Poetja konkurruese e vlerave etnike në Ballkan
Prof Dr Fatmir Terziu
Tregjuhësia e veprës poetike „Jehona e heshtjes“ jo vetëm që flet në gjuhën arumune, maqedonase të veriut, dhe anglisht, por e ngre krijuesen gjithëplanëshe, Vanghea Mihanj-Steryu, në një stad me vlera të mëdha poetike dhe në një nivel konkurrues në mbarë hapësirën krijuese globale. Sikurse citohet që në parrathënien e këtij vëllimi poetik vepra „Jehonat e heshtjes“ është një arritje poetike, një galaktikë poetike dhe një lajm kulturor vokal mbi botimin, por edhe një vepër e re në gjuhën arumune, maqedonase dhe angleze, pra përmes veprës gjuha dhe letërsia e popullit arumun nga Maqedonia e Veriut janë të përfaqësuar për lexuesit në mbarë botën. Prandaj dhe pikënisja e këtij libri sjell mesazhe të domosodoshme, paqja, besimi, dashuria dhe shpresa janë një lajmotiv tipologjik, diskursiv dhe postmodern, ku nënkuptojmë sakrificën dhe simbolikën biblike të përfaqësuar në mesazhin jetik për Njeriun. Ja si shkruan poetja „Në një dhomë digjeshin 4 qirinj, ishte mjaft e qetë për të dëgjuar biseda e tyre./Qiriu i parë tha: Unë jam PAQE - njerëzit nuk më vënë re, që ekzistoj/pse do digjem./U dogj menjëherë./Qiriu i dytë tha: Unë jam BESIMI - shumë njerëz më konsiderojnë të panevojshëm, prandaj nuk ka kuptim të digjem./Frynte një erë e qetë dhe u dogj./Qiriu i tretë tha: Unë jam DASHURIA - nuk kam më forcë, njerëz/më lini mënjanë dhe mos i doni të afërmit e tyre dhe të djegur në shumë/moment./Më vonë në dhomë hyri një vajzë e vogël, e cila tha: „Çfarë është kjo, nuk ishin/duhet të digjesh plotësisht?“ dhe ajo filloi të qajë/Pastaj qiriri i katërt foli: Mos kini frikë, përderisa po digjem,/Unë kam forcën për të ndezur qirinjtë e tjerë. Unë jam SHPRESA./Me lot në sy fëmija mori SHPRESËN dhe ndezi tjetrin/qiri. E simbolika qartëson mes mesazhit „Flaka e shpresës duhet të digjet gjithmonë në zemrat tona, në mënyrë që secili prej nesh të mund të ruajë besimin, dashurinë dhe paqen e zemrave.“
Kjo poezi e poetes në fjalë është çelësi kodik i katër dëshirave mistike të paketuara në një vepër të ndjeshme profesionale, që i jepet një lexuesi të urritur për të lexuar një diskurs më vete, një filozofi dhe një gjuhë që vërtet sillet në tregjuhësi, por që flet në të gjitha gjuhët e botës.
Që nga koha kur Vanghea Mihanj-Steryu ka shkruar poezinë e parë në vitin 1963, kur ajo ishte në klasën e gjashtë, dhe ajo u bë një këngë për femijë me titullin “Retë” emri i saj në një stad normativ është tashmë i gdhendur si një nga poetet femra që mbajnë flamurin krjues në Ballkan e më gjerë. „Jehonat e heshtjes“ natyrisht flet për një fakt të tillë, ashtu sikurse të gjitha krijimet e saj që janë me dhjetra e që flasin gjithnjë në orrigjinalitet dhe në gjuhë të cilat mbajnë një melos të veçantë poetik. Tek poezia „Lutja e mëkateve…“ poezia e kësaj poete të mrekullueshme është një deklaratë e një sërë enigmash, me gjuhë dhe sfonde diskursive që ndryshojnë si ndryshimet e pasqyrave, reflekseve ujore, qiejve, e vetmja shenjë e pandryshueshme është shenja e pafundësisë që karakterizohet me „Babai im më i dashur!/E di, jeta është një det i valëzuar,/të përshkuar nga gëzimet dhe hidhërimet.“
Kam pasur fatin ta njoh nga afër krijuesen shumëdimensionale të etnicitetit arumun në Maqedoninë e Veriut, Vanghea Mihanj-Steryu. Jemi takuar bashkërisht në një nga aktivitetet poetike ndërkombëtare që zhvillohen për poezinë në Strugë dhe kemi folur gjatë nën shoqërinë e shkrimtarit tëmirrënjohur shqiptar Luan Starova dhe poeteve Puntorie Muça dhe Ilirjana Sulkuqi, po ashtu dhe të poetit strugan Nuhi Vinca. Në bisedat e saj të lira me ne gjatë manifestimit në fjalë ndjeje modestinë dhe forcën e gjallë krijuese, që rallë një femër e tillë e mban si një kryefjalë të gjitha tipareve krijuese të jetës së saj të përkushtuar në një kënd të tillë artsjellës. E kështu mes bisedës mëson për të, jo thjesht si një njeri i tillë artistik, por si një model femëror në fushën e artit të vendit që ajo përfaqëson e më gjerë.
