top of page

PRANIA E FAIK KONICËS


PRANIA E FAIK KONICËS

Nuhi Vinca


Personalitetet me kulturë poliedrike lënë gjurmë në shumë lëmi shkencore apo artistike. Figurat e tilla të mëdha mbesin në histori të popullit edhe sikur kushtimisht të ishin marrë vetëm me njërën nga disiplinat diskursive apo jodiskursive. Personalitet i tillë është edhe Faik Konica ynë, siç është thënë edhe në një rast tjetër nga autori i këtij punimi. Do të mbetej i pavdekshëm në kulturën tonë, pra prore i pranishëm edhe vetëm me veprimtarinë e tij si publicist me faktin që po e përsërisim këtu: Ai kur i kishte vetëm njëzet vjet moshë botoi revistën ,,Albania” që u çmua nga të gjithë si një enciklopedi shqiptare.

Ky fakt të shtyn të shtrosh një pyetje aktuale: ku janë njëzetvjeçarët tanë sot? ,,Fantazma e kuqe u dëbua nga Evropa ose më saktë vdiq nga pleqëria. Varrimi i saj, në një pjesë të vendeve të lindjes u bë në trajtë karnevalesh; polakët e përcollën duke përplasur tenxhere e tigane, çekët e sllovakët duke trokëlitur çelësat e duke brohoritur ,,mori fund, mori fund”. Në Rumani, Bullgari e Shqipëri u bë me masakra nëpër shesh e vrasje te brezat kufitarë... ndërsa në Serbi, varrimi që ende s’ka përfunduar po bëhet me luftë civile”... Kështu e nis librin e tij A. Plasari ,, Vija e Teodosit por rishfaqet, nga do t’ia mbajnë shqiptarët... Dhe, meqë flasin për Faikun tonë në trevat autoktone jashtë kufirit politik, do të shtonim se kjo fantazmë e kuqe në Maqedoni u dëbua pa asnjë viktimë maqedonase, por me vrasje shqiptarësh të pafajshëm në Bit Pazar të Shkupit me kurban në themele universitetesh, me vrasje shqiptarësh në kufirin politik të 13-ës. Tani, që kjo fantazmë e kuqe s’është më, vepra e, sidomos jeta e Konicës mbetet shembëlltyrë për rininë tonë... (Nga të gjitha shpikjet nga lëmi i shkencave humanitare parimi apo ligji mbi qarkullimin e lirë të medieve e vlerave më duket është shpikja më gjeniale e njerëzimit. Askush s’mund të dënohet për bindjet e tij politike shkencore e fetare. Askush s’mund të shpallet fajtor pa u dëshmuar faji. Gjysmës së botës, gjysmës së njerëzimit i ka munguar ky parim, ky ligj. Sa njerëzve u është marrë liria e mendimit, liria e udhëtimit, liria e botimit...!) Nga bota shqiptare shembuj ka shumë. Shembulli i Fishtës e Konicës janë vetakuzues për botën e shtetit shqiptar që në nenin e parë të Kushtetutës së vet i kundërvihet lirisë së mendimit dhe botës së lirë. Pjesërisht për këtë parim robërues amaneti i Konicës, në trevat shqiptare të Shqipërisë Lindore u mor vesh u kuptua dhe u publikua shumë vonë, këtu dy-tre vitet e fundit, prandaj edhe ngjalli një indinjatë ndaj të gjithë mohuesve të traditës kulturore shqiptare.

