top of page

Presidenti Meta i jep titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” kirurgut Dr.Kristo Papa


Meta i jep titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” kirurgut Dr.Kristo Papa: Shembull i mjekut humanist në shërbim të mbrojtjes së shëndetit


Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” kirurgun kardiolog dhe mjekun humanist Kristo Papa: “Për kontributin e tij në fushën e shëndetësisë, si mjek human në shërbim të bashkëkombësve shqiptarë, patriot, veprimtar shoqëror, studiues dhe organizator i veprimtarive shkencore në disa shtete, të cilat kanë lartësuar vlerat e kombit tonë në Itali, Britaninë e Madhe dhe në diasporën shqiptare”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi t’i akordoj Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” një personaliteti të shquar në fushën e mjekësisë, kirurgut kardiolog Dr. Kristo Papa.

I dalluar në shumë vende të Europës, për profesionalizmin dhe kontributin e tij në fushën e mjekësisë, Dr. Papa është edhe një patriot i vërtetë, i cili e ka vënë veten dhe aftësitë e tij profesionale në shërbim të bashkëkombësve tanë në Shqipëri, Itali, Britaninë e Madhe dhe diasporë.

Dr. Papa është një figurë i cili ka lartësuar vlerat e kombit tonë dhe është shembull i shkëlqyer i profesionalizmit të rrallë në fushën e kirurgjisë dhe kardiologjisë.

Ai është vlerësuar si një prej kirurgëve më të mirë të Europës, dhe shpeshherë ka tërhequr vëmendjen e medias dhe opinionit për punën e tij të shkëlqyer, siç ishte rasti kur ai realizoi një operacion të rrallë në “Royal Brompton Hospital” të Londrës.

Operacion që zgjati 17 orë, dhe që ishte ndër të paktët e këtij lloji në mbarë botën të realizuar me sukses.

Me një përgatitje profesionale nga universitetet më të njohura të Europës, si një veprimtar shoqëror, studiues dhe patriot, Dr. Kristo Papa bën krenar Shqipërinë dhe shqiptarët me punën dhe veprimtarinë e tij humane.

“Ku ka dashuri për mjekësinë, ka dashuri për njerëzimin,” na e ka mësuar Hipokrati.

Dr. Papa e do mjekësinë dhe njerëzit, humanizmi i tij është dëshmuar nga ndihmesa e jashtëzakonshme që ka dhënë për shumë qytetarët tanë me nevoja mjekësore.

Ai ka realizuar vullnetarisht mbi 500 ndërhyrje kirurgjikale për shqiptarët që jetojnë në Itali, dhe në vende të tjera duke mbuluar edhe nevojat e tjera mjekësore të tyre.

Vlen të përmenden ndërhyrjet kirurgjikale që ai së bashku me stafin e tij kreu vullnetarisht për 72 fëmijë shqiptarë në repartin e pediatrisë të Spitalit në Veronës.

Dr. Papa ka krijuar një rrjet mjekësh shqiptarë në botë, për të ndihmuar vullnetarisht pacientë të ndryshëm shqiptarë.

Humanizmi i Dr. Kristo Papa u dëshmua edhe gjatë pandemisë së Covid-19, ku përmes platformës së tij digjitale online, ai ndihmoi shumë shqiptarë jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe duke dhënë një ndihmë njerëzore.

Pavarësisht karrierës së tij të spikatur në Itali, Zvicër, Irlandë, dhe aktualisht në spitalin mbretëror të Londrës, Dr. Papa nuk i ka shkëputur kurrë lidhjet me vendlindjen e tij.

Përmes Fondacionit “Papa” të ngritur prej tij, ai ka siguruar ndihma të vazhdueshme dhe ka organizuar aktivitete bamirësie për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë.

Dr. Kristo Papa është shembull për të gjithë ata të rinj e të reja, të cilët aspirojnë të ndjekin profesionin e mjekut, dhe një frymëzim për të qenë sa më humanë në ndihmë të njerëzve.

Të nderuar miq,

Bluzat e bardha janë heronjtë e shoqërisë, ata përveç shëndetin publik do t’iu shërbejnë me përkushtim njerëzve.

Ndaj edhe largimi i mjekëve dhe i infermierëve tanë është një plagë shumë e rëndë për vendin tonë.

Roli i tyre i patjetërsueshëm dhe tejet i rëndësishëm u pa edhe më shumë gjatë pandemisë së COVID-19, kur bluzat e bardha, këta heronj të heshtur shërbyen në frontin e parë të kësaj beteje, me përuljen më të madhe, e duke sakrifikuar edhe jetën e tyre në shumë raste.

Do i kujtojmë gjithmonë të gjithë ata mjekë, infermierë dhe punonjës spitalorë në vendin tonë, të cilët humbën jetën e tyre gjatë betejës me këtë pandemi, për të shpëtuar jetën e qytetarëve tanë.

Duhet theksuar se bluzat e bardha meritojnë vlerësim maksimal e duhen mbështetur sa më shumë, në mënyrë që të japin këtu në vendin tonë sa më shumë kontributin e tyre në shërbim të qytetarëve tanë, dhe jo të detyrohen shpesh të largohen edhe kundër dëshirës së tyre për shkak të mungesës së mundësive që u jepen këtu, për zhvillimin e tyre profesional, apo mungesës së vlerësimit të duhur të statusit që ata meritojnë.

Mirënjohje të thellë për profesionin fisnik të bluzave të bardha.

Mirënjohje të thellë ndaj Dr. Kristo Papa, i cili edhe pse larg Shqipërisë vazhdon të kujdeset për shqiptarët me nevoja shëndetësore, këtu dhe në diasporë, duke ndihmuar dhe shprehur humanizmin e tij me të gjithë dëshirën dhe mundësitë që ai ka.”



110 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page