(Disa vëzhgime mbi vëllimin poetik “Megjithatë”, të poetit Agim Bajrami, botim i “Press liberty”, Prishtinë 2021)
Sapo mbarova së lexuari librin poetik “Megjithatë”, vetiu më shkoi mendja tek një koment në status të kahershëm në facebooc, të shoqes poete Iliriana Sulkuqi, e cila perifrazon se: “Agimin, kurdo që ta shtrydhësh, ai nxjerr lirika”. Një e vërtetë që ka rrugëtuar në trendin krijues të poetit Agim Bajrami, ku poezitë vijnë me aromën e të tanishmes, duke mbartur vetëdijen krijuese, në hapësirë dhe kohë, në subjektivitetin e tyre.
Kjo është dhe arma më e fuqishme e lirizmit shumëdimensional, me të cilin shtratifikohet dhe ky produkt poetik; ndaj edhe gjatë leximit, poezitë të ofrojnë emocione dhe reflekse të forta në subkoshiencë. Poezitë e përfshira në këtë libër, vijnë me ngarkesën e ndjesive njerëzore, bëma, ngjarje dhe fenomene të cilat nxisin buisjen mendimore dhe reflekse nga më të ndryshmet, si pjesë e rrugëtimit tonë shoqërorë.
Gjithëçka poetikisht, vjen si një dukuri e pjekurisë jetësore e krijuese, e një lirizmi vetanak. Poezitë në subjektivitetin e tyre, vijnë me fuqinë shprehëse të mesazheve, të mundësive që ka arti në ndriçimin e rrugëtimit shoqërorë, dëshmi e një pjekurie, në konceptimin e filozofisë së jetës dhe përceptimit të botës, me realitetet e saja, në substanca të reja kohore. Shqetësimet poetike që mesazhon poeti, vijnë sa me urti popullore, aq dhe me rebelizëm, natyrshëm në kohë, përmes thirrmave njerëzore, por dhe me heshtje të zëshme.
Libri me poezi “Megjithatë”, si prolog poetik të tij ka një katërvargësh ku:
“Këtë fundjavë, do t’i marr të gjitha me vete:
Këpucë për rrugë, ushqim e fantazi,
Me një varkë të bardhë do kaloj katër dete,
Të zbuloj brenda vetes, kontinente të rinj.”
Kjo amalgamë që qerthullon si një preambël poetike, gjithë përmbajtësinë e këtij vëllimi, na parashtron pritshmëritë e fuqisë krijuese të zërit lirik, rikonfirmon jo vetëm qëndrueshmërinë e një talenti krijues, por dhe ngulmimin e risive inovative, mbi themelet e traditës poetike, të një drejtimi të ri letrar.
Jo më kot, Agimi e hap librin me poezinë “Megjithatë”, e cila është edhe sintetika e ballinës. Një aranzhim poetik, përmes paralelizmave figurativë, të natyrës dhe njeriut, ku rrëfimi poetik, përmes një aliteracioni perfekt “Megjithatë”, nga strofa në strofë, rrit gradientin artistik, ushqen muzikalitetin e vargut, duke rritur potencialisht ndjesitë poetike ku:
“Mesnatë e errët, yje që s’duken
Veç gjysma e hënës ka dalë,
Megjithatë pemët po puthen
Dhe ndërrojnë me njëra-tjetrën kaq fjalë!”
Gjithçka e stisur në 20 vargjet e kësaj poezie, si një kumt jetësor i arealit përjetësues, e sygjestionon lexuesin, duke dëshmuar pjekurinë e përzgjedhjes të fjalorit poetik, ekselencën intelektuale dhe njohjen e thellë të filozofisë jetësore, shqetësimin si krijues, në përçimin tek lexuesi shqetësimet e një bote të pandreqshme, me absurditetet e saj.
Në sensin inovativ, poetin Agim Bajrami, me poezinë “Grua”, “E marte pasdite”, “E kam vendosur”, “Detaje gëzimi”, “Mbytja e varkës”, “Burrë në kafene”, “Përpjekje”, në konceptin tim, mund ta quaj poet i rrebelimit stilistik. Thyerja e vargut dhe e rimimit, vjen disi e stiluar moderrn, duke predominuar rrymimi i brendshëm, gjithëçka vjen si një përmbajtësi e ndjesive poetike, ku gongu poetik, si “armë” artistike, ka asonancën dhe aliteracionin.
Një lirshmëri e tillë e të shprehurit poetikisht, përcjell tek lexuesi dramacitetin, ngarkesën e vetëdijes kohore në të cilën ngjizet produkti poetik. Kjo është një “armë” e fuqishme artistike, që sjell poeti Bajrami, në këtë inovacion të poezisë klasike me dukuritë moderne të funksionit shumëplanësh të figurës; duke dhënë refleksione, në substanca të reja kohore, përmes një subkoshience të dëshiruar.
