top of page

Politikanët e Brezit të Çlirimtarëve




(Mbresa)

Nga ç’thonë fjalorët dhe enciklopeditë, politika është shkenca dhe arti i qeverisjes së shtetit; mënyrë të vepruari e atij që merr pjesë në administrimin e jetës publike; qëndrim, sjellje, që synon arritjen e pikësynimeve të caktuara; takt, por edhe dinakëri në shprehje e në veprime. Duhet theksuar se gabimet në politikë nuk janë thjesht gabime, por krime, ngaqë marrin në qafë kombe e popuj dhe errësojnë perspektivën e vendeve përkatës për dekada e, mbase, edhe për shekuj. Nëqoftëse nuk je i aftë, le të vuajë familja jote, por jo mbarë shoqëria. Që këtu del përfundimi logjik se jo kushdo mund dhe duhet lejuar t’u dalë për zot fateve të atdheut.

Politikanët e brezit të çlirimtarëve i kam njohur, ose të paktën i kam takuar pothuajse të gjithë. Natyrisht, nuk guxoj të jap vlerësime e ca më pak t’u vë nota; vetëm konstatime do të bëj, edhe ato subjektive.

Disa nga udhëheqësit e asaj periudhe më patën lënë mbresa: Enver Hoxha për natyrshmërinë dhe fuqinë komunikuese me të gjitha moshat e nivelet; Mehmet Shehu për guximin, gojtarinë dhe figurat stilistike që i përdorte gjithmonë me vend, pavarësisht nga natyra e temës që trajtonte; Hysni Kapo dhe Adil Çarçani[1] për maturinë e fisnikërinë; Haki Toska dhe Manush Myftiu për ironinë e hollë e të thartë; Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti për dinamizmin e mprehtësinë; Nesti Nasja për shpirtmadhësinë; Behar Shtylla për erudicionin e finesën; Gogo Nushi dhe Pilo Peristeri për modestinë e përzemërsinë; Todi Lubonja dhe Piro Kondi për shpirtin masovik; Bilbil Klosi, Petrit Dumja dhe Shefqet Peçi për qëndrimin e vendosur e të prerë; Koço Theodhosi dhe Abdyl Këllezi për horizontin e gjerë, por edhe për vetëkënaqësinë dhe shpërfilljen e aftësive të të tjerëve; Xhaferr Spahiu, Spiro Koleka dhe Petro Dodja për zellin e pasionin në trajtimin e problemeve ekonomike…

Jo të gjithë krerët e regjimit të kaluar ishin fundekrye të këqinj. Përndryshe nuk do të kishim mbetur gjallë se do të na e kishin katandisur Shqipërinë në Kamboxhia evropiane.

Heronjtë e Popullit, të ndjerët Haxhi Lleshi e Myslym Peza, i kam dashur e më kanë dashur si të ishim farefis. Nga këta dy burra të besës e të trimërisë kam mësuar jo pak si të sillem e si ta përball jetën. Ishin të thjeshtë si thjeshtësia dhe me një logjikë të fortë, që pasqyrohej në fjalë të kursyera e me bukë, pa stërhollime. Një herë po flisnim me Babë Myslymin për Haxhi Qamilin. „Unë kam qenë 17 vjeç në kohën e tij. Shkollë nuk kish hiç Haxhiu, por nuk ish budall, se budallit mund t’i shkojnë nga pas shumë-shumë dhetë vetë, jo mijra, si Haxhi Qamilit. As i keq nuk ish Haxhiu. Pse, do të pyesësh zotrote. Po ja pse: A ishte tradhtar Esat Toptani? Po. Epo mirë, pra, Haxhi Qamili ka qenë kundër Esat Toptanit, prandej ka qenë i mirë” arsyetonte Babë Myslymi. Ky det mënçurie dhe mirësie më kujton një thënie të hershme arabe: Njeriu me shkollë, por pa zgjuarësi, është si shosha në diell; njeriu pa shkollë, por me zgjuarësi, është si peshku në rrëké (mbijeton, edhe pse uji është i pakët). Po qe se Babë Myslymi do të shkollohej, do të ishte një det i madh, i paanë, në cilëndo fushë. Sepse kur mielli është i mirë, mund ta gatuash edhe bukë, edhe byrek, edhe bakllava. Merre një shkencëtar që projekton bomba e bombardues dhe ngarkoji detyrën të gjejë terapinë e kancerit. Jam i bindur se ka për t’ia dalë mbanë!

