Poeti, dhe shkrimtari shqiptar Faslli Haliti ka ndërruar jetë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 16, 2020
- 9 min read

Poeti, dhe shkrimtari shqiptar Faslli Haliti ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare
Poeti, dhe shkrimtari shqiptar Faslli Haliti ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare. Një humbje e madhe kjo për botën e letrave shqip, pasi Haliti konsiderohej një ndër penat më të rëndësishme të letërsisë sonë.
Faslli Haliti ka lindur në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale.
Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht.
Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” – 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”. Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.
Përtej përmasave të vargut të Faslli Halitit…
Fatmir Terziu
Abstrakt
Nëse Gete është cilësuar ‘dëshmori i humanizmit’, poeti Haliti dhe poezia shqiptare e tij kanë dyfish arsye për të qenë miti i vetë jetës. Dhe nëse ‘në jetë Gete ishte subtil dhe direkt në poezi ai është edhe më i afërt, më i imponueshëm, më tepër bindës, më shumë fjalëpakë, por

kuptimplotë’, në mënyrë tangentale gjejmë se poezia, jeta dhe tërë dinamika e mitit të krijimtarisë së Faslli Halitit është një rrjedhë që sintetizon parimin më të madh e më të sinqertë të jetës mes modestisë dhe sinqeritetit. Tek Getja janë vënë re ‘dashuria, paqja, mirësia, dëlirësia, drejtësia si kryetema të të gjitha poezive të tij prej a deri në zh’ në një paralele sintetike mund të kronizohet si një teoremë edhe poezia dhe jetikja e këtij poeti të mirënjohur shqiptar. Tejrëndësimi i besimit të Getes në lëvizjen njerëzore, rifunksionimi i tërë aspiratave kategorizuese, dhe ndërmarrja subsekuente në tërë produktin e tij janë marrë si konsiderata analoge në poezinë e Halitit. Temat me të cilat influencohet ajo, pra poezia e Halitit, janë konsiderata paralele me Geten, natyrshëm në funksion të disa tematikave që lidhen me motivimin e fuqisë, dhe kontekstet e besimit për të forcuar bindjen edhe tek asketicizmi aktiv në varg.
Haliti, vargu i tij dhe asketicizmi poetik
Faslli Haliti, padyshim është poeti që meriton respekt dhe vend të veçantë në poetikën shqiptare. Jo thjesht ‘fatit’ të tij dhe poezisë së tij të dënuar në një periudhë konvaleshence ideologjike, ku iu hoq e drejta e botimit, por për faktin se ai është vetë modeli që na dikton të kapim kohën në kohën e duhur, edhe kur për vetë kohë-poetikën e jetës asnjëherë nuk është vonë. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH-së. Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashri” të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhrin “Naim Frashri” i Artë. Është “Qytetar Nderi” i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut. Por, më parë se të bëj lëvizjen sqaruese të kësaj analize të poezisë së Halitit, dua të sqaroj disi që në fillim pse asketicizmi është i lidhur me poezinë e Halitit aq edhe me dualitetin ndjesor e perceptues me filozofinë poetike të Gëtes? Asketicizmi (nga greqishtja: ???????, ásk?sis ”, ‘ushtrimi’ ose ‘trajnimi’) përshkruan një mënyrë jetese të karakterizuar nga abstenimi i disa kënaqësive të ndryshme të kësaj bote, shpesh me qëllim të arsyetueshëm, e të diskutueshëm shpirtëror, në disa raste edhe fetar. Në poezi asketicizmi nuk është lidhje teorike me fetarizmin apo me besimin fetar, por një arsye që ndërlidh jo refuzimin e gëzimit të jetës, apo atë si një praktikim që ka si thelb një refuzim të saj, apo edhe për shkak se praktikat janë të virtytshme, por si një ndihmë në ndjekjen dhe përndjekjen shpirtërore të gjërave. Pra, asketicizmi i poetit Haliti dhe ai i poezisë së tij është dashuria, zemërgjerësia, çiltërsia dhe tërë dinamika njerëzore në funksion të talentit, ngritjes së tij dhe ndihmës ndaj tjetrit që mirëkap dhe tejçon me forcë fuqinë shpirtërore të vargut. Në disa raste kjo lidhje e këndvështruar mbi parimin e poezisë Getiane, ndodh të rreket në dimensione që kanë të bëjnë në thelb me përmbajtje të ngjizura me veprimet e trupit (gjuha e trupit), të folurit, dhe mendjen. Le të shohim si fillim poezinë e Halitit “Të dashurat e mia”. Poezia nis në kohën që ekzistenca e poetit shënon ‘sot’, shënon një ndajfolje kohore, tek e cila më pas lëvrin dhe vërtitet Homeri dhe leximi i tij. Janë pikërisht dy veprat madhore të Homerit (Iliada dhe Odisea) ato që mbushin mendjen e poetit me imazhe heronjsh. Deri këtu duket qartë se asketicizmi s’ka qasje të drejtpërdrejtë. Janë thjesht imazhe. Imazhe që krijohen si perceptim i leximit. Por, në thelb ato imazhe që krijohen tek leximi i autorit, por edhe tek vetë lexuesi i poetit, janë imazhe të lashta, të arta, janë imazhe që sjellin kultin njerëzor të trupit që fiksohet me mjeshtërinë peneluese të poetit duke filluar nga fytyra, gjoksi, dhe më tutje është ajo që përshpirt lidhjen mes gjakut të trojanëve dhe akejve. Sakaq vjen zjarri i Trojës që i përcëllon sytë dhe këtu lind Helena, pikërisht anatema me të cilën ne kuptojmë dashurinë, por edhe tradhtinë, me të cilën ne lidhim marrëveshjen e jetës dhe respektit, me të cilën ne sendërtojmë edhe metamorfozat e lidhura tek fjala ‘divorc’. Pra në këtë pikë është dimensioni i besimit, respekti njerëzor, edhe pse sfidon dhe sfidohet nga termi dhe funksioni semantik i dashurisë:
“…Helena/Gati më divorcoi me gruan,/Penelopa ra në dashuri me mua…/Odise dinaku/Odise rivali/Më ngriti/Një kurth të drunjtë,
Një kurth dinak kali,/Akili/Më thirri në duel,/(Më mori për Hektorin),
Çirçja/Më kërkoi një puthje,/Kasandra me tha:Mos!”
Këtu shihet qartë jo vetëm kuptimi i askëtizmit në vargun poetik, por edhe lidhja me Geten, teksa dimë që Gete mësoi dhe shprehu tek Divani Perëndimoro-Lindor një kuptim fare të thjeshtë dhe më të drejtë të këtyre virtyteve në jetën e përditshme, jashtë kornizave të joorigjinalitetit dhe ngurtësisë. Le të vazhdojmë më tej me vetë poezinë e Halitit për të formësuar qartë deri në detaj arsyen logjike me të cilën konsiderata vjen mes faktit:
“…Parashikoi kthimin tim në derr.
Dhe unë s’e putha magjistricën
I besova zonjushë Kasandrës menjëherë.
Shpëtova…”
Ajo që studiuesi Hali Ibrahimi na dikton teksa rrok detajet e Getes në këtë frymëmarrje jetike, tejlidhur me humanizmin si virtyt, na qartëson më tej edhe disa detaje të tjera në afinitet. Ibrahimi përzgjedh për të na dëshmuar: “Në një letër dërguar Lavaterit më 1776 Gete shkruan : “ Unë jam duke lundruar në dallgën e botës…i vendosur për të zbuluar, për të fituar, për të luftuar, për të dështuar apo për ta hedhur veten në erë’. Dhe njëmend, i gjendur midis turmës së realitetit të vrazhdë evropian në ndërlidhjen e jetës shoqërore e personale, dhe mbase falsitetit letrar e ideologjik që e kishte përfshirë gjithandej truallin letrar të Perëndimit, Gete ngrihet papajtueshëm përmes këtyre dallgëve, me shpirtin e dëlirë e të ndërgjegjshëm poetik ‘i vendosur për të zbuluar’ vetë çiltërsinë e botës e jo për të pranuar gjëra të servirura, ‘i vendosur për të luftuar’ qoftë rezultat i kësaj lufte edhe dështimi apo vetasgjësimi. Por ai jo vetëm që nuk dështoi as nuk u harrua, por duke shestuar një shpirt të ri vërtetësie, jo vetëm në poezi, u ngrit në piedestalin e legjendës letrare dhe humane.”(Halil Ibrahimi:Gete, Islami dhe poezia)
Por ndërsa sipas Ibrahimit dhe mjaft të tjerëve është shkruar mjaft për Geten si poet, është shkruar mjaft edhe për Geten si njeri, për lidhjen e poezisë së Halitit apriori me fatjetën dhe dihatjen e saj në vargun poetik është thënë pak ose tangentalisht. Mbase është Kadare i pari që shkruan duke kuptuar qartë lidhjen mes perceptimit tonë: “Faslli Haliti mundohet t’i përshkruajë ato ( ngjarjet ) në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllone poetike…, Natyrisht kjo është një gjë shumë e vështirë…, por disa herë e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer…Duhej të këndoja i pari, e di”… Faslli Haliti, duke iu shmangur uniformitetit që vihet re në vjershat kushtuar aksioneve, në një mënyrë sa origjinale aq dhe të thjeshtë shkroi këtë vjershë të bukur. (Libri “Autobiografia e popullit në vargje” 1970).
