top of page

Prend BUZHALA: SKËNDERBEU, RIKTHIMI I EPOKËS SHQIPTARE NË PRISHTINË

  • May 7
  • 7 min read

(Kronikë eseistike për Ditën e Shënimit të Skënderbeut në Prishtinë)

Sot, si dy viteve të kaluara, Prishtina kishte atmosferë festive, në shenjë të 621-vjetorit të lindjes së GJERGJ KASTRIOTIT - SKËNDERBEUT. Organizata "Shqiptaria" pati një varg manifestimesh gjatë tërë ditës, siç janë nderimet te shtatorja e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, vendosje kurorash dhe homazhe, takime të delegacioneve arbëreshe me institucionet në Kosovë, diskutime mbi ruajtjen e identitetit arbëresh dhe bashkëpunimin kulturore tj.

1. PRISHTINA DHE RIKTHIMI SIMBOLIK I SHQIPTARISË

Në Prishtinë, aty ku rrugët zakonisht mbajnë ritmin e përditshmërisë dhe zhurmës urbane, kjo ditë kishte një frymë tjetër. Kryeqyteti dukej sikur kishte veshur petkun e kujtesës kombëtare. Flamujt kuqezi valëviteshin mbi turmën, tingujt e këngëve epike përziheshin me zërat e njerëzve dhe ecejaket e lëvizjet e njerëzve në sheshin “Nëna Tereze” të sillte ndjesinë se historia po ecte mes qytetarëve. Në shenjë të 621-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, Prishtina me këtë manifestim, ngriti një atmosferë që ngjante me një rikthim simbolik në kohën e identitetit dhe krenarisë shqiptare.

Artistë, rapsodë, arbëreshë, ansamble folklorike, të rinj e mërgimtarë u bënë pjesë e një tabloje që nuk kishte vetëm ngjyra festive, por edhe peshën e kujtesës historike. Ekspozitat me piktura e skulptura sollën figurën e Skënderbeut jo si një emër të largët tekstesh shkollore, por si simbol të gjallë të qëndresës shqiptare. Në secilin punim artistik lexohej përpjekja për ta ruajtur të paprekur frymën e një epoke që vazhdon ta ushqejë vetëdijen kombëtare.

E mbi të gjitha, erdhën shqiptarët nga trojet etnike, nga Tetova, Ulqini, Presheva, Tuzi, Shkupi, Struga... Erdhën si degë të një trungu që, sado që është përçarë nga politika e historia, në zemër mbetet i pandarë. Prania e tyre në Prishtinë ishte simbol i bashkimit shpirtëror, një dëshmi se Skënderbeu nuk i përket vetëm një krahine apo një kohe; ai është i të gjithëve, përherë e përgjithmonë.

Mirëpo, mbase, pjesa më prekëse e kësaj dite ishin njerëzit që kishin ardhur nga larg. Arbëreshët nga Italia, me kostumet e tyre tradicionale dhe shqipen e ruajtur ndër shekuj, dukeshin si një urë e gjallë mes së kaluarës dhe së tashmes. Mërgimtarët nga Zvicra, Gjermania, Amerika e Australia mbanin flamujt në duar, ndërsa në sytë e tyre lexohej mall, krenari dhe nevoja për t’u lidhur sërish me rrënjët. Ata nuk kishin ardhur vetëm për një festë; kishin ardhur për të dëshmuar se shqiptaria mbijeton edhe larg atdheut, në gjuhë, kujtesë dhe ndjenjë. Me flamuj në duar, me fëmijë që këndonin himnin dhe me sytë që kërkonin rrënjët, ata treguan se kombi ynë nuk ka vetëm një hartë gjeografike, por edhe një tjetër: atë të zemrave që rrahin shqip, kudo nëpër botë.

2. PIKTURA DHE SKULPTURA QË RISOLLËN EPOKËN E SKËNDERBEUT

Ndërkaq, si viteve të kaluara, edhe sivjet artistët figurativë sollën vepra arti në pikturë e skulpturë, në ekspozitën e tyre të përbashkët në sheshin "Nëna Tereze", ku pati punime në lëmin e pikturës, skulpturës, grafikës artistike, punime artizanale etj. Ekspozitën e i organizoi dhe e prezantoi Veton Gusia nga Shogata “Artistët për Artistë" dhe Organizata "Shqiptaria". Pothuajse, të gjitha punimet kishin një kryetemë: karakterin kombëtar e historik të periudhës së Skënderbeut, po edhe të kohëve të tjera nga historia jonë.

Mandej pati defilime grupesh nëpër qytet: : grupe artistike arbëreshe, ansamble folklorike, shoqëri kulturo-artistike, rapsodë dhe instrumentistë, si dhe nxënës e të rinj të shumtë. Defilimet kryesisht ishin me kostume tradicionale, si dhe me performanca artistike e folklorike, valëvitje flamujsh, valle tradicionale etj.

