Poeti që merr…fundo


Agim Mato

Poeti që merr…fundo


dekorimit të poetit Agim Mato


1- Pak e dinë se jeta e Agim Matos ka kaluar mes privimeve sociale dhe shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të rëndomtat, për vet karakterin klasor të sistemit që lamë pas. Arrestimi dhe dënimi politik i të jatit, i solli si pasojë heqjen e të drejtës së botimit. Ndonëse ai pohon me sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës së botimit, solli një heshtje gati 30 vjeçare të këtij bilbilitë poezisë shqipe..

Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive…Ishte kohë brohoritjesh.. ..Dy ditë me rradhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …

Kështu shpjegohet fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korigjonte e sidomos…heshtëte si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në buzë”, duke ndënjur në prag të ëndrave...i lodhur/duke rrëzuar mbi gjymtyrët e dëshirave.../një grumbull netësh...,duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm

Dhe unë, ndërsa kujtoja dhe shkruaja këtë fakt, s’di pse nisa të rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë vargjet…Vetëm neve na kërkojnë/çertifikata virgjërie.

Kjo puna e “biografisë” së tij edhe mua më nxori disa herë “telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “ këshillonte babain, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që kishte me të birin e një të burgosuri politik”. Im atë më pyeste i merakosur se… “mos do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani që s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me faktin se para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja ime e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ja mbushte shumë mendjen. Po ja që një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik “Jug” të Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.

I qetë, sikur nuk më pa mua, duke e lënë librin në tavolinë, gjasme fliste me vete, tha:

-Po ky budalla, pse nuk ienveroskëto vjersha? Apo mos do që të kalbet burgjeve, më keq se i jati?!

Unë heshta. Ishte hera e parë që e dëgjoja tim atë të fliste kështu dhe sidomos ishte hera e parë që e dëgjoja shprehjen “enveros”.

Por ama, im atë kishte shumë të drejtë dhe unë, ende nuk e kam kuptuar, si u kanë shpëtuar censorëve vargje të tilla, si…O,si fëshfërinte mbrëmë bora/ mbi supet e dokerëvetë portit/si vinte që nga larg zhurma e mbytur e makarave/… apo…Po kur ra mëngjezi/dokerëtshkelën mbi borën e heshtur/…ku puntorët e portit, quheshin dokerë, vinçat quheshin makara etj etj.

2-“Nocioni i foljes së emërzuar fundo(nga fundos) krijon një mit…thotë Fatmir Terziu në parathënien e këtij vëllimi poetik. Fatmiri ka shumë të drejtë në këtë konkluzion, se po të lexosh me vëmëndje vëllimin poetik “Fundo” ideja nuk buron nga fjala “fund”, si psh “fundi i detit” por nga akti i fundosjes, psh “u fundos Titaniku”, ose po të citojmë poezinë “Bora e parë në jug” do përmëndim vargjet…Qyteti mbrëmë ishte fundosur/nën një fëshfëritje fluturash. Fatmiri ka të drejtë dhe në konkluzionin e krijimit të një miti nga kjo folje e emërzuar edhe duke parë figuracionin dhe kompozimin fantazmogorik të disa poezive të vëllimit, por unë si bir i brigjeve joniane do t’ju flas nga një tjetër këndvështrim për “fundon”, këtë stil të notuari dhe ca më shumë për këtë mënyrë të…jetuari dhe të krijuari.

a-Stili fundo i të notuarit nënkupton të notuarit nën ujë, si peshqit, në mënyrë që të mos shihesh nga bregu. Kjo mënyrë të notuari kërkon mushkëri të forta, që të mbajnë sasi të madhe ajri, të cilin e lëshojnë atë pak e nga pak gjatë notimit, duke lehtësuar kështu trysninë e peshës së ujit në trupin e notarit dhe zgjatur në këtë mënyrë kohën e qëndrimit nën ujë të tij. Një ditë…/do të eksploronim…skeleton e një anieje/ të kumbisur/ në një krah/…Do të eksloronim një ditë poshtë ujrave/poshtë kohës/ për të prekur me dorë vetë skeletin e luftës/që shkoi.