Kompleksi i gjërave, tipikja dhe tipologjia
Kompleksi i gjërave që veçojnë poezinë e Getes si dashuria, paqja, mirësia, dëlirësia, drejtësia, janë në dukje edhe kryetema të mjaft poezive të Faslli Halitit. Në poezi të tilla si “Mosmirënjohje”; “Mëkati i pranverës”; “Përmbytja”; “Në fëmijëri”; “Zhurma”; “Ligji”; “Zemra”; “Monologu”; “Fushata”; “Deputete e bukur mos u shëmto”; “Ligji”; “Pushtetarët tanë”; “Pres…”; “Po mua”; “Xhepat e mia”; “Kurora”; “Dje”; “Si duket”; “Sundimi”; “Po ju”; “Qershitë e buzëve” etj., janë parametri i qartë i kësaj aksiome që lidhet apriori me forcën e jetikes dhe humanes së Getes. Është edhe pikasja e hershme e Dritëro Agollit që shprehet se “Poezia e Faslli Halitit nuk ka firo. Ka gjëra gjë jetojnë gjatë. Tipar tjetër është tendenca e fortë në estetikë, shpirt qytetar, patriotik. Dihet se te çdo njeri fle një luan, por e gjithë puna është se kur zgjohet ky luan te njeri e te tjetri. Te Faslli Haliti, luani është zgjuar herët. Poezia e Faslli Halitit të habit. Na ka habitur në sistemin socialist, na habit edhe sot në sistemin kapitalist. Është thirrje për të vërtetën dhe drejtësinë sociale, përmes metaforës.” Pra është poezia që sjell këtë kompleks gjërash, sa në vetën e parë, aq edhe në një mjedis të përgjithshëm, ku filozofia e fuqisë minimizohet dhe lartësohet vlera e forca e vargut. Këtë fuqi të vargut e ndeshim në të gjitha format e saj. Më e ndjeshmja është onomatopeja e vargut të Halitit, ajo forcë zërash të brendshme e të jashtme që sjellin e forcojnë zhurmën e natyrës, forcën zanore të qenieve të gjalla, miteve që lëvrohen dhe lëvrojnë mes vargut tipik dhe tipologjik të Halitit. Kështu ndjejmë dhe forcojmë atmosferën me të cilën lidhet kuptimi i poezisë:
“…Pyet mbreti/Në grahmat e fundit:/Kujt ia dha djathin e bardhë sorra e zezë,/Oborrtarët e mi?/Sorrakut të saj/Madhëri…” (Kurora)
Autori di të masë kohën dhe ta klasifikojë atë në mesazh për kohërat. Pra është ajo që kam theksuar edhe më parë, ajo që lidhet me tipiken dhe tipologjinë e vargut të Halitit, ‘poezia e Halitit, natyrshëm komunikon me kohën e shkruar të saj dhe lartësohet fuqishëm duke zënë vend dhe shtrat të duhur në majat e letërsisë shqiptare. Poezia e tij, që nisi rrugën në vitet gjashtëdhjetë, natyrshëm mbeti një poezi që gjeti vetveten, veçorinë dhe sot u motua si një poezi jo thjesht si mbijetesë, por si një vlerë në poetikën shqiptare. ( Fatmir Terziu, gazeta Republika, shtator 2009)
Në vend të mbylljes
Teksa shohim, lexojmë dhe ndeshim dita-ditës aspekte teorike që dëshmojnë se filozofia e artit të fjalës është ballafaquar me çështje të panumërta në lidhje edhe me një çështje po aq të larmishme si ajo e subjektit, natyrisht nuk mund të lëmë mënjanë arsyet dhe botën shpirtërore të Getes, që të ridimensionojmë anën grishëse të subjektit poetik, të cilën e ndeshim edhe në vargun e Halitit. Nga poezitë e hershme të Getes, por edhe nga muzikaliteti i vargut të Halitit mund të përcjellim emocion të katapultuar me aksioma të natyrës dhe së ekzistencës së karaktereve imagjinarë, spektrin e gjerë e të tërë të veprimtarisë së lidhur me jetikën njerëzore, për të arritur deri tek ajo, që ka qenë e konsideruar nga filozofët e artit, dhe tek pyetjet që ata kanë kërkuar të gjejnë përgjigje. Edhe pse në prurjet e shumta poetike të kohës së fundit duket në mjaft raste shtrirja e largët e realiteti filozofik dhe më gjerë e atij transparent mes artit të fjalës, tek gjithë gatesa nën siglën e Halitit ka një arsye terapike, shëruese dhe relaksuese. Qetësia vjen nga libra të tillë si “Sot” (1969); “Mesazhe fushe” (1984); “Edhe shkronjat paskan gojë” (1986); “Motrat” (1987); “S’di të hesht” (1997); “Lamtumirë kapedanët e mi” (1997); “Mbrapsht” (1998); “Krisa” (2000); “Deti ma’ deti” (2000); “Po s’ish ajo” (2000); “Çartje” (2000); “Diellftohti” (2008), “Para ikjes”(2010), “Dielli dhe rrëkerat” me poema, (2010) etj. Libra këto që mbajnë jo thjesht firmën e autorit, por që janë një pasqyrë e artit konceptual, që ndeshet rrallë e madje rrallë edhe në mesin e emrave të mëdhenj të poezisë. Këto poezi nuk bien nën traditën e konceptuales, edhe pse janë pasqyrë e saj, por janë shkallëzime të atmosferës, shkurt të gjithë kanë një gjë të përbashkët: ato kanë për qëllim që të bëjnë lexuesin dyfish të interesuar dhe ju të tjerët lexues e kritikë, analistë e studiues, të futeni thellë në labirinthet Getiane të poezisë së Halitit, dhe jo thjesht që të mendoni, por të mendoni e mendoni gjatë.