Veprimtaritë ishin të shumta dhe të larmishme: ekspozita e arteve figurative përfshinte vepra nga skulptura dhe piktura, të realizuara me mjeshtëri të jashtëzakonshme. Artistët shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova dhe mërgata, kishin krijuar vepra që paaraqitnin figurën e Skënderbeut në mënyra të ndryshme, duke përfshirë skena nga jeta dhe betejat e tij legjendare. Skulpturat dhe pikturat shpreheshin me një nivel të lartë artistik dhe me një ndjenjë të thellë respekti dhe nderimi për heroizmin e Skënderbeut.

Këto piktura të ekspozuara në sheshin “Nëna Terezë” nuk e trajtojnë Skënderbeun vetëm si figurë historike, por si simbol të memories kolektive shqiptare. Në to, heroi kombëtar del herë si luftëtar epik, herë si figurë meditative, e herë si prani që mbikëqyr fatin historik të kombit. Artistët nuk janë kufizuar vetëm në realizëm klasik; përkundrazi, shumica e punimeve ndërthurin ekspresionizmin, simbolikën dhe abstraksionin për të krijuar një atmosferë emocionale dhe historike njëkohësisht.

Në disa prej punimeve mbizotërojnë ngjyrat e forta të kuqe e të zeza, që lidhen drejtpërdrejt me simbolikën kombëtare dhe me figurën luftarake të Skënderbeut. Portreti i tij, i ndërtuar me penelata të ashpra dhe kontraste të fuqishme, krijon ndjesinë e një figure që del nga thellësia e historisë për të komunikuar ende me të tashmen. Mjekra e gjatë, helmeta me simbolin e dhisë dhe shikimi i rëndë nuk paraqiten vetëm si elemente ikonografike, por si shenja të autoritetit dhe qëndresës.

Një tjetër grup punimesh e trajton epokën kastriotiane në mënyrë më narrative. Kalatë, qytetet mesjetare, luftëtarët dhe peizazhet shqiptare shfaqen të ndërthurura me elemente moderne artistike, sikur artistët të kërkojnë ta sjellin historinë në kohën tonë. Në këto tablo, Skënderbeu nuk është vetëm individ, por qendër gravitacioni rreth së cilës rrotullohet kujtesa historike shqiptare.

Veçanërisht domethënëse janë pikturat ku figura e Skënderbeut del e përzier me motive të dheut, gurit, flamurit apo elementeve të natyrës shqiptare. Këto kompozime japin idenë se heroi është bërë pjesë organike e identitetit kombëtar – jo vetëm një personazh historik, por një metaforë e vetë shqiptarisë. Edhe përdorimi i teksturave të ashpra dhe shtresimeve të dendura të ngjyrave krijon ndjesinë e një historie të rëndë, të mbijetuar mes shekujve, luftërave dhe kujtesës.

Në disa punime vihet re edhe një qasje më filozofike. Skënderbeu paraqitet i menduar, pothuajse introspektiv, larg glorifikimit klasik të kalorësit triumfues. Kjo qasje e humanizon figurën e tij dhe e afron me dimensionin e njeriut që bart barrën e historisë mbi supe. Pikërisht këtu arti bëhet më shumë se ilustrim historik; bëhet reflektim mbi fatin, identitetin dhe kujtesën kolektive.

Në tërësi, këto piktura nuk synojnë vetëm ta kujtojnë Skënderbeun, por ta rikthejnë atë në dialog me kohën tonë. Ato dëshmojnë se figura e tij vazhdon të frymëzojë artistët shqiptarë jo vetëm si hero i së kaluarës, por si simbol i vazhdueshëm i qëndresës, unitetit dhe identitetit kombëtar.

3. KËNGA DHE VALLJA:

NJË GJËMIM EPIK PËR SKËNDERBEUN DHE SHQIPTARINË

Në orët e vona të pasdrekës e të mbrëmjes, kur nisi manifestimi qendror, atmosfera mori dimension tjetër. Këngët epike dhe vallet tradicionale, anise performanca artistike, ishin tinguj që zgjonin kujtesën historike të një populli. Kur në skenë u ngjitën këngëtarët e njohur të muzikës patriotike dhe jehuan klmgëlt e tyre nën një flamur të pandarë, turma u ngrit në këmbë pothuajse instinktivisht. Ishte ai moment kur arti, historia dhe emocioni bëhen një dhe kur një qytet i tërë duket sikur merr frymë me të njëjtën ndjenjë.

Manifestimi kryesor nisi me intonimet e himneve nacionale e shtetërore, me fjalët e hapjes nga organizatorët. Ndërkaq, një ligjëratë tejet domethënëse për figurën e Skënderbeut e paraqiti akademiku historian dr. Muhamet Mala, në emër të AHAK. Nga institucionet e Kosovës foli përfsqësuesi i ambasadës shqiptare në Prishtinë, si dhe përfaqësues të komunave arbëreshe (folën shqip), ashtu sikundër foli shqip edhe Loris Kastrioti, pasardhës i gjakut të Skënderbeut, i cili mori pjesë në aktivitetet solemne me një qëndrim të përmbajtur, por thellësisht domethënës. Madje, ai premtoi angazhimin e tij që përmendorja e Adem Jasharit të ngrihet në Itali, në Romë, si dhe në Prisntinë e qendrat tjera!

