POEZITË E AKUMULUARA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 15, 2023
- 3 min read

DOLI NGA SHTYPI I SHTYPSHKRONJËS “ARTE-DESIGN-PRINTIM” LIBRI POETIK I POETIT TË SHQUAR KUJTIM FARIA, ME REDAKTIM, KOPERTINË E PARATHËNIE NGA SHKRIMTARI VULLNET MATO DHE PASTHËNIE NGA POETI I TALENTUAR TOMI BUZI.
POEZITË E AKUMULUARA TË JETËS SË NJË ERUDITI
Në këtë vëllim poetik të autorit mjaft të talentuar Kujtim Faria, nuk kam cilën poezi të vlerësoj së pari, sepse pothuajse, të gjitha krijimet e tij, i ka mbi mesataren e nivelit artistik të nevojshëm për botimin e një përmbledhjeje me poezi. Ky nivel është arritur, në saje të punës së akumuluar gjatë gjithë jetë së këtij eruditi të pazakonshëm, që ka shëtitur gërmimin e tij gjysmëshekullor, në të gjithë letërsinë shqiptare dhe atë të huaj, që nga lashtësia deri sot.
Eruditi Faria, zotëron mjeshtërisht, fantazinë e një blete, që
me thumbin e vet, bredh lule më lule, për të thithur nektarin më të ëmbël të natyrës shqiptare. Zotëron krahët e një fluture krahëshkruar, që nuk lë petale pa u ndalur, për të krahasuar bukurinë e vet shumëngjyrëshe. Ai zotëron krahët e pëllumbit lajmëtar, që rend largësive botërore, për të sjellë në vargje, freskinë e ngjarjeve aktuale.
Eksploratori Kujtim Faria, zotëron intuitën e një arkeologu
pasionant, për të gërmuar në thellësitë e shekujve të lashtësisë, për kërkuar Varkën e Noes, për të soditur thurjen e pëlhurës së Penelopës, për të biseduar, me filozofët e hershëm si Platonin, Sokratin, Aristotelin dhe e nxit Pitagoren të shprehet për dashurinë: “Kofshët dy kone, ku si kurorë u rri një rreth,/Të mbuloj me tangente, veç një pikë më deh./Bashkoj dy katete, më tërheq hipotenuza, /Shpesh prish sinusin, kur ma thotë buza.”.
Shkon për të shkëmbyer mendime me autorët e famshëm si Homeri, Euripidi, Dionisi. Ai ka raketën e fantazisë së tij, për të eksploruar kozmosin e diturisë njerëzore: “Do jem kozmonaut, hipur mbi një yll,/Por ti rrugën e qumështit mos e mbyll!/Sepse dua, të shijoj dashurinë në qiell.”
Ai takohet me shkencëtarët e shquar të të gjitha kohërave.
Për të folur me Diellin, Hënën dhe retë bredharake: “Globi, sa një gogël, ka qenë para teje,/I thashë ndalo, kur ti rrije ranë meje! /Kërkoje maskim, ndaj iu lutëm një reje,/Reja tha: s’më lë dielli, atij i merrni leje!”
Kujtimi shtrohet në muhabet me kolosët botëror të letërsisë
si, Wallt Witman: “I besoj Darvinit, për qëndrimet njerëzore, /sipas tij, geni ynë ka inteligjencë superiore,/atëherë pse bën paturpësitë më mizore?”. Me Robert Frostin: “Dikush duhet të jesh, që të njohësh natën, sepse ndryshe do përdorësh shpatën.”. Me Viktor Hygonë: “Urimi i mirë në këtë jetë, të kesh shumë miq,/por kjo nuk do të thotë që të mos kesh armiq.”. Me Edgar Alen Poe: “Gjithçka që kemi parë duke ecur, /apo fluturuar në këtë botë,/a s'është ëndërr brenda ëndrrës e asgjë tjetër?!”
Si poet patriot e atdhetar i zjarrtë, ai ulet këmbëkryq në
dialog gegërisht me At Gjergj Fishtën, me Ndre Mjeden, Lasgush Poradecin me At Zef Pellumbin, duke vëne re me dhimbje, se ky i fundit, në burgun e Spaçit: “Shtyn vagonët mbushur plot/me qymyrin e ndezur të ferrit,/Galeritë si rrugët e purgatorit/te komedia e Dante Aligierit.”
Poeti Faria shëtit natën nëpër gjithë kontinentet për të folur
shqip me emigrantët e përmalluar: “Mall ka vala e detit, por e shuan në breg,/Mërgimtari shtyn retë që dielli të gjej shteg./Mall ka vala e detit, por e shuan në breg.”
Ky poet me fantazinë e vet, të tejskajshme, ka një ngrohtësi
shpirtërore, që i bën të dashuruarit të emocionohen marrëzisht nga vargjet e lirikave të tij: “Dashuria për mua, ka qenë sheqer i patretur, /Thonë janë tre, por unë vetëm një kam gjetur,/si bleta nektarin,kam thithur herët në agim,/Kam ecur me diellin, largohemi në perëndim./ Si qukapik, qëndrova në pemën e trupit tënd/Ëndrra më tha, çukiti frutat dhe thith lëng.”
Për t’ia lënë lexuesit të shijojë deri në thellësitë metaforike
të vargjeve të këtij libri, i uroj nga zemra te madhit poet Kujtim Faria, jetëgjatësi maksimale dhe frymëzim pa fund, për të përhapur e shpërndarë kudo rrezet shkëlqimtare të artit të tij poetik.
Vullnet Mato – shkrimtar, “Personalitet i shquar”
Comments