top of page

Prof. dr. Begzad BaliuSTUDIUESI DHE SHKRIMTARI ME DHUNTI TË VEÇANTË KRIJUESE




1. Jetëshkrimi i qytetarit të angazhuar

Arqile Gjata është njëri prej krijuesve të veçantë në letrat shqipe. I lindur në Vlorë (1942) dhe i shkolluar në shkollën kombëtare, ai u largua nga atdheu me familje në Athinë duke pasur një formim të plotë kombëtar për zhvillimet politike, kulturore, historike dhe sociale në Shqipëri dhe jashtë saj në rajon dhe në Europë. Duke qenë i formuar në kontekstin politik dhe kulturor shkrimtari, publicisti dhe studiuesi Arqile Gjata në Athinë iu bashkua atyre lëvizjeve kulturore, sociale e politike, të cilat në rrethanat më të vështira mbajtën gjallë vetëdijen kulturore, etnike dhe sociale e historike të emigracionit të fundshekullit XX në Greqi. Gjatë një çerekshkulli të angazhimit të tij në këto struktura kulturore, letrare e sociale në Athinë, mjeshtri ynë bashkëpunoi me shtypin shqiptar të kohës dhe me organizata të emigracionit shqiptar, duke shkruar tekste publicistike, skica të jetës shqiptare në këtë vend, tregime që më parë se sfondin estetik qiellor, kishin realitetin shpirtëror të shqiptarit në këtë vend, deklarata problemore dhe analiza më të gjera për gjendjen e emigracionit në Athinë dhe përgjithësisht në Greqi. Në këtë mënyrë, pra me angazhimin e shumëllojshëm dhe të shumanshëm në jetën shpirtërore, materiale dhe politike të emigracionit shqiptar në Athinë, shkrimtari, publicisti dhe studiuesi Arqile Gjata, e përplotësoi biografinë e tij jetësore dhe një pjesë të rëndësishme të bibliografisë së tij krijuese. Në këtë mënyrë ai, në të vërteti vazhdoi dhe plotësoi një traditë të krijuar disa shekuj me rashë në historinë politike, krijuese dhe jetësore shqiptare në Greqi, e cila kishte kulmuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare.

2. Biografia e zgjeruar e shkrimtarit

Gjatë jetës përkatësisht qëndrimit në Athinë, Arqile Gjata i është përkushtuar në mënyrë të veçantë krijimtarisë letrare, fillimisht poezisë dhe prozës, por ndërkohë edhe esesë e studimit. Të kësaj natyre janë disa vëllime me karakter publicistik, estetik dhe studimor, sikur është ai për arvanitasin Aristidh Kolia (2000), i cili në fund të shekullit të kaluar, me jetën dhe me veprën e tij qe bërë kulti postrilindas i Lëvizjeve patriotike shqiptare kudo që ishin; bashkautor i kujtimeve të aktores vlonjate "Vaçe Zela - Je lulja më e bukur e jetës!" (2011); dhe i vëllimit me ese dhe mendime kritike"Një ese për jetën" (2010). Nuk e di a është e nevojshme të thuhet se mjafton të shihet vetëm përzgjedhja e temave dhe e personaliteteve kulturore e kombëtare për të kuptuar dhe për të vlerësuar qëndrimin atdhetar të autorit ndaj trashëgimisë sonë. Personifikues të tij janë atdhetari dhe këngëtarja që për më se një gjysmëshekulli ishin sinonim i virtyteve më të larta të kulturës sonë, të historisë sonë; atdhetari i cili u helmua në kulmin e krijimtarisë së tij, në majat e betejave të tij jetësore e shkencore, në kurorën e të qenit kulti i djalërisë shqiptare në Greqi, Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në Kosovë; si dhe këngëtarja që me zërin e saj, më këngët e saj, me bëmat e saj, e mbante të bashkuar kombin edhe atëherë kur ishte i ndarë me mire gjembash me rrymë; dhe që kishte lënë amanet që trupi i saj nga emigracioni, fillimisht të zbres në tokën e Kosovës e pastaj në varrezat e Tiranës.

