top of page

Poezia e istikameve të ekzistencializmit




(Shënime kritike për poezitë e poetit Bajram Sulejmani në librin e tij “Deti pa brigje”, Sfida, 2018, Tiranë)


Më kërko, në mes të natës,

Dhe do të vij në istikamin tënd.

Bajram Sulejmani


Duke lexuar me kërshëri vëllimin poetik të Bajram Sulejmanit, të titulluar “Deti pa brigje”, mendja më shkoi menjëherë për një lloj pasigurie jetësore që shpreh vetë ky titull. Jo më kot thonë se titulli i librit është vetë filozofia që autori shpalos në faqet e librit.

Dhe me të vërtetë kështu ndodhi. Libri “Deti pa brigje“ është një përpjekje e sukseshme e poetit Bajram Sulejmani, për të shprehur shqiptarisht një poezi që nuk i takon vetëm botës shqiptare. Poezia e tij është kozmopolite, e lidhur me qiejt dhe fenomenet e natyrës, e lidhur me detin dhe me gjethen e fundit të vjeshtës, e lidhur me hënën e natës dhe zogjtë poetikë.

Kjo poetikë e Bajram Sulejmanit nuk është gjë tjetër vecse fluturimi i zgalemit kundër stuhive të jetës. Është vrojtimi që poeti i bën fluturimit të pulëbardhës gjer sa ajo ulet në rërën e Adriatikut të Durrësit dhe poeti e sheh me mirënjohje.



Por, ky poet në shumë poezi të tij i ka kënduar dashurisë, të dashurës hipotetike dhe me të drejtë poeti i nderuar Dhimitri Pojanaku që i ka shkruar parathënien e këtij libri shkruan se “ Si mundet aher të largohet muza e dashurisë nga poet Sulejmani kur i thuren kaq dithirmabe të denja për një heroinë si dashuria, heroinë e lindur që në lashtësi?! Më thoni, si?!”

Me të vërtetë, kjo heroinë në poezinë e Bajram Sulejamani është gjithandej në qiell, ajër, det, pyje dhe fshatra e qytete. Por ajo dashuri është edhe në formatin e dhembshurisë, edhe të ndjenjave ndaj fatkeqësive apo rasteve jo të kendshme në këtë jetë tranzitive të mallkuar që po kalojne shqiptarët.

Poezi e parë e vëllimit “Deti pa brigje” titullohet “Digju ne vargje” dhe une pyes “pse e ka vënë të parë këtë poezi ky poet?”.

Ndoshta janë titujt e tre librave të botuara më parë nga ky autor që titullohen me shumë kuptim: “Shtëpia në plazh”, “Shpirt i trazuar” dhe” Mall i pashuar”. Janë këto dhe dertet poetike dhe shpirtërore të poetit i cili edhe me këto shqetësime në shpirtin e tij thotë me plot gojën ” Poetit nuk i pëlqejnë fjalimet masive, vetëm zemrën e hap pa derë.”

Dhe ashtu siç është, atë nuk e ka lënë zoti pa miq e shokë, çka e shpreh aq bukur në poezitë “Një gotë verë”, “Dua miq”, etj.

Duke lexuar poezitë e vëllimit “Deti pa brigje” mendja të shkon te poezitë e Lermontovit, poetit që e ndjeu vetminë dhe trishtimin më shumë se kushdo në Rusinë cariste. Por Bajrami, edhe pse ka ndikim nga ky poet apo dhe nga ndonjë tjetër, ai mbetet poet i Jugut shqiptar, mjeshtër i martesës së vargut me mendimin poetik të shpirtit

Prandaj dhe në poezitë e Bajramit unë ndjej fluturimin e një zgalemi sa në kodrat e Mallakastrës po aq dhe në bregun e detit të Durrësit. Poeti ka një klithmë në trajtën e ëndrrës dhe ai shkruan:


Ëndrra ime lundron

Me anijen e shpresës,

Diku do të ndalojë…


Shpesh në poezitë e këtij libri ndeshesh me ato lloj poezishë që dalin me afshin e këngës popullore, me butësinë e vargjeve, që dalin nga goja e këngëtarit, e që flet me zërin e shpirtit.

Por ajo që më bën shumë përshtypje në poezitë e vëllimit ”Deti pa brigje” është një ekzistencializëm i butë jetësor. Hidhërimi është pa brigje, pa kufinj ku deti zhduket si dhe anija e shpresës e fundosur… e thirrja e shpirtit nuk di se ku e çon.Pra është filozofia si emocion poetik dhe paralelet me hënën, muzgjet, kusarët e natës janë elemente të tokës shqiptare, ku historia e tranzicioneve është e pafund.

Këto paralele të përshkrimit të fenomeneve të natyrës me ndjenjat më të thella e më delikate të njeriut të vërtetë, poetit, me pak fjalë janë mjeshtëri, artificë e ndërtimit të poezive të Bajram Sulejmanit.

Prandaj ai nuk merret me poezitë “ urbane” të tavolinave të kafenesë ku njeri e sheh shtrembër atë, poetin.

Por ai është poet i përkorë i dashurisë. Është pikërisht poeti pogradecar, i njohuri Dhimitri Pojanaku i cili në parathënien e këtij libri me të drejtë shkruan për muzën poezike të Bajram Sulejmanit duke e vlerësuar atë. Dhe muza e Bajram Sulejmanit kap cdo llogore apo istikam të jetës shqiptare aty ku e mira bashkohet me fatet e jetës, atje ku hidhërimi gjen forca për të cuar zërin lart e më lart. Kjo është dhe fuqia e muzës së poetit.


Mes poezive të vëllimit “Deti pa brigje” bën sy poezia “deti i plakur”, një poezi që në sy të parë shpreh një dekantentizëm por që me shkopin magjik të poetit ky det është përsëri i dashur dhe poeti shkruan:


“Përsëri te bregu rri e pres

Atje ku ëndrra përgjysëm mbeti.”


Poezia e Bajram Sulejmanit është mesazh jetësor ku pasazhet reflektuese të mirazheve ndrijnë në pak çaste mendjen e poetit dhe pastaj zhduken të kënaqura që e ngrohën zemrën e poetit. Dhe pastaj poeti - zgalem sulet dhe thotë:


“Si zgalem mbi dallgë

Do ta rrëmbej puthjen,

të dalë ku të dalë,

bregut do shkoj tutje,”


Ky zgalem është i pranishëm në shumë poezi të këtij vëllimi, shprehje e nje rrebelizmi poetik, një kundërvënie prej poeti të frymëzuar i cili i sjell skenat e jetës kaq të gjalla dhe kaq tronditëse. Ky është dhe qëllimi i poezisë së tij dhe jo vetëm të tij.


Durrës, 26 nëntor 2023


42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page