Portretet e Ndini Bardhit zbulojnë fuqinë e lapsit
Prof Dr Fatmir Terziu
Hyrje
Edhe pse për dikë duket se është e lehtë të harrosh lapsin e mprehur të piktorit, për Ndini Bardhin, gjithnjë mbetet një pasion i lidhur me talentin. Në duart e artistit, lapsi i tillë është një mjet i fuqishëm. Një libër gjithëpërfshirës, mjaft efektiv dhe i seleksionuar sipas shijes dhe vlerave që mbartin protagonistët na tregon se si lapsi në duart e piktorit të mrekullueshëm, Ndini Bardhi, mund t'u japë karaktereve dhe protagonistëve që janë të përfshirë, magjinë e zakonshme dhe fuqinë e padiskutueshme.
Portret e njerëzve
Ndini Bardhi, kohët e fundit, është marrë shumë me portretet e njerëzve të thjeshtë dhe të artistëve shqiptarë dhe të huaj. Ato zenë një fond të rëndësishëm vlerash artistike, sidomos të artistëve figurative, të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Ato përbëjnë portretin e vlerave dhe bukurinë e shpirtit njerëzor, në të njëjtën kohë një angazhim për ta, për artin dhe kulturën shqiptare. Këto janë përfshirë në një libër të botuar nga „Vatra Majestik“.
Ky libër me 346 faqe dhe me 311 portrete nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Bota, duket si një magji kolektive ku dremisin me nurin e tyre të konfiguruar tërë ata që kanë fatin të qëndosen bardhë e zi nga ky piktor i talentuar.
Libri na qaset me një botë ndryshe, të sfiduar menjëherë nga heshtja e figurës. Ky imazh, që në fakt duket si një një sfidë njerëzore që dëgjohet në një medium pa zë, duket se përmbledh thelbin e talentit të Ndini Bardhit.
Rreth autorit
Ndini R. Bardhi lindi më 2 janar 1950 në Bubullimë të Lushnjës. Ka mbaruar Liceun Artistik "Jordan Misja" dhe Akademinë e Arteve të Bukura "M. Grigoresku" të Bukureshtit, Rumani. Krijimtaria e tij artistike është shfaqur para publikut shqiptar dhe të huaj nëpërmjet 18 ekspozitave personale në gjininë e peizazhit dhe të portretit. Tematika ku është ngjyer peneli i tij është bukuria e natyrës dhe e portretit njerëzor. Me ftesë të drejtpërdrejtë të Galerive të Romës, Parisit, Berlinit, Varshavës, Bukureshtit, Athinës e të tjera, ka hapur ekspozita personale, ku është vlerësuar për artin e tij, duke marrë edhe tri çmime ndërkombëtare në Romë, Varshavë dhe Berlin. I preferuar si piktor dhe për artin realist figurativ në grafikë, ka pasur nderin dhe privilegjin të hap ekspozita me tema fetare kuranore në Botën Islame si në Iran, Siri dhe Egjypt, me ftesën e këtyre vendeve. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe "Artist pa kufi" në Akadmeinë e Arteve Europiane, Luksenburg.
Libri i tij
Vetë libri „Portrete artistike të shkrimtarëve shqiptarë“ (Në artin tim Grafik) është gjithashtu një triumf, sepse është një histori me portrete të realizuara bukur dhe që flasin me punën e talentin e tyre sot kudo që janë, por është i arritshëm për të gjithë moshat. Vepra artistike e tij ka hijeshitë e saj, veçanërisht përmbajtja ku motivet tipologjike me nuanca artistike rrjedhin nga lapsi dhe talenti i Bardhit. Por është edhe zëri i mesazhit që e fton lexuesin. Ka një pafajësi të mirëfilltë, të përzemërt pa asnjë përkëdhelje dhe plotësisht respektues ndaj lexuesit të tij artsitik. Ky është një libër i shkëlqyeshëm për të ftilluar konceptet e magjishme të lapsit artistik.
Mjetet e artistëve kanë bërë një rrugë të gjatë gjatë shekujve. Por siç na kujton ky libër, për sa kohë do të ketë artistë, lapsi do të ketë një vend të rëndësishëm në jetën tonë. Ai vazhdon të jetë një mjet i fuqishëm, që na zbulon fuqitë e tij në pasionin e një artisti, përpjekjet dhe gëzimet e rrugëtimit krijues dhe frymëzimin për të luftuar padrejtësinë dhe zgjuar vëmendjen ndaj artistëve.
Metodika e punës
Për portretet me laps, autori vizaton në një letër të bukur, të lëmuar dhe me peshë të rëndë, të bërë nga një fabrikë letre të quajtur Legion. Është bërë nga fibra pambuku në vend të pulpës së drurit dhe për këtë arsye është e shkallës më të lartë arkivore dhe nuk do të zverdhet kurrë. Ndini Bardhi punon me lapsat e tij të preferuar Faber-Castell në disa klasa të ndryshme, duke filluar nga HB deri te një laps shumë i butë 8B.
Kur portreti të përfundojë, ai e spërkat atë me një llak fiksues të specializuar për të ndaluar fërkimin e ndonjë grafiti përpara se ta vendosë në një copë celofani pa acid, në mënyrë që ta trajtojë në mënyrë të sigurt derisa të jetë gati për ta vendosur atë në kornizë. Portretet me laps dërgohen të vendosura midis fletëve MDF të prera me porosi, në mënyrë që të mos mund të përkulen ose rrudhosen gjatë transportit, pra si një nga mëetodat më të përparuara të ditëve të sotme.
Comments