Para dy ditësh, në këtë Portal, lexova artikullin tejet mbresëlënës të intelektualit të njohur Vullnet Mato, me titullin “Ne ilirianët e lashtë të Arbërisë”.
Artikulli është i shkurtër, por “ushtima” e tij është e barabartë me atë të një arme artilerie me kalibër shumë të madh. Thelbin e këtij artikulli e përbën shqetësimi intelektual i një atdhetari me vetëdije të lartë kombëtare: emërvendet (toponimet) që pushtuesit e huaj, shekuj më parë, patën “ngulur” me dhunë në trojet tona etnike, vazhdojnë ende “të sundojnë në qejfin e vet”, si në një vend pa zot. Prandaj autori i artikullit s’e përmban dot revoltën e vet dhe shpërthen me shumë të drejtë:
“... Si është e mundur pas kaq shekujsh, kombi ynë, në të gjithë shtrirjen e tij, Shqipëri-Kosovë-Mal i Zi- Maqedoni e Veriut, pranon dhe duron të mbajë mbi shpinë emërtimin poshtërues të historisë pushtuese, pa marrë guximin e ligjshëm t’i fshijë nga kujtesa kombëtare këta emra robërues?!!! Çfarë bën Akademia e Shkencave, e cila, pas dorëheqjes së ish-kryetarit Muzafer Korkuti, që dha kontribut të rëndësishëm në arkeologjinë shqiptare, e zëvendësoi me figurantë të politikës, që po flenë gjumin akademik të rrogave të majme?..”.
Domosdo që ato emërvende të shpifura duhet të ishin zëvendësuar me kohë e me vakt gjatë periudhës 1945-1990. Por, për fatkeqësinë tonë kombëtare, në atë kohë nuk u ndërmor kurrfarë nisme e tillë, sepse ajo ishte koha e “krushqisë” së madhe me shovinizmin serbosllav. Historiani Kastriot Dervishi shkruan:
“Asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë nuk shihet me transparencë kaq të plotë një pushtet kolaboracionist kaq lolo në shërbim të jugosllavëve dhe me dëshirë të plotë kundër vendit të vet, sa në periudhën 1944‑1948. Edhe pas prishjes së flagrancës së madhe, të imponuar nga kushtet jashtë Shqipërisë, nuk pati ndonjë ndryshim kryesor, pasi filloi periudha e flagrancës së madhe që ia la vendin kamuflazhit të madh” (Citohet sipas: “Flagranca e marrëdhënieve shqiptaro‑jugosllave në vitet 1944-1948”. Faqja e internetit “Zëri islam”. 28 shtator 2009).
Pas vitit 1990, kur u vendos demoshëmtia dhjetoriste, as që mund të mendohej absolutisht se mund të kujtohej ndokush për krijimin e ndonjë grupi studiuesish nga fusha e gjuhësisë dhe e historisë për t’i hyrë punës për flakjen e emërvendeve të huaja në mbarë trojet tona etnike dhe zëvendësimin e tyre me emërvendet tradicionale pellazgoiliriane. Sigurisht, sepse në periudhën e demoshëmtisë dhjetoriste, klasat politike që kanë hipur dhe kanë zbritur nga pushteti, kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë si qëllim kryesor garën se kush do të bëhej më shpejt milioner.
Megjithatë, pas shpalljes së Pavarësisë, në vendin tonë patën dalë në skenën politike burra shteti, të cilët patën menduar shumë seriozisht për t’i hequr qafe një herë e mirë emërvendet-mbeturina të sundimeve të huaja dhe për zëvendësimin e tyre me ato të traditës shumëshekullore pellazgoiliriane. Zëvendësimi i tyre më pati shqetësuar këtu e disa vite të shkuara. Dikush nga miqtë e mi më pati rekomanduar t’i drejtohesha publicistit, studiuesit dhe historianit të talentuar dibran, zotërisë së nderuar Fatos Daci, Mjeshtër i Madh, i cili kishte hulumtuar me shumë pasion lidhur me problemin në fjalë, duke iu drejtuar periudhës së mbretërimit së Ahmet Zogut. Dhe me fisnikërinë që e karakterizon, zoti Fatos pati mirësinë të më dërgonte materialin në vijim, i cili është një thesar i vërtetë për historinë dhe shkencën tonë kombëtare, për rivendosjen e dinjitetit tonë në fushën e toponomastikës kombëtare. Këtë material e ruaj si një thesar të çmuar në rojtinën e kompjuterit tim dhe kam kënaqësinë t’jua përcjell edhe lexuesve të këtij Portali me auditor shumë të gjerë:
Fatos Daci
Një shqetësim kombëtar, në kohën e duhur
Shqipëria duhet të flas shqip
Ahmet Zogu i shqipëroi për herë të parë e të vetme të gjithë emërvendet, Ja emrat e rinj të fshatrave, një për një për të gjithë Shqipërinë
Nga Fatos Daci
Publicist, historian
Kontakt :
E-mail journaldibra@yahoo.com
Telefon: 0676898430
Pak ditë më parë, nëpërmjet mjeteve të informimit publik, u njoha me shqetësimin që emrat e fshatrave tona janë me ndikime e trajtë të huaj. Kur është fjala për shqetësime e interesa kombëtare për mua nuk ka rëndësi se cilët janë ata që shtrojnë çështje e probleme të karakterit kombëtar, se të gjithë këta ia duan të mirën vendit të vet. Ndaj, kushdo qofshin meritojnë respektin tim.
Më erdhi mirë që një problem kaq serioz e shqetësues për kombin tonë u artikulua botërisht. Shqetësimi i ngritur tani nuk ishte një rrufe në qiell të kthjellët, por një problem kombëtar, i akumuluar ndër vite për t’u bërë një ditë publik. Plot 74 vite më parë ky problem, që ngrihet sot, nuk qe problem OJQ-sh e individësh, por një problem shtetëror e qeveritar, që mori zgjidhje.
