PORTRETIZIMI I LIRISË NË DY PAMJE


Xheladin Mjeku

Xheladin MJEKU

PORTRETIZIMI I LIRISË NË DY PAMJE


Nexhat Rexha: “DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE”, poezi, botoi SHB “Beqir Musliu” – Gjilan, 2019


Nexhat Rexha, (1956), prej dekadash është i pranishëm në letrat shqipe, si poet, kritik dhe edukator brezash në rrugëtimin e tij jetësor. Prej fillimeve të para, krijimtaria e tij sa vjen e fiton fizionominë dhe stilin vetanak në kërkim të vazhdueshëm në gjetjen dhe shtjellimin e temave që e preokupojnë,pa mos u ndalur për asnjë çastnë përsosmërinë e vargut dhe në shtrirjen e imagjinatës së tij krijuese. Rrugëtimi krijues çdoherë kërkon fiksimin e reales dhe artistikës, deri në përmbushjen e qëllimeve artistike për të sjellur freski tematike, shpërfaqje ngjarjesh e synimesh mbi frymën e preokupimeve që na rrethojnë. Profilizimi i imazhit letrar të Nexhat Rexhës, nuk rresht së kërkuari risitë, duke shtrirë gamën e ndërtimit tematik në bazamentin e ngjarjeve a refleksioneve tematiko - letrare të pashterrura të këtij opusi krijues prej dekadash. Ai që nga botimi i librit të parë me poezi “Ndrydhja e pikës K” e deri tek ky i fundit, “Duke kërkuar hijen tënde”, siç e thotë edhe studiuesi i letërsisë, Anton N. Berisha “Përligj botën e vet poetike, komunikon me dukuri të botës së jashtme dhe të botës së brendshme, dialogon me to ose u kundërvihet atyre përmes mesazheve që dalin nga struktura tekstore shprehëse”.

Kështu, poezia e Nexhat Rexhës parreshtur vazhdon të komunikojë, edhe përtej hapësirës shqiptare duke i ngjallur kurreshtjen edhe lexuesit anglez, rumun e më gjërë, qoftë si prezantim vetanak, apo edhe përmes antologjive me poet të zgjedhur, që e bënjë emër të dëshmuar në letrat shqipe.

Lufta e pasluftës në vargje

Libri “Në kërkim të hijes tënde” i sajuar nga tri cikle poetike: “Si t’ia kthej atdheut buzëqeshjen”, “Mbi qepalla të atdheut” dhe “Në gërshetin e kësaj vjeshte” me mbi tetëdhjetë krijime poetike, shquhen për formën e vet të shprehjes përmes vargut, rrjedhshmërisë gjuhësore dhe portretizimit heroik të personazhit të tij. Por, pa u mjaftuar me kaq, Nexhat Rexha ngarend gjithnjë në kërkim të shprehjes së fjalës së bukur, në shtjellimin e pamjeve që prekin ngjarjet dhe kohën ku ato ndodhin. Mbi bazën e kësaj që u theksua, shtrihet gjithë materja poetike e këtij vëllimi.

Kështu, në ciklin e parë “Si t’ia kthej atdheut buzëqeshjen”, shpërfaqet gjendja aktuale e shoqërisë në përballje me të gjitha segmentet e jetës. Poeti përmes vargut shpreh preokupimet e tij në kërkim të rrugëdaljes nga kjo katrahurë e krijuar, jo vetëm të njeriut të përvuajtur, por edhe vet sistemin e brishtë shoqëror, politik, social, kulturor, etj. Një zhgënjim i tillë pasqyron gjendjen aktuale të pasçlirimit, që do të duhej të ndodhte e kundërta e saj, por: “Diçka nuk po lëviz/ Në këtë gur stralli/ Epokën ndryshon/ Vetëm pamje lapidari” (“Letër atdheut”, fq. 15). Kjo pamje tregon më shumë se gjithçka tjetër për ngushtimin e lakut të lirisë, duke e kujtuar vetëm atëherë kur e takojmë në lapidar. Sipas poetit, kur u arrit liria shumëçka ndryshoj, meqë dolën në skenë keqbërës, lakmitarë e njerëz të interesave personale e grupore për përfitime të shumta, duke vrapuar në “Fron lakmie/ Shtyp pullë premtimi/ Sa të kalojë fushata/ Fillon internimi” (“Froni”, fq. 21). Me tematikë të tillë janë edhe poezitë: “Vetëm një herë”, “Pandehja në ty”, “Kthim në vargun tim”, “Pritja…”, “Pelegrinazh mashtrimi”, “Ku mbeti kënga e atyre kohëve”, “Kur vonon liria”, “etj. Kundruall gjithë këtyre veseve e bëmave, Nexhat Rexha sikur e ngushëllon njeriun e kohës, duke i paralajmëruar se në mbrojtje të së keqes që e ka katandisur vendin qëndron “Roja engjëllore”, si një shpresë dhe frymë guximi në zhdavaritjen e këtij tisi të mjegullave që e rrethojnë. Këto shpresa nuk janë fanitur për asnjë çast. Edhe më tutje, në poezinë e Nexhat Rexhës shkrepin shkëndija shprese, si në poezinë “Dritë lirie”, që vjen si pararojë e atdheut.