Radha iu lihet grupeve muzikore e folklorike. Fillimisht, në skenë dalin arbëreshët që erdhën nga Italia , të veshur me kostumet e tyre të lashta, me një shqipe në zemër që s’është tretur as nga shekujt, as nga detet që i ndanë. Ata sollën në Prishtinë ngjyrat e kulturës së tyre të ruajtur me përkushtim, sollën zërin e një lidhjeje të thellë gjaku e kujtese. Ishte si të vinte vetë historia për ta përshëndetur Skënderbeun e saj.

Mandej ansambli "Rugova" ekzekutoi valle rugovase dhe këmgë epike për Skënderbeun. Në skenë edhe sivjet shfaqet katërshja elitare e këngës shqipe me performancat e tyre muziokre që e trandën skenën: llir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj, Enkelejda Arifi dhe Selami Kolonja. Këngët e tyre shungulluese sollën epikën e kohëve kastriotane me epikën e këngëve që trandën hapësirën përreth: si shungullimë epike e gjëmim i thellë shekujsh që shtegton deri në kohën tonë. Dhe në kulmin e këngës, jehuan vargjet që i bënë të gjithë të ngrihen në këmbë:

Shqiptar Bijt e Shqiponjës,

Nën një flamur të pandarë,

Ndër shekuj i them botës,

Përjetësisht jemi Shqiptar.

Ato vargje nuk kishin nevojë për koment, ishin vetë përkufizimi i gjithë asaj që kjo ditë përfaqësonte. Nën tingujt e tyre, Prishtina u shndërrua në hapësirë simbolike ku çdo shqiptar, kudo që të jetë, ndien se nuk është kurrë vetëm. Në vazhdim u paraqitën edhe grupe e rapsodë nga trojet etnike shqiptare.

4. KUR SHQIPTARIA FOLI ME GJUHËN E EVROPËS

Përtej gjithë kësaj atmosfere patriotike, Prishtina dha edhe një mesazh tjetër, më të heshtur, por po aq domethënës: identitetin e saj evropian. Në mes të flamujve kuqezi, këngëve epike dhe figurës së Skënderbeut, mbi institucionet qeveritare lexohej edhe simbolika e orientimit drejt Bashkimit Evropian. Ishte një pamje që tregonte se kujtesa kombëtare dhe aspirata evropiane nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato ecin bashkë në ndërgjegjen e shqiptarëve.

Në atë ditë, Prishtina dukej sikur fliste me dy zëra njëkohësisht: me zërin e historisë dhe me zërin e së ardhmes. Nga njëra anë, qyteti rikthente në kujtesë figurën e Skënderbeut, qëndresën dhe sakrificat shekullore të shqiptarëve; nga ana tjetër, shfaqte bindjen se vendi i shqiptarëve është brenda Evropës moderne, në hapësirën e demokracisë, lirisë dhe paqes.

Dhe në të vërtetë, kjo nuk ishte rastësi. Vetë figura e Skënderbeut, përtej përmasës kombëtare, bart edhe një simbolikë evropiane. Ai kujtohet si prijësi që mbrojti trojet shqiptare, ashtu sikundër mbrojti edhe qytetërimin evropian të kohës së tij. Kësisoj, për shqiptarët, rruga drejt Evropës nuk shihet si largim nga identiteti, por si vazhdimësi e një historie që ka qenë gjithmonë pjesë e kontinentit.

Në sheshin e Prishtinës, ku dëgjoheshin këngë tradicionale dhe ku valëviteshin flamujt kombëtarë, nuk ndihej as izolim dhe as nostalgji e mbyllur në të kaluarën. Përkundrazi, aty kishte një ndjenjë hapjeje. Shqiptarët dukeshin të vetëdijshëm se identiteti i tyre nuk humb duke qenë pjesë e Evropës, por forcohet përmes saj. Gjuha, kultura, historia dhe kujtesa nuk shihen si pengesë për integrimin, por si vlera që shqiptarët ia sjellin vetë Evropës.

Kjo ishte ndoshta pamja më domethënëse e gjithë manifestimit: një popull që nderon historinë e vet, por që nuk mbetet i burgosur në të kaluarën. Një komb që këndon për Skënderbeun, por që njëkohësisht sheh nga e ardhmja. Dhe në atë ndërthurje mes epikës shqiptare dhe frymës evropiane, Prishtina u shfaq jo vetëm si kryeqytet i Kosovës, por si një simbol i identitetit modern shqiptar – krenar për rrënjët e veta dhe i bindur për vendin që i takon në Evropë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page