ANTON NIKË BERISHA
POEZI E PROTESTËS DHE E KUNDËRVËNIES SË PËRDITSHMËRISË SË PAPËRFILLSHME
“Është e pamundur ta gjykosh letërsinë e kohës sonë pa e lidhur me krizën e përgjithshme të qytetërimit, krizë që nuk është thjesht e një sistemi ekonomik, po është shembje e krejt koncepcionit të njeriut dhe të realitetit. Dhe romani aktual (natyrisht edhe poezia – v. ime) është i lidhur ngushtë me këtë dramë, qoftë nga se është një dëshmi e njeriut që po e vuan, qoftë nga se është rebelim i shkrimtarit kundër shoqërisë që po shembet[1]”.
ERNESTO SABATO
Jusuf Gërvalla na la trashëgim një poezi të njohur kryesisht si e absurdit dhe e protestës, për arsye se tekstet e përftuara synojnë rrënimin e rregullave të krijesës letrare poetike të rëndomtë. Bota që shprehet në to i afrohet më shumë realitetit të përfytyrimit dhe të ëndrrës, ku gjërat dhe kuptimet bashkëgjallërojnë në mënyra të ndryshme, pa iu nënshtruar ndonjë rendi të caktuar. Poezitë e kësaj natyre synojnë të jenë gjithëpërfshirëse; të kapin e të shqiptojnë në tërësi (totalitetin) e veprimit e të gjallimit. Në thelb ato janë kundërvënie e përditshmërisë së papërfillshme, e përshkuar thellësisht nga tragjika dhe nga tjetërsimi, nga pësimi dhe nga zhbërja shpirtërore. Mirëpo, autori përftoi edhe disa poezi mbi bazën e poezisë së traditës, gjë që ndërlidhet kryesisht me tekstet që i krijoi dhe i përdori për këngë.
Tri përmbledhjet e tij me poezi, u botuan brenda viteve 1975 – 1979: “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjushë e verdhë” (1978) dhe “Shejat e shenjta” (1979)[2]”.
Veprat letrare të autorëve shqiptarë në Kosovë në atë periudhë, kishin një kuptim më të gjerë se sa mund të mendohet në vështrim të parë, kishin peshë dhe rëndësi më të madhe: “Sa më ngushtë të jesh i lidhur me librin, aq më e thellë shpaloset jeta, sepse falë ndihmës së mrekullueshme të librave, shikimi yt për botën shkrihet në një me pamjen e përftuar nga mijëra të tjerë si ti; duke e dashur librin, ti sodit, njeh, përvetëson dhe thellohesh në njohjen e botës, jep ndihmesën tënde të vyer në përparimin e saj[3].”
Jusufi i takoi brezit të atyre krijuesve shqiptarë të Kosovës, të cilët nga fillimi i viteve ‘70 të qindvjetshit të kaluar filluan të zbatojnë një qasje, një perceptim dhe një shqiptim letrar poetik tjetër në krahasim me poezinë e traditës, si Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Ymer Shkreli e ndonjë tjetër. Këta poetë mësuan nga traditat e tjera letrare, po dhe nga poetët tanë paraprakë ose të kohës[4], të cilët në disa poezi ose me ndonjë vepër përligjen modernitetin e mirëfilltë të tekstit letrar poetik si Azem Shkreli, Mirko Gashi, Ali Podrimja, Adem Gajtani, për të mos i përmendur të tjerët. Këtij përcaktimi i paraprinë tregimet e Anton Pashkut të botuara në vitet ’60 e më vonë dhe romani “Oh” (1971).
Këta krijues, përmes artit të fjalës, në rastin konkret të poezisë, shprehen shqetësimet dhe pakënaqësinë e tyre; gjakuan ndërrimin e gjendjes së tillë dhe këmbëngulën për një hapësirë e frymëmarrje më të madhe veprimi e të lirisë krijuese, ose siç thuhet me një shprehje figurative, synuan parajsën shpirtërore, që ishte krejtësisht e kundërta me atë që përjetonin në realitetin e përditshëm. Natyrisht, gjithë kjo nuk ishte e rastësishme, po lidhet me atë që theksonte shkrimtari i madh, Stefan Cvajg: “[...] kam vënë re se në art, ashtu si në jetë, ka gjëra që mbartin në veten e tyre të drejtën e ligjshme për ekzistencë, ngaqë me to autorët janë familjarizuar shumë, ka vargje që për vetë autorin janë veçanërisht të shtrenjtë, dhe jo sepse kanë vlerë por sepse janë zëdhënës ngjarjesh që lidhen me kombin[5]”. Ngushtë lidhur me këtë Th. Elioti thoshte se “[...] asnjë art nuk është më me ngulm kombëtare se poezia[6]”.
