Poezi që tregon perceptueshmërinë e logjikshme të dashurisë
Nga Fatmir Terziu
Diksursi i influencës diskursive tek poezitë e shkruara nga poetja Gladiola Busulla Jorbus në vëllimin e saj poetik „Tempulli i Poseidonit“ (Redaksia e Revistës “Dituria” Borås-Suedi; 2020) është në gjendje të kapërcejë kufizimet hapësinore dhe kohore për të bashkërenduar vargun, mesazhin, kumtin dhe koleracionin poetik, si edhe identitetet e saj të shumta kombëtare që rreken mes kulturave, formave kulturore dhe që rikrijojnë grupe normash të reja kulturore, si në rastin e poezisë „Adagio“ të realizuar në Athinë, 24 nëntor 2019. aty na jepen këto forma kulturore të qarta dhe të ndjeshme „Në tranzicionin e ndjenjave/të shkokëluara“, pikërisht aty ku poetja shkruan „emrin tënd“ e që nënkupton më shumë se kumti racional i vargut ku ajo dedikon dhe pranon që „Hija ime, le të shkruajë/me një kaligrafi të çrregullt/emrin tënd...“ Në këtë rast ky emër është një normë kulturore, është një identitet, është dhe një shenjë që udhëton ëndrrave në labirinthe kulturash dhe përjetimesh.
Njëkohësisht, ajo përjeton tranzicione të vetvetes përmes luhatjeve të marrëdhënieve personale dhe përdor metaforën për të përmbledhur këto ndryshime, si tek „Tutjemë“ ku „Një pulëbardhë mjegullohet/ Tutjemë, në horizont. /Shëmbëllen me një qiri, /që lutjen zgjat drejt qiellit.“ Por poetja që mbetet „shpirt trazuar“ përdor për shembull, si një simbol për tranzicionin dhe transformimin e mëvonshëm, imazhin „Zëra të trishtë/jehojnë nga amfiteatri i çudirave“ e që përsëritet vazhdimisht në poezinë e saj. Motivi përfaqëson një rrugë drejt rrënjëve, ose origjinës, si dhe një mjegullim të kufijve të zërave që ndjenë këtë diskurs, duke i lejuar poetes të artikulojë një ndjenjë të të qenit mes dy elementeve metaforike, duke intensifikuar dualizmat e ndërtuara të identitetit të saj. Ky imazh e lidh atë më tej me vetë aspektualitetin jetik, të cilin, nga ana tjetër, e sjellin në jetë mesazhiere vetë vargjet e poezitë e mëtejshme që u frymëzuan nga metaforat e logjikës trasparente me ndikim të thellë në dikursin e saj jetik. Edhe përtej motivit të zërave të tillë, Gladiola Busulla Jorbus eksploron një dyshe dhe një identitet të vendosur në hapësirën kufitare të vetë ndjesisë së saj. Poetja na e jep më të qartë këtë tek vazhdimi i këtyre vargjeve që janë nga poezia e saj „Amfiteatri i çudirave“ „Ligjet e pashkruara të jetës./Atij që mbi supe të shkel,/Këmbët do t’i puthësh./Përtej Lindjes dhe Perëndimit,/I gjithë globi/është një amfiteatër sfilitës./Me njerëz që urrehen nga muzgu/Në agim.“ (Po aty).
Roli dinamik i kësaj influence diksursive nuk kufizohet në lidhjen e saj me kulturën suedeze. Ndërsa jeton në një gjeografi të tillë, ajo demonstron një ndjenjë të fortë krenarie kombëtare, të rrënjosur tek ajo nga shembulli i prindërve të saj, por kjo bashkëjeton dhe nënshtrohet nga shtresimi shoqëror që ajo përjetoi si pjesë e kësaj lëvizjeje të pashprehur, por të ndjeshme, sepse për të „Jeta,/ fluturim, në një qiell enigmash, /që nuk i gjendet fundi.“ (Poezia „Mbi kanavacën e jetës'; faqja 8). Aty natyrshëm është edhe pjesa e tjetrës. Kjo ndjenjë e 'tjetrës' informon imagjinatën e saj letrare dhe më pas kontribuon në lidhjen dhe vlerësimin e trashëgimisë së saj, edhe pse e motivon zgjedhjen e saj për të krijuar distancë nga kultura me të cilën ajo u lidh fillimisht. Përfundimisht, udhëtimet në këtë territor bëhen një realitet që ndryshon jetën, pasi ajo udhëton për të krijuar tashmë vetë atë që i duhet të përballojë e të sedërtojë në një risi të re, natyrisht duke ekploruar edhe rrënjët e saj e ato që tashmë nisin të mbijnë. Eksplorimi i këtyre rrënjëve merr rëndësinë e vet në zhvillimin e identitetit dhe poetikës së saj.
