PORTRETI I MOTRËS TONE


RESMI OSMANI


Shtëpinë e Idromenove në Gjuhadoll, të Shkodrës, e kishte pllakosur zia..Siç dukej, vdekja e kishte mësuar rrugën për atje. Sefte, babai Arsen Idromeno-Pargalliu, më pas një ferishte, djali i Kolës që si kishte mbushur dy vjeç, dhe ja tani ajo kishte rrëmbyer jetën e Antonias, motrës Tone.Trupin e saj ja dorëzuan tokës së ftohtë në varrezat e Rrmajit, shpirtin qiellit në amshim, kurse dhimbjen sfilitëse e dërrmuese që u helmonte qënien, e ndryne thellë në zemër. Si e donte zakoni, pas drekës së mortit në shtëpinë e kunatit Andrea Skanjeti, përcollën miqtë e dashamirët dhe Kola me t’ëmën , të shoqen Cnën, të shoqëruar nga Lec Gurashi, u kthyen në shtëpi. Ishin veshur me të zeza. Gjithëçka dukej e zymtë, ngjante sikur edhe nga muret e shtëpisë pikonte pikëllim e dhembje. Qetësia dhe heshtja e bënte edhe më shtypëse e të padurueshme përjetimin. As Cina as Leci, edhe ata të pikëlluar e të vrarë shpirtërisht, që e shihnin me vështrim gati mëshirues Kolën, nuk folën një fjalë. Heshtja sido që shtypëse, fliste me shumë se çdo fjalë ngushëlluese, që do të thuhej për fashitjen e dhimbjes pashërim.

Kola ,me këmbët që i rëndonin si plumb, bëri përpara për në odën e mirë. Në ballë të vendit, portreti i motrës Tone, e vërente me atë vështrimin e mistershëm, mendueshëm, si t