
Pollá chrónia
Nga Fatmir Terziu
Dhe erdhën dallëndyshet. Dhe ikën
dallëndyshet duke folur në gjuhën e tyre
Më dëgjo! - më tha Ajo, në sheshin Omonia
duke larë një bebe me gjerbat e syve,
për çfarë duhet shtegëtimi?
Unë u bëra djersë,
nuk mund të flisja
isha bërë binjaku i njeriut me fshesë
ndërsa prisja
përcillja dhimbjen me dënesë.
Dhe heshtja më goditi me sirenën e fortë
nuk ka heshtje në Omonia,
goja shëtit nëpër botë,
farkëton dëshirat e mpira,
burrat që vrasin mendimet mbi ndonjë gotë,
milingonat, bletët, qindra miza
duke mos e lënë njeriun e udhës të pushojë
më ngjitet këmisha
kaloj në asfaltin që kërkon të më kafshojë
çantat e mira
rrëketë kanë pushuar në tabelën e argjendtë
rrëshqasin vetëm bulëzat e fryra.
Bëhen gjithëfarësoj kafshësh në xhama
një orangutang i kacavirrur tërheq vëmendjen
një derrkuc i vogël përcjell ofshama
dhe efendikoi nget një makinë të zezë për veten
rrugës për në Odesa.
Dhe erdhën dallëndyshet. Dhe ikën
dallëndyshet në qiellin gri ngjajnë si pilivesa
retë tashmë kalërojnë kuajt
gushti është përtharë po e shtyn vjeshta
në Omonia për të s'ka ditë, javë, as muaj
janë vetëm pjesët e tjera,
mjafton të kuptohet se është një e huaj
nuk ka rëndësi sa i bie e sa i ngrihet vlera,
këtë kohë të fluturakëve për ta kuptuar.
Dhe hapi Fjalorin të kuptonte sa vite,
duhej që të rritej foshnja në Omonia,
gjuhët kishte filluar t'i përziente,
mezi e shqiptoi … πολλά χρόνια …pollá chrónia.
-----------------------------------------------------------------------
Këtu: πολλά χρόνια …pollá chrónia - në shqip shumë vite.
Comentarios