Përgjatë këtyre vargjeve dhe poezive të tilla si „Yjet e Shën Lorencit“; „Zëri i zemrës“; „E nesërmja“; „Detaj“; „Si Magelani“, ajo zbulon në vetvete një dashuri për atdheun e saj të trashëguar dhe një intuitë dhe mirëkuptim për njerëzit dhe traditat e tyre, gjë që më pas problematizon kuptimin dhe identifikimin e saj me ndjesinë dhe gjendjen e saj në gjeografinë dhe kulturën suedeze. Të gjitha këto e mjaft poezi të tjera në thlb të influencës dikursive kanë një metaforë të fuqishme të dashurisë dhe dashuria e poetes është në fakt një hapësirë më vete ku diskursi krijon gjuhën më të bukur, më të ndjeshme, më logjike, më filozofike. Në këto poez ka dhe një tension të padukshëm, por që është shpirtëror dhe në këtë rast ky tension është ajo që vetë poetaj e ndjen dhe e shtjellon, duke e përshkruar si një proces në të cilin kulturat, ndjesitë dhe po ashtu edhe identitetet etnike dhe kombëtare veprojnë në jetën e individëve duke i lidhur ata me disa njerëz, duke i ndarë ata nga të tjerët. Identitete të tilla shpesh janë thellësisht integrale në ndjenjën e një personi për veten, duke përcaktuar një „unë“ duke e vendosur atë në sfondin e „ne“ ku lind dhe forcohet diskursi i dashurisë. Ndarja influencore e këtyre trashëgimive dhe çfarë do të thotë ky proces për ndryshimin e identitetit të saj, në sfondin e një komuniteti na jepet në poezi të shumta, por gjithnjë me një retrospektivë tipologjike të dashurisë njerëzore. Gladiola Busulla Jorbus është e vetëdijshme se ky është një moment kritik në vetëdijen e saj, duke e detyruar vetë diskursin e influencës në këtë rast të shqyrtojë vetvetiu mes vargjeve se si këto kompleksitete mund dhe nuk mund të bashkëjetojnë.
Me këtë rast duke lexuar disa poezi të saj të prura më parë tek „Fjala e Lirë“ në Londër dhe me këtë botim, pra me „Tempulli i Poseidonit“ do të theksoja se metafora e saj qendrore poetike, pra do të argumentoja, është tropi i vetë ligjërimit, ose përvetësimit të këtij diskursi në mënyrë të thjeshtë e të bukur. Brenda kuadrit të imagjinatës së saj letrare, ajo adopton prejardhjen e saj në jetën e saj të rritur dhe i përcakton prodhimet dhe traditat e saj kulturore si të sajat. Gladiola Busulla Jorbus gjithashtu përvetëson historinë e mbushur me ndjenja dashurie në një mjedis tjetër si një rrëfim personal që i mundëson asaj të kapërcejë margjinalizimin që përjeton në diskursin e zhvendosjes nga një pjesë në një tjetër. Ky kombinim i lejon asaj të krijojë një identitet të lindur nga dashuria që përkthehet në një gjendje përfshirjeje dhe çlirimi. Mënyra poetike e Gladiola Busulla Jorbus në disa mënyra krijon, në vend që thjesht përshkruan, dyfishimin e identitetit të saj, një dualizëm që rezulton nga rëndësia, tensioni dhe shkëmbimi i polariteteve kulturore. Tek poezia „Druhem“ vargjet flasin mjaft qartë: „Druhem/ Në thellësi të ninëzave,/ lexoj shpirtin tënd. /Të gjithin, si një libër të hapur. /Buzët fshehin pas buzëqeshjes atë që sytë, /me të madhe këlthasin. /Qaj… /Kur askush nuk më sheh… /Druhem… /Të pohoj ç’ka ndiej.“, por sidoqoftë poetja mbetet „Zonjë e fatit [tim] të saj“ (faqja 41).
Gruaja dhe trupi saj, kapriçiot dhe sjelljet, janë gjithashtu agjentë të diskursit të saj që në mjaft raste rrok tendenca feministe. Po kështu, njerëzit që jetojnë të qetë, ndoshta edhe brenda kufijve të këtij diskursi, janë ata që në fund do të lexohen mjaft këndshëm në disa poezi të këtij vëllimi. Fakti që titulli i mjaft poezive sugjeron soditje dhe një ndjenjë dashurie të qetë, ndërsa tema është e vendosur në mënyrë të pasigurt në një hapësirë, fantazi, perceptim, paraqet një forcë që simbolizon vetë poezinë. Ky nuk është thjesht një përfytyrim për fuqitë e cituara nga mitet dhe gjeografitë në të cilat kulturat bashkëjetojnë, por në vend të kësaj sugjeron që të njëjtat fuqi mund të jenë gjeneruese dhe konsumuese. Njerëzit në poezitë e Gladiola Busulla Jorbus janë të mbushur me tension vetëm nën sipërfaqe, një vëzhgim që tregon perceptueshmërinë e një personi të brendshëm dhe objektivitetin e një të huaji, që di të jetojë e të prodhojë dashuri njerëzore.
Comments