Nga Petrit Malushi
Pranverë e trishtë
Po të prisnim e bukura pranverë,
Me vello farfuritëse, si nuse e re.
Por, e trishtë, mbarsur këtë herë
Me koronavirus trokite tek ne.
Pemët i gjalluan sythat njomëzakë,
Konxhet në degëlule buzëqeshën,
Petalet i ndezën ngjyrat, flakë,
Aromat, ajrin transparent e veshën ...
Parfumi i natyrës veç zogjtë ledhaton.
Ne të ngujuar, hapatrembur, bëjmë sfidë
Nga kuzhina, në dhomë, në ballkon...
Në horizont përcjellim vështrime fluidë.
Të dashuruarit mimoza nuk dhuruan,
„I kursyen“, puthjet e përqafimet,
Vajzat, të hollët fustane “i harruan” .
Urimi “Edhe 100…!”mungoi në gëzimet.
“Happy Birthday” shoqëria nuk këndoi,
Prindët nuk porositën torta e qirinj.
Te të ikurit e mermertë, njeri lule s‘çoi.
Qytetet në fundjavë „e burgosën“ gjallërinë.
Me skajp e video si ndëplanetarë
Komunikojnë njerëzit derë më derë.
Kështu jetëkëputëse, plakë shtrigë, e tharë
Mos na ardhsh kurrë, moj pranverë !
Comentários