Opinioni shqiptar i kësaj pjese të kombit shqiptar me të drejtë shtronte pyetje: kaq gjatë...? Po a s’e dini se amanetin s’e tret dheu? Dhe detyrohemi t’ia kujtojmë Faikut se çka i ngjau në Durrës dikur dhe kur u dëbua me një breshëri fjalësh nga xhandari e si pasojë i tha fjalët në ,,Shqipëria si m’u duk’’: i çdehur një herë e mirë sot shkoj në Shqipëri as me enthuziazëm, as me frikë, e gatitur për çdo ngjarje...,, Ky qëndrim e këto fjalë më duket sikur na thonë: mos u bëni euforikë, zgjohuni sa s’është vonë kuptoni se të ëmblat në gjuhë dalin të tharta më vonë se më shumë do t’i ndihmoni Shqipërisë po të shkoni të ç’dehur si unë. E ne s’e kuptuam Konicën tonë. Shkuam të dehur nja dhjetë vjet me radhë para 1981-shit në Shqipërinë e Partisë së Punës që i përsëriste vazhdimisht dy betime: Do të hamë edhe barë e do ta ruajmë marksizëm-leninizmin si dhe Do ta mbrojmë pushtetin qoftë edhe me gjak. Ne shkuam e të dehur u kthyem në Kosovën tonë të robëruar dhe flisnim para rinisë kosovare për Shqipërinë si për një kopsht i lulëzuar e kështu ia zgjatnim jetën një iluzioni edhe pse e dinim se iluzionet janë të dëmshme. Ne ta pamë Gjergjin me nëntë plagë të hapura për dyzet e ca vjet, ne Ty të pamë moj Nënë gojëfarkuar, gojëkyçur, gojëmbyllur nga censurat e autocensurat që sjellin katastrofa krijuese, t’i pamë e s’t’i thamë të vërtetat; ne s’e kuptuam Faikun tonë që edhe sot sikur na flet: Duhet ta mëkëmbim një shtet me emër Shqipëri, sepse po ta kemi atë shtet me një parlament, një kryetar qoftë Ai edhe Mbret, do të kemi edhe Kosovë, do ta kemi një ditë edhe atë etninë këndej Qafë-Thanës, të lirë dhe nuk do të mbesim as si kurdët, pa as një shtet të vetin, as si shumë kombe të shuara mbi dhe...

Këto na i thotë publicistika e Konicës, kritika e hollë e tij, veprimtaria kombëtare. Këto na i thotë Noli më 1942 kur mes shumë veçorive të personalitetit të Konicës veçoi tri merita që s’mund t’ia mohojë as kundërshtari më i rrebtë: si shampion i indipendencës kombëtare, si stilisti më i mirë i shqipes dhe si zbulonjës i flamurit të Skënderbeut... Kjo fjalë e Nolit është përcjellë dorë më dorë, është botuar edhe në revistat e Shkupit; janë përcjellë gojarisht nëpër konaqe burrash e grash- pra edhe përmes kësaj forme Konica ka qenë e është i pranishëm ndër ne. Po si ka qenë i pranishëm Faik Konica nëpër konteste motesh të shkuara jashtë kufirit politik të Shqipërisë.

Për ne, këndej kufirit politik të 1913-ës po bëhet më shumë se një gjysmë shekulli të jetës së arsimit shqiptar, të shkollës të institucionalizuar, kur ministri Ernest Koliqi dërgon 200 mësues, dyqind pishtarë të dritës së diturisë, duke i quajtur metaforikisht ,,Kroje të reja të Parnasit shqiptar”... Kur na patën ardhë ata pishtarë të dritës së diturisë, sollën e mbollën në fjalorin tonë e në zemrat tona fjalët: atdhe, dituri, Skënderbe, Naim, Fishtë, Faik, Shqipëri; sollën ndër ne dritën, duke dëbuar terrin, duke derdhur kështu si kroje të reja ujin e diturisë në shpirtrat e etshme të shqiptarëve të Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Prishtinës, Ferizajt, Podujevës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjakovës, Gjilanit e në vise të tjera të Kosovës së sotme.