Haxhi Lleshi ngjiti katër kate të apartamentit tim në Tiranë, që të më ngushëllonte për vdekjen e tim eti. Më kërkoi ndjesë që nuk do të vinte dot në varrim, në Pogradec. Por dërgoi atje zotin Ruzhdi Mata dhe dy të tjerë, bashkë me një telegram-letër, në të cilin e quante tim atë bashkëluftëtar. Dhe e thosh me bindje të plotë i thjeshti Haxhi, sepse, sipas tij, cilido që pat qënë pro luftës çlirimtare, ishte po aq luftëtar sa dhe çdo komandant a komisar! Ai e ndjente se kështu dhe jo ndryshe mund të shpjegohej fakti, - pa të dytë në Evropë, - që vetëm Shqipëria u çlirua nga bijtë e gjirit, pa pasur nevojë dhe pa lejuar të shkelte në truallin e saj as edhe një këmbë ushtari të huaj. Madje nuk ua kurseu ndihmën as të tjerëve, duke i ndjekur këmbakëmbës pushtuesit, me armë në dorë, deri në Vishegrad.

Veçanërisht prekës ka qënë për mua një nga takimet e fundit me Haxhi Lleshin. Ndodhej në gjendje arresti në shtëpi. Ishte i sëmurë rëndë. Te koka i rrinin i biri, Reshiti, dhe një nga nipat, Bashkimi, inxhinier gjeolog. E dija që, për shkaqe ideologjike, at e bir kishin vite që rrinin kokëmënjanë. U përlota, - se për gurë kam studiuar, por gur nuk jam, - dhe, kur po largohesha, i thashë Reshitit, që më përcolli deri tek dera e jashtme: „Qofsh i bekuar që nderon prindërit, sepse edhe kur na duket sikur këta gabojnë, pò për të mirën tonë mendojnë”.

Presidenti tjetër, Ramiz Alia, ndër meritat jo të pakta, shpalosi sërish, para punonjësve të Televizionit Shqiptar, më 1979, virtytin e modestisë: pranoi dhe erdhi, si gjithë të tjerët, në studio, për të folur për shokun e vet të luftës, Heroin e Popullit Manush Alimani. Përshtypje të veçantë më la fakti që, kur vinte fjala për akte me rëndësi të madhe, me armën e zjarrit, apo të mendjes, asnjëherë nuk u shpreh në vetën e parë njëjës: unë kështu e unë ashtu. Gjithnjë e këqyrte veten të qarkuar nga shokët e idealit, si në luftën për liri, ashtu edhe në atë për ndërtimin e socializmit. Pra, goja i nxori gjatë krejt bisedës përemrin „ne” dhe vetëm „ne”!

Si kur erdhi, ashtu edhe kur u largua nga ndërtesa e Televizionit, u përshëndet me ngrohtësi me cilindo që i doli përpara, i pyeti për punën, për vështirësitë dhe për kërkesat që kishin. Një thjeshtësi e natyrshme, aspak e shtirur, për të fituar pikë.

Njëlloj pat vepruar më parë Nexhmije Hoxha për Qemal Stafën.

Na sugjeroi t’i shkonim në shtëpi dhe atje, në studion e Enver Hoxhës, e intervistuam. Na priti me bujari. Mund të them se në dispozicion të ekipit tonë televiziv u vu tërë personeli i shërbimit të familjes Hoxha. Vetëm pasi i bëri të gjitha adetet e mikpritëses, Nexhmija na tha se mund të fillonim nga puna. Më ra në sy se biblioteka e Enver Hoxhës zinte krejt muret e studios gjigante. Shumica e librave ishin të celofanuara dhe, meqënëse nga ana teknike sfondi që përftonin ato nuk ishte i përshtatshëm, operatorët e shtruan si diçka të domosdoshme zhveshjen e librave nga celofani. U tha, u bë. Përveç personelit shërbyes, u vumë në lëvizje edhe ne. Librat e fushave nga më të ndryshmet ishin, jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të huaja, kryesisht në frëngjisht dhe, jo rrallë, kishin shënime anash faqeve.