Shkrimtarja Vanghea Mihanj-Steryu (Vangja Mihajlova Shterjova) (lindur më 10 nëntor 1950, Dolean, Maqedoni) është poete, prozatore, përkthyese, piktore, regjisore dhe aktore maqedonase. Në rrënjët e saj ka timbrin e fisit Sima që rrjedh nga qytetërimi Voskopojar. Në periudhën 1969-1970 punoi në parlamentin e Bashkësisë Shtip-Maqedoni. Në vitin 1970 u transferua në Shkup dhe punoi në Filarmoninë Shtetërore nga viti 1974-1992. Ajo ka organizuar ekspozita me libra të shkruara nga autorë maqedonas në periudhën 2000-2006. Që nga viti 1993 është artiste e pavarur. Kritiku letrar Hristu Cândroveanu ka theksuar për të se ajo është një poete "me talent të padiskutueshëm" nga hapësira e arumunëve, e cila i përket „etnive rumune të vendosura në anën e djathtë të Danubit... që kanë ruajtur emrin e tyre etnik në lidhje me origjinën e tyre”.
Vanghea Mihanj-Steryu shkruan pezi, romane dhe është autore e vëllimit të prozës së shkurtër për fëmijë Tser pa yje. Vanghea Mihanj-Steryu ka përkthyer mbi 15 libra nga rumanishtja në arumune. Vanghea Mihanj-Steryu është përfshirë në Antologjitë e poetëve rumunë në Rumani dhe gjuhët arumune dhe maqedonase. Ajo ka organizuar disa ekspozita të piktorëve arumunë, rumunë, shqiptarë dhe maqedonas në periudhën 2000-2006, gjithashtu ka realizuar filmin e parë për arumunët, Cu dor di armâna mea, me regji të bullgarit Costea Bicov.
Vanghea Mihanj-Steryu është autore e dramës së parë, nga Maqedonia, të shkruar në gjuhën arumune, Lali Nida s-an puliseashti cu andrihashtjâly. Është vënë në skenë nga Toma Enache me aktorë rumunë. Ajo ka themeluar “Shoqërinë e Grave Arumune” në Maqedoni në vitin 1994 dhe revistën e saj “Armânâ macedonâ” në vitin 1966, ka krjuar revistën për fëmijë "Lândunicâ".
Vanghea Mihanj-Steryu është nderuar me disa çmime, ndër të cilat më të rëndësishmit: Çmimin "Lucian Blaga" në Festivalin e Poezisë "Lucian Blaga", Sebeș-Alba, 2004, Çmimin "Mihai Eminescu", Kishinau, Çmimin e Panairit Ndërkombëtar të Librit Rumun në Iasi.