Përveç kësaj gjendjeje të pasçlirimit, autori nuk mund ta anashkaloj pa e prekur edhe pjesën tjetër të kauzës kombëtare, që lëngon plagë e pashëruar e historisë. Ajo plagë sikur na fton në çdo sekondë të jetës që t’ia zgjasim dorën e shpëtimit nga harresa shekullore. Trajtimi i kësaj çështje vjen e pasqyruar në poezitë: “Çamëri”, “Koha ime e arnuar”, “Hulli e vargëzuar“, “Në qytetin tim”, “Andej Drinit”. Sidomos shquhet poezia “Pafajësia mëkaton” për shtrirjen kohore të kujtesës që pikon dhimbje e mall për një pjesë atdheu dhe, poezia tjetër, poaq e veçantë “Lumi që ndan”, që prek pjesën tjetër të dhimbjes, “Ku pikon dashuri e pashterur/ Me shijen e Mollës së Kuqe”, (fq. 64). sepse tashmë po ndodh “Lodhja e shekujve”, që kumbon rëndë, derisa “Banorët lëshojnë zë/ Kurse gropat dremitin heshtjen/ E viteve pa kthim” për tu rizgjuar fuqishëm nga “Lodhja e shekujve në përgjumje”, (po aty, fq. 29).

Nexhat Rexha edhe më nuk ndalon në kërkimin e daljes nga kjo gjendje kaq e papranueshme që e ka rënduar tej mase jetën normale, pa mos gjetur hapësirë t’i gëzohemi kësaj gjysmëlirie që ende çalon në rrugëtimin e ndërtimit të një ardhmërie të merituar. Në këtë kontekst, ai ballafaqohet me gjendjen e rënduar ekonomike, me thyerjet shpirtërore, me pakënaqësitë shoqërore e politike, me frustrimet e popullit në përgjithësi, që do t’i shpreh edhe përmes vargjeve, si tek poezia “Në fushëbetejen tonë”, ku pasqyrohen katërcipërisht veprimet që ndodhin në vazhdimësi, siç do ta thotë autori: “Bota bën sehir në variantet e dredhive absurd/ Për të mundur kohën e filozofisë paqësore” deri në shpërfaqjen e mendimit përmbyllës se “Tash bëjmë luftën në shumë beteja në Parlamentin Enigmatik/ Kur nuk thuhet ajo që tingëllon zemrave tona” (po aty, fq. 53). Këto vargje e miratojnë plotësisht mendimin, se Nexhat Rexha në poezinë e tij ka sjellur luftën e pasluftës, i ballafaquar me sprova të shumta, me pasigurinë deri në zhgënjim të vazhdueshëm. Por, pavarësisht, ai nuk rresht së përpjekuri të gjej shtigje të reja në tejkalimin e këtyre veseve që, sikur i janë mishëruar njeriut keqbërës, në kohën kur më s’paku na duhen këto veprime. Komunikimi i vazhdueshëm i poetit përmes poezisë së tij mëton të ngris nivelin e përgjegjësive dhe të arsyes që t’i kthehemi një jete normale, ta fuqizojmë vlerën e lirisë, që aq shtrenjtë na kushtoj, e ende s’ia dolëm t’i shijojmë frutat e saj të shumëkërkuara, që si duket nuk po ua krijojmë mjaftueshëm hapësirën diellore të piqen ashtu si meritojnë.

