
M O Z A I K P O E T I K
Poezi nga Kozma Gjergji
KUJTESË
Duart kanë kujtesën e tyre
Për çfarë ndërtuan e dhuruan,
Por edhe për vrasjet, tradhtitë…
Buzët kanë kujtesën e tyre
Për puthjet me drithma e të fshehta,
Por edhe për ato hipokrite e pabesa…
Zemra ka kujtesën e saj
Për ciklonet e dashurive e kënaqësitë,
Por edhe për plagët e dhimbjet…
Trupi ka kujtesën e tij
Për peshat e rënda e torturat,
Por edhe për ledhatimet e lindjet…
ME TESTAMENT
Gjethet e vjeshtës
Si monedha floriri pirgje-pirgje.
Të ishin vërtetë ashtu
Do t'ua dhuroja me testament
Gjithë të dëshpëruarve nga mjerimi.
NË MESJETË
Kur inkuizicioni
Digjte në turra drush martirë
Perëndisë i këndoheshin lavde e himne.
Kohë e tmerrshme ishte!
HEROI
E pyetëm një herë Heroin që
Jeta i shkoi burgjeve nëse
Atje i vinin dëshira? Na tha:
-Vetëm një më vinte shpesh:
Të isha lajmëtar i dritës
Dhe ferrin ta mbillja me lule.
DO DESHA…
Do desha
T'ua shëroja dhimbjen atyre nënave
Që iu humbën bijtë
Shtegtimeve për mbijetesë.
Do desha
Fëmijëve t'ua fshihja
Pamjet e frikshme
Dhe armët e vdekjes
T'i shndërroja në lodra.
Do desha
Ta mbroja dashurinë
Nga plumbi e helmi
Dhe të rrihesha fytafyt
Me atë që mashtron të verbërin.
Do desha…
VAJZAT NË VALLE
Brofën si ato mëzkat e shkujdesura
Në fushën që kërkon plug
Dhe nisën të vizatojnë me gjeste në ajër
figura të magjishme duke ëndërruar
Polifemin e Satanain
t'ju përgjërohen me fjalë të bukura e
zemërdjegura dhe lot ëngjëjsh.
LOJË
Në një lojë në TV
Pyetën disa bukuroshe se cila
Dhuratë mund t'i bënte të jepeshin:
Një gjerdan floriri, makinë, shtëpi
Apo vëllim me poezi?
Habitërisht gjithë vlerësimetI
I mori ky i fundit,
Por në votim i dhanë
Zero pikë.
MIRËNJOHJE
Përveç prindërve, partneres,
mësueseve, artistëve, miqve,
Mirënjohja ime shkon
edhe për disa qytete, peisazhe,
ura, kala, katedrale, muze e
Figura që krijuan histori, të cilët më
formësuan e modeluan të tillë.
Gjithashtu edhe për ata që
S'më deshën, se më ndihmuan të
Përmirësohesha vazhdimisht.
Kozma Gjergji.