top of page

POETI QË PI TAMËL NË GUR



Qazim D. Shehu

Prend Ukaj është një poet që rri në përmasën e vet,si ai lumi që ecën gjithnjë në të njëjtin shtrat, duke e thelluar atë vazhdimisht.Ai e ka nisur poezinë që herët dhe kurrë nuk i është ndarë asaj ,duke bërë me të një pakt të përjetshëm.Kjo marrëdhënie e ngushtë ka ardhur vazhdimisht duke krijuar atë njëjtësim dhe origjinalitet që e dallon poezinë e tij,e mëvetëson përmes shkurtësisë së thënies dhe metaforës,po edhe errësimit të shprehjes ,që e veçon atë si një poet modern.Kontekstualisht dhe me një gjuhë simbolesh të të shenjëzuara në largësi objektesh ,poeti e ndërton një hermetizëm të vetin ,pa qenë hermetik i thekshëm.Ai është poet i bjeshkës,lumit Drin,i gurit,barit dhe pyllit,poet që merr mitin e gjarpnit dhe e shndërron në përthekime shpirti,e nga kjo vjen kujtesa për njerëzit që s`janë më,për ikjet dhe harrimin që poeti nuk e pranon.”Tash njëqind vjet/e lexoj poezinë/tek një shtëpi e katundit”, thotë ai duke përcaktuar qartë rrethin tematik dhe interesimin e vet shpirtëror.Si poet që ngre lart pikërisht këto vlera të kujtesës dhe të peizazhit bjeshkor ai sjell në vizllime të mugëta kohën dhe paskohën, sjell dritën dhe hijen,sjell përqasje asociative që të bëjnë të mendohesh,prandaj poezia e tij nuk është një lexim konkret i pëshkrimit të hapur ,por është një lexim meditativ i sintezës së kapur në rrathë mendimorë.”Jetoj me orët/e vjedhura në xhepat e ditëve/”,thotë poeti duke shpalosur ngulshëm dëshirën dhe pasionin e fshehtë që e tundon për t`i rrëmbyer kohës mushtin e saj përmes poezisë dhe dashurisë për të.Koha tek Prendi bëhet gjithnjë një kalesë për të ecur në shtigjet e saj,për të kuptuar se çfarë peshe të madhe ajo ka,koha bëhet vetëreflektim për shumëçka ,gjë e natyrshme për një poet të mirë.Por koha nuk kërkohet nga poeti për të gërmuar në thesaret e saj të grabitura prej kërrusjes së saj;por për të kuptuar se si ikin vitet nën dramacitetin e ikjes,e në këtë hap që s`ndalet shtohet gjithnjë dashuria për jetën,për të njohurit e tu,dashuria për vendlindjen ,për të afërmit,për femrën,e të gjitha këto koncepte e gjejnë veten të rehatuara dhe komode në një shprehje fine ku shkurtësia dhe ngjeshja e fjalës e bën këtë poet të dalluar.Prendi punon në heshtje ,larg zhurmës dhe të bërtiturit,me thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e vet ai ta krijon përshtypjen e parë të të qenit poet;ai nuk shkruan poezi tribunale,as deklamative,sepse poezia e tij buron vetiu nga talenti që ka,por edhe nga misioni estetik që poezia duhet të shprehë.:”Më kërkoni në rrjedhën e ujit të një guve”, thotë poeti dhe në shumicën e poezive të tij gjejmë shkrirjen e dëshirës me parafytyrën e vendlindjes,katundin,ahun,lisin,guvat,lumin Drin,në një shteg ku “gjarpri del prej ferrës për të treguar rrugën(nënkupto jo shtëpi e vetmuar,jo shteg pa njerëz,por gjarpëri del nga ferra dhe udhën ta tregon).Çfarë deatji brilant me një zbërthim shenjëzues që shpalos dramatikën e humbjes përmes ikjes.E gjithë kjo shembëlltyrë e vendlindjes nuk është pozë,as një nevojë për t`u ndjerë mirë me këtë kuturisje shpirtërore,por ajo është vetëqenia e poetit.Dhe kjo vetëqenie harliset mallshëm guvave të shpirtit ku poeti hedh fjalët si gur për t`i zgjuar ato nga vetmia.Kështu poeti arrin të transmetojë ato drithma shpirti, siç i ndjen.Prendi i ka kënduar edhe femrës,kuptohet në mënyrën e tij,edhe filozofisë së jetë-vdekjes. Ai i këndon femrës me afshin e shpirtit malësor,me butësinë e lirizmit që shkëndijon në vetminë e kohës dhe moshës që ikën.Dhe nuk është një rrugëtim i lehtë, sepse:”Deri tek ti/i ndeza ashklat e shpirtit/kthyer në hi”;”Tek shamatë e epshit tënd/shira të shprishur/shkoklohen në mua”;po kështu,poeti fjalën mëkat