Poeti Jusuf Gërvalla e përjetoi thellësisht gjendjen e rëndë kulturore dhe shoqërore të gjallimit të njeriut tonë, të pësimeve e të rrënimit shpirtëror, pikërisht ashtu siç thoshte shkrimtari i madh argjentinas, Ernesto Sabato: “I bllokuar në një botë në dekompozim e sipër, mes mbetjesh të ideologjive të falimentuara, shkrimi ka qenë për mua mjeti themelor, më absoluti dhe më i fuqishmi, që më lejoi ta shprehja kaosin në të cilin luftoja; dhe kështu mund të çliroj jo vetëm idetë e mia, por, mbi të gjitha, obsesionet e mia më të errëta dhe të pashpjegueshme[7]”.
Brenda konceptit të përftimit të poezisë gjithëpërfshirëse dhe gjithëshqiptuese, Jusufi, si dhe disa poetë të brezit të tij, me qëllim përdori një gjuhë dhe shprehje figurative të veçantë; metafora të ndryshme e simbolikë të pasur për të shqiptuar sa më thellë realitetin e brendshëm e të jashtëm, po dhe për të dëshmuar pakënaqësinë përballë përditshmërisë konkrete të papërfillshme. Ndodhte ajo që theksonte njëri ndër poetët tanë më të shquar, Azem Shkreli: Fati i marrë herët na mori n’thua dhe Kishte koha ethe, kishte koka frymë[8]. Jusufi do të thotë: Ka gëlltitur llavë ky durimi im (Goditja e shtëpisë në fletore); “Dhe flas me gjuhën e gurit” (Opusi linguistik); Do të dehem me marritë që po i mbjell koha (Vena e Spanjës); pikëllimi na paska qenë këtu i vetmi margaritar (Dita e portokajve 2); U lodhëm më duke u puthur me gjarpinj (Humbellat e ndërdyshjes)
Meqenëse veprimtaria poetike e Jusuf Gërvallës u ndërpre në kohën kur poeti kishte mbërritur në një pikë, ku krijimet e mëtejshme do të përcaktonin mirëfilli natyrën dhe rëndësinë e poezisë së tij (Platoni thoshte se koha është pamja e përjetësisë në lëvizje)[9], secili që synon të përcaktojë prerazi qenësinë e saj do të ballafaqohet me mundësinë e dështimit.
Mënyra e shqiptimit të absurdit në poezinë shqipe të Kosovës, pra dhe e poezisë së Jusuf Gërvallës, nuk ishte e rastit, po rrjedhojë e rrethanave dhe e rrjedhave kulturore dhe shoqërore dhe e nevojës së ndryshimit të tyre. Kjo ndërlidhet me veprimin e romantikëve dhe më vonë të surrealistëve: “Romantikët ia kishin kundërvënë prej kohësh poezinë arsyes, në të njëjtën mënyrë sikurse nata është e kundërta e ditës, por surrealistët e çuan këtë qëndrim në shkallën më të epërme. Sipas Bretonit, sa më absurd që të jetë një përfytyrim, aq më shumë vlen: prandaj bëhet thirrje për automatizëm, për imagjinatë të çliruar nga të gjitha prangat racionale[...] ishte më tepër një qëndrim i përgjithshëm ndaj jetës, një kërkim i njeriut të thellë që gjendet nën shtresën e konvencioneve të rrëgjuara. Si mund të mos i admiroja Frojdin [Freud] dhe Sadin [Sade], primitivët dhe të egrit? Po, në mënyrë paradoksale, kjo u shndërrua në një metodë për të arritur një lloj të ri të së bukurës, një bukuri në gjendje të egër. Sikurse edhe të një morali të ri, ai moral që mbetet pasi shqiten të gjitha maskat e imponuara nga një shoqëri frikacake dhe hipokrite: një moral i instinkteve dhe i ëndrrës[10]”.
Përmes tekstit të poezisë Jusufi shprehu dramën e vet, e cila është para së gjithash rrjedhojë e dramës jetësore të shqiptarit në ish Jugosllavi, përkatësisht e kushteve në të cilat frymohej e veprohej në Kosovë në vitet ’70 e ‘80. Rrethanat e rënda, të thuash tronditëse, shkaktuan pakënaqësi dhe pësime dhe, natyrisht, i nxitën edhe poetët t’u kundërvihen atyre me mjetin e tyre kryesor: me artin e tyre, siç ndodhi dhe me Jusuf Gërvallën. Poeti i madh gjerman, Goethe (Gëte) rreth kësaj thoshte: “Të gjitha poezitë e mia kanë lindur të diktuara nga rrethanat e jetës, realiteti që i lindi është trualli dhe baza e secilës[11]”.
