top of page

POETI I REVOLTËS DHE GUXIMIT ARTISTIK


Shpend Topollaj

SAZAN GOLIKU - POETI I REVOLTËS DHE GUXIMIT ARTISTIK

Poezitë e renditura në vëllimin “Gjysmëdielli” të autorit Sazan Goliku (Pandeli Koçi), të cilat më shumë se kaq do t`i quaja pamflete, më sollën në kujtesë atë pyetjen që i bënë dikur poetit të shquar rus, Vladimir Majakovskit për “Re me pantallona”, se “Si bën që i lidh bashkë dhe lirikën dhe arrogancën e madhe?” Nga natyra, Sazani nuk është poet i tribunave dhe i të dukurit, madje ai është njeri i butë deri në brishtësi, por kur vjen puna tek evidentimi, mospajtimi dhe demaskimi i të keqes, ai sikur përmendet se ka lindur në Vlorë dhe nuk ngurron aspak të shkruajë dhe të godasë pa mëshirë. Kjo është edhe arsyeja, përse këtij autori të njohur për dashurinë e tij për lirikat, poezitë e këtij libri t`ia quaj pamflete. Sazani e bën këtë me guxim artistik, duke synuar gjithsesi të mbesë vetvetja. Nisur nga kjo ai te poezia “E ardhmja” pyet nëse vargjet që thur do të kenë ADN- në e tij, se në të kundërtën “…paskam mbetur / një hije e të tjerëve, / atëherë flaka e harresës / le t`i shkrumbojë”. Poeti e di se nuk ka zot të deshifrojë morsin e ekuacionit luftë - paqe - luftë, por e di mirë se paqja është e pakët dhe lufta e gjatë. Sikurse e ka të qartë se paqja na mban gjallë, dhe lufta veç kujtohet. Por, në këtë botë ku kujtimet e luftës shëmtojnë edhe bukurinë e paqes, na ka qëlluar të jetojmë. Dhe ndeshja mes njerëzve nuk është vetëm me armë, por edhe mes të mirës e të keqes, mes virtytit e vesit, mes ndershmërisë e padrejtësisë, mes morales dhe zhvatjes…




