top of page

POETI I METAFORAVE TË BUKURA


ENTON BIDO

SHPENDI TOPOLLAJ


ENTON BIDO, POETI I METAFORAVE TË BUKURA

(Rreth përmbledhjes poetike “”Fëmijë të dritës”)


Në qoftë se poezia s`është tjetër veçse arti për të shprehur në mënyrë të figurshme mendimet me anën e fjalëve, atëherë është i kotë si diskutimi ashtu dhe debati për ndryshimet mes poezisë së traditës dhe asaj moderne apo vlerat që ato mbartin në vetvete dhe përparësitë që njëra ka mbi tjetrën. Po të ecim me këtë llogjikë, atëherë diskuri duhet shtyrë edhe te piktura, skulptura, arkitektura, muzika etj. Por tani ato janë pranuar jo thjesht si prirje a rryma apo dhe izma qoftë, por si pjesë e zhvillimit të vetë jetës shoqërore, shijeve estetike dhe zhvillimit kulturor të popujve, pa folur për vetë formimin e autorit. Gjithmonë ka pasur përpjekje të parakalimit të arritjeve në fusha të ndryshme, ka pasur kundërshti, akuza, madje dhe sherre pafund, por gjithmonë e reja ka zënë vend me dinjitet në krah të asaj që sundonte shijet e opinionit. Sa për ilustrim, mjaft të kujtojmë fatin e impresionizmit a kubizmit apo ndërtimin e Kullës Eifel e më pas të Piramidës Pompidu në Paris. Prandaj, të vrasësh mendjen edhe sot e kësaj dite, në ia vlen të zhvillohet letërsia moderne në përgjithësi dhe poezia moderne në veçanti, s`është tjetër, veçse humbje kohe, pra diçka pa asnjë vlerë. Dihet se vetë abstraksionizmi lindi nga ideja për t`ju larguar pasqyrimit objektiv të realitetit, pasi ai nisi të quhej si një kopjim natyralist i vetë jetës. Dhe termi hermetizëm, jo më kot e huazoi emrin nga mitologjia, pra nga periudha kur lajmëtari i perëndive i kohës Homerike u shndërrua edhe si perëndia egjiptiane e magjisë, Toti, menjëherë pas pushtimeve nga Aleksandri, kur në Azi, por edhe në Egjipt, lindën shtetet greke. A nuk është dhe vetë arti një magji? Se a mund të mos duket e tejkaluar sikur dikush të shkruante sipas kërkesave të rubaive të Khajamit, rondove të mesjetës franceze, soneteve italiane, karmeve të Ugo Foskolos apo rregullave të ngurta të kasideve që praktikonte Frakulla. Epo, e gjithë bota e ka pranuar si pjesë e përparimit të saj modernizmin; si kudo edhe në poezi. Janë disa nobelistë që e kanë fituar këtë çmim nëpërmjet krijimeve të tyre sipas kërkesave të tij. Për kritikën, por edhe për masën e gjërë të lexuesve, rëndësi ka që poezia të jetë e bukur në mendime, në figura, në mesazhe, në kulturë dhe sidomos në trajtimin e temave dhe problemeve të përditshmërisë. Ca më shumë që ata që joshen prej saj dhe e ndjekin atë, tani janë të arsimuar. Kështu që askujt nuk mund t`i japim të drejtë, kur akuzojnë ata që nuk shkruajnë sipas traditës, apo më thjeshtë, sipas rregullave e mënyrës klasike. Lexuesi duhet edhe vetë ta vrasë mendjen, pa pasur nevojë për atë moralin përmbyllës apo shpjegues të autorit. I thashë këto pasi konstatova se edhe poeti Enton Bido, i tillë ka mbetur qysh nga libri i tij i parë me poezi “Psikoqiellore”, për të cilin kam shkruar. Pak i vështirë, por me një vështirësi të mençur na shfaqet edhe te libri i tij i nëntë me titull “Fëmijë të dritës”, botim i “Jozef” 2020, ku ka përfshirë edhe përkthimin korrekt të poemës “Edhe njëherë për lumin” të rebelit Zhak Prever (Jacques Prevert). Poezitë ndërpriten me disa proza poetike të shkurtra e plot ndjenjë, ku në fillim, nëpërmjet metaforave mjaft të goditura, ai, në këtë kohë mërzitjeje sheh tre fëmijë, të cilët i japin gëzim, ndaj dhe i quan fëmijë të dritës. Më