Pjesën e dytë, mbase më shpirtëroren, e jetëshkrimit të tij e përbëjnë vëllimet me poezi. Ato nuk janë as të pakta dhe për më tej kanë vlera domethënëse për biografinë e tij shpirtërore, materiale e kulturore, prandaj jo rastësisht, autori, më parë se sa me të tjera vlera krijuese është identifikuar me krijuesin, përkatësisht, shkrimtarin. Fjalën e kemi për veprat poetike, përkatësisht me vëllimet me poezi “Kur trazohet jeta”(2005); “Kurorë me ngjyra“ (2006); "Jeta me vjen si poezi"(2010); “Gratë e poetëve”(2009); vëllimin me poezi të zgjedhura "Kur thinjet deti" (2012); si dhe vëllimin me tregime: “Qyteti që kërkon muzikë”(2012).

Në qoftë se mund të themi se krijimtaria e tij letrare tregimtare, në njëfarë mënyre e një tjetër ofron senstin e tij prej polemisti, gazetari e pamfletisti të kohës, krijimtaria e tij poetike në fushë të poezisë është plotësisht e çliruar prej përbërësve të jashtëm. Përkundrazi, ajo përfaqëson gjithë shqetësimet e brendshme shpirtërore të jetës. Prandaj nuk është e rastit, pse gjatë kësaj kohe, shkrimtari ynë Gjata, përveç vëllimeve të veçanta me poezi është kujdesur që të botoj edhe një vëllim tjetër me poezi të zgjedhura, ndërsa me poezi të zgjedhura, në ndërkohë është ftuar dhe është përzgjedhur në disa nga antologjitë tematike dhe estetike të kohës, sikur janë vëllimet “Itaka e fjalës” dhe “Qiejt e shpirtit!”, si dhe vëllimit dygjuhësh rumanisht-shqip “Çelsi i shpirtit”, cikli i poezive në gjuhën rumune në revistën “Hahemus” etj. Kështu, nëse me angazhimet e tij qytetare në Athinë Arqile Gjata krijoi biografinë jetësore të tij, me të cilën vazhdon të komunikoj në ambientin ku jeton, kryesisht ndërmjet Athinës dhe Vlorës; me krijimtarinë e tij letrare dhe sidomos poetike ai ndërtoi biografinë kulturore dhe shpirtërore, me të cilën vazhdon të komunikoj në një hapësirë më të gjerë nacionale dhe kombëtare, për të mos thënë letrare, për faktin se ai krijimtarinë letrare e ka botuar jo vetëm në gjuhën shqipe po edhe në gjuhë të tjera.

3. Prej krijimtarisë letrare te studimi i tyre

Libri më i ri i Arqile Gjatës mban një titull jo shumë të zakonshëm Të pikturosh fjalën...të pikturosh dritën, i cili vetëm i ndihmuar nga nëntitulli (Mozaik letrar), të bën të kuptosh përmbajtjen e tij. Duke qenë artist i fjalës më parë se sa studiues i saj, ai ka përzgjedhur një titull që më shumë sjell domethënien e dorës së piktorit se sa pendën e studiuesit. Prandaj edhe nuk është e rastit që në tekstet e tij të përfshira në këtë vëllim janë trajtuar apo bashkuar, kur bashkë e kur ndaras, poezia dhe letërsia popullore, përkatësisht lirika shqipe; proza dhe eseja, reportazhi i karakterit historik dhe proza e jetës, përkatësisht imagjinarja si reflektim shpirtëror në vend të deskriptivitetit si natyrë historike.