Nga ky stil noti ka lindur profesioni i polumbarit dhe paisjet e tij, të cilat më von ideuan nëndetset.

b-Por ne, djemtë e brigjeve joniane, nuk e vrisnim shumë mëndjen për origjinën dhe produktet e këtij stili të notuari. Më e shumta që bëmë, është se brohoritëm te filmi “Beteja e Salaminës” momentin kur, notarët athiniotë notuan me stilin “fundo” poshtë anieve armike dhe me levat që kishin marë me vete , zbërthyen dërrasat nënujëse të anieve, duke sjellur mbytjen e tyre.

Por ne nuk guxonim të bënim prova me aniet që ankoroheshin në molin e qytetit tonë.

Ne bënim gara kush notonte më gjatë e më larg, për të fituar simpatinë e vajzave të klasës apo për t’u kapardisur para shokëve, duke marrë (kështu e thoshnim ne, kështu e shkruan dhe Agimi) fundo…”Në adoloshencë mernimfundo/dhe rrëshqisnim mbi barin e funddetit/si tufa e peshqëve”, kërkonim në fund të detit relike të luftës së fundit (shumë shokë kanë gjetur armë automatike), disa fatlumë nxirnin koralet magjike nga thellësitë gjersa një ditë…filluam të kapnim vajzat nga këmbët, duke i tërhequr në thellësi të detit, ku ndonëse nën ujë, e ndjenim lebetitjen e tyre të këndëshme apo edhe pritjen e tyre për këtë tërheqje në thellësi..Aty në thellësi hapeshin pinat dhe shihnim të vezullonin margaritarët brenda tyre/si në pallate të koralta…

Po kur u afroheshim sirenave/duke mënjanuar meduzat/dallonim të habitur/fytyrat ëngjëllore të shoqeve tona…

Eh more Agim Mato, ç’na kujtove ato mote, ato mote të arta kur…Netëve ,gjumi na zinte sërish nëpër thellësira/duke shëtitur në qytetet e nënujëshme/së bashku me delfinët..

(Këto vargje mund ti kuptosh e ti ndjesh, vetëm po qe se je rritur brigjeve të detit).

c-Po stili fundo ka shërbyer edhe për disa arratisje spektakolare të bërë nga të rinj të guximshëm, duke notuar fundo drejt ishullit grek të Korfuzit. Vetkuptohet që distanca ishte e madhe dhe nuk mund të përshkohej nën ujë, pa frymëmarje. Të nxirje kokën mbi ujë për frymëmarrje, rast pas rasti, ishte e rrezikëshme. Për këtë arsye këta djem, mirnin kallama të gjatë, gati një metër, i pastronin nga brenda duke i shndruar në tuba, prej ku depërtonte ajri për frymëmarje dhe duke i mbajtur me dhëmbë të shtrënguara e buzë të puthitura në kallam, notonin nën ujë, në mënyrë që ana tjetër e kallamit të rrinte në sipërfaqe, duke siguruar frymarrjen.

Regjimi atëherë hapi legjendën e një snajperi të degës, i cili i godiste që nga bregu edhe këta kallama, duke penguar kështu aratisjen e guximtarëve. Por me qënë se nuk u demaskua ndonjë notar i kapur gjatë këtyre tentativave, ato ditë kur…. Dallonim motoskafët që tërhiqnin pas trupat pa jetë/ të moshatarëve tanë/të bërë shosh nga plimbat…, u kuptua që ky ishte thjeshtë një bllof për të frikësuar të pakënaqurit e regjimit që guxonin të arratiseshin.

3-Por poeti kurrë nuk tentoi të arratisej. Nuk e shkova ndërmënd arratinë nga ky atdhe/prej guri,prej deti, prej telash me gjëmba/edhe atëherë kur ato do bëheshin vuajtjet e mia, burgimi im”tregon thjeshtë dhe dhimbshëm poeti. Madje ai thotë me një sinqeritet që të dhëmb …Nuk doja të ikte Bilal Xhaferi/Qava kur më la në duar sokëllimën e shpirtit/…/Pse iku Kadareja nuk e kuptova kurrë

Dhe po ta thoshja, kush do ta besonte, se ky poet i shpallur “i deklasuar” e donte atdheun me shumë se ata që përbetoheshin për të (…Lëndohem kur shoh se përditë bjeret atdheu/…/dhe pse të tjerët përpiqen/ta mbushin zbrazësirën sadopak).

