top of page

Poeti jeton në Durrës dhe vjen nga Devolli...


Meçan Hoxha


KADRI TARELLI, I PREZANTUAR NDRYSHE.



Shumë kujtojnë se kush shkruan vjersha është me të vërtetë vjershëtor. Po ç'i madh gabim! Në aq vjersha që dalin përditë në çdo gjuhë, sa të paka janë ato që kanë në të vërtetë frymë vjershësie!”.Faik Konica,1902

Jemi mësuar ta gjejmë Kadri Tarellin në libra voluminozë, me shkrime të gjinive të ndryshme letrare, nëpër faqe gazetash e ligjërime auditoreve, gjithmonë në prozë e rrallë në ndonjë tubim poetësh. Së fundi e shohim me një krijimtari ndryshe, më të bukur e më interesante. Kadriu na shfaqet, si poet me një libër, relativisht të vogël, që dëshmon edhe një herë se letërsia nuk çmohet nga sasia, po nga cilësia, pasi ajo është art dhe arti i të shkruarit është mjeshtëria e të shkurtuarit. Ka pasur diskutime, se gjoja poezia qenka krijimtari e moshave të reja, pasi aty gjen veten shpërthimi i ndjenjave të zjarrta.

Ka një përvojë të tillë, që shumë shkrimtarë të mëdhenj e kanë filluar me poezi e pastaj janë marrë me prozë, por kjo nuk është ligjësi. Kadriu e sfidon atë përvojë dhe i tregon lexuesit, se ndjenjat e bukura që ngjizen më mirë në poezi e këngë, nuk njohin moshë. Pastaj, Kadriu, botimin e ka shtyrë ca në kohë, jo krijimin e poezive, me të cilat ka bashkëjetuar dhe fryma poetike e gjendet në të gjitha shkrimet e tij.

Zgjodha një mendim të Konicës në krye të këtij shkrimi, se pikërisht, ky vëllim me poezi, është nga ata të paktët që, “kanë në të vërtetë frymë vjershësie!”. Në të 58 poezitë mbresëlënëse të këtij vëllimi, ka që janë shumë të bukura, origjinale e me nivel artistik të admirueshëm. Me të drejtë, poetja e talentuar, Merita Thartori ka shkruar: “…kish kohë që gurgullonte me artin e fjalës, në shtyp dhe kuvende letrare, nëpërmjet vargjeve plot ritëm, muzikë e mendim të vyer.”

Në këtë libër me poezi, Atdheu dhe shqiptaria janë kryefjala dhe refreni, nga fillimi deri në fund. Poezitë shoqërohen me nga një thënie të përzgjedhur nga mendje të ndritura, po unë do veçoj, Lukianin që shprehet: ”Është thënë qëkuri, se nuk ka asgjë më të ëmbël se atdheu”. Ka dialektikë në këtë fjali të shkurtër, që rrëfen, se dashuria dhe përgjegjësia ndaj atdheut ka qenë, është e do të jetë, përgjithmonë.

Poeti jeton në Durrës dhe vjen nga Devolli, po mendjen dhe zemrën e ka edhe në Kosovë, në viset e saj të bukura, historike e të lavdishme. Ndodh kështu, se ëndrra e të gjithë shqiptarëve është Shqipëria etnike, ndaj, kudo që veprohet e kontribuohet për këtë ëndërr, ndodhet zemra e çdo shqiptari patriot. Ka nevojë letërsia për këtë lloje krijimtarie, sepse atdhetaria duhet fiksuar në histori edhe si këngë. Poezia është edhe këngë dhe historia e fiksuar në poezi të çon më pranë mendimit të Turgenievit, të cituar në këtë vëllim: “Librat ekzistojnë për të kënaqur e jo për të vrarë mendjen”.

Libri, “Koha në vargje” është ndërtuar me profesionalizëm, me format e ballinë të bukur, redaktim e korrektim cilësor, gjetje të mençura, si sintezë e mesazheve për çdo poezi dhe, janë bërë shpjegimet e nevojshme për lexuesin. Poezitë janë punuar me kujdes, janë ndërtuara me metrikë e rimë të gjetur, ruajnë ritëm dhe, të sjellin kënaqësi, gjatë leximit. Kadriu e ka pasur këtë ndjenjë përgjegjësie që kur ka vendosu për një botim me poezi, ndaj i shpjegon lexuesit:

“Vendosa! Po bëhem poet, / Të këndoj e mos rri kot!”