Tekstet e kësaj natyre hapen me studimin përkushtues mbi ndikimin e folklorit të krahinës etnografike të Labërisë në poezinë e Ali Asllanit, Nexhat Hakiut dhe Fatos Arapit. Ç’është e vërteta një studim i kësaj natyre mungon në letrat shqipe jo vetëm për grup autorësh po edhe për autorë të veçantë, e aq më pak për periudha të caktuara. Diskutimet, përkatësisht vlerësimet në këtë drejtim janë të shumta dhe të gjithanshme. Sigurisht mbi të gjitha për natyrën gjuhësore dhe stilistike të vlerave. Nëse për autorin e parë Ali Asllanin, mund të thuhet se mori shumë nga letërsia popullore dhe këtë ndikim e njohin të gjitha dijet e gjertanishme, të evidentuar edhe në tekstet shkollore, për shkrimtarin e dytë Nexhat Hakiun, kjo dije na ka munguar qoftë në përmasa njohëse qoftë në përmasa akademike. Ndryshe ndërkaq mund të thuhet për autorin e tretë, vepra e të cilit me kohë, krahas Kadaresë dhe Agollit, i ka kaluar kufijtë e njohjes së saj brenda lexuesve e studiuesve në gjithë hapësirën shqiptare. Njohjet e gjertanishme gjithashtu kanë reflektuar shumë për përpunimin e shkëlqyer që studiuesi, prozatori dhe poeti ia ka bërë letërsisë popullore. Në të vërtetë duke qenë njohës sistematik i epikës dhe lirikës shqiptare Arapi arriti ta përpunojë atë në atë përmasë të cilën nuk e bënë paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij.

Studim i tjetër me titull identifikues “Musine Kokalari - e vetmja poete e shkrimtare femër e viteve 1935–1945”, nxjerr në pah edhe një anë të biografisë jetësore dhe të bibliografisë shkrimore, të njërës prej femrave krijuese, mbase më të panjohura në letrat shqipe. Në të vërtetë duke bërë portretin e saj poetik, ai përplotëson edhe anë të tjera komplementare të kulturës së saj të gjithanshme, por edhe shumë tragjike në jetën shqiptare.

Në vazhdim autori sjell një vështrim të njërës prej shkrimtareve të kohës sonë Lida Lazaj, e cila, sikur konstaton ai, vjen në tryezën e poezisë së sotme me forma, dendësi stilistike, figuracion, kuptim, kontekst dhe ambiguitet të vargut. Në të vërtetë, reflekton studiuesi ynë Arqile Gjata, si e tillë poezia e Lida Lazajt është një sinteze mendimesh e ndjenjash të purpurta, të cilat varen nga këndvështrimi i lexuesit që gjykon për to, nga situatat dhe dilemat kur autorja i hedh këto vargje në letër, nga niveli kulturor i saj, për të shprehur sa më shumë botën e saj në lidhje me realitetin ku jeton, me muzën poetike se si kjo “magji” vjen, dhe sa pragmatiste është në ato që shpreh brendashkruar poezisë së saj”. Kjo është edhe arsyeja pse qasja e tij ndaj kësaj poezie është e karakterit gjuhësor, stilistik e sistematik. Brenda këtij vëllimi studimor e kur e kur edhe eseistik është botuar një vlerësim tashmë i bërë shumë herë publik ndër mediet elektronike dhe të shtypura në hapësirën shqipfolëse të globit. Fjala është për romanin e shkrimtarit Nevruz Abilekajt, “Shoku Hiç”, përmbajtjen, tematikën, stilin gjuhësor, intrigën dhe gjithë boshtin filozofik, të të cilit e ka sjellë në mënyrë të gjithanshme. Në të gjithë këta përbërës romanor autori ka sjellë reflektime nga më të gjërat dhe nga më të gjithanshmet. Këtij studimi mbase më mirë do të ishte t’i paraprinte një studim tjetër me karakter historiko-letrare dhe krahasuese. Fjalën e kemi për njërin prej studimeve më të kompletuar të këtij vëllimi “Elementët estetik dhe personazhet e poezisë së Murat Isakut”. Shkrimtarët Murat Isaku dhe Abdylaziz Islami janë bardët e poezisë shqipe në njërin prej ishujve të shumtë të trojeve shqiptare, kësaj radhe në Maqedoni. Sado jetën shoqërore dhe letrare e kanë bërë në këtë cep të trojeve etnike shqiptare, ata janë formuar dhe disa nga veprat e tyre i kanë botuar në Shkup, sado veprat më të mira dhe më të realizuara i kanë botuar në Prishtinë. Duke qenë krijues që majat e tyre i kanë arritur në vitet ’70-‘80, ata pas kësaj periudhe sikur filluan të harrohen në letrat shqipe.