Mirëpo, nuk është e tëra kjo që takojmë në librin “Duke kërkuar hijen tënde”, që sjell të pasqyruar veç njërën anë të medaljes së kësaj kohe. Përballë një gjendje të tillë vijnë krushq të lirisë, fryma dhe dashuria që nuk shuhen kurrë, pavarësisht ngjarjeve, se ata janë trasimi i përjetësisë, për të qëndruar roje “Mbi qepalla të atdheut”. Personazhet e lirisë, si: Isa Boletini, Idriz Seferi, Azem Galica, etj, të ndërtuar lapidar në poezi e këngë mbesin qëndresë e së djeshmes, roje e të sotmes dhe frymëzim i ardhmërisë.Këto dhe shumë figura tjera të lirisë lartësohen përmes fjalës poetike në shumë poezi, ndër të cilat veçohen: “100 vjet vonesë”, “Plisi i maleve”, “Udhëtuam me vjeshtën”, e ndonjë tjetër, që secila syresh e pasqyrojnë në mënyrën e vet frymën e lirisë, që nuk mposhtet kurrë.

Dashuria – akt që ngushëllon

Cikli poetik “Në gërshetin e kësaj vjeshte” natyrshëm e plotëson hapësirën, që ndihej si një boshllëk zbraztësire pa një freski poetike me motive të tjera, pas gjithë asaj “rrëmuje” ngjarjesh mbi bazën e një lëngate të kohës. Këto poezi vijnë si dromca poetike për dashurinë, që nuk lëshohen thellë në “zemrën e djegur”, për ta krijuar një balansim koherent të dashurisë, si akt që ngushëllon sadopak unin krijues të autorit, i cili mbetet i thyer shpirtërisht pothuajse në gjithë lëndën pararendëse, për ta ndërtuar sadopak një urë kaluese përtej dhimbjes që e pllakos të tërin. Kjo situatë e rënduar në një periudhë kohore kur pritej ndryshimi i madh në të mirë të situatave, e bën autorin paksa pesimist, ndonëse ai ruan në vazhdimësi një fije shprese për një të ardhme më të ndritur. Kështu, “Në gërshetin e kësaj vjeshte” sikur e mbajnë shpresat e daljes nga ky peng plot dyshime, paqartësi dhe pengesa të pafund. Ai krijon një “Pranverë dëshirash”, duke e rikthyer ngrohtësinë shpirtërore, si gjakim ndjenjash, ku nuk mungojnë edhe shqetësimet e herëpashershme, të shprehura përmes vargjeve, ku “Kujtesa/ Ujëvarë në qepallë/ Pranverë dëshirash thurë” (po aty, fq. 113). Këto lirika prekin ndjeshëm zjarrin e dashurisë nga mosha e hershme, pa mos anashkaluar edhe shqetësimet, çastet intime, mallëngjimet, etj. të shpërfaqura në poezi të shumta, ku veçojmë ndonjërën syresh, si: “Afshit të ditës së uruar”, “E pathëna”, “Kundruall agut”, “Këngë marsi” dhe “Hija që vrapon” pas një “Fije floku” që të bashkërenditura ndërthurin një kollazh të fuqishëm poetik për dashurinë, që këtu mund të lexohen edhe si një poemë dashurie, si një freski shpirtërore që relakson, pas gjithë asaj angështie të valëzuar nëpër situata e peripeti jetësore. Nexhat Rexha, këtu zbërthen energjinë e frymëzimeve si në kohën djaloshare, për të krijuar ambientim ndryshe nga përditshëria monotone e bredhjeve, pothuajse të njëtrajtshme plot sprova e shqetësime. Gjatë kapërcimit nëpër këtë cikël poezish nuk mund të anashkalojmë edhe ndonjërën prej krijimeve poetike që konsiderohet poaq me interes për tu zbërthyer, qoftë si realizim poetik, qoftë si shpalosje e fshehtësive që ndryjnë brenda vargut shpresat për një ardhmëri të dëshiruar. E tillë vjen poezia “Në kapërcim largësish”, ku me bekimin e poetit parreshtur dëgjohen ritmet e “Rrahjeve të zemrës” dhe “Palosen dashuritë/Arkës me ëndrra”. Padyshim se kjo na bën të besojmë se nuk është larg kapërcimi i një kohe të mpleksur, për të vazhduar përmes vargjeve:

