti partizan, i kishin caktuar si detyrë që, në rrugë e sipër, ta vriste studentin pabesisht. Dhe Petriti përsiat gjithë trishtim:
“Një urdhër i vrazhdë, shkruar me mllef, si të mos ishte fjala për një njeri, për vrasjen e shokut pabesisht, ashtu siç vritet një qen i tërbuar. “Person i rrezikshëm, pjesëtar i Grupit të të Rinjve, spiun i italianëve, e kemi dënuar me vdekje. E dërgojmë tek ju që sa më shpejt të mundni, këputini një plumb pas qafe. Pa zhurmë, pa bujë. Askush të mos e dijë””.
Petriti nuk mund ta zbatonte atë urdhër, nuk mund ta vriste Studentin, sepse zbatimi i atij urdhri do të përbënte një shkelje të rëndë të kodit moral të shqiptarit. Por Studentin e vrau pabesisht dikush tjetër në një pritë, të cilit i ishte ngarkuar detyra nga komanda e njësitit partizan për ta eliminuar, në rast se Petriti nuk do ta zbatonte atë urdhër.
Një urdhër kriminal ky, si të gjitha ato urdhra që qarkullonin nëpër komandat partizane gjatë luftës për shfarosjen e njerëzve me brumosje nacionaliste.
Prandaj porositë, të përcjella gjatë luftës në strukturat e partisë dhe të ushtrisë përmes Nexhmije Xhuglinit, ishin të prera:
“Të dekorohet pas koke, në befasi, në fshehtësi, me nderime (sipas rastit), pa lënë shenjë guri-varri… Dekorimi është marrje e jetës me plumb pas koke a shpine, dekorimi kërkohej të bëhej në befasi për kundërshtarin dhe në fshehtësi të madhe që e vërteta të kallet me kufomën… Urdhri me Dekorim një shpikje që s’ka të ngjashme as me inkuizicionin spanjoll, më i egri. Dekorime ku? Teksa shuan etjen në burim, ose t’i pritet kënga në gojë, apo teksa dëgjon muzikë me kufje në vesh, ose me krahaqafë përposhë zabelit… Që varri të jetë sekreti i territ, për të mos u zbuluar kurrë. Sipas rastit, pas dekorimit me lotë të krokodilta të ekzekutorëve, po dhe Urdhër Dite me ulje flamuri gjyasmështize në ushtri, apo hedhje trakti ndër partizanë a në popull të rajonit për “nderimin” e të dekoruarit, hi syve familjarëve, partizanëve dhe popullit! (po aty, f. 377, 378).
“Dekorime” të tilla kanë pasë qenë të shumta gjatë viteve të luftës. Le të kujtojmë, si shembull, vrasjen e pabesë të Mynyr Xhindit, sekretarit të partisë të qarkorit të Vlorës, i cili universitetin e kishte përfunduar në Francë për inxhinieri, vrasjen në një mënyrë po aq të pabesë të Mustafa Kaçaçit, të Mustafa Gjinishit e të sa e sa të tjerëve.
Dihet që, në letërsinë artistike të periudhës së diktaturës së egër komuniste, as që mund të mendohej botimi i veprave të tilla, në të cilat të mund të hidhej dritë mbi krimet e rënda kundër përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar gjatë viteve të luftës. Por duhet duhet pranuar se edhe pas vitit 1990, kur diktatura komuniste u zëvendësua nga demoshëmtia dhjetoriste, nuk patën dalë në dritë vepra të tilla, me përjashtim të disa përmbledhjeve me kujtime të figurave të shtresës së të përndjekurve politikë, të cilët qenë dergjur për vite të tëra nëpër burgje dhe kampe internimi. S’mund të ndodhte ndryshe, sepse, faktikisht, diktatura komuniste gjysmëshekullore u zëvendësua me një diktaturë neokomuniste, e cila kundërshtarin politik nuk e burgos, nuk e vret, por thjesht e persekuton me armën e varfërisë, duke e detyruar të braktisë vatrën amtare për një jetë për të qenë në vende të huaja.
Kaliforni, 04 qershor 2024
Comments