top of page

Poezitë e Hajri Lamaj janë zëdhënese të poezisë së zonës juglindore shqiptare


Nga Fatmir Minguli

 

 Rrëfime në karuselin poetik të nje jete

 

(Vëzhgime mbi poeziëtë në librin “ Krenar për origjinën”  të Hajri Lamaj, ADA, Tiranë. 2025)

Është libri i parë i këtij poeti por ai ka kohë që shkruan poezi. Tek bisedon me poetin Agim Bajrami, i cili edhe më prezantoi me këtë poet, ai thotë se poezitë e Hajri Lamaj janë gjenuine dhe kanë petkun  magjik të poezisë reale.

-Poeti lindet i tillë- shkruan Kujtim Xhebaxhiu, redaktor i këtij libri- pra e ka dhunti, por edhe mund të bëhet i tillë kur ka pasionin, vullnetin, këmbënguljen për t’ia dalë asaj që ka projektuar.

I frymëzuar nga këta dy studjues të vërtetë të poezisë do të sjell edhe unë vëzhgimet, të cilat nuk janë thjeshtë vëzhgime për poezitë e Hajri Lamajt.

Ky poet është ekonomist i lartë, agronom dhe mekanik i mesëm. E çfarë duhet të jesh më tepër për të reflektuar rreze të shpirtit tënd poetik!?

Mësimet e mekanikës i ka marrë nga miku im, inxhiner Gaqo Apostoli, poet e këngëtar së bashku. “Mësimet” e tjera i ka marrë në fshatin e lindjes Çorrogjaf në trevën e Tërpanit.

“ Në këtë libër të parë me poezi një pjesë e mirë e tyre i kushtohet  fshatit tonë dhe fshatrave të tjerë të Tërpanit….” - shkruan në hyrjen e librit vetë autori çka përputhet plotësisht me titullin e këtij libri “Krenar për origjinën”.

Nuk e di pse më kanë bërë shumë përshtypje poezitë e Hajri Lamajt! Besoj se jam prekur direkt nga titulli. Kam studjuar shumë mbi rolin e fiseve në Shqipëri, por dhe luftën që u bë nga monizmi për origjinën e tyre. Të shkruash për origjinën dhe vëndin tënd është  detyrë dhe fisnikëri jo vetëm e poetit…Poeti Frederiko Garzia Lorka gati çdo poezi e ka për vendin e tij Spanjën, apo Ricosi grek që i këndon ullinjve e portokalleve dhe ata e shumë të tjerë kanë mbetur të pavdekshëm në mendjet e njerëzve.    

Poezitë e Hajri Lamaj janë zëdhënese të poezisë së zonës juglindore shqiptare, cka dallohet lehtë nga muzikalitetit virtuoz i rimave. Rimat për Hajriun janë instrumenta muzikorë të një koncerti virtual por dhe një imazh i zhurmave të fushave të fashtit, por edhe të zhurmave të repartit mekanik në Uzinën e Autotraktoreve.

E mbi të gjitha, ai shkruan me sinqeritetin e jugorit:

Mos e merrni seriozisht!

S’jam poet, por kam dëshirë,

Për cfarë kam kaluar në jetë

 Do t’i shkruaj sa më mirë!


Karuseli që vërtitet nëpër faqet e librit “Krenar për origjinën” kap në të gjithë rotullimet e tij tema nga më njerëzoret ku duke mënjanuar paksa dashurinë për origjinën, tek ky poet feks dashuria për vajzën e vluar, duke menduar se ky libër është thjeshtë patriotic, habitem kur lexoj poezi brilante për dashurinë, atë dashuri që herë ndodhi në kroin e fshatit ku vajza nga tronditja theu shtamën e ujit e herë në rrugicat e qytetit dhe kinematë e kohës ku puthja vazhdoi edhe kur filmi mbaroi.

Ky poet kap thelbin e poezisë për dashurinë ndaj femrës por ashtu si te “Kënga e Solomonit” të Biblës ai i këndon dashurisë njerëzore.

Aty janë të gjitha dashuritë, edhe për jetën, edhe për origjinën, edhe për bukuritë e jugut shqiptare, zonave të Berat- Tepelenës, etj.

Por si një fije e padukshme në poezitë e Hajriut ndihet dhe respekti ndaj fesë, ndoshta bektashiane apo islame në përgjithësi.

Kjo pasuron xhirot e karuselit poetik të këtij agronomi, poeti dhe mekaniku që dashje pa dashje krijon një trekëndësh të sigurtë krijues se trekendëshit gjeometrik është e vetmja figurë që nuk deformohet.

Në poezitë e Hajri Lamajt ndihen  regëtima të poeteve të rilindjes së hershme shqiptare. Nuk e di se si vjen kjo trashëgimni por jam i bindur se është ajri i fshatit, origjinës që sjell fllade si të Naimit apo të Asdrenit.

Dikush apo diku vetë poeti thotë se e kanë kritikuar që shkruan në këtë moshë të thyer…Janë muhabete kafeneshë  dhe rrugicash pa diellin e vendlindjes.

Nuk më takon që me ketë vëzhgim  të përmbledh vetitë dhe veçoritë e poezive të Hajri Lamajt në këtë vëllim të parë. Ky vëllim i parë është si ajo pema që rishtas nxorri frutat e saj dhe të gjithë rendin për të kapur një prej atyre frutave. Por vëllimi i Hajri Lamajt ka shumë fruta dhe kushdo do të mbetet i kënaqur qoftë edhe me një poezi adeguate.

Durrës Maj 17, 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page