Në kushtet jetësore, ku dëshmohet një shpër-pjesëtim i ndjeshëm midis konkretes – përditshmërisë jetësore – dhe synimit të poetit, ishin mënyra të ndryshme për të shqiptuar botën e brendshme dhe atë të jashtme: të shqiptohej – përftohej një botë tjetër nga ajo që ekzistonte; të pasurohej ajo botë përmes artit, të projektohej një botë që përkonte me shpirtin dhe me synimet e krijuesit ose përmes artit të fjalës, t’i kundërvihet asaj.
Brenda kaosit të tillë letërsia – në rastin konkret poezia – bëhet për poetin një formë e vetë dëshmimit, po dhe e mbijetesës; një formë e të shprehurit të pakënaqësisë dhe të nevojës së komunikimit. Për ta shprehur këtë gjendje Jusufi hartoi tekste të ndryshme, larg retorikës dhe pohimit, ku mendimet gjallojnë në shtresat e thella. Kjo përligjet nga vargjet që rrezatojnë mendime të shumta si, fjala vjen: Koha foli me gjuhën time të harruar (Shtëpizë e lënë barinjsh); ty që bën dashuri të fshehtë me natën e përlotur (Kroi); në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin (Fletë testamenti); pikëllimi m’u bë shok udhe (Pergament).
Kjo mënyrë e shqiptimit poetik merr përmasë më të ndjeshme e lartësohet edhe më shumë në pjesët më të mëdha se vargjet – në pamje poetike. Ato janë të pazakonshme, ndonjëherë dhe tronditëse. Për ta konkretizuar faktin se ai përfton pamje poetike sa të ndërliqshme (komplekse) e të parëndomta, që mundësojnë një komunikim të veçantë me marrësin, qoftë edhe përmes “moskënaqësisë”, siç thoshte Th. Eliot, duke folur për një pjesë të poezisë së Uiljem Blejkut: “[...] e ka moskënaqësinë e poezisë së lartë[12]”.
Në këtë rrjedhë po sjell dy shembuj nga poezia e Jusufit, ku tronditja nuk shprehet përmes pohimeve, po përmes përplasjeve dhe kundërvënies së mendimeve, gjë që përligjet nga pjesët e pamjes, më të vogla ose më të mëdha, ose nga mëdyshjet që dalin nga teksti.
sa e largët plaka në pikturë e ngjyrë - ujë
i bërë prej qerpikësh erërash të zgjuara
e lodhur afrohet merr t’i bezdisë zogjtë
sajon imazhin tim të blertë tis të hollë
tis rrezore e qartë shprushi mjegullën në sy
vallë po zgjohet malli a po fle pikëllimi
(E largët)
dhe
dhe s’ka bukë për poetët si ti pos varre
është dashuri kjo botë rritet prej fjalësh tuaja
si të paska zbritur në ballë tërë numri i yjeve
mund të ngjajë të zgjohet orkida e butë e fjalës sate
ti do ta këndellësh botën me fjalën prej buke
(Baladë për shevarin)
Pamjet poetike të kësaj natyre, që synojnë ta shprehin sa më gjithanshëm gjendjen absurde të jetesës, nuk përftohen sipas një gjedhi (modeli) të caktuar, nuk i nënshtrohen ndonjë rregulli. Brenda tyre bie në sy sidomos ballafaqimi dhe kundërshtimi i dukurive, i pamjeve dhe i mendimeve. Kjo mënyrë e përftimit i jep tekstit një veçanti e pasuri; merr nuanca të ndryshme, varësisht nga ai që e lexon tekstin përkatës dhe gjakon të vërë një komunikim me të. Të kësaj natyre janë edhe këto vargje: tek gjej ngushëllim mes sendesh që s’janë më (Skena nga jeta e fshatit); ashtu e lartësuar ajo i bie territ si pirg drite (Kulla); shqetësimit të furishëm këtu pushimi i është i denjë (Epitaf për shëtitësin...); e t’i këndojnë këngët tuaja e të thurin ditirambe (Baladë për shevarin); s’di a do të ketë qenë ditë apo në rreze hëne larë (Shtëpia në kornizë); Dashuria peshk e ngjalë në rrjetë. (Rruga që shpie në livadh); do të vish e veshur me gjethet e rëna të përrallës (E largët); se rrufe të forta po më presin atje grykë shtegu (Si zgor).