e pësërit sa herë,edhe pse dashuria nuk është mëkat.Poezia e tij për jetën dhe meditimin për të, ngre sa kurthe idesh dhe përsjell aq vibrime ndjesish.”Tani banoj/në një ujdhesë të fshehtë /ku tërbohen çmenduritë”,thotë poeti.Filozofimi për gjëra ekzistenciale sjell një prirje të tij për t`u dhënë më tepër pas tyre në rrafshin njerëzor ku kuptohen dëshirat dhe pësëdytjet e poetit.Ai ka një gjuhë të pasur, që i përket të folmes gege,por ajo konservohet bindshëm në kujtesën e poetit dhe, sapo thirret në varg, vjen aty e gjen vend duke i besuar vazhdimësisë së jetës së saj.Ajrimi i fjalëve të vjetra duke i nxjerrë ato nga prangat e kujtesës është një tipar tjetër i verbit poetik të Prendit.Mund të përmend disa fjalë interesante(shkimur,katarrithem,lëmek,gërzhat,gurgoç,rrezbit,fërkem etj) të cilat rrinë si sumbulla të arta që kopsitin jelekun e poezisë.Sistemi i fjalëve i përket gegërishtes,jo vetëm në leksik por edhe si trajta folore dhe sintaksore,mjaft i kuptueshëm për çdo lexues që ka interesa gjuhësore,pos atyre artistike.Leksiku është e rëndësishme për poezinë,sepse ajo nuancon dhe këndshëm përafron imazhet e duhura duke u vënë në shërbim të tyre.Ukaj nuk e kërkon fjalën ,ajo vjen në dobi të natyrshme,dhe kjo edhe e veçanëson.Vëllimi poetik “Për një shteg marr turr” dëshmon se poeti është në kërkim të shtigjeve poetike, të hapësirave të reja që vetiu i afron magjia e artit poetik.Në këtë turr ,rendje ,ai sjell mesazhin kuptimplotë se poezia mbetet kryeudhëtarja e brengës për diçka më të mirë ,më të bukur,dhe titulli kategorizon dhe jep mundësinë e lirisë për interpretim,duke na futur në një botë të njëmendtë dhe tërheqëse.Me të drejtë mund të themi se poeti i ndodhur në parehatinë e vet shpirtërore, nuk e ka lënë fjalën të bredhë, siç do duke marrë me vete tepritë e saj të panevojshme ,përkundrazi me pak fjalë ai thotë shumëçka dhe lë vend që përmes mbylljes së fjalës të lerë hapur kontekstet dhe nëntekstet e nevojshme.Kështu,çdo poezi e këtij vëllimi mund të kuptohet saktësisht në çerdhen e vet të kontekstualiteti dhe, megjithëse poeti shpesh është dual, ai arrin që të qartësojë qëndrimet e brendshme poetike dhe të sigurojë qartësinë e nevojshme dhe kuptueshmërinë.Është një poet që vjen pas dhjetë vëllimeve poetike të botuara në kohë të ndryshme, vëllime që ruajnë përbashkësinë e tyre si tek çdo letrar,por edhe të shkruara në kohë të ndryshme përcjellin rrugëtimin e këtij krijuesi edhe si dashurues i poezisë por edhe si thurës i saj .Pa iu ndarë metaforës dhe gjuhës simbolike ai arrin ta përvetësojë figurën natyrshëm duke mbetur kështu një poet metaforik dhe përqaje të ndryshme në ngjashmëritë vezulluese të sendeve dhe objekteve që kanë ngacmuar imagjinatën e tij krijuese.Dhe vëllimi në fjalë e dëshmon këtë më së miri duke qenë një arritje për të,si një kuotë e re për t`u ngjitur më lart edhe në të ardhmen .Si një poet që “pi tamël në gur” ai di të zbulojë njomështinë e jetës edhe kur realitetet paraqiten të ashpra dhe kundërthënëse,shpreh në cilësinë e medituesit të sinqertë faktin se nga vjen,realizon ide që i afrojnë njeriut mundësinë për të menduar se varësiht prej ashpërsive dhe egërsive të jetës,di të prekë butësinë e saj,realizon një paradoks si figurë po një paradok të zgjidhshëm, sepse butësia e ndjenjës është kudo edhe pse shpesh forca dhe pathyeshmëria e saj duken si gërryese dhe dëshpëruese.Libri i tij në këtë rrjedhë vjen plot mesazhe dëshpërimi e tentimi për t`i kapërcyer ato,si një hov shpirtëror që i dorëzohet kujtesës për të marrë nga ajo çka është më jetëgjatë, dhe aktualizon edhe një herë mallin për vendlindjen,njerëzit, dashurinë e gjithçka që është e bukur në jetën njerëzore…


14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page