Shefki Karadaku është i spikatur si në poezi edhe në prozë, me novelat dhe romanet e tij me subjekte dhe personazhe që të mbeten në kujtesë. E veçanta e prozës së tij është poezia e shkrirë brenda saj me figura letrare dhe artistike që të mrekullojnë. Karadaku ka shkruar e botuar 15 libra me poezi, 12 libra me novela e 10 romane ku do të veçoja romanin “Puthja e ngrirë” , një roman i shkruar në vitet 1990 - 1991 që trajton egërsinë e diktaturës komuniste që po jepte shpirt duke vrarë e plagosur dhe kjo e dhënë nëpërmjet një çifti të rinjsh, Rrok Dalisë dhe Zibel Sinës, të ciëve falangat komuniste ua ngrinë puthjen dhe ua mohuan dashurinë duke i vrarë në kufi.
Karadaku ka dhënë një kontribut të madh edhe për romanin historik ku do të veçoja romanin “Sagë mbretërore” që në fakt është një triptik me tre romane.
Pjesa e parë apo romani i parë i këtij triptiku me titull “Rebelimi” flet për mbretërimin e shkurtër të Princ Vidit dhe ngjarjet që u zhvilluan në Shqipëri deri në largimin e tij dhe fillimim e Luftës së parë botërore. Ngjarjet tregohen me mjeshtëri artistike nëpërmjet personazhit kryesor Kanan Griva.
Pjesa e dytë titullohet “Prag lufte” dhe flet për kapitullimin dhe nënshtrimin e Mbretit Zog para fashistëve italianë që e gllabëruan Shqipërinë para se të fillonte zyrtarisht Lufta e dytë botërore.
Ndërsa pjesa e tretë me titull “Eklips” tregon si u eklipsua mbretëria dhe parlamenti shqiptar nga Mbretëria Italiane dhe gjasme qeverisjen shqiptare në periudhën e Luftës së dytë botërore.
Nëpërmjet personazheve konkrete historikë dhe personazhit personifikues Kanan Griva, lexuesi futet dhe kupton vorbullën e ngjarjeve të popullit tonë nga fillimi i Luftës së parë botërore deri në mbarimin e Luftës së dytë botërore, periudhë me dritë hije edhe në ditët e sotme.
Një roman tjetër i veçantë historik për nga mënyra e trajtimit dhe e të shkruarit është edhe romani “Gjergj Elez Alia” që bashkon legjendën, historinë dhe kumtin tonë të rezistencës ndër shekuj.
Të bën përshtypje se Karadaku në botimet e tij nuk ka vrapuar për nga sasia, përkundrazi libra si “20 novela për dashurinë” dhe 20 novelat e përmbledhura në librin me titull:”Garderoba e ofiqarit gri” tregon se Shefkiu i ka përmbledhur krijimet e tij në libra voluminozë të një linje apo subjekti.
Edhe botimet e para viteve 90 tingëllojnë aktuale edhe sot sepse Shefki Karadaku ishte një shkrimtar modern i pëlqyer dhe i pakontensueshëm.
Mungesa e institucionit të kritikës letrare pas viteve 90 ka bërë që shkrimtarë e poetë si Shefki Karadaku të lihen mënjanë dhe të mos vlerësohen, ndërkohë që krijimet e tij janë botuar edhe jashtë Shqipërisë, por për të vlerësuar nuk është kurrë vonë.
Comments