top of page

Pranvera në Elbasan s’është si kudo



Fatmir Terziu


Në ditën më të bukur më 14 Mars,

ditët zhurmohen mbledhin ‘dynjanë’,

njerëzit bekohen me urimin e bardhë,

rruga e Pranverës nis në Elbasan!


Në ç’qytet pranvera ka kaq laryshi lulesh,

që i përkundin bletët,

që i përkëdhelin flladet e mëngjeseve për ‘sadaka’?

Në ç’qytet puth era sythet e karakafteve?

Ku? Në ç’qytet kumuriat lart mbi Kala

përcjellin mesazhin e hareshëm të fateve?


Por pranvera në Elbasan s’është si kudo,

nën sita të nënave çelin karakaftet,

e lulet tufohen nga njëri 14 Mars tek tjetri.

Me këto risi jeta rizgjon fatet,

përditësinë e gëzimit e deh.


E kënga e kumuriave, këngë fatlume

shoqëron këngën e nënave që gatuajnë ballakume...

Në pranverën elbasanase ka njëmijë arsye

që zgjohen poshtë jastëqeve si peshqeshe

është Dita e Verës, kjo dehmë e syve

festë e trashëguar arbëreshe.

Dhe kur gatuhet so brumi i rrahur fort

mbi tepsi të holla

e mbi enë bakri,

nënave u pikon vetëm lotë...


Në ç’qytet përkujdes pranvera në një sepetë severgjeni

në ç’qytet risjell për brezat në sofra

perënditë e lulet e brohta?


Ky qytet ka etjen e mikut dhe mikeshës së jetës

ka puthjen e ëmbël të së dashurës, përhumbjen e Tjetrit

me buzë të njomura nga “Burimi i Bankës”

e nga “Ulliri i Qejfit”,

ku nisin siluetat e të bukurës të radhës.


Në ditën më të bukur më 14 Mars,

ditët zhurmohen mbledhin dynjanë,

njerëzit bekohen me urimin e bardhë,

rruga e Pranverës nis në Elbasan!


Emri i qytetit bëhet kryefjalë

konaku i vjetër ngre dolli,

për miqtë e tij të rallë,

tok gotat plot me raki.


Është ky zakon i lashtë,

edhe në Dibër, Strugë e Prespë

lutet mbi bar të njomë më 13 Mars

se tokën kurrë s’e do shterpë.


Emri i qytetit tim lartësohet

o qytet i bukur i mençurisë, dijes, mikpritjes!


Në ditën më të bukur më 14 Mars,

ditët zhurmohen mbledhin dynjanë,

njerëzit bekohen me urimin e bardhë,

rruga e Pranverës nis në Elbasan!

 
 
 

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page