Por nuk mund të mos shpreh keqardhjen që ky shqetësim nuk u ngrit asnjëherë nga institucione të specializuara te shtetit shqiptar, si dhe as nga një mori institutesh të “pavarura” (që të gjithë të varur te politika), që kanë mbirë si kërpudha për të zhvatur para nga donatorë vendas e të huaj, por, që pak ose aspak po u shërbejnë interesave kombëtare.
Tani më nuk është i panjohur fakti që shumica e emërvendeve: të fshatrave, lagjeve, qyteteve, lumenjve, janë me prejardhje e ndikime nga gjuhë të huaja të shteteve fqinje. Kjo gjë ka ndodhur për shkak të pushtimeve afatgjata e afatshkurtra të vendit tonë nga shumë shtete e kombe të tjera, të afërt e të largët.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë njohur sulmet e pushtimet e fiseve barbare të gotëve, astrogotëve, visigotëve, hunëve, avarëve, maqedonasve etj. Shqipëria e shqiptarët kanë njohur tri pushtime rreth 500-vjeçare secili prej tyre- të romakëve, bizantëve dhe osmanëve. Vetëm në periudhën 1912-1944, gjatë 32 viteve, Shqipëria ka njohur invadimet e pushtimet serbe, bullgare, austro-hungareze, malazeze, greke, italiane e gjermane; plot 8 shtete e tetë kombe të tjerë.
Të gjithë këta pushtues barbarë shkatërruan e plaçkitën çfarë gjetën mbi tokë. Ata vranë e masakruan mijëra atdhetarë shqiptarë, që nuk duronin zgjedhën e pushtimit dhe luftuan kundër tyre, të gjithë ata që mbrojtën vatanin, gjuhën e flamurin. Por dëmi më i madh që i sollën këtij vendi qe shkatërrimi i kulturës iliro- shqiptare dhe injektimi në vend të saj i kulturave të tyre.
Nga pushtuesi i parë e deri tek më i fundit e dinin mirë se sa më shumë të pushtonin shpirtin e mendjet e shqiptarëve, aq më rehat sundonin dhe më shumë zgjasnin pushtimin e tyre. Ndaj e filluan nga kjo anë. Të gjithë fuqitë pushtuese punuan për këtë qëllim me laps e me program. Fillimisht goditën ndjenjat fetare. Të krishterët ndërtuan pafundësisht kisha e objekte të tyre të kultit. Myslimanët ndërtuan me po aq zell xhami e tyrbe. Ekspansioni fetar qe në plan të parë të tyre, sepse shumica e pushtuesve nuk qenë shtete laikë, por qenë shtete ideologjikë fetarë. Ky ekspansion fetar vazhdon edhe sot me të gjithë format e mënyrat dhe konstatohet lehtësisht nga kushdo, herë si një përpjekje tinëzare e herë e hapur e antishqiptarëve për të përmbysur raportet reale fetare, ashtu si ethshëm po tentojnë të ndryshojnë raportet etnike.
Të mos harrojmë, atë që e bënë në shekuj e mijëvjeçar, po e bëjnë edhe sot qetë-qetë, pa i trazuar askush. Dhe ngushëllohemi se po “globalizohemi”, po “evropianizohemi”! Po në cilin shtet fqinj, mund ta kenë bërë dhe mund ta bëjnë shqiptarët, atë që të tjerët po e bëjnë kundër nesh? Në asnjë prej tyre, se edhe pse ato vende e ata qytetarë “globalizohen” e “evropianizohen”, ashtu si ne, po guxove të bësh në vendet e tyre atë që ata bëjnë këtu, ta shkurtojnë gjuhën e t’i presin këmbë e duar!
Të gjithë pushtuesit, me po aq zell sa punuan për të përpunuar mendjet e besimtarëve, punuan edhe në fushën e etnokulturës, duke futur elementë të veshjes, zakoneve, kuzhinës e të gjuhës së tyre. Ndër këta elementë ata si më të rëndësishmin konsideruan emrat e vendeve në gjuhën e tyre, të cilat në planin afatgjatë ishin për ta piramida të vërteta territoriale në brendësi të vendit tonë. Të gjithë e shohin se, edhe sot, këto piramida të vëna prej tyre në kohë pushtimesh, shovinistët po i përdorin si alibi në luftën e ethshme të tyre për të ndryshuar raportet etnike në Shqipëri, me synimin e vetëm për ta kthyer vendin tonë, ashtu si nuk është, në një shtet multietnik.
Po t’u hedhësh një vështrim të gjithë emrave të fshatrave, lagjeve e qyteteve dhe të lumenjve, të parcelave e të ngastrave të tokës, të shumtët janë me ndikime e huazime nga vendet pushtuese fqinje.
Emër-vendet e Lindjes, Verilindjes dhe të Veriut janë me prejardhje sllavo-maqedonase-bullgare, të Veriperëndimit me prejardhje malazeze, pjesa bregdetare perëndimore me prejardhje romake, të Jugut e Juglindjes me prejardhje greke.
Në këtë rast nuk kam si qëllim të pasqyrojë vlerat e padiskutueshme shtet-formuese të regjimit të Ahmet Zogut, por mbreti Zog ishte ai që bëri tentativën e parë dhe të vetme për t’i shqipëruar të gjithë këto emër-vende me prejardhje nga gjuhët dhe ndikimet gjuhësore të pushtuesve. Një përpjekje e tillë nuk u bë as gjatë regjimit të gjatë komunist e as në këto njëzet vite që ne, shqiptarët, i quajmë rëndom vite të tranzicionit.
Ishte mbreti Zog që këtë fenomen nuk e la vetëm si shqetësim qytetar e atdhetar.
Në vitet 1922-1923, kur Ahmet Zogu ishte ministër i Brendshëm, në të gjithë prefekturat qenë ngritur komisionet përkatëse për shqipërimin e emërvendeve dhe punuan në mënyrë sistematike.