FATMIR TERZIU: SHKURT PËR NJË DITËLINDJE MIKU
(Poetit Faslli Haliti)
Vegimi
Poetët janë të pavdekshëm,
Por ca gjërave s’u vihet karar,
Jo çdo gjë në këtë jetë,
Është diçka pa zarar.
Frymëzimet, vargjet, poezitë,
Befas mbështillen me turbulencë,
Dhe ashtu ndodh që një ditë,
Të akuzoheshe për ‘jo-vigjilencë’.
Ja dhe pena në hall ka rënë,
Ishte guximtare, tani po ndryshket…
Dielli nga rrëkerat është ngrënë,
Dhe një zë gati po fiket?
Por jo nuk është ashtu,
Nuk ndodhi që të shuhej,
Ishte thjesht një vegim,
Që rizgjoi penën e ngjyer.
Ngjy-ri-mi
Çdo vit ka një zë plot ngjyrim,
Peneli është patjetër për ngjyrim,
Dhe gjuhën e gatoi në ngjyrim,
Se kishte dhe ka idetë me ngjyrim,
Ndaj e vuri në jetë tërë atë ngjyrim,
Arave me grurë nën ngjyrim,
Ngjy-ri-mi iu bë mësim!
Rrezja
Ishte fjala tek “Dielli dhe rrëkerat”
Se ai i ngatërroi me të ato ‘iderat’
Që ia bën jetën më pas fatale,
Duke e dënuar të punojë në Komunale.
Por pena e tij nuk u ndal fare,
Shkroi gjithnjë dhe renditi vargjet
U nderua me çmime kombëtare,
Poeti me ndëkombëtarët i kaloi pragjet.
Melodia
Ç’melodizë e lehtë më qashtet!
Në shpirtin tim një violinë,
Më zbret ngadalë nga malet,
Një këngë të vjetër për rininë.
Nga truri zbres bokset,
në këtë koncert për violinë,
Era përkëdhel gjokset,
Buzët luajnë melodinë.
Më ra shpirti në pikëllim kur mësova për ndarjen nga jeta të poetit të madh krejt të vaçantë z.FASLLI HALITI. Në nderim të Tij po risjellë poezinë që i kam kushtuar për dënimin barbar nga diktatura.
Po ku dinit ju?! …
Ç'ju bëri zogu këngëtar
Që e qëlluat me pushkë?!
Ç'ju bën këngët e tia?!
Po ku dinit ju
T'i dëgjonit e ndjenit
Ato mrekullira?!
Kozma Gjergji.
Drite paste atje ku shkoi... vezullime drite i la kesaj bote me poezite e tij te brishta, te thjeshta,
Te pa perseriteshme per nga origjinaliteti, per njerezit e thjeshte e te bukur, sic ishte edhe vet.
Dheu iu befte i lehte dhe drite. Nderim dhe respekt. Ngushelime te thella familjes. Myslim Maska.
Eqerem Canaj
Nderuar kujtimi i ndritur i poetit, jeta e vepra poetike e Faslli Halitit do te driteroje ne kujtesen e popullit!
Faruk Myrtaj
Padyshim nder zerat me origjinal te periudhes kur u shfaq dhe vazhdoi te mbetej pothuaj po ai, sic e nisi Udhen e Tij. "Fabula" e jetes se tij, poezia e tij Fabul, Fabula e pranise se tij ne fushat e Bujqesise dhe ne Parlamentin shqiptar, fabula e raporteve te tij me Jeten dhe Idete qe ndikuan mbi Fabulen e Lushnjarit Faslli Haliti... Deri pak jave, a pak muaj me pare, ishte i pranishem on line, sikur te kishte lindur ashtu!