Në përmbajtjen e tij. ky vëllim, me imputet e tij artistikë, ngulmon në drejtimin letrar në poezi, që do e quaja social-poezi. Kjo është dhe risia e këtij vëllimi, që më shumë se në vëllimet e para, ngulmon në trajtimin e problemeve të mprehta sociale, në shoqërinë e sotme. Viktimizimi i familjes, shoqërisë, është dhimbja e thellë e poetit, i cili shfryn dufin e tij poetik në poezinë “Mjerane”, ku:
“Çdo darkë yt shoq të ulërin,
Me shkelma e grushta të qëllon,
Ti vetëm hesht e psherëtin
Dhe më pranë kokën ia afron”.
Në tërësinë e tyre këto social-poezi, mbartin mes vargjeve ngarkesë sociale, drama familjare e shoqërore, por dhe dritësimin, që hedh në projektorin artistik në horizonte poetike. Në këto vargje, mbrujtur me maja të tillë sociale, del në pah figura e pozitivitetit, i cili kërkon mbështetje të gjërë shoqërore. Gjithëçka shfaqet e drejtpërdrejtë në revokim, si një shpërthim i beftë estetik, në këtë tallava krijuesish fejzbukjanë.
Dhe kur notat e pesimizmit rrymojnë dukshëm mes vargjeve, autori si në poezinë “Rutinë”, di t’i “ushqejë” ato artistikisht, në saje të funksionit të metaforave, simboleve, parabolave, duke përçuar si një rreze drite, ndjesitë më të pastra njerëzore. Dhe ç’është më kryesore, në këto lloj poezishë, të cilat vijnë si refleksione të një realiteti absurd, autori ka arritur që ta shtrijë furkëzën mendimore e mesazhiere, në hapësira më të gjëra shoqërore, në një përballje ku:
“Dje ma vodhën shpresën,
Ma flakën në detë,
Ca hije të zeza
Veshur me pushtet”.
Si në vetorin e tij dhe në portretet poetike të personazheve, poeti Bajrami, i qëndis ato, duke u mbështetur tek potenca e figurës artistike, nga kompleksiteti i të cilëve, nxjerr në pah subjektivitetin. Kjo lloj poezie, e fton lexuesin të “lundrojë”në emocione, me drithërime e kumte jetësorë.
Kjo e bën që poezitë “Grua”, “Vetmi”, “Njeriu ujk”, “Vajzë e dashuruar”, “Burrë në kafene”, “Ofeli”, “Rekujem për gjyshen”, në konceptimin poetik, të jetë i drejtpërdrejtë, konkret në subjektivitet, duke përbashkuar harmonikisht konkreten me të përjetuarën ku:
“Sa herë që kish dimra të sertë,
Dhe era klithte në rënkime,
Unë s’vishja kurrë xhaketë
Por një përrallë nga gjyshja ime”.
Qoftë dhe tek kjo figurë e thjeshtë në dukje, por me përmbajtësi. gjeneron sensacion të fortë ndjesorë, dukuri të forta asociative, roitje nga më të çiltërtat njerëzorë, një poetikë e cila ushqen një gjuhë përmes një emocioni të pushtetshëm.
Në këto kontekste, poeti Bajrami, lundron në polifoninë e lirikës, ku dramaciteti lirik, në të shumtën vjen si një orkestracion, në aranzhimin poetik. Kështu që përmbajtësia e paralelizmit figurativ, të natyrës dhe botës njerëzore, është paradigma poetike që e ndjek lexuesin, nga strofa në strofë, e nga poezia në poezi, si një domosdoshmëri e shprehisë poetike të autorit.
Poeti krijon gjuhën e tij të përveçme poetike, duke aplikuar përmes fonemave edhe gjuhën e rrugës, nën nuanca tjetërlloj të një “Zhak Preveri” shqiptar, duke i qëndruar besnik stilit klasik, por duke i rrebeluar vargjet siç ja dikton shpirti i tij poetik.
Me një leksik të trashëguar, përmes aplikimeve gjuhësore, të cilat vijnë si pronësi e ekstrakteve poetike të trashëguara, në thyerje tradishente, Agimi sjell inovacionin e përdorimit shumëplanësh të figurës, duke krijuar drejtimin e vet letrar, modern, në estetikë, klasik në vargëzim.
Poeti arrin të realizojë bukur, në një pentagram poetik, botën me arealin e përjetuar, dukuritë natyrore, botën shpirtërore të njeriut, në një paralelizëm figurativ të pashkëputur nga jetësimi e kumtet njerëzore. Nga ky këndvështrim, vetori poetik i poetit, vjen i sinqertë, si një buranë në ambjentin përjetues, duke paraqitur realitetin shoqëror dhe në kondravers, shfaq mendimin dhe dëshirën për një botë, ku të aspirojë dashuria dhe sinqeriteti, ku në poezinë “Takimi”
“Ndërsa përmbi buzë të kishte çelur
Një buzëqeshje e bukur si buqetë,
Një gëzim pluskonte brenda meje
Si një varkë e drunjtë, e lehtë”.
