
Gjergj Arianit Komneni (1376-1470), Princi me vlera të rralla për Arbërinë, “Kapedani Madhështor” i harruar dhe i mohuar
Fragment nga libri im,“Elitat e Mohuara...”( f.168-175)
“Gjergj Arianiti, një Elitë e vërtetë, pasi me iniciativën e tij organizoi një sërë kryengitjesh kundër pushtuesit osman, si dhe diplomacia e tij mundësoi bashkimin e princërve shqiptarë të përçarë.”
“Historia e ka zanafillën tek njerëzit” Vivra
“Fama e dhëndrit, zbehu madhështinë e vjehrrit”-Franc Babinger
Gjergj Arianit Komneni, njihet nga studiuesit mendjendritur me titullin “Madhështori”.
Si i gjithë vendi, Kanina ka vlera të veçanta në histori, në kulturë, në folklor, në zakonet fisnike për të cilat kanë thënë dhe shkruar sa e sa burra shtetesh, Perandorë, udhëheqës ushtarakë, studiues, shkrimtarë dhe vizitorë që rastësia apo qëllimet pushtuese, i çuan në ballkonin natyror mbi Vlorë e mbi det, i plotpushtetshëm në fushë e mal, në tokë e në det, i bërë nga Zoti enkas për t’u ruajtur në kujtesën historike.
Për fat të keq shumë ngjarje, shumë familje që i kanë dhënë emër Kaninës, janë lënë në harresë, ose janë tjetërsuar. Asnjëherë nuk është thënë e vërteta për familjet e vjetra që themeluan Kaninën ose më saktë për gjithë Shqipërinë. Cila është e vërteta për Gjergj Arianitin dhe të bijën, Donikën ose Andronikën, që mbante emrin e stërgjyshit të saj Perandorit Bizantinë Andronikut?
Për ta njohur Gj.Arianitin, mbështetemi kryesisht në historiografinë botërore, se për fat të keq, historinë tonë e kanë shkruar pushtues ose historianë të huaj. Perandori bizantin, kishte dhënë mbesën në Vrana-Arianitët, duke i dhënë asaj si prikë, Kaninën.Ndaj Vrana-Arianitët përherë janë quajtur edhe “Komnenë”. Në Kaninë P.Bizantine ndërtoi 7 kisha. Kisha e Bardhë që më vonë u quajt Qishbardhë, prona tëVrana-arianitëve, Kisha e Parashqevisë, Kisha e Zonjës, e Hamzajve, e Kocaqëve ishte kisha me të njëjtin emër të njërës prej familjeve më të vjetra, muret e së cilës janë edhe sot, në lagjen Uji i Ftohtë. Këto vlejnë edhe si dëshmi identiteti për dje, sot dhe nesër. Me këtë rast kujtoj rrëmbyesit e pronave se, tokat nën kala deri në det, tek kalaja natyrore e princ Arianitit(Uji i Ftohtë), që vijojnë deri në përroin e thellë(Jonufër) janë pronë e kaniniotëve.
Sot qyteti i lashtë iliro-arbëror, na mblodhi në kalanë e tij për të kujtuar birin e vet Gjergj Arianitin.A nuk ia vlen që të njohim një trim, një princ Madhështor, që është lënë në hije?
vo:Fjalor Enciklopedik Shqiptar; F.B: Toka Iliro Pellazge “Gjergj Arianit Komneni”: Gjergj Arianit Komneni lindi në vitin 1376 dhe vdiq në vitin 1470 në moshën 94 vjeçare. Ashtu si Bardhyli i Ilirisë (shek.IV p.e.s.) edhe Gj.Arianiti, ky luftëtar i madh deri në moshën e tretë, luftoi dhe fitoi ndaj ushtrive të P.Osmane. Për trimëri dhe besën ndaj Arbërisë, u vlerësua nga Evropa me epitetin “Gjergj Madhështori”.Ai qysh i ri ishte marrë peng nga sulltan Murati, në Edrene. vo:F. Enciklopedik.f.35, & Dr.Lutfi Aliaj.(Zemra shqiptare;9-3-2014 “Gj. Arianit Komneni”:
“ I pari i kësaj familjeje, i dokumentuar ne shek.e XI është David Arianiti, i cili në vitet 1001 dhe 1018, ishte strategu i Themës së Selanikut (Maqedonisë), në shërbim të Perandorit bizantine, Vasili II, i cili më pas e emëroi strateg të Shkupit, ku rezistoi kundër sulmeve të barbarëve bullgarë . Në vitin 1319, Papa Gjoni XXII, i dërgon një letër fisnikëve albanezë, ndërmjet tyre dhe protolegatit Gulielm Arianiti, ku i bënë thirrje të bashkohen për organizimin e kryqëzatës antiserbe. Kjo letër e Papës, dërguar Gulielmit,dëshmon pozicionin e lartë politik, shoqëror dhe fetar të Arianitëve.
