top of page

Prof. Dr. Eshref Ymeri: Enciklopedia e jetës së një shkrimtareje të shquar

  • Jan 28
  • 4 min read

 

            Moderatori i njohur i Portalit “Zemra Shqiptare”, zotëria i nderuar Gëzim Marku, vitin që kaloi i pati marrë një intervistë të gjatë Zonjës Vilhelme Haxhiraj - analiste, poete, shkrimtare dhe historiane me emër në kulturën tonë mbarëkombëtare.

            Arsenali i intervistës është strukturuar tejet mjeshtërisht, me qëllim që, përmes pyetjeve, të bëhej një shtegtim “hetimor” në krejt jetën e kësaj shkrimtareje me një bagazh mjaft të pasur kulturor.

            Intervistat me mjeshtrat e penës janë fort joshëse për masën e gjerë të lexuesve. Kjo për arsye se letërsia i bashkon lexuesit, se ajo nuk njeh as kufij, as barriera gjuhësore.

            Takimet me shkrimtarë të talentuar, para lexuesve hapin një dritare në botën e krijimtarisë dhe të pikëpamjeve të tyre për jetën. Intervistat me shkrimtarë të tillë krijojnë mundësinë për të kuptuar frymëzimin e tyre, ecurinë e krijimit të veprave artistike dhe, përgjithësisht, këndvështrimet e tyre për botën letrare.

  

          Si mjeshtër i intevistave, Gëzim Marku ka hyrë në shpirtin e shkrimtares dhe ka mësuar sekretet e frymëzimit të saj, ka bërë një “ekskursion” në botën e fjalëve dhe të ideve, të cilat nuk kanë kurrfarë caqesh, kurrfarë kufijsh, kurrfarë kufizimesh.

            Në botën e letrave krijojnë një mori shkrimtarësh të mëdhenj, veprat e të cilëve janë bërë pjesë e trashëgimisë kulturore të mbarë njerëzimit. Prandaj kushdo që ka lexuar këtë intervistë me Zonjën Vilhelme, ka mësuar kuriozitete mjaft interesante nga jeta e saj. Domosdo, sepse është kënaqësi e veçantë të flasësh për Zonjën Vilhelme, e cila, në krijimtarinë e saj, si shkrimtare e përmasave mbarëkombëtare, dallohet për larushinë e theksuar të gjinive letrare, në të cilat ka lëvruar.

            Me intervistën për moderatorin Gëzim Marku, Zonja Vilhelme ka zbuluar para lexuesve botën e saj krijuese, përjetimet dhe tronditjet e rënda shpirtërore që pati kaluar në kushtet e diktaturës së egër komuniste, tronditje këto, të cilat u ngjallin lexuesve emocione të fuqishme.

            Tek zbulojnë për lexuesit botë dhe përjetime të reja, mjeshtërit e mëdhenj të penës kanë aftësinë të ta mbajnë të mbërthyer vëmendjen me veprat e veta. Krijimtaria e tyre bëhet pjesë e pandashme e universit letrar dhe vazhdon t’i frymëzojë brezat njërin pas tjetrit.

            Në intervistën saj, Zonja Vilhelme i ngjall lexuesit një kërshëri të hijshme, se të kujton të tillë shkrimtarë të mëdhenj, veprat e të cilëve të magjepsin që në faqen e parë.

Shkrimtari kolumbian, Gabriel Garsia Markes (Gabriel García Márquez - 1927-2015), me realizmin  tij magjik, e zhyt lexuesin në mjedise të pabesueshme, duke e detyruar t’i marrë çuditë për të vërteta.

Shkrimtari japonez, Haruki Murakami (1949), me stilin e tij origjinal, e tërheq lexuesin drejt labirinteve mistike të vetëdijes dhe të emocioneve.

Një tjetër penë e njohur, shkrimtarja angleze, Xhein Ostin (Jane Austen - 1775-1817), zbulon aftësitë e saj për skalitjen e të tilla portreteve, të cilat lexuesit i duken sikur heronjtë e veprave të saj i ka para syve.

            Përmes pyetjeve tejet të gjetura të Gëzim Markut dhe përgjigjeve të Zonjës Vilhelme, del më së miri në pah përtejana (sfondi) e penës elegante, prapa së cilës zbulohet moria e heronjve të veprave të saj me përvojën dhe emocionet e tyre. Përmes kësaj interviste, lexuesi arrin të mësojë burimin e frymëzimeve të saj.

