TAHIR BEZHANI OSE POETI QË PIKTURON BRENGAT E NJERËZVE
(Rreth librit me poezi “Lojë Hijesh”)
Për vlerat e larta njerëzore dhe atdhetare të Tahir Bezhanit më pati folur miku im Jak Mandrea (Gjergji) tek i cili ai familjarisht u strehua kur ngjau ai krimi i përbindshëm i ushtrisë serbe të Milosheviçit ndaj motrave e vëllezërve tanë kosovarë. Tregues i qartë i virtyteve të tij ishte dhe ruajtja e paprekur e një miqësie të sinqertë, vajtje - ardhjet mes tyre, sa në Durrës e sa në Gjakovë dhe respekti që ata manifestonin për sho - shoqin në çdo bisedë që bënin. Kurse vlerat e vërteta intelektuale, talentin gjithmonë në rritje dhe shqetësimin qytetar për fatet e Kombit të këtij burri fjalëpak, por që ruan gjithë atë zjarr brenda vetes, ashtu si ai prushi poshtë hirit, i mësova nga librat e tij të shumtë që pasi i botonte, nuk vononte të m`i dërgonte.
Sa herë takoheshim, ai në heshtje m`i ngulte ata sytë e menduar, sikur donte të më pyeste se si t`u duk libri im. Dhe e ndava mendjen, të shkruaj diçka për krijimtarinë e tij sapo lexova përmbledhjen e porsadalë nga shtypi “Lojë hijesh”, redaktuar nga poeti i njohur zemërmadh i Tropojës, Lulzim Logu, i cili me të drejtë e quan Tahirin një kalorës të paepur dhe të pandalshëm drejt ardhmërisë së përbashkët kulturore dhe jo vetëm.
Autor i disa monografive mbresëlënëse, gjurmues i fjalës së mençur popullore dhe veçanërisht i shumë librave me poezi, ku spikat dashuria për njeriun, për vendlindjen, himnizimi i jetës dhe stigmata e së keqes, Tahir Bezhani sot ka zënë vendin e vet plot dinjitet, jo vetëm te plejada e krijuesve të njohur gjakovarë, por shumë më gjerë. Ai, me vullnetin dhe këmbënguljen e tij karakteristike, ashtu pa u ndierë dhe me atë modestinë e tij të përherëshme, ka gdhendur autoportretin e tij artistik në sytë e lexuesve kudo që të ndodhen. Në odën e madhe të poezisë shqipe, ky bir i Smolicës është ulur këmbëkryq krahas penave të tjera të nderuara, çka e vërteton edhe përfshirja e veprës së tij të zgjedhur në “Antologji(në) e poetëve të Malësisë së Gjakovës”.
Ngado që të burojë poezia, e çfarëdo shkolle a rryme që ajo të jetë, fundja edhe nga çfarëdo sistemi politiko - shoqëror që të ketë dalë, përsëri, dy komponentët e qenësishëm të saj që duhen analizuar, mbeten përmbajtja dhe forma. Natyrisht që mësë shumti, në atë që po quajmë përmbajtje, do ndikojë pa tjetër, koha, politika me shqetësimet e saj të paprera, gjendja ekonomike, aspiratat, ndjenjat, impresionet, reminishencat etj. etj. ku edhe vetë mosha e poetit ka rolin e saj. Unë jam i bindur se sikur Kosova të mos vuante nëpërkëmbjen mesjetare të serbomëdhenjve, sikur fati historik të mos i shkaktonte popullit të saj aq plagë, vuajtje, dhimbje e varfëri, edhe poezia e Tahir Bezhanit me shokë do të ishte plot gëzim e dritë, plot optimizëm e dashuri. Por s`qe e thënë: As vetë nuk e di se pse / Më vijnë qeshje të mbytura / Në vaj… (Nuk e di pse). Dhe e gjithë kjo pasi edhe: … durimi përmbytej gjymtyrëve / Sa ishte lodhur dhimbja me mua. (Lotim i djegur). Akoma më tej: Në mjegullën e mërzisë / Valët e shpirtit qetësohen / Lulishteve të varreve… (Bardhësi e vuajtur). Epo, ky shpirt i trazuar nga erozioni, kjo zemër e drynuar, ky shikim i gozhduar, kjo bukuri e shëmtuar, madje edhe ky mall i varur në gozhdën e ndyshkur, a s`janë mëse të mjaftueshme që poetit gjithçka t`i duket hije jete si anija para fundosjes? Po a nuk thosh vallë poeti francez Mallarme se “Gjithçka në botë ekziston vetëm për t`u derdhur në një libër”? E çfarë tjetër mund të hedhë në libër, një njeri që pa shtypjen, përbuzjen, varfërinë, diskriminimin, burgun, tmerret e luftës së pabarabartë apo copëtimin e Atdheut? Si të mos titullohen ciklet e tij poetike me emrat kobzi “Lotime të thara”, “Dhimbje të ngrira”, “Tkurrje jete”, “Fluturoj pas lotit” etj.? Pikërisht këtë e quante F. Nietzsche një fisnikëri par excellence dhe jo “… një llomotitje e thjeshtë sentimentale”. Brezi i lodhur i Tahir Bezhanit ka parë me sytë e vet sesi në Kosovën e zhuritur edhe dhimbja loton. Atje, në atë vend të bekuar u bënë njësh vera me dimrin bashkë. Edhe kujtimeve të poetit bije shi. Ai, i mbyllur në vetminë e tij dëgjon krisma parvazesh, përplasje kapakësh të prishur, shushurimë fletësh të librave, zhurmë kërcejsh, grykës së oxhakut të nxirë. E kupton se edhe shpirti i është tharë eshkë dhe kur del jashtë as në terr e as në dritë, mjegulla e tërheq për dore dhe ai vetë nën sqetull merr vetminë dhe ndalon atje te një kantier hedhurinash, ku dëgjon një ciatje qeni që ngatërrohet me një lypës për një kockë, pasi të dyve u ka munguar kafshata e gojës, pra luftë për jetë.