tej, loti i motrës i shndëruar në pellg, i kthen vajzës buzëqeshjen sapo foshnja vendos atje një varkë letre, paçka se në të kishin hipur një korb dhe një pëllumb. Kur udhëtarët bisedonin ngeshëm dhe vënë re një mal në mes të detit që e marrin si shenjë fundbote, luten “Ruajna fëmijët, të dashurit, ardhmërinë!” Ketrat teksa hidhen degë më degë dhe papritur bijen, i ruan një dorë e zgjatur shpëtimtare reje që dukej si mjekra e vetë Zeusit. Albatrosi i sjell lehonës si dhuratë një djep prej puplash, me shpresën që dhe fëmija i saj të fluturojë si shpendët. Te skica “Lutje Lutjepranuesit” poeti pyet “Mos vallë jemi ne që jetojmë e frymojmë në një botë mbireale dhe të hamendësuar dhe të tjerë në një botë të vërtetë?” Se poeti nuk jep për gjithçka përgjigje. Edhe atë e mundojnë pyetje pa përgjigje. Ndaj thotë: “Kthjellona sytë e mendjes, Lutjepranues!” Përsa i takon poezive, ato rrokin tema kryesisht të gjendjes së tij të brendshme. Ai, nuk e sheh as botën dhe as jetën si të tjerët. Për të, zëri që vibron “është dritë, fosfor eshtrash a tambël yjësie?” Ai edhe vetë nuk e di se “ku zhduket gjysmëshpirti, në trup a hiçmosgjë”, se edhe vetë ende endet hapësirës, pa marrë gjegje nga zemra e errësirës. Dhe jo vetëm ai, por edhe vetë koha bëhet e parrokshme dhe i “shkon nëpër gishta si grimëçasti në shkretani të pafundësisë”. Dhe nuk është për t`u çuditur, pasi “Gjithëbota e njeriut / lë gjurmë në Kohë / sa një psherëtimë”. Prandaj jepini vendin që i takon Kupidit (Amuri, Erosi), ashtu siç i dha atij Hesiodi te “Teogonia” e tij. Ai ishte perëndia e krijimit që duke fluturuar me flatrat e tij të arta dhe duke goditur zemrat me shigjetë, mbillte ngado gëzime dhe te poeti vargjet: “Mos të biesh në dashuri me ty / është sikur toka të mos i bindet rëndesës / dhe uji të mos avullojë ajrisë”. (Si në ditën e parë të krijimit). Po ta shohësh hollë, poezitë e Enton Bidos, s`janë tjetër veçse meditime. Meditime nga ato, shpesh dhe absurde, që gjithkujt, sipas mundësive të tij intelektuale ka, i vinë rrotull. Por ai i ka latuar ato, u ka dhënë forcë shprehëse, ka krijuar figura interesante dhe pak a shumë i ka kodifikuar, pa rënë në vulgaritete, pra duke folur butë, kuptueshëm dhe duke treguar se poezia kur është e bukur, s`do paragjykuar nga forma e saj. Në libër, sikurse thashë më sipër është edhe poema e Preverit. Edhe ai, jo vetëm me skenarët e tij por edhe me vargun e çrregullt e magjepsi lexuesin francez dhe atë botëror. Mund të mos kesh qenë në Paris, por ai të bën të besosh se po shëtit nëpër Senë. Dhe një meritë për këtë ka dhe përkthimi korrekt, elegant dhe gjithmonë poetik i Enton Bidos, i cili ka përkthyer më parë edhe veprën e disa autorëve të tjerë.

59 views2 comments

2 commentaires


buzonadire
buzonadire
25 déc. 2020

Nje analize shume profesionale e shkruar me shume kulture dhe dashuri per artin, ashtu si di te shkruaj gjithmone Shpendi. Urime dhe suksese poetit Enton Bido dhe shkrimtarit Shpendi Topollaj!

J'aime

kadritarelli
25 déc. 2020

Urime Shpendi! Nje shkrim vleresues i kendshem por edhe sqarues per poezite e poetit durrsak Enton Bido. Eshte mese e vetrete se dielli ngroh per te gjithe dhe ka sofer te madhe, ku mund te ulen poete dhe shkrimtare te te gjitha rrymave letrare. Lendina vetem me nje lule do dukej jo e bukur, hijeshine dhe freskine e shtojne lulet me lloje dhe ngjyra te shumta. urime dhe suksese edhe Entonit!

J'aime

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page