Në këtë konceptim poetik, poezia nuk është e kufizuar në një hapsirë, nuk vjen si një përkufizim i një kohe. Ajo gjendet kudo: Mes një pylli, në një rrugë, buzë detit, mbi një velierë, në një kafene, në zhguallin e një guacke, në maje të një mali, në formën e zjarrit, të dëborës, në pezullin e një reje. Në buzëmbrëmje, ajo poetikë, merr funksionin aktiv të diellit, duke u bërë rrezja e poetit. Në të duhet të gjallojë natyra, në mënyrë se si mund të prezantohet bota e poetit. E gjitha kjo është vetëm një aspekt në lëmin krijues, pjesa tjetër e amalgamës poetike, është shpirti i poetit. Asgjë që thuhet nëpërmjet vargut, nuk është e ndarë me thikë, por gjithëçka vjen si një tërësi unike e përceptimeve shqisore dhe e ndjenjës.
Në këtë produkt me pjekurinë e tij krijuese, poeti Agim Bajrami, nuk rrëmbehet të rendë pas figurave gjer në kozmogoni, por e shtratifikon figurën brenda realitetit dhe përditshmërisë, duke qëndisur me fjalën e përzgjedhur. Ai nuk huazon figurën, por ajo i vjen si sintezë e shijeve të veta artistike, ndaj poezia ka ndjeshmëri e tharm artistik, mendim e reflektim të problemeve të kohës.
Nër vargje gjithëçka rrjedh si një përrua psiqik nga imazhet e përftuara, të cilat vijnë natyral, si dhunti e falur nga nëna natyrë. Këto imazhe, vijnë dukshëm me cilësinë figurative, në strukturën e identitetit të metaforave, si një klithmë nga më të ndryshmet, por që në tërësinë librare, plotësojnë dukshëm njëra-tjetrën, duke krijuar arkëtipet poetike, si vetëdije e njeriut, të cilat në primare shtjellojnë idenë dhe më pas, veprimin e personazhit poetik, me karakter tipizues.
Imazhi poetik, nëpërmjet metaforave shumëfunksionale, vjen siç e koncepton Ezra Paund në një sentencë të tij: “me karakter vizual të elementëve artistikë, duke definuar në embrionin e fjalës”.
Kështu që edhe në poezinë “Mbi varrin e Ajetit”, ku elementet e rinj të baladës, e sjellin elegjinë, përmes paralelizmit figurativ si një dhimbje universale ku:
Kush dreq të bindi për këtë gjëmë,
Të mbillje lotë tek ne të gjithë;
S’e sheh këtë pemë që rri në këmbë,
Dhe ajo, si ne në dhimbje klith”.
Poezia reflekton shtjella shpirtërore të përsonalizuara, por këto shtjella e kalojnë me subjektivitetin e tyre cakun personal, vijnë si përjetime universale ekzistenciale të njeriut të sotëm modern. Gjithëçka vjen si shembull i një arti autonom i fjalës poetike, ushqyer nga substanca fizike e ajo shpirtërore; ndaj poezia e Agim Bajramit, në tërësinë e saj, interferon në mendjen e lexuesit të vëmendshëm, brenga e dhimbje të mëdha, nëpërmjet një lirizmi rebel, i cili buron nga hallet e thekshme të popullit, ku hera-herës aranzhohen edhe elementë të folkut.
Poeti e vendos burimin e gjenerimit poetik, bash aty ku gjurmohet, gjallojnë e trazohen në kapërthime, dramacitetet lirike, jeta me dramat sociale në njerëzit e thjeshtë. Dhimbja shpirtërore e këtyre njerëzve transkriptohet në bardat poetike.
Siç kumtohet dhe nga poezia për kunatin Ajet, dramaciteti lirik dhe ai balaidik, aranzhuar bukur me elegjinë, janë “arma” artistike që imbursojnë kumtet poetike të poetit, me impute artistikë, marrë nga përjetimet. Kjo e ka bërë më jetësore, më të ndjeshme poezinë.
Ky vëllim, me një stil pakësa rebel në vargëzim, vjen si një amalgamë e një dukurie, në një “drejtim të ri letrar”, modern në trajtimin e figurës, bazuar fortas, në themele të klasikes. Çdo gjë e trajtuar estetikisht bukur, me frymën e një aliteracioni e rimimi të mbrendshëm të vargut.
Poeti Agim Bajrami, në mendimin tim, ka arritur që në këtë produkt poetik, të sintetizojë poetikisht, atë çka na mëson Bjelinski se: “Poetët kanë fuqinë të ngrenë dhimbjet e veta në lartësi arti, ku ne të gjithë gjejmë dhimbjet tona”.
Mars 2022
Vladimir Muça- shkrimtar, kritik.
Comments