“Në kapërcim largësish

Lutjet urojnë buzëqeshjen

Me veshjen eklips

E buzët shkrumb”

(Po aty, fq. 102)

Vigjilenca e Nexhat Rexhës nuk ndalon për asnjë çast, as atëherë kur rrezikohet besimi i krijuar më parë, duke insistuar që me çdo kusht ta përmbush synimin e tij, pavarësisht që “Vetëm emri dashuri shkëlqente/ Ëndrra ime për ty/ Dhe sytë e harlisur në pritje” (“Sytë e harlisur në pritje”, (po aty, fq.108). Kjo është bota poetike e poetit, bota e shpresave, e besimit dhe e dhuntive që nuk pushojnë asnjëherë në prekjen e të bukurës, të dashurisë, jetës, kundruall ballafaqimeve të ndryshme nëpër kohë, rropatjeve të shumta me jetën plot sprova, në përpjekje të vazhdeshme për ta kthyer mbarë edhe anën tjetër të medaljes.

Dy fjalë që premtojnë

Nexhat Rexha, në opusin e tij krijues sjell figurën e njeriut të kohës, prej gjaku e fryme; njeriun e shpresave dhe guximit në përballje të parreshtur me sunduesit, me plangprishësit, me vuajtjet dhe varfërinë, por gjithmonë fitimtar, gjithnjë fal unit të vet liridashës. Këto karakteristika të poezisë i gjejmë të theksuara si në asnjërën prej veprave të mëparme, ku është trajtuar heroizmi dhe sakrificat shekullore të popullit të përvuajtur, me synimet e parreshtura të daljes nga robëria dhe okupimi shumëshekullor. Mbi bazamantin e këtyre situatave ndërtohet e gjithë poezia e Nexhat Rexhës. Ai parreshtur lufton me të gjitha mjetet e mundshme për ta arritur qëllimin. Por çfarë ndodh pastaj, flet sërish poezia e tij në vazhdim, gjithnjë duke mbrujtur në shpirt forcën e brendshme, që një ditë do të shpërthej si vullkan, që nuk shuhet deri në përmbushjen e objektivave poetike.

Nëse flasim për figuracionin e pasur, për tropet, metaforat dhe toponimet, për përdorimin e elementeve gjuhësore, që i takojmë përgjatë gjithë përmbledhjes poetike “Në kërkim të hijes tënde” nuk kemi thënë asgjë të re, meqë Nexhat Rexha për asnjë çast, që nga botimet e para, nuk ngurron të sjell elementeve të reja letraro-estetike, duke ruajtur çiltërinë e gjuhës dhe rritjen e fondit të emërtimeve të reja të vendeve prej nga e ndërton poezinë e tij. Në fakt, mision mbi misionet kishte këtë përkushtim, që gjaneratave t’ua krijoj, nëse jo në masë të konsiderueshme dëshirën e leximit të poezisë, s’paku mundësinë e pasurimit të leksikut dhe shprehjeve të rrjedhshme dhe komunikuese. Një pasuri e tillë i atribuohet punës përkushtuese të Nexhat Rexhës.

Dhe krejt në mbyllje, rikthej kujtesën te simbolika e hijes, që na mban peng gjatë gjithë kohës sa e shfletojmë këtë libër poetik. Kjo hije vjen si paralajmërim i pritjes së gjatë të një shkëlqimi diellor, vezullim i një tufë rrezesh që krijojnë hijen, freskun shpirtëror të shumëpritur të lirisë, apo si fenomen i ruajtjes së njeriut të këtij trolli nga keqbërësit që sorollaten gjithandej kah mëtonte të shtrinte rrezet e saj liria.

Në të dyja rastet kjo hije pasqyron mburojën e dyfishtë, për të shpërfaqur në vazhdimësi arritjen e vlerave dhe sukseseve të krijimtarinë poetike të Nexhat Rexhës.


#xheladin #mjeku #nexhat #rexha

0 views

Shkrimet e fundit