Më 1373, emri Gjergj Arianiti, ndoshta gjyshi i Princ Arianitit, gjëndet i qëndisur në Epitafin e Gllavenicës, që është njëri ndër tre të këtij lloji të njohura deri sot në gjithë botën.
Cili ishte Princi Gjergj Arianit Komneni?
vo:Toka Iliro-Pellazge, 5.7.2015: “Historia e Popullit Shqiptar” ,2002 -f.197: Princ Arianiti në dokumente të ndryshme njihet me disa emra. Emrin e vërtetë e ka Arianit Komneni, por njihet si Gjergj Arianiti, në legjendat popullore e thërrasin Gjorg Golem Arianiti. Të tjerë e thërrasin thjesht Gjergj Golemi. Edhe pse me 4 emra, bëhet fjalë për një njeri, Gjergj Arianit Komneni. Kronikanët e kohës thonë se është i një trungu me Topiajt. Një gjë është e saktë se Arianitët, sipas studiuesit Italian, Paolo Petta, janë vazhdues të familjes së lashtë të shek. të IX-të ,Vrana, me të cilën zë fill aristokracia feudale e Evropës Jugëlindore. Sipas studiuesve dhe kronikanëve, Ana Komnena, Barleti, Hopf, Babinger, Follmeyer, Wiliams, etj, të cilët shkruajnë se emri Vrana ka ndryshuar disa herë: Vrana, Uran, Brana, Arenit, Harenit, Arianit…

Nëse shohim zhvillimet e emrit dalin të dy emrat, Arianit dhe Vrana. Dhe të dyve si Arianit dhe Vrana iu shtohet emri (Komneni) emër i trashëgimisë nga perandori.
Është fakt se Gj.Arianiti, me gjithë bëmat, lavdinë, famën dhe meritat për bashkim kombëtar, nuk përmendet shumë në tekstet e historisë. Nuk i kanë dhënë vlerësimin e duhur si elitë, madje është lenë në harresë. Më shpesh përmendet si i ati i Donikës, ose si vjehrri i Skënderbeut. Me këtë identifikim i është bërë padrejtësi, se Ai ka personalitetin dhe individualitetin e tij,i cili ka qenë i famshëm si brenda Arbërisë edhe në botë. Ndaj duhej të përmendej si një luftëtar i paepur, që triumfoi për dhjetëra vite ndaj sulmeve të ushtrive osmane (prej 1431-1443) dhe më pas përkrah ushtrisë së Skënderbeut deri sa dha frymën e fundit. Debatet mbi origjinën, emrin dhe fundin e tij vazhdojnë edhe sot. Ka njerëz që vrasin mendjen për këtë familje të madhe në Arbëri , me shumë autoritet që vjen deri në ditët e sotme, e cila është po aq e madhe e me famë edhe në Itali, ku kishte martuar vajzat apo mbesat e tij në familjet më fisnike të Evropës.Por disa historianë u pëlqen ta transfoirmojnë të vërtetën. Kanë arritur deri sa ta quajnë Sinan Pashën (dhëndri i Sulltanit) sikur paska qenë djali i Gjergj Arianitit. Kur dihet që Sinani erdhi për të nënështruar të pabindurit:në Kaninë, Himarë e Kurvelesh. Me këtë gënjeshtër duan të faktojnë se Ismail Qemali si pasardhës i Sinan Pashës, është nga Kanina dhe pasardhës i Gjergj Arianitit. Kur vet Ismail Bej Vlora, që nga mbiemri që mban, apo sipas pohimit të tij, thotë...
vo:William Morton Fullerton “Memorie”, italisht, Përkthimi:Nermin Vlora Falaski, Redaktoi:Renzo Falaski, f.19 “Sono natto il 24 gennaio 1844 a Valona.Mio padre era Mahmud Bey Valona, mia madre Hadie Hanëm di Argirocastro…”
“Kam lindur më 24 janar 1844, në Vlorë. Babai im ishte Mahmud Bej Vlora, kurse nëna ime ishte Hedie Hanëmi( Zonja Hedie) nga Gjirokastra. Ismail Qemal Bej Vlora.)