Në pranverë të vitit 1937, shqetësimi për emrat e lagjeve, katundeve dhe lumenjve me ndikime të huaja e të imponuar nga të huajt u ngrit në Parlamentin Shqiptar, i cili votoi për ndryshimin e tyre. Me dekretin e datës 5 maj, Zogu I, Mbret i Shqiptarëve vendosi për ndryshimin e emrave dhe autorizoi qeverinë për të vepruar. Qëllimi i këtij dekreti shprehet qartë në Nenin 1, ku shkruhet: “Autorizohet qeveria për të zëvendësuar me emra të përshtatshëm ato të disa prej qyteteve, katundeve, lagjeve, lumenjve të Mbretërisë, të cilat kanë humbur në kohën e shkeljeve dhe okupacioneve të huaja emrat origjinalë të tyre për të marrë emra të imponuar nga të huajt”.
Në zbatim të ligjit mbi “Ndryshimin e emrave të disa katundeve, qyteteve, lagjeve, lumenjve etj” në të gjithë prefekturat e mbretërisë u ngritën komisione shtetërore, të cilat do të bënin studimin e konvertimin e të gjithë emër-vendeve të deriatëhershme. Ndërkohë, në çdo komunë apo bashki u ngritën komisione të tjera vendore. Në krye të komisionit qeveritar ishte Ajet Libohova. Pas 14 muajve pune intensive komisionet shtetërore vendore të komunave, të bashkive dhe të prefekturave të vendit kryen studimet e duhura dhe morën vendimet përkatëse, të cilat ia paraqitën komisionit qendror. Komisioni qendror, në gusht të vitit 1938, ia paraqiti komisionit të posaçëm të qeverisë për miratim. Në përbërje të Këshillit të Ministrave, që vendosi për ndërrimin e emrave morën pjesë Faik Shatku-zv.kryeministër e ministër i Drejtësisë (që drejtoi edhe mbledhjen), Ekrem Libohova-ministër i Jashtëm, Musa Juka-ministër i Brendshëm, Kolë Thaçi-ministër i Financave, Abdurrahman Dibra-ministër i Arsimit, Rrok Gera-ministër i Ekonomisë. Siç shihet dy (të dy ministra) nga 6 anëtarët, madje njëri dhe kryetari i këtij komisioni, qenë dibranë.
Në përfundim të shqyrtimit Këshilli i Ministrave me një vendim të posaçëm vendosi që emrat e katundeve, qyteteve, lagjeve e lumenjve të ndryshohen siç do t’i bëjmë të ditura më poshtë. Për ilustrim po marrim disa nga prefekturat, ku ndikimet e huaja kanë qenë më të mëdha e për të cilat pretendimet shoviniste janë akoma më të mëdha. Këto prefektura janë në skajet e kufijve të sotëm shtetëror, por i njëjti fenomen ka ndodhur edhe në të gjithë prefekturat e tjera, edhe pse ata ndodhen në brendësi të vendit.
Le të fillojmë me emrat e vendeve, ku pretendimet shoviniste sllavo-maqedono-bullgare janë ngritur në sistem nëpërmjet shoqatave dhe të partive të tyre antishqiptare të ngritura mbi baza të pretendimeve etnike “të pakicave” të tyre kombëtare.
Prefektura e Dibrës:
Nga 153 fshatra (pa nënprefekturën e Burrelit) nuk ndryshuan emrat e 34 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 119 fshatrave (80 % e të gjithë fshatrave), si më poshtë: Bellovë-Bardhushe, Cerjan-Kërrabaj, Çetush-Bregasi, Dohoshisht- Hysenaj, Grevë-Grindushë, Ilnicë-Kreshtë, Melan-Miellaj, Pejkë – Bishtore, Pjeçë-Kurrizaj, Pollozhan-Kuqelinë, Rabdishti-Lugina, Rrashnapojë – Rrafshinë, Staravec-Shëngjergj, Tomin-Dëshmoraj, Trepça-Vjeshta, Ushtelenza-Begata, Zagradi-Qytetëza, Zimuri-Dimnori, Hoteshi-Tejdrini, Lishani-Ledhaj, Luznia-Petritaj, Allajbegi-Draguoni, Bllata e Epërme-Burimi i Epër, Bllata e Poshtme-Burimi i Poshtëm, Çernena-Zheshkorja, Dovolani-Lëndina, Grazhdani-Moisiu, Kërçisht i Epër-Gur i Epër, Kërçisht i Poshtëm-Gur i Poshtëm, Kllobçisht-Lisi i Madh, Kovashica-Farkëtorja, Oboku-Bujkaj, Pesjaka-Rranxa, Pocesti-Ujmira, Popinara-Pjeshkorja, Vojnika-Brrakaj, Bahutaj-Mallasi, Bulaçi-Kulaçi, Blliçaj-Shalësi, Borovjani-Përpjekasi, Brest i Epër-Brezi i Epër, Brest i Poshtëm-Brez i Poshtëm, Berzhdani-Karahasanaj, Deshati-Gjylaj, Kishavec-Kishaj, Limjani-Lymaj, Sohodolli-Thatina, Shimshani-Shëmria, Vranjt-Pishaj,Kalla-Kallëza, Sllatina-Floriri, Shumbati-Dushkaj, Venishti-Vëneshta, Ratkaj-Rrathaj, Selishta-Shpatinaj, Bulqiza-Bylmetaj, Dushaj-Njomëza, Vajkal-Vrapkali, Krajka-Krekëza, Lubaleshi-Pjellorja, Safraçani-Tryezgjana, Strikçani-Thatushi, Zerqani-Arta, Boçeva-Kuqlashi, Çereneci-Sukthi, Gjorica e Epër-Bukuroshi i Epër, Gjorica e Poshtme-Bukuroshi i Poshtëm, Homeshi-Skënderaj, Kovashica-Guramira, Mazhica-Kështenjasi, Okshatina-Miroshi, Stushaj-Dushkaja, Topojani-Ura, Golevishti-Shpatllasi, Sepetova-Gropaj, Mireshi-Miraj, Izvira-Bushaj, Borova-Brinjasi, Gjinoveci-Gjinaj, Klenja-Theknore, Sebishti-Trimaj, Strebleva-Shllinëza, Trebisht Çelepi-Treanas i Mesëm, Trebisht i Epër-Treanas i Epër, Trebisht Muçinë-Treanas i Poshtëm, Zabzun-Ushtima, Lejçani-Gurakuqi, Lladomerica-Djegas, Okshtuni-Hoxhëmuglli, Ostren i Madh- Plakasi i Madh, Ostren i Vogël-Plakasi i Vogël, Radoveshi-Ranga, Smolliku-Shkoza, Tërbaçi-Thakas, Tuçepi-Kumbulla, etj.
