top of page

POPULLI KËRKON BASHKIMIN KOMBËTAR


ZGJOHUNI O POLITIKANË: POPULLI KËRKON BASHKIMIN

KOMBËTAR


Shkak për këtë shkrim u bë fitorja e bujshme e ekipit tonë kombëtar të futbollit ndaj atij të Polonisë. Si kujtdo edhe mua si nuk m`u ça zemra nga ajo lojë dhe ai rezultat fantastik i atyre djemve që na nderuan duke treguar edhe vitalitetin e shqiptarëve dhe dashurinë për Atdheun e tyre. Por ajo që besoj se u ra në sy të gjithve, ishte ardhja e tifozëve nga të katër anët e rruzullit dhe shpërthimi vullkanik i gëzimit për këtë fitore. Sapo dolën nga stadiumi “Air Albania”, atyre iu turrën gazetarët dhe ashtu spotanisht të intervistuarit folën pa diplomaci, se ata e shihin këtë arritje përtej një ndeshjeje sportive. Nga zemra u dilte urimi që ashtu sikurse na kishte bashkuar futbolli, të bashkoheshin sa më parë edhe trojet tona.

Nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Lugina e Preshevës, Turqia, Svicra, Gjermania e deri Amerika e largët, ata burra të mbështjellë me flamurin kuq e zi dhe me qeleshet e bardha në kokë, shfaqnin pa drojë atë dëshirë të zjarrtë që u vlonte brenda gjoksit të tyre. Në këtë entuziazëm dhe eufori, dikush ndoshta edhe e teproi, duke sharë serbët, të cilët për hir të së vërtetës nuk kishin ndonjë lidhje direkte me këtë ndeshje. “Jam nga Gjilani” deklaroi ai që e kishte inatin me ta. Natyrisht, nuk mund të shahet e fyhet një popull, por kush e di nga ne se çfarë tmerresh kishte përjetuar ai burrë gjatë barbarisë së ushtarëve e paramilitarëve të Millosheviçit në luftën e viteve 1998 - 99. Mund t`i kishin djegur shtëpinë dhe t`i kenë masakruar gruan, fëmijët, vëllanë apo prindërit dhe kishte arsye ta ruante revoltën dhe urrejtjen për kriminelët.

Ca më shumë, kur edhe pas një çerek shekulli sheh që po atë Serbi që i nxorri ata Arkanë, bota po e merr me të mirë, duke i plotësuar tekat në kurriz të Kosovës. Dhe ngjet kjo pikërisht kur shtetit agresor i duhej treguar vendi, duke e penalizuar për mizoritë dhe dëmet që u shaktoi kosovarëve. Ky qëndrim i politikës perëndimore, më shumë e ka ndezur dëshirën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mbajtja e Shqipërisë ende e ndarë si rezultat i politikave arkaike dhe të paturpshme, duhej të kishte marrë fund fill pas përfundimit të asaj Lufte të UÇK - së dhe forcave të NATO - s me SHBA në krye. Dhe pse nuk ndodhi kështu, trimërohet “urtë e butë” me atë fytyrë “të pafajshme prej gjynahqari” në dukje, ai Aleksandar Vuçiçi. Tani të dalim te roli që kanë luajtur dhe luajnë politikanët tanë. Ta themi qysh në krye të herës: i padrejtë, servil dhe i dëmshëm. Pra në sytë e botës: turpërues, kurse në sytë tanë: tradhtar. Kurrë nuk më shkon mendja t`i akuzoj ata se nuk e duan atdheun. Por mund ta duash atë dhe përsëri të bësh nga ato gabime që një i mençur i ka quajtur më shumë se krime. Pak të thuash se pas mefshtësisë së tyre fshihet mungesa e dëshirës për bashkim.

Po hajde e vërja emrin mos përmendjes së çështjes kombëtar as për Kosovën dhe as për Çamërinë. Por ata nuk duhet të harrojnë se populli i ka zgjedhur që të përfaqësojnë dëshirat, qëllimet dhe aspitatat e tij. Nuk mund të sillen ata sikur e kanë çiflikun e tyre Shqipërinë dhe t`u thonë të huajve lepe - peqe për çdo manovër politike apo keqdashëse. Në qoftë se populli në çdo rast e manifeston dëshirën e pashuar asnjëherë për bashkim kombëtar, ku tjetër veçse te deputetët, qeveria e partitë politike do ta gjejë mbështetjen. Ata në radhë të parë duhet ta shtrojnë këtë problem me forcë kudo që të munden.

Dikur ne shqiptarët, ashtu siç ishim, nuk lamë seancë të OKB - së për njohjen e Republikës Popullore të Kinës, kurse sot druhemi të flasim për njohjen e kombit tonë. Sa vizita, takime e konfernca ndërkombëtare bëhen sot. Sa media televizive dhe të shkruara ka në botë. Pra mundësitë janë që çdo burrë shteti të flasë me llogjikë, me urtësi dhe guxim e vendosmëri për atë çështje madhore e cila më shumë se kënaqësia e një rezultati sportiv, është preokupim i përditshëm i çdo qytetari kudo që ai të ndodhet.

Fundja, a nuk duhen ndërmarrë hapa e veprime konkrete nga ana e dy qeverive tona, për ta bërë fakt të kryer këtë bashkim? Po pse do të vazhdojmë ne të presim kur t`u mbushte mendja atyre pispilluqëve të Evropës, të cilët për interesat e tyre duan ta mbajnë të pazgjidhur problemin tonë kombëtar? Në botë janë bërë grushte antikushtetuese sheti, ku është derdhur gjaku lumë, dhe diplomacia ndërkombëtar, është mjaftuar të lëshojë ndonjë deklaratë dhe pastaj i ka njohur ato qeveri të ardhura në pushtet në mënyrë të paligjshme. E jo më ne shqiptarët që kemi gjithë të drejtën e Zotit të jemi të bashkuar. Ashtu sikurse kemi qenë qysh nga kohët kur të tjerët visheshin me lëkura ariu.

23 views2 comments

2 comentários


kadritarelli
11 de set. de 2023

Urome Shpendi! me gezon zgjedhja e temave, ku buçet zeri i kombit, pavaresisht nga arrsyet e vogla, por qe kane ndjeshmeri te madhe ideore, shpirterore por edhe intelektuale. Bashkimi i kombit eshte ender por me shume detyre e shqiptareve. Synim qe duhet zgjuar te politikanet dhe sidomos intelektualet, qe mjerisht flasin pak per kete teme.

Urime! Kështu vazhdofsh perhere! Miqesisht dhe mirenjohje!

Curtir

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
11 de set. de 2023

I nderuar Shpend,

Analiza juaj është një Pamflet i shkëlqyer për demaskimin e politikanëve tradhtarë në krye të vendit, të cilët, si servilë të pështirë të të huajve, nuk e kanë hapur kurrë gojën për ribashkimin e trojeve tona etnike.

Ju uroj shëndet dhe mbarësi.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 11 shtator 2023

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page