Prandaj ai misioni i Ministrisë së Arsimit, në krye me Ernest Koliqin, për ne mbetet një akt i madh dhe një hap i logjikshëm historic, pra një faqe e mrekullueshme, e shkëlqyeshme e historisë, së arsimit shqiptar në troje etnike, ku ideali i rilindësve dhe patriotëve si Konica me shokë, ende s’është realizuar...,, që ky ideal të bëhet ashtu si duhet të bëhet, na presin edhe shumë e shumë detyra dhe shumë e shumë punë. Na presin armata të nxënësve që t’i ushqejmë me trashëgiminë letrare e kulturore nga tradita jonë si ushqim shpirtëror nga sfera e kulturës materiale e shpirtërore. Na presin shumë punë vetëmohuese e shpirt sakrifice sa nga shqiptarët e dritës aq edhe nga ata që vijnë sepse arsimi, kultura, shkenca, letërsia janë bimë të mrekullueshme, të cilat nuk mugullojnë dhe nuk lulëzojnë, po nuk u vaditën me lot, djersë e gjak sakrifice. Arsimi që varfërohet për një Fishtë, për një Konicë, për një Lumo Skendo (M. Frashër) e për më shumë trashëgimi letrare të traditës, nuk mund të edukojë një rini që të jetë në gjendje të mendojë apo të shqiptojë në vazhdimësi ato fjalët që i shqiptoi në Tiranë në vitin 1992 një mik i Shqipërisë dhe bashkëmendimtar i Simon Vizentalit të njohur, ndjekës aktual i kriminelëve të luftës kur tha: “Ne izraelitët, dy mijë vjet, iu lutem Jerusalemit kështu: M’u thaftë krahu i djathtë në të harrofshim Jeruzalem…”, ndërsa këtu në Shqipëri po them: m’u thaftë krahu i majtë në të harrofshin nënë Shqipëri! ”Pika që bie vazhdimisht në një vend, shkëmbim shpon... “Të mos e harrojmë asnjëherë këshillën e Konicës për idealin e kombësinë... Prania e F. Konicës ndër shqiptarët jashtë kufirit politik të Shqipërisë venerohet edhe në dy aspekte:

a) Trashëgimia letrare, publicistike, kritiko-letrare si ushqim shpirtëror për individë, për gjenerata nxënësish e studentësh në Shqipërinë Lindore të robëruar dhe

b) Po kjo trashëgimi si objekt studimi nga individë apo ekipe studiuesish me projekte grupore. I gjatë është vargu i artikujve, punimeve trajtesave, studimeve si dhe monografive për Faik Konicën në këtë pjesë që e kemi qëllim studimi. Aspekti i parë ka pasur batica e zbatica pavarësisht nga kontestet historike që kanë qenë herë më të buta e herë më të egra. Një metodë hulumtimi e anketimit apo analizës do të na shpinte në qasjet e intervistat që citonin Konicën “I madh është ai që zbulon shpirtin e kohës së tij”, apo prozat poetike “Anës liqenit”, “Dëbora”, “Nën hijen e hurmave” si një shqipërim i bukur që qe ndër librat e parë të vogëlushëve tanë, prandaj i pranishëm edhe në poezinë tonë në një mënyrë të veçantë. Aspekti i dytë del më i vonshëm por edhe me qasje më serioze diskursive.

c) Studiuesit si: Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, Abdullah Karjagdiu, Jup Kastrati (me monografinë më të re), Luan Starova etj., që pas, vitit 1966, e sidomos në vitet 1990, e marrin për objekt veprën e tërësishme të Faik Konicës, duke hartuar monografi shkencore, si gjini apo lloj më i plotë e gjithëpërfshirës studimi. Por kur erdhi viti 1981 u egërsua vala e pushtetit monist, që në flamur e ka të shkruar njëmendimshin absolut, anatemoi jo vetëm Konicën por çdo shkrimtar të traditës, apo çdo vepër e shkruar shqip; libri dhe autori nga Shqipëria, nga Kosova e sidomos nga diaspora, jo vetëm u ndoq si armik i rrezikshëm, por edhe më keq... Rrugës së gjatë e të vështirë të historisë sonë iu shtua edhe një faqe e nxirë, ajo që ngjau në ditët tona, në kohën tonë... e ne vetë jemi dëshmitarë të krimit apo sehirxhinj apo edhe më keq, piromanë modernë me shkrepsë në dorë për të djegur librin shqip. Janë këto vitet e tetëdhjeta kur libri ynë, tekstet, përjetuan inkuizicionin mesjetar nga dora e libërvrasësve apo libërdjegësve që ende nuk janë shpallur kriminelët e librit. Këta libërdjegës e ndjekës të çdo gjëje nga kultura e trashëgimia jonë letrare, enden edhe sot nëpër themelet e universitetit tonë të ri, nëpër shkollat tona ku cicërojnë rreth 200.000 apo 500.000 nxënës shqiptarë filloristë, të mesëm e studentë, enden mes këtyre llastarëve, dhe i kënaq dëshira moniste e shoviniste për monopol mbi çdo gjë e përgjegjësi mbi asgjë...