Prefektura e Kosovës (Kukësit):
Për nënprefekturën e Qendrës nga 28 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat e 9 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 19 fshatrave (rreth 70 % e tyre), si më poshtë: Brruti-Thupra, Gostili-Gushtaj, Myçi-Rrasa e Lekës, Dobruca-Ujmira, Peraj-Bardhoshaj, Perollaj-Lugina, Vranishta-Malishta, Zaharishta-Trojëza, Nikoliqi-Nikolaj etj..
Për në prefekturën e Lumës, nga 76 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan 29 prej tyre dhe ndryshuan emrat e 47 fshatrave (ose 60 % e tyre), si më poshtë:Bardhoc-Bardhoshi, Bela-Bardhaj, Borja-Lulëzimi, Brekinja-Bregina,Cernaleva-Pyllishta, Kollovozi-Kodraj, Kasharishta-Kepaj, Novosej-Katund i Ri, Oreshka-Rreshka, Orgjosta-Burimaj, Shishtaveci-Fushaj, Zapodi-Pikllimaj, Bushtrica-Ranishte, Kllasi-Kalisi, Ploshtani-Plotaj, Radomira-Bukuroshi.
Për nënprefekturën e Malësisë së Gjakovës, nga 145 fshatra gjithsej nuk ndërruan emër 41 prej tyre dhe i ndërruan emrat 104 fshatra (70 % e tyre), si më poshtë: Myhejani-Mehaj, Vladi-Fusha, Leniçi-Lendishti, Zharka-Brezdaja, Bratoshnica -Vllaznija, Koçanaj-Kallishta, Tepla-Pla, Peraj-Bjeshka, Raja-Shkambi, Dushaj-Dushkaja, Dojane-Kuvendi, Resuj-Rreth Uji, Viliq-Leka i Zi, Radogosh-Dëshira, Visoç-Sukthi, Vatoc Vidric-Fangu i Vogël etj.etj.
Prefektura e Elbasanit:
Nga 180 fshatra, nuk ndryshuan emrat e tyre 92 fshatra dhe i ndryshuan 88 fshatra, pra, rreth 50 % e tyre, si më poshtë: Bradasheshi-Bregsheshi, Godoleshi-Pemëza, Jagodina-Oriza, Jateshi-Trashi, Karakullaku-Mbikusha, Kozani-Edhëza, Kuqani-Arrasi, Meliza-Mbleta, Murriqani-Uriqaj, Petreshi-Gjurmasi, Reçani-Lisaj, Shushica-Rraza, Martaneshi-Kaptina, Fenarsi-Flaka, Kostenja-Gështenja, Zdrajsha-Muzhagja, Biçakaj-Briskaj, Broshka-Shkumiza, Kajani-Shkëmbi, Budini-Bletëza, Dushkani-Dushkaja, Koçani-Koçaj, Isufmuçani-Muçani, Terbsaçi-Rrushnaja, Viskiqi-Vendkeqi, Babja-Shulorja, Dragostunja-Melqiza, Gizaveshi-Lajthiza, Hotolishti-Balldrethi, Kokreva-Kokrraj, Letmi-Verasi, Vulçani-Gjemthi, Bezeshta-Qyteta, Oraka-Uraka, Rashtani-Ballkuqi, Raica-Suta, Somotina-Bardhaj, Skroska-Shtresa, Straniku-Shqiponja, Vehçani-Shpatza, Jeronishti-Lana, Zavalina-Maskartha, Bejliku-Prona, Bizhdeni-Dafinëza, Gostima-Ujza, Shtermeni-Shkozet, Serica-Verriza, Terepsenishti-Bliza etj. Etj.
Vazhdojmë me emërvendet e Juglindjes, tek të cilat konstatohen ndikime maqedone e greke.
Prefektura e Korçës:
Nga 137 fshatra gjithsej nuk ndryshuan emrat e 35 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 102 fshatrave (ose 75% e tyre), si më poshtë: Barçi-Bardhi, Belartoja-Mesi, Biranji-Niraj, Boboshtica-Manëza, Bellovoda-Ujë i Bardhë, Bulgareci-Arbëri, Çiflik Shemoll-Fushëkuqi, Dersniku-Lakthi, Dishnica-Mullias, Drenova-Thanëza, Dvorani-Kurtaj, Kamenica-Mulçija, Orman Çiflik-Gjashtë Dëshmorët, Polena-Pullazi, Porodina-Rushaj, Pulaha-Pulaj, Ravoniku-Rafshaj, Rembosi-Drithas, Vashtemija-Vashëza, Vinçani-Vinjolli, Voskopi-Vreshtëza, Nikolica-Nikaj, Sinica-Mollëza, Kolaneci-Kalaji, Liboniku-Shelgasi, Pirku-Prika, Plovishti-Plepaj, Pocesta-Prita, Vloçishti-Reza, Zvirina-Burimasi, Brozdoveci-Degaj, Peshtani-Brinjari, Rosoveri-Rosaj, Toroveci-Koroziu, Varvara-Varrëza, Vrepcka-Harabeli, Xerja-Kryebardha, Doberçani-Shkrepaj, Copeli-Kopshti, Moglica-Liresi, Zemblaku-Zembraj, Podgorija-Temali, Zvezda-Gelqerasi, Posteci-Shen Pali, Gjergjevica-Gjergjaj, Kushova-Pishaj, Lozhani-Vreshtari, Osoje-Bredhasi, Tresova-Hijëza, Grabocka-Kueba, Leshnje-Lathias, Lubonja-Dashasi, Panariti-Dashamiri, Stratoberdha-Ushtriza, Treska-Arishta, Trebicka-Tribigasi etj. Etj.