Por ajo që ai nuk e thotë zëplotë është fakti se, në se nuk u arratis, ai jetoi fundo.

Nuk gaboj që e them këtë dhe do këmbngul edhe po qe se dikush do më kundërshtojë.

Parafytyroni pak, ju lutem një gjimnazist të bukur e çapkën, që nuk linte dy gurë bashkë, e jo më të linte dy gërsheta vajzash pa i tundur befasisht dhe ngrohtësisht, nën kinse qortimet e tyre. Një djalë që lozte me yjet se gjithë bota ishte e tij.

Dhe befas, një ditë merr vesh se nuk do t’i jipej e drejta e studimit, se ai e paskësh biografinë të keqedhe se bursën që i takonte atij, do ta mirte i biri apo e bija e filan nëpunësi, pikërisht ai ose ajo, që i lutej Agimit t’i bënte një hartim të bukur për të marë provimin e maturës.

a-Që nga ai moment, vetë Agimi filloi të jetojë i heshtur, të mënjanohej nga disa shokë, të përpiqej të binte sa më pak në sy, mundësisht të mos dukej fare, rrinte i vetmuar dhe i menduar, vetmi dhe mendim, të cilat falë talentit, shndroheshin në vargje. Filloi të jetojë e të krijojë…fundo në detin e madh të poezisë.

“Fillonin të na buçisnin veshët/nga të rahurat e zemrës së madhe të detit”

Ilustrimi nga ana ime me vargun e mësipërm është metaforik, sepse vargu i përket pikërisht detit dhe trysnisë të peshës së tij mbi notarin, por unë ju ftoj të parafytyroni trysninë e sistemit mbi shpirtin e poetit, që të kuptoni heshtjen e tij.

Meqënëse arti poetik, me trysninë e tij, gati po i shpërthente “mushkëritë e krijimit”, ai filloi të lëshojë “bulëza ajri” për të lehtësuar këtë trysni. Filloi të botojë tek tuk poezi, të cilat tërhoqën vëmëndjen e kritikës së kohës.

b-Tashmë, poeti nisi të jetonte si në një nëndetëse, nën ujë. Nxirte në shtyp ndonjë poezi, siç nxjerr nëndetësia periskopin mbi ujë, për të parë ku janë brigjet apo luftaniet që e ndjekin. Po ja që ky dreq “periskopi poetik” reflektonte diell dhe tërhiqte vëmëndjen e dikujt, vëmëndje e cila prodhonte ca qortime e disa masa nëpër organizatat e frontit.

Falë ngatërresës së pavetëdijëshme të dikujt, diku aty lart, u botua vëllimi i tij i parë poetik “Jug”, vëllim i cili hapi një shteg të ri në poezinë shqipe. Erdhi si dallgë deti dhe vëllimi i dytë poetik “Në prag të shtëpive tona” në vitin 1974.

Por kjo solli dhe tërheqjen përfundimisht të vëmëndjes mbi emrin e tij të disa organeve të specializuara, të cilat shpejtuan të ndërmerrnin veprimet e “duhura” që u pasqyrua edhe në një qarkore të Ministrisë së Arsimit e Kulturës së atëherëshme, e cila urdhëronte heqjen e librave të tij nga bibliotekat e libraritë, me udhëzimin për t’i mbledhur dhe çuar për karton.

Ishte koha kur…çdo centimetër kub ajër që thithnim, qe i mbushur me fjalime…Jepeshin pretence dënimesh nën duartrokitjet…Ishte koha kur…lufta e ftohtë/na kishte ftohur/…si qirinjtë.

c-Le të lexojmë qysh në fillim të vëllimit poezinë lemeritëse “Pres të iki nga ky trup”, ku nuk mund të lexosh, pa u dridhur, vargjet…Ç’u bë me këtë jetë/Tani jam një lypës/që u shtrin dorën proverbave./..Në mos sot,nesër, do ta le këtë trup./E kotë është/të ri brenda këtyre eshtrave/të kalçifikuara nga vitet,nga pritja/dhe hungërimat e censorëve të dikurshëm…dhe të kuptosh ndikimin në krijimtarinë e poetit të të jetuarit… fundo