Duke parë këtë njohje të largët e të afërt me këtë krijuese të vlerësuar, natyrisht dhe mes leximit të veprës poetike „Jehona e heshtjes“ ajo që bie në sy tek poezia e saj është fakti se ajo është një poezi e vlerës së shtuar artistike, e enumeracionit figurativ, e formës më mistike të krijimit, e dashurisë dhe sinqeritetit, e formës më të avancuar të faktorit që të shpie tek mesazhi i qartë. Poezia e tillë hyn në Tempullin e Zotit, takon Zotin, Lutjen, takon kohën në kohën e duhur, flet dhe i përket thelbit të Natyrës, është kapja e një tabloje, një kënge ose një dhuntie, në një prizëm të qëllimshëm e të dedikuar fjalësh. Për më tutje, poezia e kësaj poeteje në këtë vëllim poetik është një përzierje e thellë iluzionesh të lidhura me një strukturë postmoderne faktesh që flasin me një arsye të fortë për Njeriun dhe tërësinë e tij jetike.
Poetja kërkon ritmin dhe udhën e shpirtit të saj, kërkon mes dy pauzave të ndjesisë, ristrukturon lulet, bukuritë, ujin e shenjtë, simbolikën e një flamuri në zemër, ku kumti i kësaj poezie është me një rregullim kinetik që vjen mes akumulimit dhe rrokjeve statike të formësuar mjeshtërisht nga poetja. Kur poetja rrëmon në një filozofi të tillë, dhe kur ajo trajton „Dy heshtje duke parë dy fate“ paraqet një sublim si sublimiteti i një muri, pra një ftohtësi, si në dy gurë, ku një gur është i bardhë dhe një i zi, një që bën një mur me sy,“ dhe natyrisht një mur që i përket humanzmit të saj që i del nga zemra e saj e madhe dhe humane. Poetja Vanghea Mihanj-Steryu me krijimtarinë e saj të pasur gjithëplanëshe ka thyer mjaft mure ndarëse, por ka ndërtuar dhe mure të qëndrueshme që mbajnë lart dimensionin e fortesës krijuese, duke mbrojtur forcën e elementin jetik femëror, dhe duke dhënë mesazhin se njerëzorja është më efikase dhe më e ndjeshme se të gjitha të tjerat.
Në jetën e saj artistike dhe në krijimtarinë e saj shumëdimesnionale ka një pikë ku shqipsjellja e poetit dhe intelektualit, Andon Kristo kapërcen mure të tilla dhe flet me atë që i duhet kulturave, duke nëkuptuar se poezia e saj është një tufë e freskët mëngjesi që tregon një histori të kohëve me vlerës e madhe të thurjes kulturore dhe dritës që zbardh në agimet e thella e të vjetra kulturore mes etnive në Ballkan.
Këtë e shikojmë dhe e ndjejmë tek një moria e madhe dhe cilësore e saj e botimeve në të gjitha zhanret ku spikasin ato në poezi: ”Lulet”, ”Dallëndyshka”, poezi & prozë, ”Dashuri pa kufi”, ”Kurora e dashurisë”, ”Qëndizma” pjesa e I+II, “Dhuratë për fëmijë” pjesa I+II, „Vuajtja”, poezi & prozë , ”Pika në kapele”, ”Lulishtja e yjeve”, „Ylli me fole”, ”Motra me zjarret” ,”Rrudha në shpirt”, “Syri i shpirtit”, ”Qiell pa yje”, “Pika të harruara”, ”Meraqe të qëndisura” roman për fëmijë, ”Të bukurat arumune”, roman Pjesa I+II , ”Shtëpi pa shkallë”, roman, ”Yje ruazash” roman për femijë, “Gjerdan me yje” (Antologji), e mjaft e mjaft të tjera deri tek më të fundit në gjuhët maqedonase të veriut, arumune, apo dhe në gjuhën angleze.
Duke parë këtë prurje mjaft diemnsionale dhe atë që përfaqëson realisht kjo krijuese, kjo arstiste mund të themi se ajo është poetja konkurruese e vlerave etnike në Ballkan. Krijimtaria e saj e mbarë artistike, romanet, por sidomos poezia e saj janë heshtja dhe fjalimi i heshtjes filozofike midis jetëdhënies së thellë hyjnore të një luleje dhe një lulëzimi të asaj luleje të ndriçuar nga rrezet hyjnore të diellit. Poezia e saj është vërtetë hyjnore.
Comments