Nisur nga tematika, poezitë e këtij vëllime mund t’i grupojmë si vijon: Poezi me motiv dhe subjekt shqiptarinë, problemet sociale, dashurinë dhe, të jetës intime. Sipas kësaj renditje, është dhe vendi që ato zenë në libër. Bien në sy poezitë kushtuar shqiptarizmit e, veçanërisht njerëzve e truallit të Kosovës, të cilat zënë gati një të tretat e librit. Aty, i është kënduar bukurive të truallit të Kosovës, historisë së saj të lavdishme, ngjarjeve të veçanta që përbëjnë kreshta të asaj lavdie, e heronjve që do të mbeten të pavdekshëm, për veprat e tyre atdhetare. Me të drejtë shkrimtari dhe kritiku i shquar, Shpendi Topollaj, kur vlerëson këtë libër, shprehet: ”Këtu mbisundon problemi atdhetar, e sidomos ai që lidhet me Kosovën e shumëvuajtur dhe të ndarë krejt padrejtësisht nga trungu amë.”

Poezitë në vëllim, nuk janë grupuar sipas ndarjes që po bëj në shkrim. Motivet që kanë frymëzuar poetin, ndodhen të shpërndara në gjithë librin dhe, gjatë leximit, alternohen motive atdhetarie me ato intime; motive erotike me ato sociale. Fillohet me poezinë,”Gjuhë shqipe e mëmëdhe“, që përjetohet si këngë me motiv popullor, me refren: dy emra të shquar e të dashur për shqiptarët dhe shqiptaret, ”Sevasti e Parashqevi”. I këndohet vlerës së pazëvendësueshme të gjuhës dhe shkollës shqipe, për zgjimin kombëtar dhe mëvetësinë e Shqipërisë: ”Si rrufe që shkrep qiellit, / Sevasti e Parashqevi, / Hoqët retë, i folët diellit,/ Shqipëtarkat prekën liri.”

Për Heroin, Adem Jashari e motivet që frymëzuan aktin heroik të tij e të gjithë familjes, kanë shkruar e kënduar, kanë pikturuar e gdhendur monumente. Kjo nuk do të shterojë kurrë, se nevoja për liri nuk njeh mbarim. Kadriu gjen frymëzimin e tij para asaj madhështie dhe shkruan poezinë, “Komandant Jashari, të presim, ku je?”, që e fillon: ”Bir Dardanie, zemër, gjak shqiptari, / Si shqiponjë në luftë, u hodhe i pari, / Si Meka e shenjtë, i shenjtë t’u bë varri.”

Fitorja e Pavarësisë së Kosovës nuk i ka mbyllur ende plagët e kombit tonë. Mbetet gjallë ëndrra e kahershme e bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Këtë trajton autori në poezinë, “Drini Bardhë, Drini Zi”, poezi e bukur që shquhet për metaforën brilante, mesazhin e qartë dhe angazhimin e tij: “Zi e lot sa u krip deti, / Në Shqipëri dhe trojet mbarë. / Për bashkim po thërret poeti, / Nën flamur, o shqiptarë!”

Këtë frymë atdhetarie që mban ndezur ëndrrën shqiptare dhe frymëzon brezat me lavdinë e gjakun e heronjve, përcjellin edhe poezitë: ”Djemtë e Podgurit, do ta mbajn’ bajrakun!”, ”Luftëtar Isuf Veseli”, “Mitrovicë Dardane, largoji ato re!”, “Istogu në rrëzë mali”, “Amaneti i Dervish Shaqes”, “Plisi dhe Flamuri”, “Emine Hoti, Çikë Dardanie” dhe “Kosovë, 10 vjet mëvetësi!”

Si të gjithë poetët, dhe Kadriu jeton me hallet, problemet, zhvillimet, kënaqësitë e pakënaqësitë që shoqërojnë bashkëkombasit, dhe ngre zërin si avangardë dhe flamurtar i progresit. Ai, u ka lënë vendin parësor këtyre shqetësimeve në libër, ku zënë rreth gjysmën e librit. Konflikti midis së mirës e së keqes, virtytit e vesit, egoizmit e solidaritetit, dijes e padijes janë në rezonancë me jetën e poetit dhe, përherë motive të krijimtarisë së tij. Te poezia, “Gjuha ime, gjuha jote!” preken plagë të forta sociale, shërimin e të cilave poeti e kërkon te uniteti, mirëkuptimi e bashkëveprimi, për të cilat ai mendon, se fjala e përdorur si duhet, në vendin dhe kohën e duhur, është shumë e rëndësishme. Populli ynë këtë vlerë e ka ruajtur në thesarin e folklorit të tij, me shprehje pikante si: “Kocka s’ka e kocka thyen”, “Me një llaf më bën me t’vra e, me një llaf më bën me t’majt në krah”, etj.