Poeti Jusuf Gërvalla është i vetëdijshëm për natyrën e fjalës poetike, përkatësisht për rëndësinë e poezisë si art, për mundësitë e saj të komunikimit dhe të ndikimit në marrësin. Siç është e ditur, poezia nuk është imitim i jetës konkrete, i përditshmërisë, po një realitet i mëvetësishëm i përftuar përmes fjalëve dhe të shprehurit gjuhësor figurativ; në qenësinë e saj ajo është trillim dhe përfytyrim, që shëmbëllen në atë që ekziston dhe që shpreh përvojën jetësore dhe shpirtërore të njeriut: “asnjë xhevahire më e shtrenjtë se trillimi” (Buzëqeshja). Së këndejmi, të shkruarit e poezisë, përkatësisht shqiptimi poetik i botës së jashtme dhe asaj të brendshme për Gërvallën bëhet domosdoshmëri: nëse heshtet fjala ajo bëhet vrastare si thika (krahasimi, me qëllim, është përmbysur): Sa fjala ime e heshtur / Ti mund të vrasësh pa krismë (Thikë).
Qenësore për poetin janë fjalët e tij; është struktura gjuhësore shprehëse, janë kumtet poetike përmes të cilëve përligjet bota dhe qenia e tij dhe komunikohet me të tjerët. Jashtë tyre ai është i paqenë.
Mund t’i merrni fjalët e mia
e të niseni nëpër botë
Unë s’kam guxim
Kuptoj se pa dritën e tyre
Nuk do ta di rrugën nëpër dritë
Janë krijuar prej frenimesh
prej kthesash theqafjesh
dhiaresh të shenjta
zigzage
(Lufta dhe arti)
Poeti e di mirëfilli se gjithë atë që shpreh ai nuk mund të jetë e përfillshme dhe nuk mund të përkojë me botën e të tjerëve, sidomos kur fjala e tij e heshtur është vrastare sa edhe thika, por është i bindur se lexuesi do të marrë atë që është e denjë, që sjell dritë dhe bashkon: merrni nga fjala ime veç atë që s’është ndarje (Shtatë net në Dubrovnik).
Më duket me vend që këtë parathënie ta mbyll me atë që thuhet në poezinë e Jusuf Gërvallës “Fletë testamenti”: në zgjimin e ri të dashurisë, që mund ta bëjë poezia me artin e saj (“Tek po zgjohet er’ e re e dashurisë së tokës”), frymësia e saj lë të notojë në ndërrim të qindvjetshave (“Në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë”) dhe njomësia e blerimit lë ta cilësojë jetën e njeriut tonë dhe kujtimin për poetin (“Myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë”).
Prishtinë, dhjetor 2021
1- Ernesto Sabato, Shkrimtari dhe fantazmat e tij. Përkthyen nga origjinali: Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu. Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2015, f. 67.
2- Romanin “Rrotull” e botoi më 1983.
3- Stefan Cvajg, Legjenda dhe portrete. Përktheu Jorgji Doksani. Shtëpia botuese Uegen. Tiranë 2003, f. 120.
4- Jorge Luis Borges thoshte: “Secili prej nesh, është pa dyshim të gjithë njerëzit që kanë qenë para tij dhe jo vetëm ata me të cilët ishte i një gjaku”. Shih Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Tiranë 2013, f. 164.
5- Stefan Cvajg, Legjenda dhe portrete, vep. e përm., f. 199.
6- T. S. Eliot, Ese të zgjedhura. Zgjodhi dhe përktheu nga origjinali Isa Zymberi. “Rilindja”, Prishtinë 1982, f. 64.
7- Ernesto Sabato, Para fundit. Ese. Përktheu nga origjinali spanjisht Orjela Stafasani. OM, Prishtinë 2018, f. 54.
8- Azem Shkreli, Rrënjë të gurta. Poezi e zgjedhur. Botimi i dytë i rishikuar. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Pejë 2012, f. 19 dhe f. 65.
9- Jorge Luis Borges, Ligjërata, vep. e përm., f. 200.
10- Ernesto Sabato, Shkrimtari dhe fantazmat e tij, vep. e përm., f. 60.
11- Stefan Cvajg, Legjenda dhe portrete, vep. e përm., f. 200.
12- T. S. Eliot, Ese të zgjedhura, vep. e përm., f. 192.
Comments