Lind pyetja për emrin e Gjergj Arianitit:
Përse Arianit Komneni në gjuhën e popullit quhet thjesht Gjorg Golemi? Në vitin 1253, në kronikat bizantine përmendet një Gulielm zotërues tokash në "Albanon". Ky Gulami, Golemi, apo Gulielmi mund të jetë gjyshi i Gjergj Arianitit. Golemi ishte martuar me Irenën, bijë e perandorit bizantin, Engjëll Komnenit. Nga kjo martesë janë përdorur të dy mbiemrat,Golemi dhe Komneni, që e gëzon edhe sot familja e lashtë Vrana-Komneni në Kaninë. Kur nisa klasën e parë, mësuesi im Ptoleme Mustafa Bega, më thërriste (Vrana-Komneni), i cili u nda nga jeta në vitin 2017- në moshën 95 vjeç). I ati i Gjergj Arianitit ka qenë Komnen Arianiti. Ky qe martuar me vajzën e princit Nikollë Zaharia, ose(Nikollë Sakatit), zot i qytetit port në Dalmaci,Buduas(Budva). Komnen Arianiti pati tre djem (Gjergjin, Muzakën dhe Vladanin), si dhe një vajzë që u martua me Pal Dukagjinin.. Muzakë Arianiti kishte vetëm një djalë, Moisiun, bashkëluftëtarin e njohur të Skënderbeut, që njihet kryesisht me mbiemrin Golemi (Moisi Golemi). Vëllai i vogël i Gjergj Arianitit, Vladani, u martua me vajzën e Gjon Kastriotit, Angjelinën, shumë kohë përpara se Skënderbeu të dilte në krye të luftës antiosmane të shqiptarëve. Djali i tyre Muzaka (i cilësuar si Muzaka i Angjelinës, për t`u dalluar nga i ungji) do të ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.
Gj.Arianiti, ishte më i madhi mes tre vëllezërve. Ai u martua me Maria Muzakën, nga e cila në pajë mori shumë toka. Zotërimet e Gj.Arianitit kshin njështrirje të madhe në Shqipëri, nga Dibra, Shpati, Polisi, Durrësi, Mallakastra deri në det, Vlorë, Kaninë, Himarë, Kurvelesh deri në Golem të Gjirokastrës. Edhe qyteti i Manasrtirit ishte në juridiksionin e tij. Lidhur me emrin e tij ka mjaft toponime si, Kalaja e Arianit-Komnenëve(Kaninë), Kisha e Bardhë, ku u fal Skënderbeu(në Qishbardhë) pasi u ngjit në Kaninë, Kalaja e Princ Arianitit (Uji i Ftohtë) kala natyrore, fshati Aranitas (që quhet kështu nga një garnizon ushtarak i Arianit-Komnenëve. Pas vdekjes së Maries,Arianiti u martua me një aristokrate italiane nga Leçe, Pietrina Francone. Sa për dijeni të hamendësimeve shpifëse,Gj.Arianiti kishte 7 vajza me Marie Muzakën dhe 3 djem dhe njëvajzë me Pietranera Tokon (gruaja e dytë ,e cila solli dy vajza me vete). Djemtë e Gjergj Arianitit quheshin Thoma, Kostandin dhe Arianit. Më i rëndësishmi që luajti rol në historinë e Romës së shek XV-XVI ishte Kostandin Arianiti, Protonoter i Papës, Duka i Monferratos, i emëruar Despot i Durrës- Prevezë dhe Princ i Maqedonisë, i cili vdiq më 1530 dhe është varrosur në Kishën e 12 Apostujve në Romë, për shërbime të larta diplomatike ndaj Romës. Mbi të gjitha vlerësohet nga Papa për nuhatjen politike në Evropën e trazuar, ku lufta mes Francës, Romës, Austro- Hungarisë ishte prezente. Papa e vëlerësonte për shkathtësinë diplomatike të tij, veçanërisht kur Kostandin Arianiti shmangu luftën mes Romës dhe Francës, pasi ka qenë në marrëdhënie shumë të mira me Maksimiljanin e Gjermanisë.