Janë këta kriminelët modernë që pispillohen si konformistë tradicionalë nëpër kolltuqe duke pritur në rrethanat e volitshme që të turren mbi librin e pafajshëm shqiptar si piromanë aktualë edhe pse i ngjajnë atij Neronit romak, që, në labirintet e një ndërgjegje të sëmurë, del me tezën: dëgjoni e shikoni, historia nuk e ka zgjidhur ende Remi apo Romuli e ndërtoi Romën, po do ta dijë qartësisht se e dogja unë Neroni... E ne Neronët tanë as s’i kemi emërtuar as s’ua kemi prishur rehatinë, konformizmin, por po i durojmë oratoritë boshe e ua njohim euforitë e dëmshme. Një libër i mbushur me fakte, një libër i bardhë PËR libërdjegësit E ZINJ NGA Bibliotekat tona, që nga Ohri e Struga, e deri në Kosovë, Tetovë e Kumanovë, një libër i dokumentuar i hartuar shqip dhe anglisht për subjektet diplomatike e gjyqësore evropiane, do të ishte i mirëpritur. Në mos për tjetër - le të njihen me piromanët modernë me ngjarjet tona këtu ndër ne.

Ky fakt i duhet fort historisë sonë më të re, historisë së arsimit shqiptar. (Në Shqipërinë Lindore që kolonizohet dhe diskriminohet nga politika sllave). Ekzekutorët e krimit ndaj librit, tash na dalin ose në heshtje kobare ose me gjuhë plot kozmetikë demokratike, duke mohuar kolosët tanë rilindës, pra edhe Konicën. Le ta nisim Konicën tonë për Shqipëri. Ja vatranët po gatiten... Në majin e gjallëruar edhe një trup pa jetë pas 53 vjetësh do të prehet në tokën mëmë... Atje rivarrosje martirësh ka shumë. Një nënë libohovase s’i gjen dot eshtrat e birit të vet që po i kërkon qe 50 vjet.

Po aty në vend të djalit është violina dhe teksti i M. Elezit në ,,IlIyria” nr. 388: ,,Tingujt e saj le t’i thithë dheu... ndoshta do të takoheshin me gjakun e birit e mijëra të vrarëve... Një varr simbolik: komunizmi shkatërroi muzikën e kombit, violinën e tij, vrau këngën e tij, masakroi elitën më të zgjedhur. “Ky imazh s’të hiqet sysh si një dans makabër” i jetës sonë e të fletë shumë si krijues, kurse popullit si shërues i çdo plage... Kur Faiku la amanetin që po e plotëson Shqipëria demokratike bashkë me diasporën e vatranët, nënat, si ajo libohovasja, visheshin në të zeza.



N. Vinca me bashkëshorten dhe disa mërgimtarë

Po ja Faiku po niset, po kthehet. Ky kthim është edhe kthimi i tij në kulturën tonë, në jetën tonë institucionale në jetën tonë kombëtare. Në varrin e ri mund të shënohen fjalët epitaf, siç është vepruar për një shkrimtar botëror: lavdia e tij s’ka nevojë për tonën, lavdia jonë ka nevojë për të.

Perëndia na ndihmoftë drejt bashkimit kombëtar dhe nderimin e të të merituarve!

36 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page