Fill pas transmetimit të intervistës në ekran, Nexhmija, përmes drejtorit të Televizionit, Marash Hajatit, na falenderoi. Këtu dua të ve në dukje diçka: Meqënëse nisma për intervistimin e personaliteteve të atij rangu ishte diçka e panjohur deri atëhere, Marashi më tërhoqi vëmendjen që të mos i shqetësoja e të mos ua haja kohën e vlefshme udhëheqësve. Nuk ngurrova t’i përgjigjesha se këtë e bëja për të mirën e punës e jo për ndonjë përfitim vetjak.

„Me zarar” ka qënë intervista që i mora Fiqrete Shehut në zyrën e saj, në Shkollën e Lartë të Partisë. Na foli për 8 Marsin, që atë vit përkonte me 35-vjetorin e formimit të Bashkimit të Grave të Shqipërisë (BGSH). Normalisht duhej të na fliste Vito Kapo, me cilësinë e presidentes së BGSH-së, por „ndryshimi i adresës” u bë me porosi nga lart, nga sektori i shtypit i KQ të PPSH. Edhe Fiqreti, e veshur thjesht, si Nexhmija, na priti buzagaz, madje, si për të na i tulatur emocionet, bëri edhe një shaka në çastin kur operatorja e zërit, Mira Lyta, i vuri mikrofonin në tavolinë.

Para se të largoheshim, Fiqreti më tha se ato ditë kish parë në ekran një emision timin, që trajtonte betejat e zhvilluara në ish-Qarkun e Vlorës. I kish pëlqyer, por më bëri vërejtje që përmendej „shumë më shpesh nga sa duhej” emri i Hysni Kapos dhe që fotografia e tij „mbeti tërë kohën në ekran”. Fill paskëtaj, Fiqreti shpërtheu: „Ato merita i ka Mehmeti, jo Hysniu”. U trondita nga ç’po më zinin veshët. Këto i dëgjoi edhe Mira, e cila vazhdonte të mblidhte kabllin e aparaturave.

Me t’u kthyer në Televizion, më thirri drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit, Çajup Rusmali[2], me të cilin kisha konfidencë. Kur më pyeti si dolëm me intervistën, krahas frazave të zakonshme në kësi rastesh, e vura në dijeni për protestën e Fiqretit. Ma vuri dorën te goja e më bëri me shënjë ta ulja zërin. Me sa dukej kishte frikë se, midis gjithë atyre aparaturave që shërbenin kryesisht për të folur, aty në zyrë ishte edhe ndonjë që dëgjonte e regjistronte me vigjilencë fjalët tona. Më kapi për krahu dhe dolëm në sallon. Ndezi vrrullshëm një cigare, e thithi nja dy herë thellë dhe shtoi: „Kopi, vëlla, ti e kupton që janë gjëra me zarar të madh. Të mëdhenjtë aty zihen, aty pajtohen. Por ne… Prandaj: unë, ti dhe Perëndia!” Kish plotësisht të drejtë. Ishte viti 1979.

E lamë përgjysëm fjalën për Ramiz Alinë.

Gjithnjë e kam parë me simpati Ramiz Alinë, i cili, qysh në rininë e hershme, pat komanduar njësi të rëndësishme të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe pas Çlirimit ia doli mbanë të shpëtonte pa u ndukur e pa u shqyer nga dhëmbët e kthetrat e vëllezërve ujqër të Komitetit Qëndror të PPSH. Gjithashtu s’kam për të harruar asnjë çast që Ramiz Alia ishte ai që më shpëtoi jetën e nderin e vënë në rrezik nga një treshe intrigantësh me poste drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

[1] E bija e Adil Çarçanit, Teuta, për një farë kohe punoi si drejtoreshë e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Krahas kompetencës e disiplinës shembullore, ishte shpirtdlirë dhe modeste. [2] Çajupi, që u nda nga jeta para kohe, i ndershëm e dinamik, i dashur e i shkueshëm me të gjithë, ishte rritur jetim me babën gjallë. Ky pat mërguar qysh herët dhe qe vendosur në Kubë.

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page