Tani vijojmë me Jugun e Shqipërisë, ku hasen ndikime greke.
Nënprefektura e Leskovikut:
Nga 32 fshatra, nuk i ndryshuan emrat e mëparshëm 12 prej tyre, ndërsa i ndryshuan emrat 20 fshatra, si: Cercka-Bukëz, Çarshova-Mazaraku, Hosecka-Shpati, Leshova-Ripas, Pobickë-Vashëza, Postenan-Morriza, Radanj-Rradha, Radat-Rrodhëza, Rodohova-Punmira, Sarandopori-Vehaj, Vrepcka-Pjeshkëza, Izgar-Shkoza, Kovaçisht-Farkaj, Kreshova-Dardhas, Melani-At Stathaj, Mbreshtani-Breshta, Toranik-Ahishta, Zguraleci-Guraleci.
Nënprefektura e Kolonjës:
Nga 50 fshatra gjithsej, 22 fshatra nuk i ndryshuan emrat, ndërsa 28 fshatra i ndryshuan emrat e mëparshëm, si: Bejkova-Bujarasi, Borova-Pishaj, Gostivishti-Rrushkaj, Kodra-Kreshniku, Mesiçka-Mshikza, Psari-Peshkasi, Rehova-Bubullina, Vodica-Shenkolli, Zharkanji-Zezaka, Gozhdarazhde-Çmershi, Kamniku-Gurishtë, Leshnja-Lajthia, Radimishti-Gurëza, Bezhani- Grykaj, Koseli-Kedhasi, Skorovoti-Shendelli, Mileci-Kroj i Madh, Lencka-Gurë i Bardhë, Orgocka-Pendari, Selinicë e Pishës-Pyllasi.
Prefektura e Gjirokastrës:
Në komunën e Qendrës, nga 80 fshatra, nuk ndryshojnë emër vetëm 22 fshatra dhe e ndryshojnë emrin 58 fshatra (75 % e gjithë fshatrave), si më poshtë: Derviçan-Kukel,Dhoksat-dushka, Dhuvjan-Pronjat, Frashtan-Arbëri, Goranxi-Gur i Zi, Gorice-Bregu, Grapshi-Gravë, Hashova-Drague, Kakozi-Miraj, Nokova-Visi, Palokastra-Kështjella, Sofratika-Shufrati, Saraqinishta-Gjerni, Tranoshishta-Trandaj, Vanista-Vëneshta, Cepuna-Çepaj, Zhulat-Shulaj, Dropull-Fusha e Drinit, Deshnica-Dërrasa, Hoshtova-Kodra, Nivani-Nënmali, Sheperi-Sipër, Topova-Lajthiza, Konispoli-Çamëria, Çuçat-Cuca, Aligat-Trilagje, Dishat-Vishëza, Ninat-Nënëza, Perdhihor-Fëllenza, Çiflik-Fushaj, Grave-Lajthizë, Grazhdan-Drizë, Kakat-Kalaj, Kullurice-Kulperi, Qeburja-Rinia, Soponiku-Botkuqi, Zmineci-Dimnori, Theollogo-Rapëza, Vagalati-Vlaga, Vrina-Vrima.
Nënprefektura e Delvinës:
Nga 41 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat 3 fshatra dhe i ndryshuan emrat 38 fshatra, si më poshtë:Brailat-Brrylaj, Kokodhiq-Merinoti, Kardhikaq-Kërthias, Kalase-Rebesh, Karakaxh-Pemza, Kopaçe-Ferras, Kongoc-Kungaj, Lefterhor-Liria, Mavropulli-Zezar, Mesopotam i Poshtëm-Meslumaj i Poshtëm, Mesopotam i Sipërm-Meslumaj i Sipërm, Palavli-Pallati, Senica-Kullosaj, Vergo-Purteka, Dhrovjani i Sipërm-Kastrioti i Sipërm, Dhrovjani i Poshtëm-Kastrioti i Poshtëm, Leshnica e Sipërme-Lajthiza e Sipërme, Leshnica e Poshtme-Lajthiza e Poshtme, Çerkovica-Rrethina, Valahove-Vllazeri, Ardhosova-Ardhas, Dhivri-Dibri, Ymer Efendi-Omertaj etj.
Nënprefektura e Tepelenës: nga 54 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrin e mëparshëm 18 fshatra dhe 36 fshatra (60 % e tyre) e ndryshuan emrin e mëparshëm, si më poshtë: Breçishta-Fatosi, Berça-Grykëza, Hormova-Hardhija, Kashishta-Zallishta, Labovë e Madhe-Laborë e Madhe, Labovë e Vogël-Laborë e Vogël, Memaliaj-Sharkaj, Mexhgorani-Merguraj, Peshtani-Qyteza, Veliqoti-Veliaj, Kalivaçi-Donije, Kamshishti-Mesari, Koshtani-Gershtanizi, Levani-Luani, Qesarati-Qeshaj, Lapmartallozi-Qafëza, Mahmut Gjinaj-Gjinaj, Matoha Sanaj-Mataj, Salarija-Shpati, Gllava-Çukëza, Zvori-Burimi, Komari-Kodrina, Maricaj-Merjani, Rabije-Lisi, Selcka-Kopshtina, Zhabotika-Majasi etj.