            Të gjithë shkrimtarët kanë diçka të përbashkët - pasionin e ndezur për fjalën e gjuhës amtare, me të cilën përcjellin botën shpirtërore, emocionet dhe përjetimet e fuqishme të heronjve të vet.

 

           Përmes intervistës së kësaj shkrimtareje me talent emocionues, lexuesi njihet me rrugën e vështirë që ajo ka kaluar në periudhën e diktaturës komuniste, e cila, në mënyrën më kriminale, ia pati mohuar të drejtën për të shkruar dhe botuar. S’mund të ndodhte ndryshe në periudhën e asaj diktature, kur përfaqësuesit e shquar të dyerve fisnike, prej nga rrjedh Zonja Vilhelme, patën rënë pré e luftës së klasave. Megjithatë, ajo diktaturë e egër nuk mund t’ia mohonte dot ëndrrat e saj, brenda të cilave ajo akumuloi aftësitë krijuese, për t’i shpërthyer sapo diktaturës i ranë potkonjtë. 

Gjatë këtyre më shumë se tridhjetë vjetëve pasdiktaturë, Zonja Vilhelme ka nxjerrë nga pena mbi 60 vepra letrare të të gjitha gjinive dhe është nderuar me më shumë se 30 Çmime Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Në vitin 2012, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka nderuar Zonjën Vilhelme me titullin “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe me Medalje ari.        

   Kjo intervistë shërben edhe si një pasqyrë mbresëlënëse e familjes së Zonjës Vilhelme. Bashkëshorti i saj, Fitim Haxhiraj, i cili ka qenë artist me aftësi të rralla i koreografisë, i skenës dhe i artit, po ashtu, e pati pësuar prej diktaturës komuniste, po për shkak të prejardhjes së tij nga një derë fisnike. Mbështetja e tij e fuqishme ka qenë vendimtare për talentin e Zonjës Vilhelme, si moderator i krijimtarisë së saj artistike. Së bashku, ata përballuan tallazet e luftës së klasave, ngritën një familje me moral të lartë kombëtar, rritën dhe edukuan dy fëmijë me formim të shkëlqyer qytetar - Ermelindën dhe Vladimirin, të cilët janë krenarë për prindërit e tyre shembullorë. Në gjirin e familjes Haxhiraj po rritet dhe po hedh shtat nipi 13-vjeçar i Vilhelmes dhe i Fitimit - i biri i Vladimirit, Rainhardi, i cili është jo vetëm një nxënës me përparim të lartë në mësime, por edhe shumë i apasionuar për ornitologjinë, një kapitull ky i veçantë i zoologjisë, që studion shpendët, anatominë, sjelljen, ekologjinë, evolucionin dhe përhapjen e tyre.

            Gëzim Marku, si një moderator i talentuar i Portalit të vet, meriton falënderimet më të përzemërta për këtë intervistë me 44 pyetje, të cilën Zonja Vilhelme e ka botuar si libër më vete, me titullin “Kush jam unë”, të shoqëruar me 100 ilustrime dhe me 89 fotografi.

2 Comments


Eshref Ymeri
Jan 28

I dashur Profesor Fatmiri,

Ju falënderoj nga zemra dhe Ju shpreh mirënjohjen time të thellë për vlerësimin tuaj, si një kritik me Emër të Madh në kulturën tonë mbarëkombëtare.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 28 janar 2026

Like

Fatmir Terziu
Jan 28

Shkrimi i Prof. Dr. Eshref Ymerit është një vlerësim i qartë, dinjitoz dhe i argumentuar për figurën dhe krijimtarinë e Zonjës Vilhelme Haxhiraj. Me gjuhë të kultivuar dhe qasje analitike, autori e shndërron intervistën e realizuar nga Gëzim Marku në një pasqyrë të plotë të jetës, përvojës dhe rezistencës shpirtërore të shkrimtares. Teksti lexon si një homazh i matur për një personalitet letrar që ka ditur ta kthejë dhimbjen historike në energji krijuese dhe vlerë kombëtare. Krahasimet me emra të mëdhenj të letërsisë botërore janë bërë me kujdes dhe elegancë, jo për të ngritur paralele artificiale, por për të ndihmuar lexuesin të kuptojë përmasën e ndikimit emocional dhe estetik që krijimtaria e Zonjës Vilhelme ushtron mbi publikun. Po aq domethënëse…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page