Dekadën e fundit, në shtypin shqiptar dhe sidomos në hapësirën internetike shqiptare studiuesi Fatmir Terziu është një nga përfaqësuesit më tipik të mendimit kritik dhe krijues, prandaj reflektimi i Arqile Gjatës përmbi krijimtarinë e tij letrare paraqet një anë të rëndësishme të koncepteve teorike dhe letrare jo vetëm për këtë autor po edhe për shkrimtarë të tjerë të kohës sonë. I kësaj natyre, sa teoriko-letrare aq edhe persiatëse e filozofike është artikulli për krijimtarinë letrare të poetit Myslim Maska, por reflektimet dhe përkufizimet për Terziun shkojnë përtej një vlerësimi të rastit dhe brenda një vepre, sepse ai, sipas autorit tonë është “një intelektual, sikur do të thoshte shkrimtari dhe gazetari Ramiz Kelmendi, me I (të madhe), studiues dhe kritik “i thirrur” në letërsinë shqipe, që t’i falë asaj mendjen dhe potencialin e tij si personalitet i çmuar në fushën e studimeve dhe të kritikës së sotme shqiptare”. Në të vërtetë, vazhdon Z. Gjata, Profesor Fatmir Terziu me vullnet dhe inteligjencë mendore, i pasur me kulturë dhe dije shumë të thella shkencore nga shumë fusha të kategorive filozofike e botëkuptimore, gjuhësore e letrare, gjurmues, hulumtues dhe një mjeshtër në gjetjen e atyre vlerave dhe talenteve, e atyre prurjeve, që duhen pasqyruar, promovuar dhe të individualizuar në tërë botën letrare shqiptare është tejet i veçantë e dinjitoz në penën e tij, ne mendimin e tij filozofik dhe në studimet e tij shkencore”.

Në krijimtarinë letrare të dy dekadave të fundit, në mesin e krijuesve, e sidomos prozatorëve shqiptarë që ka treguar individualitet të plotë është edhe romansieri e tregimtari i dalluar Ardian Kristian Kyçyku, cilit e ka bërë objekt në veprën e tij, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në romanin e tij “Homo çkena”. Ky roman, thekson autori “është një bukuri e vajtueshme, pikëlluese dhe një realitet, që ka një qendërshikimi të çuditshëm. Fuqia e fjalës së autorit na bënë të jetojmë në një kohë jo normale, që lexohet si histori e mërgimtarëve, si lëvizje të personazheve, që kryqëzohen mes ndjenjave të fuqishme ku ndeshen e çuditshmja me realen, fjala brilante me absurdin estetik, bota e madhe shpirtërore me vrojtimet e tejdukshme të mendimit, të shtrira këto në kohë sipas trio-raportit, dje, sot, nesër”. Po kështu mund të thuhet edhe për krijuesin kompleks në disa gjini dhe lloje të krijimtarisë letrare, duke përfshirë këtu mediet dhe artin e saj Roland Gjozën, si dhe misticizmin e realen e trupëzuar në disa tregime të autorit Gëzim Strora, apo edhe për romanin e Thanas Mediut, një shkrimtar i llojit të veçantë që kërkon të ngrohë çdo lexues që ka dëshirë të lexojë prozë (roman) me përshkrimin dhe portretizimin e personazheve e karaktereve të tyre, të botës së tyre, jo thjesht si një ecje e zakonshme nëpër faqet e romanit, por ethshëm e me padurim për t’i njohur ata dhe për të zhbiruar çdo skutë e çdo gjë të qenësishme, emocionuese dhe ëndërruese.

