top of page

POETI QË I BIE KAMBANËS SË VET



Për vëllimin poetik ”Kambana e dhimbjes” të Bajram Canametit


Bajram Canameti është i njohur si poet me disa vëllime,publikime tekste këngësh të njohura,disa mjaft të njohura.. Në të gjitha poezitë e tij ndihet njeriu i sinqeritë. Poezia e Bajramit, përveç poezive përkushtuese si ode për njeriun konkret e në përgjithësi për njeriun si ideal, ndërtohet mbi parimin e një kontrasti befasues, ku autori gjen elementet dhe mjetet më adekuate ,që të formëzojë vargun, shprehjen dhe njëkohësisht të konturojë qëllimin bazik.Poezia e tij e mpreh nervin e saj dhe kalon përmes përjetimeve të shumëllojshme, bëhet regjistruese dhe përçuese e realitetit, paraqet sekuenca dhe tablo të tij (mjafton të kujtojmë poemën “Kohë e trishtë”, ku poeti me një timbër nolian i bën radiografinë kohës së sotme dhe ndihet në të shqetësimi qytetar që kap shumë sfera). Vëllimi mban në brendësi si përmbajtje disa motive, prej të cilave gjenerojnë ide të dashurisë për jetën si ndjenjë harlisje ndaj vendlindjes, po vihen re edhe boshësitë shpirtërore prej kujtesës(figurat e martirizuara,figurat atdhetare të anatemuara padrejtësisht,mërgimi si plagë sociale epidemike,figura- fanatazma të realitetit social-politik e të tjera). Poetin e intereson historia e trevës së tij,figura e Shën Trinisë si dokument autentik,e Skënderbeut,Ahmet Zogut,figura luftëtarësh me emër e pa emër,të gjitha në një aureolë dritë e të mbështjellë dhe të ruajtur në zemrën e shpirtin e popullit. Frymëzimi i poetit ngacmohet dhe merr hov së pari nga treva e tij, Mati, ku sheh akoma gjurmët e Skënderbeut, ndjen themelet e Shën Trinisë, përshkruan burra të fismë dhe atdhetarë, virtytet dhe zakonet e kahmotshme, i evidenton ato dhe i spikat me vargje të bukura e kuptimplote; po kështu, ai, si njohës i traditës, merr e rimerr simbolet: truall, kullë, me një konotacion të ri, e lidh. Nga Mati, treva e tij, poeti e transfiguron peizazhin dhe e kthen në lëndë poetike, i jep frymë dhe jetë, e bën më të afërt e më të prekshëm.



Ulëzës ai i drejtohet: “Përballë Deja,Mal i Skënderbeut,/anash malet përsëri/ulin kryet,mbi ty dehen/kryet çojnë përsëri”. Autori është pikturues i fjalës me element të peizazhit të bukur të Matit,të kodrave e maleve krenare plot bukuri natyrore e vitalitet historik. Peizazhi në poezinë e tij përthithet me ëmbëlsi vargu e me një duf të sinqertë plot thagmë me sinqeritet e pastërti,me shpirt të kulluar. Si poet i ndjeshëm, Bajrami është i drejtpërdrejtë,poezia e tij nuk njeh marifete e kurthe të fjalës,ajo është një bisedë e çiltër me lexuesin dhe me kohërat,me gjithçka që poetit i duket e denjë, Poeti është një satirist i lindur,me një varg që godet dhe fshikullon vese,tradhti,egërsi regjimesh,figura të gatuara me negativitet vetiu ose të injektuar nga ideologjia vrastare e kohërave të mbrapshta.Lexojmë poezi të bukura për servilët,kopracët ,mendjemëdhenjtë,sulltanët e rinj të politikës,mendjetredhurit që u shkojnë pas etj. Kjo lloj poezie ka goditje, por edhe dhimbje,deri kur shoqëria jonë do t`i mbajë nën lëkurë këta krimba të moralit? Të bukura janë edhe poezitë për Kosovën,për fatin e saj dramatik dhe heronjtë e lirisë së saj,gatuar me vlagën e dheut dardan. Këto poezi kanë një shqetësim atdhetar ,janë bindëse në trajtim,të lirshme në shprehësi ndjenjash e mendimesh.Ai, Rugovën e quan burrë të urtë “ku edhe pëllumbi merr butësi”,Preshevën “krah i prerë”,Mitrovicën”shpatull e thyer”.I këndon Adem Jasharit e martirëve të tjerë si figura emblematike të së djeshmes e të sotmes,si figura të strehuara natyrshëm në altarin e kombit. Poezitë e tij për figurat e kulturës dhe të artit mbartin dhe të krijojnë një mbresë të veçantë.Të tilla janë ato për Basir Bushkashin ,Hamdi Hysukën,Esat Rukën e figura të tjera të kulturës e të artit në Mat e më gjerë.Të bën përshtypje poezia për Mati Arefin,kushëri i Bajramit,një shkencëtar nga Remulli me banin në Paris,pellazgolog i shquar,se në penën e Bajramit rrëshqet adhurimi për vlerat ,një cilësi e poetit dashamirës,e rrallë kjo sot në vërshimet e shumta krijuese. Poezia e Bajramit është fine,plot emocion,me detaje të pasura dhe këndshikime origjinale,me vargje që rrjedhin lirshëm ,sepse ajo është e frymëzuar,nuk është e kërkuar.Figuracioni i tij metaforik me element krahasues është i veçantë brenda një ligjërimi plot kontekste dhe shtresa kuptimore që janë të hapura e befasuese. Vëllimi i tij me titull metaforik “Kambana e dhimbjes”është një libër që përcjell emocion përmes pasuri mitt ë tij me tema e këndvështrime të llojllojshme,por mbi të gjitha,për vlerat e mira ideoartistike,për imazhet që krijon,për strukturën e mirëndërtuar të vjershës dhe për shmangien e fjalëve të tepërta.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page