Problemet e vërteta
(Përsiatje e një ish-ateisti)
Kopi Kyçyku
A ka ndonjë kuptim jeta jonë? Prej nga vijmë? A ndodh diçka pas vdekjes sonë? Shkenca eksploron hapësirën, kozmosin, duke e çuar njeriun deri në Hënë, por është e paaftë të na japë një shpjegim, qoftë edhe minimal, për origjinën tonë dhe për fatin tonë.
Zoti, I Vetmi që njeh zemrën e njeriut dhe të gjithë problemet që na shqetësojnë, nuk na ka lënë pa një përgjigje. Edhe nëqoftëse Toka në të cilën jetojmë nuk përfaqëson më shumë se një grimcë pluhuri në fushat e pafundësisë, për Zotin nuk jemi krijesa të papërfillshme.
Në faqet e saj të para Bibla na mëson se Zoti e krijoi njeriun sipas pamjes së Tij. Ai i dha njeriut diçka më shumë se sa kafshës: një inteligjencë të aftë për të zhbiruar të fshehtat e Gjithësisë, një vullnet të aftë për të bërë zgjedhjen ndërmjet të mirës e të keqes, një shpirt të aftë për të shquar Krijuesin në mrekullitë e krijimit.
Njeriu e ka përdorur jashtëzakonisht mirë inteligjencën e vet. Ka hulumtuar materjen, ka zbërthyer atomin, ka vajtur deri në kozmos, por, mjerisht, ende nuk njeh thelbësoren e asaj që duhet të njohë; nuk njeh shkakun për të cilin ndodhet në Tokë dhe as të ardhmen e vet të përjetshme. Sa më shumë që i njeh gjërat, aq më shumë zhytet e ngatërrohet në problemet vetjake. Di t'i komandojë raketat, por nuk është në gjendje të drejtojë vetveten. Që të mundë ta kryejë një gjë të tillë, duhet të fillojë t'ia verë veshin Zotit, I Cili është Një I Vetëm, paçka se në gjuhë të ndryshme ka emra të ndryshëm: Perëndi, Allah, Bog, God, Dio, Dieu...
******
E ardhmja e planetit tonë
(Përsiatje e një ish-ateisti)
"Toka do të lëkundet si një i dehur, do të kolovitet si një kolibe. Mëkati do të rëndojë mbi të; ajo do të bjerë dhe nuk do të ngrihet kurrë më".
(Isaia 24: 20)
Në ç'gjendje ndodhet sot planeti Tokë, që u ngjiz kaq i bukur nga duart e Krijuesit? Çfarë ka për të mbetur nesër nga ata që do të banojnë këtu?
Heraherës dëgjohen zëra që denoncojnë një rrezik të ri, tërheqin vëmendjen për shterjen e resurseve dhe venë në pikëpyetje mbijetesën e njerëzimit, paralajmërojnë një katastrofë ekologjike, për shëmbull nga shpërthimi i ndonjë centrali bërthamor. Çfarë duhet të besojmë? Kujt duhet t'ia vemë veshin? Me ose pa vetëdijë njeriu e kupton që baraspeshimi gjeofizik po kërcënohet gjithnjë e më shumë. Ama nuk e shikon sëmundjen e tmerrshme morale që po e gërryen vrullshëm shoqërinë. Nëse bje në sy rritja e valës së dhunës dhe imoralitetit, shkaqet për këto i lidh me individë tejet të pasur dhe me mungesën e rreptësisë nga ana e përgjegjësve të ruajtjes së rendit. Në të vërtetë e keqja është shumë më e thellë dhe më e përhapur. Ajo ka përfshirë krejt njerëzimin.
Me teprimet, me lakminë e me mungesën e maturisë, njeriu po e sharron degën e pemës mbi të cilën është ulur. Ai dashka t'i llogaritë gjërat duke shpërfillur Zotin dhe të çlirohet nga çdo kufizim i domosdoshëm. A nuk ekziston rreziku që veprime të tilla të jenë paralajmërime ndëshkuese?
Mendoj se po. Jane paralajmerime ndeshkuese