Prefektura e Beratit: Nga 137 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat e 84 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 53 fshatrave, si më poshtë: Bistovica-Kështjellëz, Dobroniku-Bukuranje, Gjoroveni-Mali Plak, Kulalakut-Lahut, Mbolan-Bajames, Uznova-Fushgjata, Velobishti-Defrimi, Vetoniku-Dardhanj, Kuçova-Vajguri, Qereshniku-Qershajn, Çoragjaf-Qafaj, Plashnik-Kreshnik, Drenovica-Drithas, Sllanica-Shenjas, Velmishti-Fatmiri, Malishova-Karaflanj, Poliçani-Rosanjë, Hallvaxha-Kodras, Polozhani-Pëllumbas, Skrevani-Shkrepaj, Vokopola-Kryegregas etj.
Prefektura e Vlorës:
Nënprefektura e Himarës: nga 7 fshatra, nuk ndryshuan emrat 4 prej tyre dhe i ndryshuan emrat 3 fshatra, si më poshtë: Qiparo-Gjinovleshi, Dhërmi-Gjolekaj, Vuno-Malaj, ndërsa Himara, Palasa, Kudhësi dhe Piluri nuk ndryshuan nga forma e parë.
Nënprefektura e Vlorës: Nga 91 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat për 56 fshatra dhe ndryshuan emrat e 35 fshatrave si më poshtë:Tophana-Lagjja e Flamurit, Varosh-Kaçanik, Drashovicë-Drangaj, Kropisht-Fjerza, Movrovë-Fitorja, Budina-Verri, Golimbas-Pellambas, Ploça-Amantina, Sevaster-Kunorë, Velçe-Shpellaj, Brataj-Shkambi i Kuq, Gumenicë-Bigaj, Vranishtë-Zallishtë, Ramicë-Ramaj, Smokthinë-Zhgabaj, Brusja-Limaj, Gerneci-Arza, Karbunari-Thengjillas, Treshovë-Kështjellë, Bestrovë-Plepaj, Hoshtimë-Ushtimë, Kerkove-Shkrepaj, Zvernec-Rrethujëza, Bunavi-Verore, Aliban-Aliasi, Grabian-Gropaj, Novoselë-Katund i Ri, Sofratinë-Sopi.
Nënprefektura e Sarandës:
Nga 24 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat e 10 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 14 fshatrave (60 % e fshatrave), si më poshtë: Saranda-Zogaj, Metoq-Metaj, Trembull-Tremburi, Gjiashte-Gjashte, Karalibaj-Likaj, Kalive Shushi-Sheshi, Bredan-Brija, Çaush-Rreshteri, Vermero-Kalina, Çiflik Vana-Vena, Ksamili-Mulliri, Hundecovë-Hundaj.
Emrat e këtyre njësive vendore të marra në analizë kishin ndikimet më të mëdha dhe pësuan ndryshime dërrmuese. Nga gjithsej 1233 fshatra, nuk i ndryshuan emrat e mëparshëm vetëm 471 fshatra, ndërsa 762 fshatra ( 62 % e totalit) i ndryshuan emrat e mëparshëm.
Por kemi dhe nënprefektura, ku ndikimet qenë më të vogla dhe për rrjedhojë edhe ndryshimet pati fare pak. Këto nënprefektura në brendësi të vendit dhe në periferi pothuajse nuk kanë rënë nën pushtim ndaj dhe kanë pasur dhe ndikime të më pakta.
Nënprefektura e Burrelit: Nga 164 fshatra gjithsej ( se atëherë Burreli kishte në juridiksion edhe fshatrat komunave Lurë dhe Selishtë, si dhe disa fshatra të Mirditës) ndryshime përmbajtësore pësuan vetëm 10 fshatra, si: Bishkashi-Pishkashi, Klosi-Dullinjasi, Bejni-Shkreptima, Derjani-Derëgjani, Boshiqi-Krismajt, Kome-Këmbaj, Midha-Millëz, Karica-Karriza, Fsheti-Fshati, Shlliu-Shenllija.
Nënprefektura e Mirditës: Nga 45 fshatra gjithsej asnjërit nuk i ndryshoi emri.
Nënprefektura e Pukës: Nga 50 fshatra gjithsej, ndryshuan formën e parë vetëm dy fshatra: Sipas -Shpëtimi dhe Vau i Spasit-Vau i Shpëtimit.
Nënprefektura e Lezhës: Nga 83 fshatra gjithsej, ndryshoi emri i vetëm një fshati: Krajmi-Skaj.
Nënprefektura e Malësisë së Madhe: Nga 94 fshatra gjithsej, vetëm 14 fshatra morën emër të ri, si: Dobre-Nënkodër, Potgore-Rranxë, Bogiq-Trojë, Kamice-Vau, Llazan-Vneshtë, Zhupa-Tregu, Okol-Rrethi, Stare-Katund i Vjetër, Goraj-Malishtë, Gradec-Qytezë, Bratosh-Vllaznia, Rahovica-Kodra, Vermoshi-Orajt, Vrata-Grykë.
Nga 436 fshatra të këtyre 5 nënprefekturave morën emra të rinj vetëm 27 fshatra, ndërsa 409 fshatra ruajtën emrat e mëparshëm. Pra, ndryshuan emrat e mëparshëm vetëm 7 % e fshatrave të tyre.
