Poezi nga Xhevahir Cirongu
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 25, 2021
- 1 min read

Nata
Dikush në heshtje trokiti
te porta e shtëpisë së vjetër,
ca zëra zogjësh të mekur
nën strehën e shtëpisë vajtonin,
sa dhe kënga në grykë u kishin mbetur.
Kjo natë me shi vërtetë të tremb
në kangjella të portës qëndronin varur,
të përgjumura kujtimet e fjala.
Veçse plagën e dhimbjes atje në vetëmi,
e thumbonte me dhimbje një gjemb!
Më kujtohet ajo natë vetmitare,
dhe ai shi dimri i ftohtë,
ca zëra njerzish sërish m’u shfaqën
dhe nata me heshtjen trokit prapë.
Në portën e shtëpisë së vjetër
nata u ul këmbëkryq me heshtjen,
fjalën e dhimbjes i lanë të lira në vatër.
Në shpirt më rrinte zgjuar kjo vetmi e natës,
trishtimet e ndryshkura të atij dimri i la në vaj,
me ca zëra njerëzish që dëgjoheshin atje
kujtimet me dhimbje po flisnin pastaj.
Durrës, 24 janar 2021
I FALEM FJALËS
Me kujdes vështrova qiellin gri
patjetër, ishte dimër atëherë,
edhe vitet qenë shkruar sigurisht
në lecka të grisura të kohës.
Një pllakë guri e përkëdhela
ajo donte të fliste me mua,
kostumin e myshkut kishte veshur
dhe fjalën e shkruar mbante të fshehur.
Nuk desha të largohesha prej saj
le të ishte vetmi dimri,
kostumin e myshkut ja zhvesha
me etje e puthje iu fala fjalës.
Durrës 25 janar 2021
Comments