4- Por në qoftë se Agimi jetoi …Fundo…, në mënyrë të dukëshme dhe publike (sepse privatisht fundokemi jetuar të gjithë shqiptarët), merita e tij është se në atë “fund deti” ai jetonte botën magjike joniane, plot perla e pina , me sirenat pranë vendbanimit të Poseidonit, në prag të shtëpive tona. Madje si pjesë e kësaj bote joniane, ai na magjepsi me shfaqien e tij befasuese (pas tridhjet vjet heshtjeje) me librin “Fundo”.

a-Rikthimi, me dy vëllimet e fundit “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”, i Agimit, ishte si të ringrihej Titaniku nga fundi i oqeanit e të vazhdonte udhëtimin, plot leshterikë e myshqe varur në kiç e në bash dhe llum funddeti në kuvertë. Por këta leshterikë e myshqe dhe ky llum funddeti, mrekullisht kishte shkëlqimin dhe dritën e arit. Në qoftë se ne, të tromaksur (shumica, të mrekulluar) nga e papritura, prisnim plot frikë, që nga kabinat të na fanepseshin fantazmat e të mbyturve, ne na u mek fryma kur pamë se ato qenë mbushur plot perla dhe korale magjike, poetike.

Por, që të marësh perlat, duhet të hapësh pinat,që të marësh koralet, duhet të dish notin …fundo. Siç e dinë poetët e vërtetë, që e duan poezinë dhe sidomos poetin.

b-Për tu kuptuar bashkë, le të lexojmë poezinë “Llogara”:

Mjegullat flenë ditën në fund të Jonit, pranë anijeve antike të mbytura, në Gramata…A nuk të duket se edhe ti, i dashur lexues, del bashkë me mjegullën nga fundi i Jonit, për tu ngjitur në Llogara, ku duhet të keshë kujdes sepse aty…Asnjë hap/s’mund të hedhësh sepse nuk dihet në ç’epokë bie…/se mos zgjon perënditë…dhe vargu aqë i bukur dhe qiellor…Nuk gjen dot portën e asnjë ylli për të trokitur…

Le të vazhdojmë më tejë po në këtë poezi….Afër mengjesit,mjegullat zbresin sërish në Gramata/dhe lëshojnë vezët e tyre në fund të Jonit/si margaritarë në mes lëndinave të koraleve…

E pra miqtë e mi, Llogaraja është mal i lartë, por poezia tingëllon si një rahje krahësh të pulëbardhave. Figurat të “stërpikin” fytyrën me cikla vale joni dhe ndjehesh sikur del e hyn dhe ti brenda detit, te gjiri i Gramatës.

Le të lexojmë miqësisht poezinë e bukur “Jon”: Një hap më tejë fillon gjithësia

thotë vargu i parë dhe ti e parafytyron veten në zgrip të një honi nënujor. Them të një honi nënujor dhe jo të një honi malor, sepse edhe vargu i dytë ta përforcon këtë ide dhe madje të shpie në një botë magjike, gati të kthyer përmbys tek lexon…Pranë meje,palombarë që ngjiten në qiell/astronautë që cekin fundin e oqeaneve…

Dhe si për tu shfajësuarpër këtë përmbysje kokëposhtë,poeti thotë…Një botë fanepsjesh më rethon, për të dëshmuar më pas…Ç’rinte e fjetur brenda meje për vite me radhë/çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe vërshon/…në zgrip të hapësirave…..Këtu pranë meje/valët nxjerin në breg statuja/Të mos keshë mëndjen/gremisej në një kapitel drite dhe tinguj vagnerianë…Për tu mbyllur me vargun famoz …Një botë fanepsesh më rethon…që tregon artistikisht shkakun dhe burimin e këtij arti magjik. Dhe në qoftë se dikush do kërkojë më shumë hollësia, unë do ti rekomandoja të rilexojë vargun madhor…Kush jam unë?Si më braktisën kështu perënditë pagane/dhe më lanë vetëm mes sirenave që fillojnë të mbushin/ rradhët e korreve jonike të polifonisë?,për të kuptuar se poezia joniane është sa fantazmogorike në kostum mitik aqë dhe reale, gati e prekëshme përditë.