Siç e konstatoni për disa fshatra bëhet shqiptimi i drejtpërdrejt i emrit të huaj në shqip. Sigurisht, kur përkthimi i drejtpërdrejt na jep një emër jo fort të këndshëm e të dëshirueshëm, duhet menduar për të gjetur një formë tjetër më të pranueshme. Disa fshatra të tjerë i morën emrat e rinj duke pasur parasysh pamjen fizike të tyre, relievin dhe pozicionin gjeografik, si p.sh. Pishaj, Kërrabaj, Bregasi, Kreshta, Rrafshorja, Bishtorja, Kurrizaj, Lëndina, Lisi i Madh, Lisi, Shkoza, Gropaj, Lugina, Kodraj, Bregorja, Shkambi, Shpatinaj, Shpati, Zallishta, Verriza, Pishaj, Driza, Shkrepaj, Dimnori, Hijëza, Qyteza,Lajthia, Fushgjata, Mali Plak, Qafaj, Kodras, Verri, Shkamb i Kuq, Plepaj, Shkoza, Ahishta, Pyllasi etj.. Të tjerë fshatra i morën emrat e rinj duke pasur parasysh vlerat prodhuese të fshatit, si p.sh. Pjellorja, Burimi, Thatina, Thatushi, Kumbulla, Gështenja, Kështenja, Vreshtëza, Vëneshta, Kullosaj, Kopshti, Kungaj, Bajamas, Drithas, Arza, Pjeshkëza, Dardhas, Hardhija etj. Të tjerë duke pasur parasysh vlerat etiko –qytetare të atyre fshatrave dhe të banorëve të tyre, si p.sh. Shqiponja, Trimaj, Tryezëgjana, Dashamiri, Dëshira, Dafinëza, Ushtima, Ujëmira, Bukuranje, Vashëza, Defrimi, Morrina, Pellambas, Lagjja e Flamurit, Fitorja, Kreshniku, Kështjella, Verore, Bukëz, Punmira, Rrodhëza, Mshkiza, Pendari etj. Sigurisht, në të gjithë këtë mori emrash ka edhe gjetje jo të përshtatshme, si p.sh. Bukuroshi, Floriri, Bukuroshi i Epër e Bukuroshi i Poshtëm, Miroshi, Thëllenza, Miraj, Vashëza, Defrimi, Morrina, Mshkiza, Punmira, Rrodhëza, Rreshteri, apo Kastriot i Poshtëm dhe Kastriot i Epër në Gjirokastër, kur ishte dhe u listua përsëri fshati Kastriot i Dibrës etj. Mangësi të tilla janë të pashmangshme, por të korrigjueshme. Megjithatë kjo ishte një punë shkencore e vërtetë e serioze, që duhet konsideruar si bazë nisje. Ndaj, pikërisht këtu duhet të nis edhe starti i sotëm.
Të gjithë ata shtete e kombe që janë patriotë të mëdhenj për vendin e tyre janë në ballë të zhvillimit, mirëqenies e të politikës botërore. Ndaj, mendojmë se ka ardhur koha që kjo punë shkencore e nisur në kohën e mbretërisë së Zogut të zyrtarizohet edhe një herë nga qeveria e sotme shqiptare. Dhe jo vetëm të lihet në letër, por të zbatohet me rreptësi. Ky do të ishte fillimi i të folmes shqip nga shqiptarët.
***
Pra, që para më shumë se dhjetë vjetësh, studiuesi dhe historiani i nderuar Fatos Daci i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare për të çuar deri në fund punën shkencore që kishte filluar që në kohën e mbretërisë, por që realizimin e objektivit të saj e pengoi pushtimi fashist i 07 prillit 1939. Sikur punët të shkonin mbarë në vendin tonë, duhej të ishte Akademia e Shkencave ajo që duhej të përmendej e para dhe ta shkundte nga letargjia qeverinë për përfundimin e asaj pune shkencore.
Prof.dr. Enver Bytyçi shkruan:
“Vini re se ç’bëjnë (serbët - E.Y. ) kur shkelin në një vend të huaj: Ata s’pyesin kurrë se si quhet qyteti, lumi, mali a fusha. Shohin në shpat të një mali një qytet me shtëpi të bardha dhe ia venë emrin Berat! Përshkojnë një fushë të madhe, e quajnë Velipojë! Kalojnë një lum të rrëmbyeshëm dhe e pagëzojnë Bistricë! I ngjiten një mali të zhveshur, e thërrasin Gollobordë! Pushojnë tek një burim i zi, e quajnë Çorovodë! Dhe s’e kanë për gjë të ta ndërrojnë edhe emrin që ta ka vënë nuni, duke e përkthyer nashke (serbisht). Kur emri është i papërkthyeshëm, të ngjisin mbrapa një “viç”, që ta kesh në vend të bishtit gjithë jetën” (Citohet sipas librit “Shqiptarët, serbët dhe grekët”, f. 348-349).
Fatkeqësisht, Akademia e Shkencave ka qenë dhe vazhdon të mbetet një bisht i pushtetit. Kjo është edhe arsyeja që, për shkak të qëndrimit shpërfillës ndaj dinjitetit tonë kombëtar, dyshja pushtet-akademi, trojet tona amtare vazhdojnë të poshtërohen me emërtime sllave, si Gollobordë, Kamenicë Konispol, Kosovë, Novoselë, Suharekë, Shushicë, Velipojë dhe sa e sa të tjera.
Ky qëndrim absurd, qoftë i akademisë, qoftë i pushtetit, e ka burimin te krerët e politikës, disa prej të cilëve kanë qenë njerëz me emrin “askushi”, por, çuditërisht, kanë qenë dhe janë në shërbim të serbosllavizmit, prandaj dhe nuk mund t’u shkonte mendja kurrë për shporrjen e toponimeve sllave nga trojet tona amtare.