(Ribotohet me rastin e vdekjes së mikut tim të motshëm Arqile Gjata (1942-2024)

Një gazetare dhe krijuese me potencë të dukshme në shtypin elektronik e internetik viteve të fundit është shfaqur edhe shkrimtarja Raimonda Moisiu, kur nga Amerika e kur nga Europa, ndërsa një model tipik i hapësirës së brendshme është ajo e Fatime Kullit, me të cilat një autor i angazhuar si Z. Gjata, i cili e bën jetën e aktivistit në mërgim, është e natyrshme të merret. Dhe është mirë që është marrë, sepse si askund tjetër portreti i tyre merr përmasat e duhura të krijueseve me një gjallëri të pasur imagjinative.

Një kapitull më vete në këtë vepër paraqesin esetë e tij, për të mos thënë një cikël esesh me titull “Raportet midis së tashmes dhe të kaluarës”. Do të doja që me këtë cikël esesh të merrem gjatë, gjerësisht dhe në mënyrë të shumanshme. Ese a përsiatje, reflektime apo diskutime, kujtese apo obligim ndaj së kaluarës. Mund të përkufizoheshin kështu apo ashtu. Në një mënyrë apo një tjetër. Mbi këtë cikël esesh mund të mbishkruhej nga secili lexues një cikël tjetër, njëfarë mbishtrese, mbishkrimi, mbivendosje apo krejt ndryshe. “Më pëlqen të shkëmbej vështrime me të shkuarën, me kohën e ikur të jetës, sidomos tani që edhe ëndrrat na janë rralluar ca!”, - shkruan autori që në hyrje të tyre. A nuk është ky një sens, një ideal, një pretendim i gjithë brezit, përkatësisht i të gjitha brezave, që tashmë kanë realizuar veten, idetë, përpjekjet e tyre, por ja që kanë edhe shumë ëndrra të parealizuara. Ato janë ëndrra fëmijërie, ëndrra shpirtërore e materiale, tema të mëdha të etinicitetit tonë, të kulturës sonë, të qytetërimit tonë.

Vëllimi i Arqile Gjatës mbyllet me një cikël opinionesh për veprat e disa prej krijuesve të kohës sonë. Këtij kapitulli i prini shënimi për poezinë e Armela Hysit, Stefan Martikos, Irena Ilo Gjançit, Alush Avdylit, Spiro Qirxidhit, Katerina Dhimes, Abas Goxhajt etj. Shembullin e këtyre vlerësimeve mbase më së miri e shpreh me paraqitjen që i ka bërë shkrimtarit Spiro Qirxidhi: “Mund të them me bindje se romani “Rishfaqja e Noes” është një pikëllim brilantësh ende të pa shpërndarë në botën e letrave shqipe. Me siguri ky roman do jetë “modeli” i vlerave artistike e letrare të një shkrimtari rebel e i çmendur i romanit në të ardhmen”. Të kësaj natyre padyshim janë edhe shënimet për veprat tjera dhe autorët e tyre. Në të vërtetë ato janë vlerësime e më shumë përsiatje dhe reflektime për botimet e disa prej krijuesve me poezi dhe trajta të tjera të tekstit letrar, ese e romane. Janë shënime dhe opinione për gjuhën e tyre, për tingëllimën e vargut të tyre, për semantikën shumështresore të poezisë a të mendimit të tyre, për rrafshin tematik dhe horizontin e pritjes së tyre.

Me të gjitha këto studime, vlerësime, kritika, ese e përsiatje të tjera të kësaj natyre, studiuesi, publicisti dhe poeti Arqile Gjata përmbyll një vëllim me interes në letrat shqipe.

Prishtinë, më 17 shkurt 2017 Prof. dr. Begzad Baliu

41 views0 comments

Yorumlar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page