Proces e mekanizëm



Astrit Lulushi


Njerëzimi është ende në zhvillim, dhe kjo prirje nuk ka gjasa të ndalet. Si specie, njerëzit kanë populluar pothuajse çdo cep të Tokës, duke zhvilluar e përhapur teknologji dhe kultura të cilat formojnë botën tonë.

Ideja e 'përzgjedhjes natyrore' ose 'mbijetesës së më të fortit' kishte kuptim në kohën e Epokës së Gurit kur njerëzit luftonin për copa mishi, por a vlen sot në epokën e teknologjisë? Përgjigjia e shkencëtarëve është unanimisht 'po', megjithatë thonë se “mund të kemi ide të gabuar se çfarë është në të vërtetë evolucioni.”

Evolucioni shpesh përdoret i këmbyeshëm me 'mbijetesa e më të fortit' ose 'përzgjedhja natyrore'. Në të vërtetë, këto nuk janë krejt e njëjta gjë. Evolucion' do të thotë proces i ndryshimit gradual. 'Përzgjedhja natyrore' është mekanizëm me të cilin evolucioni mund të ndodhë.

Kështu, një nga arsyet e dështimit të sistemit komunist është se përdori mekanizmin e gabuar të përgjedhjes jo-natyrore në të gjithë procesin e evoluimit; shoqërinë e ndau në klasa, duke përkrahur e forcuar njërën (me punë, shkollë e pozitë më të mirë), për të luftuar tjetrën (vrasje, burgosje përndjekje e internime) për shumë dekada. Ky trajtim krijoi disnivel të thellë zhvillimi mes shoqërisë e klasave sa që tani, një kohë 30 vjeçare vazhdon të quhet natyrshëm “periudhë tranzicioni”, pa e kuptuar sa qesharak tingëllon.

Asgjë nuk ka ndryshuar. E kaluara është ulur këmbëkryq. Shumë nga përfaqësuesit e ish klasës së shtypur ka ikur, të tjerë brenda vendit janë lëne jashtë sistemit. Ata që shtypnin vazhdojnë të shtypin lirshëm. Vërtet, një shoqëri maskash sundon, që kërcënon e frikëson. Pra, evolucioni nuk duhet kuptuar medoemos si përparim; Shqipëria është siç ka qenë; komunizmi evoluoi, në drejtim të kundërt; ‘mamuthët’ sundojnë, ata asnjëherë nuk e lëshuan pushtetin, vetëm sa larguan ‘armiqtë’, ose ata që nuk i duan.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit