(Vezhgime kritike mbi librin e Dhimitër Nicës “Puthjet na bëjnë më të bukur”)
Botues “Fan Noli” 2018
“Mjer ai që ka dashur vetëm formën, trupin dhe pamjen,
vdekja ia rrëmben të gjitha Dashuroni shpirtin se do ta rigjeni”.
Viktor Hygo
Duke qenë në thelbin e tij, univers ndjesishë, arti i të shkruarit, veçanërisht poezia, nuk e pranon tashmë termin në filozofinë shoqërore “gjak i shprishur”.
Tashmë letërsia, si një teletajp shpirtërorë, interferon në shpirtrat e të larguarëve nga dheu amë, ndjesitë më të bukura për atdheun “ku i ka rënë koka”, dashurinë për arealin , mallin për njerëzit më të dashur, kalldrëmet ku për ecjen e parë gjakosi gjunjët.
Më shumë se kurrë, arti i të shkruarit, sidomos poezia definon paradigmën: Se mbijetesa e një kombi, kudoqoftë në hapësira globale, përcaktohet nga kultura , si gjenerator i shpirtit të tij, në përballjen me përmbytjet e kulturave të popujve të tjerë.
Sot më shumë se kurrë, kultura shqiptare, rrezaton anembanë diasporës shqiptare. Shembull sinjifikativ është dhe poezia e poetit Dhimitër Nica, në diasporën shqiptare të Greqisë, i cili me shpirtin e tij poetik, i jep lexuesit gjithçka të bukur, nga atdheu i dashur amë, përmes një dramaciteti, sa lirik, aq edhe shoqërorë.
Përmbledhja poetike “Puthjet na bëjnë më të bukur”, përmes një sinteze me ekstrakte vëzhgimore, si një introduksion që do na ndjekë gjatë gjithë leximit, hapet me një prolog inkandeshent ndjesishë të poetes Rakela Zoga (Yzeiri). Ky prolog eseistik, në formatin e një proze poetike, merr statusin e një preambule, në simbolikën e krejt produktit poetik.
Poezia e Dhimitër Nicës, të fut në meditime, të rrugëton në çdo çast jete, sepse ajo, duke u shkruar, jo me celularë, apo në rërën e brigjeve të Egjeut, por në shpirt, në letër, në blloqe e sinopse të një jete, kthehet në një materie tjetër të pavdekësisë librare. Kjo poezi, edhe në sensin erotik, e ka djeplindjen në lirizmin universal, e cila lind përmes kontraversave të vetmohimeve, nga nje diversitet poetik, ku e bukura dhe e shëmtuara, e mira dhe e keqja gjallojnë mes strofave si “lulet e së keqes”, ku realizmi ekzistencial është magjeja ku brumëzohet arti poetik.
Dhe në çdo rat si “Balada e qyqes” dhe tregimin poetik në vargje “Sirena emigrante”, ky realizim ekzistencial, vjen i plotësuar, i jetësuar në tërësinë poetike dhe në ato raste kur futen legjenda e mitikja, si pjesë thelbësore e një arti të ri poetik modern.
Poezia “Balada e qyqes” është një shembull i inovacionit të baladës, duke futur elemente të trajtimit estetik modern, si në strukturën ndërtimore të vargut, në funksionin e natyralitetit artistik dhe në futjen e përpunimin artistik të elementeve të folkut ku:
“Edhe sot motra e shkretë
E kthyer në qyqe
(Fëmijët i thonë manavryqe)
Nuk po lë shkarpë e nuk po lë fletë
Dhe unë e dëgjoj mëngjes për mëngjes
Kërkon të vëllajn një qyqe e shkretë.
Ku, ku, ku, e ...ku, ku, ku,
Është vetë fisi që kërkon gjakun,
Në çdo pemë e në çdo dru
Dhe lotët e mi ..., që djegin pragun” !
Bukur këta elementë narrativë, janë sintetizuar dhe në poezinë “Xhemile”, një lirikë plot ndjenjë dhe emocione, me elemente të baladës. Një shembull se si mund të trajtohen plotësisht elementë të baladës, në lirikën e sotme poetike. Bukur autori e ka sintetizuar poetikisht përmes këtij dramaciteti, sa tragjik aq edhe lirik:
“E panë historinë yjet dhe hëna
Dhe unë pa kokë..., po të kërkoj prapë...
Ata s’e vranë çfar kishin në zemra,
Dhe ne përsëri po flemë, po rrimë bashkë”.
Në konceptimin e ri poetik, në trajtimin e mistikes dhe legjendës, personazhet e Nicës vijnë tjetërlloj, vijnë me plot jetë, nuk vijnë të ngurtësuar në hapësirë dhe kohë. Gjithçka merr funksionin e një dielli shpirtërorë, duke u bërë rrezja e fryma e vetë poetit.
Në të ka shumë natyrë nga dheu amë, me shumë frymë njerëzore, në mënyrën se si Dhimitri e prezanton këtë botë legjendë, të marrë rishtaz nga mjegullnaja e shekujve. Kjo është vetëm një aspekt, pjesa tjetër e thurjes poetike, është shpirti i vetë poetit në kontekst të ri kohorë. Por e veçanta e trajtimit poetik të legjendës dhe mitit është se, asgjë nuk vjen e ndarë nga hapësirat kohore, por natyralizohet në substanciale të re kohore, si një tërësi unike e perceptimeve shqisore të ndjesive të vetë poetit. Ndaj poezia e këtij vëllimi, nga poezia në poezi, vjen si një zbulim i vazhdueshëm me risitë estetiko-stilistike, duke mbartur në substancë zhvillimin shoqërorë.
Gjithçka vjen si një përcaktueshmëri artistike, përqafim risishë, në një stad të panjohur më parë. Në këto kontekste të reja estetike, tërë kuptueshmërinë, karakterin pjellor, integrimin artistik, në teorinë e bashkëveprimit të figurave si “kadenë”, e jep pikërisht alegoria dhe metafora si në poezinë “Ilaçi im”:
“Unë për ty po e lë hapur derën,
Po i lë hapur dritaret e ballkonet,
Ndoshta vjen të futesh bashkë me erën,
T’më çelësh sythet, ndjenjat, hormonet”.
Në këtë poezi si dhe në shumë të tjera, ndeshesh me fuqinë e fjalës poetike, shprehur me sinqeritet e të nxjerrë nga shpirti krijues, me plot dashuri e mallë. Emocionet e poetit, skalitur përmes simboleve e metaforave, vijnë në kadencë me qëllimin që kërkon të shprehë autori, në kuadër të rolit që ka arti poetik në shoqërinë njerëzore. Ndaj dhe pasurimi me figura të natyralizuara i vargut dhe strofave nga vendi amë, vjen si një dukuri organike e poezisë, ku gjuha artistike dhe metafora vjen e detajuar gjer në imtësira, në kërkim të portreteve poetikë. Në këto kontekste të medituara, elementet e natyrës vijnë si distributorë artistikë të ndjenjave njerëzore, si një bashkëjetesë e poetit, e njeriut me natyrën.
“Kur çahen shegët e riçelin bajamet”, një poezi e cila sintetizon bukur artistikisht, ndërthurjen e arealit si gjenerues i ndjesive shpirtërore. Njeriu dhe areali, një binom, në të cilin pazgjidhësisht, jeta zhvillohet e gjenerohet me zulmet e saja ku:
“Maçokët mbi çati
Le të mjaullijnë nga epshet...
Shiu le të mbetet
Refren që djeg mallet...
Frymëmarrja jonë,
Po çanë shegët
E po riçel bajamet”.
Natyra rrugëton bashkë me poetin si një personazh, si një domosdoshmëri estetike e poezisë. Në këto ravgime poetike, poeti nuk rend si shumëkush pas figurës për figurë, por e abstragon atë brenda realitetit dhe përditëshmërisë, duke përzgjedhur fjalën, duke mos e marrë atë si huazim, si dukuri, por duke e sjellë si sintezë të një shije artistike.
Poezia “Bukuria”, vjen si një amalgamë e bukur poetike e një jete të lakmuar, me integritetin e saj shumëdimensional, ku forca e bukurisë feks si një paradigmë e jetësimit. Simbolika dhe metafora e këtij integrimi shpirtërorë, poetikisht definohet në poezinë “Botë bosh” ku:
“Dy gota verë i mbusha mbrëmë,
Për t’u kënaqur të dy, ashtu kot...
Nuk piva asnjë pikë..., kalova natën në këmbë,
Por sot në mëngjes, për çudi, gotat ishin bosh”!
Këto lloje poezish, në tërësi mbajnë në vetëvete, pasaportën poetike të poetit. Veçori e personalizimit poetik të Dhimitër Nicës është se ndonëse e qëndisur me thjeshtësinë e qëmtimit, ajo është një poezi që rend pas mistikes dhe reales, përmes një dualiteti shpirtërorë, me një gjetje të mirëfilltë poetike, duke sjellë shqetësimet e kohës si bashkëudhëtare e poetit, brenda një qerthulli mistik, ku prevalon dashuria si ndjenjë dhe vlerë nga më të lartat njerëzore, e cila në poezitë: “Në plazh”, “Ëndërr mbi lule”, “Pas 100 vitesh”, “S’mund ta shprehim dashurinë”, “Ilaçi im”, “Grua”, “Në vdekjen time dua saze”, “Balada e qyqes”, “Xhemile”, gjithçka vjen si një oaz i pastër, mes absurdit shkretëtirë, larg dheut amë, në emigracion.
Autori na sjell nga bota e emigrantit, imazhinizmin e pa “shprishur” me cilësi figurative përmes identitetit metaforik, si klithma të ndryshme shpirtërore, por që plotësojnë njëra-tjetrën, duke na sjellë arkëtipet poetikë si vetëdije të poetit (njeriut).
Në primaren e mesazheve, shtjellohet ideja dhe më pas veprimi i subkoshiencës të personazhit poetik, përmes karaktereve tipizues. Ky imazh i tipizuar poetikisht, nëpërmjet metaforave, vjen siç e koncepton Ezra Paund: “në karakter vizual të elementëve artistikë, duke definuar në embrionin e fjalës”. Kjo lloj poezie, vjen si shembull i një arti autonom i flajës artistike, ushqyer nga substanca fizike dhe ajo shpirtërore. Ajo reflekton shtjella shpirtërore të personalizuara, të cilat e kalojnë cakun personal, shoqërizohen si përjetime universale të njeriut të sotëm, kudo qoftë, duke marrë cilësinë e një gjuhe poetike të përbashkesisë ndërkombëtare, si komunikim kulturash dhe vlerash. Njeriu kudo qoftë në këtë rruzull tokësorë, çfar gjuhë pastë në komunikim për vete, gjen në nëtekstet e ndjesive poetike, emocione, dashuri me universin e tyre të ndërthurura bukur, por gjen edhe drama dhimbjesh, evolucion shpirtërorë, përplasje emocionesh, në çaste kundërshtishë refraktare.
Ky produkt poetik, mban të lidhur me atdheun, vendin ku mrizoi adoleshenca, rinia, bulëzoi dashuria e parë e jo vetëm poetin, por këdo që do të meditojë mbi këto poezi.
Në to, çdo lexues do të gjejë atë nyje malli, e cila e mban të lidhur pazgjidhmërisht, heroin lirik me origjinën, me duajt e atij malli, plazmuar në shpirt, mes një pylli që po i bien gjethet (metaforë e popullit që po largohet), arealin me gjallimin e tij shumëhapsinor, alternuar me shpirtin e poetit e njerëzit e dashur të lënë në dheun amë. Ky realizëm ekzistencial, qëmtuar me detaje jetësore, ngërthyer me idetë e përftuara nga përvojat jetësore, inbursuar nga larmia e funksionit të figurave, shënojnë në këtë vëllim poetik, poezi origjinale, plot freski e natyralitet artistik.
Nëntor 2020 Vladimir Muça
Shkrimtar -kritik
Letersia e mergates.
Shkrimtar dhe kritik,Vladimir Muça, ben nje paraqitje interesante dhe profesionale te vellimit poetik te Dhimiter Nices, poet qe jeton ne Greqi.Ky shkrim u be shkas qe te kaloj nder mend letersine e krijuesve te mergates shqiptare , shtrire ne shume vende te disa kontinenteve. Nga njoftimet qe na vijne per botimet dhe leximet ne shtypin e shkruar dhe portalet elektronike, me eshte krijuar pershtypja se me teper letersi shkruhet ne mergate se sa ne Shqiperine tone.
Me kete rast, dua t'i bej te ditur artikullkshkruesit(jo se ai s'e di) dhe studjuesve e kritikeve, disa emra krijuesish cilsore te prozes dhe poezise te mergates.
Ne krye te vendit, natyrshem qendron profesor Fatmir Terziu ne Londer: romancier, poet,stu…