Por ndodh të zgjohesh edhe me ndonjë histori...


Një leksion kanadez për Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare

Nga Taulant Dedja


U bënë muaj e javë që po jetojmë një kohë të pazakontë, të cilës ende nuk ia dimë shkakun e vërtetë, por ende nuk ia dimë as fundin. Biem të flemë e zgjohemi vetëm me një fjalë që na vërtitet në tru si emër mbreti a Pape të Romës: COVID-19.

Por ndodh të zgjohesh edhe me ndonjë histori siç më ndodhi mua sot kur kujtova një shprehje të një profesorit tim në Montréal, Rémy Trudel, para 12 vitesh, i cili insistonte në leksionin e tij të Kursit “Parime dhe sfida të Administratës publike” që gjëja që i bashkon më shumë kanadezët nga njeri oqean në tjetrin ishte Health Card (Karta e Shëndetit).

Më dukej pak pohim i çuditshëm në atë kohë, nuk e fsheh. Tani pas 12 vitesh e kuptoj sa të drejtë paska patur profesori im, i cili pat dikur dhe funksionin e Ministrit të Shëndetësisë së Québec-ut.

Fatmirësisht, vendi ku jetoj unë dhe shumë bashkëatdhetarë të mi, Kanadaja, ka dëshmuar deri më sot një menaxhim nga më shembullorët të situatës falë edhe një sistemi të konsoliduar të shëndetit publik që garanton mbulim për çdo qytetar e rezident të përhershëm. Fatkeqësisht nuk kam të njëjtën ndjenjë sigurie a mirëqënieje kur kujtoj ç’bëhet në atdheun tim.

E kështu, me kujtimin e profesorit duke udhëtuar drejt punës herët në mëngjes, si zakonisht dëgjova Radio-Canada për t’u njohur me të rejat më të fundit. Mësova që sot, në Québec dhe Ontario (ku janë identifikuar gati 83% të rasteve me Covid-19 në rang vendi) do të fillonte angazhimi i trupave të ushtrisë në ndihmë të qendrave ku strehoen të moshuarit. Këto qendra janë prekur masivisht deri në kufijtë e një tragjedie nga virusi misterioz. Arsyeja? Pas një apeli drejtuar profesionistëve të mjekësisë nga sektorë të papërfshirë direkt më përballimin e pandemisë, ishte e pamundur të përmbusheshin nevojat. Ndaj dhe u vendos të përdoret ushtria për një mison humanitar, shpëtimin e sa të jetë e mundur te jetëve të qytetarëve kanadezë.

Siç janë punët e mendjes, prej informacionit të përftuar ajo filloi të bënte përpunime e krahasime mes dy vendeve dhe politikave të tyre. Nga njëra anë ushtarakët kanadezë duke ndihmuar të moshuarit dhe nga ana tjetër blindet e ushtrisë shqiptare të nxjerra në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke dhënë mesazhe “disipline” apo terrori në popullatë, plus pamjet e kryebashkiakut të Tiranës duke shpërndarë qese me ushqime si dhe të disa palo politikanëve të tjerë.

Dikur Ushtria shqiptare nuk ndryshonte nga ajo kanadeze kur kontribuonte në vitet 1998-1999 në përballimin e situatës së krizës humanitare me të cilën u përball Shqipëria në kohën e Luftës së Kosovës, në territorin e të cilës erdhën mbi 600,000 refugjatë shqiptarë nga Shqipëria e Epërme.

Prandaj sot, në vend që të ofrohet një spektakël banal demonstrimi arrogance të pushtetit, ushtarakëve duhet të mos u nëpërkëmbet dinjiteti dhe autoriteti, por t’u jepet roli i mbështetësve të personave në nevojë jo vetëm duke shpërndarë ushqime dhe ndihma. Do të ishte shumë më dinjitoz për shtetin një veprim i tillë.

Sot ajo që pashë në Kanada më nxit t’i bëj thirrje presidentit Meta, që është dhe Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë.

Zoti President, ndiqni modele prosociale e humane si Kanadaja shfaq sot në raport me ushtrinë, të cilën po e vë në shërbim të emergjencës shëndetësore.

Kthejani dinjitetin ushtrisë, e cila nuk mund të jetë vegël e një kryeministri me probleme a diagnoza për të cilat do lë ekspertët t’ia vënë emrin!

Nuk kanë nevojë shqiptarët për spektakle force! Shqiptarët kanë nevojë për kujdes dhe paqëtim!

Toronto, 23 Prill 2020

35 views

Shkrimet e fundit