POETI QË THUR VARGJE TË NDJERA NGA KARROCA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 5, 2020
- 4 min read

SHPENDI TOPOLLAJ
Ndofta me qindra herë më është dashur të analizoj dhe të jap gjykimet e mia modeste, rreth krijimtarisë letrare të autorëve të ndryshëm. Por sot është tjetërsoj, pasi kemi ardhur për të diskutuar për një përmbledhje poetike që ka për autor një njeri të respektuar, por me aftësi të kufizuara. Këto fjalët e fundit as që do t`i përmendja fare sikur vetë ai të mos e shfaqte një lloj shqetësimi a brenge ta quajmë, që ndien brënda vetes. Kur flasim për poetët, e dimë se i drejtohemi një shpirti. Dhe shpirti është për të gjithë njësoj; ai nuk do t`ja dijë në je i gjatë apo i shkurtër, i trashë apo i hollë, i bardhë apo i zi, normal apo me ndonjë defekt të natyrës. Ai brenda vetmisë së tij i këndon me të njëjtat nota si bukurisë edhe shëmtisë, si gëzimit edhe hidhërimit, si të mirës edhe të keqes, si të moralshmes edhe të zvetënuarës, po ashtu edhe dashurisë dhe urrejtjes. Poeti norvegjez Henrik Ibsen dikur ka thënë se “Çdo njeri… mund të jetë poet, në qoftë se në veprimtarinë e tij sheh idealin”. Dhe a nuk e vërtetoi këtë e gjithë vepra dhe jeta e Zhorzh Bajronit që i bukur si bir perëndish, kishte lindur me pejza të kavileve të paralizuara, diagnozë nga e cila u detyrua të çalonte? Kishte raste që e vuante këtë, aq sa një miku i tij rrëfente se kishte dëgjuar të shprehej se “Në qoftë se ky (balli), më lartëson mbi njerëzit, këto (këmbët), më poshtërojnë në sy të tjerëve”. Por kjo fatkeqësi nuk e pengoi aspak të shkruante perla, të shndërrohej në një luftëtar të lirisë dhe demokracisë apo edhe të dashurohej marrëzisht nga Augusta, Anabela e së fundi në Venecia, nga bukuroshja Tereza Guiçoli që ishte dhe e martuar. Por të mos harrojmë se kur jetoi Bajroni, Sekuini sapo e krijoi shoqatën e parë të Personave me Aftësi të Kufizuar në SH.B.A. dhe Bineti pak më vonë i quajti “njerëz normalë, por i dallon performanca”. Tani, dhe sidomos pas 16 Dhjetorit të vitit 1976, kur Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara, e shpalli vitin 1981, vit që u kushtohej atyre dhe ja dedikoi integrimit në shoqëri me të drejta të plota si gjithë të tjerët, janë tejkaluar si mentalitetet, ashtu edhe paragjykimet apo denigrimet për këtë kategori që përbën jo pak, por 10 % të popullsisë së botës. Dhe pavarësisht ndonjë note pesimizmi që e ka çdo poet, Flamuri duket se kështu e percepton gjendjen e tij, gjersa shkruan:
Ky qytet i lashtë mban me qindra e mijra banorë,
Në rrugët e tij shihet një djalë me motor, me tri rrota.
Disa e shohin bardh e zi, por atij me ngjyra i duket bota.
Ai, me kokën lart, e ndien veten një luftëtar i kohëve moderne, jo mbi kalë, por mbi ato tri rrota. Edhe forcën, ai nuk e gjen te shpata, por te pena. Dhe që të arrish tek ajo shpalosja e forcës, për të cilën bën fjalë Gëtja, Flamuri nuk harron dhe porosinë e tij se ‘”Çdo shkrimtar në një farë mase paraqet në veprat e tij vetveten, shpesh edhe kundër vullnetit të tij”. Pikërisht, pse vepron kështu, ai i drejtohet vajzës ku e çon fantazia a zemra, jo për t`u mëshiruar, por plot dinjitet:
Më shiko përtej pamjes së jashtme,
E di, dukem i mjeruar,
I ulur në këtë karrocë të mallkuar!
Dhe pason lutja njerëzore:
Ma zgjat dorën, më jep jetë,
Të jetojmë një ëndërr të dy,
Ta shoh njëherë buzëqeshjen në sy…
Jam i bindur se Flamuri e kupton (ose nuk më keqkupton), po të kujtoj atë konstatimin e Fjodor Dostojevskit se nga që shkruan vargje, nuk do të thotë se je poet. Ama duhet pohuar se ai nuk kursen as çiltërsinë dhe as atë zjarrin nga i cili i digjet shpirti. Se nëqoftë se ai e vuan gabimin që natyra bëri me trupin e tij, vajza të cilës ai i drejtohet, duhet ta dijë se ai është një univers dashurie, dhe si i tillë, duhet t`ja kthejë po me dashuri. Është e kuptueshme dhe e falshme, kur vërejmë te ky autor që edhe brënda të njëjtës poezi, lexuesi do të ndeshë oshilacione gjendjeje të ndryshme emocionale: tani ngazëllehet nga ëndrra marramendëse e dashurisë, e pak më poshtë deklaron me dëshpërim se sillet, pshtillet në këtë qytet, kërkon pakëz ngrohtësi, por askund s`e gjen atë të shkretë. Por duhet të kemi parasysh se ai shpesh del edhe përtej vetes. Ai flet edhe për ata të tjerët si ai që kanë problem të ngjashme. Se edhe ata e kanë nervin e poezisë, që sipas Karlajv, jeton në zemrat e të gjithë njerëzve. Ja pse thirrja e tij: Lart si emri i tij do të qëndrojë, / Flamur i pamposhtur do të jetojë”, ngjan si një lajtmotiv për optimizëm, për dritë dhe ngjyra ylberi. Ju e dini se edhe Presidenti i Sh.B.A. Franklin Delano Rusvelti e drejtoi luftën e Dytë Botërore, gjer pak ditë para fitores së madhe, nga karroca. Njeriu ndaj dhe është njeri, të mos thyhet në asnjë situatë, të mos mposhtet para asnjë vështirësie, të mos dorëzohet para asnjë të papriture, por të gjejë forca të sfidojë dhe të triumfojë. Dhe për ta realizuar këtë, s`ka gjë më të mirë se poezia, e cila sipas romantikut Përsi Shelli, “përjetëson gjithçka është më e mirë dhe më e bukur në këtë botë”.
Urime Shpendi, per kete shkrim me shume ndjenja te holla te perjetomit te dhimbjes per nje te ri qe jetoj me pamundesine te jete si te tjeret ne pamje, por ne shpirt ka leng poezie.