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Termkolli, në një postim në Feisbuk (Facebook), ka theksuar pikërisht vijimësinë e tradhtisë së kastës në fjalë, Ajo ka deklaruar:
“Kur duhet ta ruajmë veten nga vetja jonë! Enveri me Miladinin, në Tiranë, marrëveshje kundër Kosovës! Nano me Millosheviçin, në Kretë, marrëveshje kundër Kosovës! Rama me Vuçiçin, në Nish e Beograd, marrëveshje kundër Kosovës! Ҫ’ka keni ju shqiptarët që ankoheni në Serbinë e Vuçiçin?! Historikisht, Serbia i ka mundë shqiptarët vetëm përmes shqiptarëve...” (Citohet sipas: “Termkolli për takimin e Ramës në Beograd: Serbia i ka mposhtur shqiptarët vetëm përmes shqiptarëve”. Faqja e internetit “portali.info”. 06 nëntor 2021).
Nxënësi i dikurshëm i Liceut të Korçës, Enver Hoxha, me rezultate në mësime poshtë mesatares, ishte bërë objekt talljesh nga ana e shokëve të vet. Profesori Vedat Kokona kujton:
“… Shokët i kishin vënë nofkën “gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit” (Vedat Kokona. “endur në tisin e Kohës”. Botimet “Kokona”, 2016, f. 59).
Por, çuditërisht, ky “gazheli” i Liceut të Korçës, një ditë të bukur përfundoi student në Universitetin e Monpeliesë (Montpellier) në Francë, ku nuk dha asnjë provim për be. Se kush ishte i ashtuquajturi student Enver Hoxha në Francë dhe me çfarë merrej atje, është sqaruar më së miri me fakte konkrete në një dokumentar, me titull “Enver Hoxha, si i vrau miqtë që i njihnin zullumet e rinisë”, të përgatitur nga gazetari dhe publicisti Ferdinand Dervishi dhe të transmetuar në televizionin ABC News në korrik të vitit 2020. Lexuesit atë dokumentar me siguri që e kanë ndjekur edhe në youtube.
Në Konferencën e Labinotit (mars 1943), Mustafa Kaçaçi deklaroi publikisht:
“Ti Enver ke qenë një hiç…” (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)”. Tiranë 2018, f. 346).
Por pikërisht ky hiç njeri, në atë konferencë, me mbështetjen e fuqishme të serbosllavizmit, përfundon në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe pas 28 nëntorit 1944 mori në dorë frenat e pushtetit absolut, të cilin e ushtroi në mënyrën më kriminale gjatë më shumë se dyzet vjetëve, sidomos ndaj intelektualëve të shquar.
Sikur gjatë diktaturës të kishte ndodhur çudia - Enver “askushin” (i cili ishte edhe shumë frikacak) ta kishin larguar nga politika, a kishte aftësi ai të merrej me gjësend tjetër për së mbari? Sigurisht që jo. Prandaj vetëm politika ishte zeja e vetme që ai mundi të ushtronte.
Tani po mbushen 26 vjet me Ramën në politikë, pasardhësin e Enverit. Deri dje Rama ishte “askushi”, kurse në politikë u bë “dikushi”. Edhe Rama, ashtu si Enver “askushi” në vitet ’30, pati shkuar në Francë në vitet ’90 dhe dihet se me çfarë është marrë. Fatos Nano ka deklaruar:
“... e nxora nga mjerimi si refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura në kohë të Saliut dhe e ktheva me thonj të paprerë nga Parisi për ta bërë ministër dhe kryetar të bashkisë…. (Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).
Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së ish-kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë Ramës një pyetje të thjeshtë:
“A jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të vjedhura?”. (Citohet sipas burimit paraardhës).
Pyetjes së gjermanit Martin Henze ia ka dhënë përgjigjen Gjergji Thimo: “Numri i Ramës i burgosur në Paris AL.1961138/a” (Citohet sipas deklaratës së tij në studion e Tv “Syri”, i ftuar nga gazetari Adi Krasta. 30 qershor 2020).
Po sikur një ditë të bukur, anëtarësia e partisë socialiste të çlirohej nga “bujkrobërit” e Ramës dhe të përbëhej nga zonja dhe zotërinj me dinjitet të lartë personal dhe kombëtar dhe të vendosnin ta largonin Ramën nga politika, ky me çfarë mund të merrej? Me asgjë, se ashtu si Enver “askushi”, edhe Rama është frikacak dhe zeje të parapëlqyer ka vetëm politikën.
Stanislav Ezhi Lec (Stanisław Jerzy Lec - 1909-1966), poet, filozof, shkrimtar satirik polak, autor aforizmash, ka bërë një përcaktim të shkëlqyer për njerëzit e pushtuar nga epshet e pushtetit:
“Pushteti është i domosdoshëm për frikacakët. Pa pushtet ata e ndiejnë veten të tmerruar”.
Pikërisht ky Rama “askushi” zgjodhi në krye të akademisë matematikanin Gjinushi, i cili është “askushi” në fushën e gjuhësisë, historisë dhe arkeologjisë. Se dihet shumë mirë që autoriteteve të huaja shkencore vetëm në këto tri fusha kemi se çfarë t’u kumtojmë me gjuhën e autoritetit kombëtar dhe jo me gjuhën e matematikanit, mjekut apo inxhinierit. Dhe a mund të shpresohet që Gjinushi, si pjellë e Enverit dhe i parapëlqyeri i Ramës, të kujtohet të çojë në vend atë nismën e kohës së mbretërisë për zhdukjen e toponimeve sllave?! Do të ishte paradoks ta mendoje një gjë të tillë.
Disa vjet më parë, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Arteve dhe e Shkencave i qe drejtuar me një Përkujtesë të posaçme treshes udhëheqëse në Prishtinë - Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca - për marrjen e një vendimi ose nga Kuvendi, ose pas një referendumi mbarëpopullor për zëvendësimin e toponimit sllav “Kosovë” me toponimin pellazgoilirian “Dardani”. Çuditërisht dhe fatkeqësisht, treshja në fjalë nuk pati denjuar të kthente kurrfarë përgjigjeje. Ja, kështu bëhen punët sipas mënyrës shqiptare!
Kaliforni, 08 shtator 2024
Comments