A e ndryshon dot këtë me filozofinë e tij plaku manshetëngrirë e mendjedet Hegel që në këtë vrimë të zezë nuk e gjen dot Zotin? Jo, aspak. Atëherë, ç`do të bëjmë? Ja përgjigjja e poetit: “Sa të rrojmë të rrojmë si njerëz / edhe brenda kontradiktës”. Mirëpo nuk mendojnë të gjithë kështu. Nuk mendojnë kështu pasunarët e pangopur, që ashtu si qentë që kacafyten, harrojnë se vetëm kockat e kokallat do t`u mbeten. Këtu poeti sheh burimin e të gjitha ligësive. Prandaj, po të jetë për atë, do të dëshironte të ishte “përrua i rrëmbyshëm / të përmbysja dhe të përlaja / gjithë papastërtitë e padrejtësitë e botës”. Pra “do të desha të isha ai që nuk jam”. Se mjaft kishin dashur ta bënin dikur gjatë diktaturës, “njeri të ri”, ndryshe nga ç`ishte dhe nuk ja kishin dalë. Por kishte qenë vetëm një eksperiment i gjatë tragjikomik, ku me kostumin e dasmës edhe të varosnin, dhe nga i cili na hodhën në arenën me emrin “anarkodemokraci”. Dhe ja sesi shprehet poeti te “Këpucët e grisura” për vete dhe për të tjerët: “U nisën / këpucët e mia / të shkonin / drejt Lindjes, / por era e akullt / i flaku në plehra. / Sërish u shkundën, / e hoqën baltën, / u bojatisën. / vrullshëm u lëshuan / dhe morën udhën / e Perëndimit. / Ashtu të çara, / me thembrat e ngrëna, / u futën të kalonin / ujin e madh / …dhe unë mbeta aty ku isha / këmbëzbathur…” Dhe ç`vjen nga e gjithë kjo? Apo po përsëritet vaji i tullumbave të grisura të Lulit të vocërr të Migjenit: “Barku i zbrazur ka aftësi magjike: / Ta fut kokën në prapanicë, / ta ul kokën aq sa balli puth gjurmët e ujkut, / ta bën gjuhën si të papagallit, / të qeshësh kur duhet qarë, / të qash kur duhet qeshur, / të vdes kur duhet jetuar. / Goja e hapur - / kamare e turpit.” Dhe a ka ilustrim më të goditur se ai te poezia “Rekuiem për minatorët e Bulqizës”? Atje burri lë fëmijët zorrëtharë dhe futet galerive të kalbura, pa mundur të kthejë si alkimistët kromin në bukë, të lërë edhe jetën në thellësinë e tokës që e lindi dhe spikeri i TV - së mjaftohet në darkë të njoftojë shpërfillshëm lajmin e vdekjes. Dhe shpejton, se vipat pa emër të “Big Brodher” (do më falni, por do e citoj ashtu siç është shkruar), do shkërdhehen ekraneve. Ndërsa “bythëheqësit” që thonë vetëm “të vërtetën” vazhdojnë të akuzojnë njëri - tjetrin për hajni. Për ata më shumë rëndësi kanë sfilatat me kostume dhe kravata të shtrenjta sesa halli i madh i popullit mjeran. Dhe vazhdojnë të harrojnë (si me kockat e kokallat), se “Edhe zvarranikët edhe fluturakët / në tokë i kanë varret”. Nuk ka sesi të ngjasë tjetërlloj pasi ky është “Peizazhi” i trishtuar i kënetës shqiptare: të rinj që vrasin kohën nëpër bare, duke vrarë librin dhe të ardhmen, fëmijë që nuk e dinë udhën e shkollës, kullosin lopën e delet, mbledhin kanoçe, shesin cigare e çakmak, lokaleve të lodhura me qurrat e ngrira nën hundë dhe që kanë harruar se janë fëmijë. Vjen kjo pasi nga fjalori politik i prostituave politike të salduar pas karrigeve janë hequr fjalët Ndershmëri e Dinjitet. Me plot gojën mund t`i quajmë të tillë e ndofta edhe më shumë, pasi ata e kanë lëshuar edhe Atdheun në duart e të tjerëve. Servilë të ndyrë e frikacakë të përulur, ata nga fjalori kanë fshirë edhe fjalën Sovranitet dhe kjo është ndofta më e rënda, pasi do të na shpjerë me siguri drejt hiçit, pavarësisht pallavrave se do ndërtojmë parajsën. Dhe kush na i thotë këto? Ata që nuk lënë biseda e fjalime pa përmendur dhe pa u betuar për Zotin. Oh! ç`tallje! Por mirë a keq, poeti e di se “Këtu është mëmëdheu dhe atdheu im” dhe “Për këtë nuk do të iki … si stërgjyshi, gjyshi dhe im atë.” Por shqetësimi i poetit i tejkalon kufijtë tanë zyrtar që i preu ajo thika e diplomacisë hileqare europiane, e cila sidoqoftë edhe pse krijoi çudinë e padëgjuar; kufirin shqiptaro - shqiptaro - shqiptar, nuk e preu dot zemrën. Ai ngre zërin e protestës për të drejtat e Kosovës, evokon dhimbjet e saj. Dhe haptazi shtron pyetjen e natyrshme: “Dardania ilire / do të mbetet në udhëkryqin e pakohës apo / do të bëhet zemra e re e Europës së rinuar?” Dhe shpreh bindjen se pavarësisht dallavereve për përdhosjen e Luftës heroike të UÇK - së, në peshoren e Perëndeshës së Drejtësisë, bijës së Zeusit Dikea, koka e Adem Jasharit do të barazohet me Lirinë. Por tek e funndit, kushdo duhet ta dijë se nga barqet e zbrazët, nga vargjet e lira, nga gjaku i barktharëve dhe flatrat e mendjes së hapur, do burojë si llavë egërshane revolta. Dhe ka një poezi të titulluar “Thirrje” ku autori kërkon ndihmën e metrikës. Ai mjaft qartë u drejtohet njerëzve: “Nga një rreze ngrohtësie / fije barit botën tund / Zemërim, shtrëngoi dhëmbët, / hapi sytë e krahët shkund!” Ja, ky është roli i poezisë, dhe detyra e poetit në krijimatrinë artistike, kur ai e kupton para të tjerëve rëndësinë e proverbit romak “Est modus in rebus”, pra “Ka masë çdo gjë”. Shpend Topallaj

63 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Jan 15, 2023

Urime Shpendi. Nje shkrim pamflet siç e pwlqen Sazan Goliku. Analize e holle artistike dhe filozofike.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page