Shikojmë poezinë për mikun tonë të përbashkët “Andrea Zarballa” e cila nis me vargjet…Kur pres Andrea Zarballanë për të pirë kafen/gjithmon më duket sikur ai niset nga lashtësia për/të mbritur tek unë./Vonon pak, sa të këmbejë dy llafe me Ezopin/një sentencë me Kavafisin/ për të mbritur pas pak te vargjet tepër njerëzore dhe të dhimbëshme…Ka njëzet vjet që Andrea gatuan për Merin/në kuzhinën e vetmuar….

Nuk e kupton ku nis e mbaron irealja dhe ku nis bota e vërtetë, sepse dhe kur takohen dy poetët…në vend të cigareve/këmbejmë poezitë në gjuhët tona/unë si një De Radë/ai si një Kavafis.

5-Unë do t’ja lë lexuesit t’a shijojë vetë, pa komentin tim bezdisës, muzikën e brendëshme të vargjeve të këtij vëllimi poetik, ku ai, gjatë leximit, do konstatojë mrekullisht, se vargjet vijnë njëra pas tjetrës me zhaurrimën e ëmbël të valëve të Jonit. Dhe dallgët e mëdha të zemërimit që shfaqen tek tuk(Këngëtari zezak” me nëntitull…Ndryshojani ngjyrën / dhe do më gjeni mua), nuk e mbulojnë dot melodinë vagneriane të vargjeve. ..E ëndëronim qytetin/të ngritur si mbi këto shtylla drite

Shikoni, ju lutem, “Limani i fëminisë”, …Aty… ku…direkët u ngjanin/penave tona/që ngjyenin majat në dritën e qiellit/të pragmbrëmjes… hajdeni me mua të hyjmë në mes të tij, ndonëse...Nuk është më shtëpia ime e vjetër/…/me kasketën e çatisë/të rrasur gjer te dritaret..

Të duket vetja sikur je një sanall (varkë e vogël) dhe vërtet hyn në një liman, plot me anie e varka të ngarkuara me ëndra e shpresa, lodra e ngjarje, gati të përditëshme.Sepse duhet ta dini miq, që ne jemi bij të Jonit, lindur në këto brigje…Namatisën dallgët dhe lindëm./Djepet tona/ u ngjanin sanalleve të vogëla/të braktisura

A nuk ju duket se nëpër këto vargje dëgjoni ninullat e nënave tona, kënduar përmbi djepet tanë? Unë ju them: a i dëgjoni ju, se unë për vete i fishkëllej lehtas,apo e cicëroj nëpër dhëmbë, ndërsa lexoj këtë poemë. …Ktheheshin nga brigjet drejt shtëpivë/ashtu si zogjtë….

Të duket vetja sikur, befas limani shndrohet në një amfiteatër, në shkallët e të cilit, vargjet orkestrojnë simfoninë e jetës me një muzikë të ëmbël e magjepëse, që s’të lë të largohesh.

Shikoni e dëgjoni:

-Ja ku rreh krahët një pulëbardhë, duke stërpikur me stërkala metaforash vetëdijen tonë. …ku vinin për tu shlodhur/ pulëbardhat/dhe shkundnin nga krahët qiejt e udhëtimeve të largëta

-Ja, te vargu tjetër dëgjohet kënga e sirenave (edhe iso-polifonikeNë një shkëmb anës së detit/qan e mjera qan…), por ju mos i mbyllni veshët nga frika odisejane, se mos ju rrëmbejnë.

Dëgjojeni, dhe sidomos jetojeni këngën melodioze që valëzon nëpër vargjet poezive dhe, lerini sirenat, po të duan, edhe t’ju rrëmbejnë.

Më të bukur do t’ua bëjnë jetën.

Për këtë ju siguroj unë.

Ju betohem, me dorën mbi …librin “Fundo” të mikut tim Agim Mato.

Sarandë,më 3 Nëntor 2012.

-Marë nga libri “Kur flasim për Artin Jonian”, për tju riprezantuar poetin Agim Mato, të cilit do ti dorzohet nesër në Sarandë dekorata Mjeshtër I Madh,akorduar nga Presidenti I Republikës..


#mato #merkuri

6 views

Shkrimet e fundit