Mes poezive gjejmë edhe shqetësime të kohëve që jetojmë, si probleme të pronës, shtetit, (problemi social me i rëndësishëm, por edhe më i vështirë të gjejë zgjidhje), nëpunësit e qeverisjes abuzive, në dëm të qytetarit të thjeshtë, të ndershëm e patriot. Këtu dallgëzojnë ndjenjat e poetit dhe, ai shpërthen si te poezia, ”Bej isha, Bej s’jam!”: “Prona kisha, prona s’kam, / Kështu vendi nuk më mban. / Mbeta zyrave derë më derë, / ku hajduti paska vlerë.”

Te poezia me temë sociale, mban në vëmendje problemet e dhimbshme të kurbetit, që po sjellin mjerime të shumta dhe pambarim, për vendin, për familjen, për shoqërinë. Si kambanë alarmi qëndron në libër poezia, ”Baladë” , ku këto brenga të mëdha, vendosen në zemrën e nënës: “Kthehu bir i nënës, vdekja po më thërret, / Pa të parë me sy, dheu nuk më tret. / Buza belbëzon, zemra po pëlcet. / Malli për ty bir, ngadalë po më vret.”

Poezitë: “Faqeziu”, “Fjala e thënë dhe fjala e dhënë”, “Mos e thyej vargun poet”, “Thinja pleqërie”, “Nuk bëhesh i madh”, “Nusja , vjehrra dhe mullixhiu”, “Thjeshtësia”, “Kokëboshi”, “I padituri”, “I pa zoti”, “Plaku, vapa dhe gushti”, ndonëse bien në folklorizëm dhe cilësia artistike le për të dëshiruar, lexohen me endje, dhe ngjisin te lexuesi, për mesazhet që përcjellin. Kështu ndodh dhe me poezitë, “Plaku me huqe”, “Në kafe, për llafe”, “Femra moderne”, ku trajtohen sjelljet konfliktuale në shoqëri, sidomos, ai midis brezave. Ky konflikt është një shqetësim i përjetshëm i shoqërisë dhe temë e trajtuar nga krijues të gjinive të ndryshme si filozofë, shkrimtarë, poetë, sociologë, etj. Qartësisht, për këtë ka folur Aristoteli, kur është shprehur, se brezat duhet të mirëkuptohen, pasi: ”Ata mbështesin këmbët te shpatullat e njëri tjetrit”

Një linjë tjetër e krijimtarisë në këtë libër të vogël, është ajo e dashurisë. Nuk ka poet në botë që të mos e ketë lëvruar këtë temë. Kadriu është krejt origjinal, kur shkruan poezi për dashurinë. Mendimet dhe ndjenjat e tij janë të ledhatuara me përkëdhelje dhe të mjaltuara me ëmbëlsinë e folklorit, por të vetë-censuruara prej merakut të keq-interpretimit nga lexuesi. Nga ai lexues, që është mësuar të shoh, se dashuria i shpërthen prangat prej energjive që burojnë nga mosha rinore, ndërsa moshat e tjera i privon nga kjo mrekulli. Natyrshëm, që është e lidhur me moshën e krijuesve, por jo me kufij ndarës me vijë të kuqe.

Në këtë libër, autori poezitë më të bukura ia ka kushtuar, pikërisht kësaj linje. Ashtu, plot nur, duke harmonizuar drejtë raportet dhe masën e zjarrit të ndjenjave, urtësinë dhe maturinë e mendjes, gërshetuar me bukuritë e përzgjedhura nga krijimtaria popullore, i ka dhënë lexuesit poezi të këndshme që përcjellin shumë kënaqësi estetike. I gjen këto te poezitë: “Kënga e bilbilit”, “Trëndafil mbushur me gjemba”, “Gotë vere për poetin”, “Po, apo jo?”, “Manaferra nuk ka faj”, “Balluket e ballit” dhe “Dashuria thotë të dua!”. Te kjo e fundit, mbetet në mendje citati i përzgjedhur nga vlerësimet e Ajnshtajnit, për dashurinë: ”Dashuria është dritë, që ndriçon ata që japin dhe marrin… Për dashurinë, jetojmë dhe vdesim. Dashuri është Zoti dhe Zoti është dashuri”. Kurse, poeti ynë shkruan: ”Dashuria, kur thotë të dua, / Nuk bën bukë me miell hua, / S’pyet për ty, as për mua, / Shkon pi vetë, ujë në krua.”