Pjetranera (italiano-arbreshe), pas vdekjes së burrit, Princ Gj.Arianitit, shkoi në Venedik dhe kërkoi përkrahje për djemtë e saj. Kostandini dhe Arianiti qëndruan në Itali. Djali i madh i Gjergj Arianitit, Thomai, meqë Këshilli i të XII-tëve në Venedik, për shkak të moshës së vogël, nuk i dha titullin e qytetarisë “Senjori”siç e kishte i ati, u kthye nga Venediku dhe ndërroi fe me emrin Ali, emrin e të cilit mban çezma e Mademit në Kaninë ose çezma e Ali Beut. Hyri në shërbim të Portës së lartë. Kjo është dega e Arianitëve që vazhdon sot me familjen Vrana, e cila ka trojet dhe pronat e saj të panumërta rreth kalasë së Kaninës dhe në gjithë trevën. Kjo familje më e lashta, bashkë me 5 familjet e vjetra kanë themeluar Kaninën si qendër e banuar. “Të moçmit edhe sot pas gjithë traumave tragjike që kanë kaluar, pinjollët e kësaj familjeje i thërrasin “Komnenë”për shkak të stërgjyshes bizantine( Paolo Petta). Vrana-jt janë familja më e hershme në Arbëri,madje dhe në Evropën jugëlindore,që solli për herë të parë aristokracinë feudale, trashëgimi që e ka ruajtur në Kaninë. Diktatura komuniste i mohoi për gjysëm shekulli, por kujtesat historike janë lënë dhe duan apo s’duan neokomunistët( pinjollët e baballarëve që bën genocid), është fakt, se, ata që kanë genet e tyre nga fisi Vrana i shek. të II-të p.e.re, ishin janë dhe do të ngelen Vrana, Komnenët e Kaninës.Pra mbiemri Arianit në Kaninë nuk është më, kurse ekzistenca e Vrana-Komnenëve tregon transformimet që ka pësuar mbiemri në shekuj.”
*vo-F.Babinger, “Fundi i Arianitëve”- f- 9)& Gj. Muzaka: “Për historinë e Shqipërisë”: Para sundimit përfundimtar osman, mbi këtë popull aq të dhënë pas lirisë, nga faqet e hyrjes së këtij shkrimi ka të ngjarë të shihet qartë se,roli i Gjergj Arianitit është errësuar në mënyrë të dyshimtë në të mirë të dhëndrit të tij, të mbiquajtur së fundi “capitano generale dei Signori d’Albania, Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbej”.
*Vo-(Babinger, po aty,f. 21-22), ku autori shpreh një konsideratë të veçantë për Gj.Arianitin, duke e cilësuar atë si një “gjeneral dhe mbrojtës të vendit të tij.” Më tej autori vazhdon: “Gjergj Arianiti del në dritë, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe në historinë e Perëndimit, si dhe lavdinë e të cilit, si gjeneral dhe mbrojtës të vendit të arnautëve nga turqit që i binin në qafë e që vetëm mbas vdekjes së tij është lënë në hije. Së fundi qe errësuar krejtësisht nga ajo e dhëndrit të tij, Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe.” Duke krahasuar sukseset e Arianitit me ato të dhëndrit të tij, (Babinger,f.25): “sukseset ushtarake të Gjergj Arianitit, para së gjithash ushtria e tij në luftën e vogël, vështirë se mund të mbeten pas atyre të burrit të vajzës së tij”. Por, “pas vitit 1455”, shkruan Babinger, çuditërisht “zhduket emri i tij nga vjetarët e Historisë së Shqipërisë, që këtej e tutje lavdëronin vetëm emrin e burrit të vajzës së tij, Gjergj Kastriotit”
vo:Shqiptarja.com“Martesa e Skënderbeut-17gusht,2013: Gj. Arianiti Me martesën e Donikës me Skënderbenë, sheshoi mosmarrëveshjet mes princërve shqiptarë. Skënderbeu e mirëpriti këtë lidhje, sepse Gjergj Arianiti Komneni ishte i dëgjuar si askush tjetër për trimëri, për mbretërinë e tij të madhe dhe për fisnikërinë e lashtë të fisit të tij. Madje në Librin e Artë të Familjeve Fisnike të Mesdheut, është dhe familja e Vrana-Arianitve, me simbolin e saj stemën,që e trashëgoi i biri i Gjergjit, Kostandin Arianiti. E bija, Donika ishte bërë e njohur prej kohësh për fisnikërinë dhe veçanërisht për bukurinë e rrallë. Ishte një martesë politike ku nuk luanin rol mosha, dëshirat apo ndjenjat. Martesa e të bijës me Gjergj Kastriotin ishte një nga sukseset e politikës së Gjergj Arianitit, martesë, e cila fuqizoi marrëdhëniet me mbretërinë e Napolit. (Gj.Muzaka, Memorie. Fq.31) (Akademia e Shkencave. Epika Historike, 1 Tirane 1983.fq.133). Ndërkohë që në Qishbardhë dhe Penkovë (Vlorë), ruhen katër toponime të tilla si:Kisha e Skënderbeut( Qishbardha), Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut (ku mbolli ullinjtë)që vlejnë si dëshmi të shekullit të XV-të. Legjendat dhe gojëdhënat për martesën e Skënderbeut në Kaninë kanë mbetur të gjalla edhe sot në rajonin e Vlorës. Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Gjergj Arianitit thotë se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë.”-ja ç’thonë këngët e thurura për dasmën në Kaninë:
"...Ç'dasmë që bë Arianiti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie..."
Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në Ardenicë dhe më pas në Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur mjaft kronikanë, janë bërë piktura e vargje poetike nga shumë njerëz të artit, midis tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri:
"...Dhëndëri si dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna vetëtinte,/ Dritënë në ditë të shtunë..."
vo-Franc Babinger,”Fundi i Arianitëve”, ShB.Plejad-2004;* Fashikul-IV-Akademia e Shkencave Bavari-1960: Libri flet për Kostandin Arianitin, djali i II-i Gjergj Arianitit, një personalitet i madh, një prej emrave më të lakuar në oborrin papnor, të mbretërve të Francës dhe të Gjermanisë në fundshek. e XV-të e fillimshek.e XVI-të. Veprimtaria diplomatike e tij në shërbim të mbretit Maksimilian i I-rë i Gjermanisë dhe të Kurisë Romane të Vatikanit, ishte me rëndësi e vendimtare.
Stema e Vrana-Arianit-Komnenëve e përdorur nga Kostandin Arianiti( djali i dytë i Gjergj Arianitit)

që bëri emër në Itali, në politikën e jashtme të Romës me Francën të shek. XVI.
Falë zgjuarsisë e nuhatjes së mprehtë prej diplomati, Kostandin Arianiti fitoi pushtet, prona dhe u bë personaliteti më i preferuar i Papa Julianit II, që e caktoi atë Kapiten të Përgjithshëm të trupave të Këshillit të Gjithëmbarë të Lateranit. Më pas u emërua Protonoter i Papës. Kostandini ka përdorur si identitet stemën e vjetër të të parëve Vrana-Arianit-Komnenëve.
Zotërimet në një zonë strategjike, bënin që Arianitët gëzonin një pozitë të veçantë në jetën ekonomike dhe politike të Arbërisë në shek XIV- XV. Këtë e tregonin dhe martesat me peshë që bënë, duke u lidhur me Kastriotët, Muzakajt, Dukagjinët si dhe me guvernatorin e Leçes. Ku deri vonë është ruajtur toponimi “Ishulli i Gjergj Arianitit(në detin Adriatik). Në Golem (Gjirokastër), familja Golemi mburret me mbiemrin, se janë degë e Arianitëve, ku aty ende ruhet toponimi “Varri i Gjergjit të Madh”.Toponimet dhe varret janë identitet i brezave që vijnë pas.
Pozitat zotëruese të Gjergj Arianitit kanë zënë vend në aktet zyrtare të marrëdhënieve të tij me Mbretërinë e Napolit. Gjurmë të tyre mbetën edhe pas vdekjes së Gjergjit. Një djalë dhe një nip i tij ushtruan detyrën e funksionarëve të lartë osmanë në rajonin e Vlorës. Në një dokument të fundit të shek.të XV-të, ky rajon është shënuar si pjesë e “Arbërisë së Arianitit.”
* (Gazeta Infopress 2017- Historia e Shqipërisë): Në vitin 1319, Papa Gjoni XXII, u dërgon një letër fisnikëve albanezë, ndërmjet tyre dhe protolegatit Gulielm Arianiti, ku i bene thirrje te bashkohen per organizimin e kryqëzatës antiserbe. Kjo letër e Papës, dërguar Gulielm Arianitit, dëshmon pozicionin e lartë politik, shoqëror dhe fetar të Arianitëve. Më 1373, emri i një pjestari të familjes Arianiti, gjendet i qëndisur në epitafin e Gllavenicës. Ky epitaf është njëri ndër tre punimet e këtij lloji të njohura deri sot në botë.
Comments