Dhe pastaj, pas sa e sa vitesh ndarjeje me tela me gjemba, kur sheh Zogajn, fshatin e nënës së tij apo Valbonën e magjishme, ai nuk përmbahet: Nuk desha të qaj / Më përmalloi gurgullima / Puhiza që përkëdhel / Si nëna fëmijën e saj / Fytyra më buzëqesh si në ëndërr / Malli më përvëlon, më përvëlon… (Loti në Valbonë). Ja pse vargu i tij çmendet, kur vegimet qëndisin fushën gungaçe të kujtimeve dhe ja pse i vetmi ngushëllim për të mbetet dasma e jetimit, ku gati bërtet: Bjeri tupanit sonte / Tupanxhi.
Dhimbja e poetit nuk ndalet këtu. Ai vajton ikjen para kohe të kolegëve të tij, Milianov Kallupit (Hajku sot ka ditë zie) dhe Ali Podrimes (Ti je gur trualli / Që të puthin / Mëngjeset e hershme).
Në ciklin “Letër babait” Bezhani shprehet te poezia “Dhoma ime” se ajo me rrëmujën e saj (po parafrazoj) ku gjithçka qan trishtueshëm, pret Van Gogun t`i pikturojë. Fare bukur. Por ai harron se edhe vetë, pa kuptuar është shndërruar në piktor. Dhe jo para ekspresionist si ai holandezi i shqetësimeve shpirtërore që e çuan te të marrët, por realist, i vërtetë, i arsyeshëm dhe me këmbët në tokë. Nga ata që gjithçka e pa me sytë e tij dhe tek e fundit që beson se ata që do të vijnë pas tij do vrapojnë pas bukurisë si Narcisi, por jo pa ndjenja si ai. Pjesë e kësaj bukurie të përjetëshme është forma që ky poet ka zgjedhur për të na zbrazur shpirtin e tij. Ka qenë dikush (Witgenstein) që thosh se “Fjalia shpreh ndonjë gjë vetëm kur është figurë.” Kushdo që e lexon librin e Tahir Bezhanit, fare lehtë e kupton se ai ka arritur një pjekuri artistike të tillë sa operimi me figura nuk të le të bezdisesh nga vargu i çrregullt. Sh. Baudelaire, autori i poemës “Lulet e së keqes” vërente se “e çrregullta, domethënë e papritura, e befta, habia, përbën një element thelbësor të së bukurës.” Poezia e Bezhanit i ka të gjitha këto elemente brenda saj, ndaj është aq e bukur dhe sidomos, aq e qartë.
Sidoqoftë, ai nuk i ndahet asnjëherë ritmit, kërkesës bazike të poezisë, sidomos tani që rimat po harrohen.
Nga ana tjetër, Bezhani nuk bije në retorizëm, ai u shmanget fjalëve dhe shprehjeve të fryra e stilit të rëndë. Po ashtu, në të gjithë poezinë e tij nuk gjen asnjë rast prozaizmi, veç patosit, pra brengës që nuk i ndahet për asnjë çast dhe apoteozës së natyrës shqiptare. Çuditërisht, aty nuk gjen as ndonjë urrejtje, pasi ai nuk i mëshon aspak asaj që quhet nemesisi i historisë, pra dëshira për të ndëshkuar fajtorët apo pasardhësit e tyre. Kjo është punë e tjetërkujt dhe jo e poetit.
Për të mjaftojnë fjalët e të mirit Sejdi Berisha se krijimtaria e tij ka bartur dhembje dhe vuajtje përmes rrëfimeve poetike që gjithnjë djegin e përcëllojnë brenda qenies së tyre. Pikërisht këto rrëfime na bindin se do të jetë më mirë.
Comentarios