Duke lexuar këtë libër, me poezi të bukura, ndaloj te mendimi i artë, se në letërsi, cilësia ka epërsi mbi sasinë. Ky vëllim me poezi të sjell pranë bukurinë e fjalës, ritmin dhe melodinë e këngës, mençurinë e të urtit, mësimet e të diturit, gjurmuesin e studiuesin e folklorit e, mbi të gjitha, genin e tij shqiptar, atdhetarinë. Të gjitha këto të vijnë këndshëm, të përkëdhelin ndjenjat e s’të mundojnë me mendime, po të kënaqin e të shijojnë si kafja e mëngjesit, nën këngën dhe ritmin e valëve të detit.

Autori, nuk është mjaftuar me emrin në ballinë të , po ka mbjellë e arkivuar artistikisht, pjesë të karakterit, ndjenjave, dijes e kulturës së tij qytetare e njerëzore. Rrëfehet si vëlla i çmuar, si shok e mik serioz e mirënjohës, si koleg i vyer e si njeri që e jeton kohën me veprimtari permanente. Në poezinë, “Ora e vëllait” shkruan: ”Në xhep të jelekut, orën mbaj përherë, / Vakt pa vakt e hap, kohën me të mat. ? Kjo dhuratë e vogël, paska shumë vlerë,…” Dhe për mikun, Shpendi Topollaj: ”Ti o Shpend, me shokë shumë, / Nuk e di, kur bën pushim, / Se, dhe natën kur fle gjumë, / E braktis për një shkrim”. Ndërsa, kolegët poetë i qorton me poezinë e bukur, “Mos e thyej vargun, poet!”, ku u lutet të mos rendin pas modernizmave në dëm të poezisë së vërtetë, të bukur e shqiptare. Sa bukur vjen vërejtja: ”Mos godit vargun, i dashur poet! / Zhurma e tremb melodinë! / Në je fisnik dhe mbret mbi mbret, / Dëgjo mbretëreshën violinë!”.

Te poezia e bukur, “Një vend për Aleksandër Moisiun!”, ndjehet zëri i zemëruar i poetit, si thirrje për të shprehur një shqetësim e kërkesë mbarë qytetare. Me metafora të qëmtuara, ashtu ëmbël e thartë, ngjiz aktorin e famshëm me mjediset e qytetit dhe u kërkon autoriteteve, se duhet të bëjnë më shumë për ekspozimin e tij, dhe jo për Moisiun, po për qytetarin Artist. Të njëjtin respekt e adhurim shpreh për Driteroin e Kadarenë, në poezinë, “Agolli e Kadare”, ku, midis të tjerash lexojmë: ”… Jeta u shkoi këngë, shqiptarisht kënduar, / Juve ju njeh bota, prej jush edhe ne, / Çdo shqiptar me zemër, tek yjet ju ngre.”

Dhe, vjen qershia mbi tortë, poezia e fundit e këtij vëllimi, “Dua të prehem”. Poeti, nëpërmjet artit të tij, zbraz ndjenjat e rrëfen për lexuesin, se ç’ dëshiron për t’u qetësuar. Zgjedh lulet, retë, yjet, verën, valët e detit, hënën, rrezet e diellit, librin, gazetat dhe buzët e një ezmereje.

71 views1 comment

1 comentario


kadritarelli
05 ene 2021

Pershendetje dhe falenderim z. Meçan Hoxha, autorit te ketij shkrimi analitik-letrar-poetik. Së pari, per vemendjen ndaj poezise dhe krijimtarise sime. Së dyti, gjetjen e mendimit poetik dhe metaforave te perdorura ne çdo poezi. Se treti ndarejn sipas tematikes: atdhetare, sociologike, dashurore dhe problematika e dites me te cilen ndeshemi ne çdo skute te jetes sone.. E gjej me vendterheqjen e vemendjes, se gati 1/3 e librit i kushtuhet Kosovs dardane, te cilen e kam vizitura gati 2-3 herë në vit, ku jam njohur me historine e saj heroike dhe tragjike.. Mirenjohje autorit per kete vleresim.

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page