top of page

POETET XHEVAT BEQARAJ DHE XHEVDET SHEHU NDEROHEN ME TITULLIN “NDERI I QARKUT FIER”




Këto ditë të vështira pandemie, Kryetarja e Qarkut Fier znj. Evisa Sema, organizoi në ambientet e këtij institucioni një ceremoni të thjeshtë për dorëzimin e titujve “Nderi i Qarkut Fier” poetit të mirënjohur për fëmijë, Xhevat Beqaraj dhe poetit, publicistit e përkthyesit Xhevdet Shehu. Të dy këta emra janë mjaft të njohur në kulturën shqiptare dhe natyrshëm përbëjnë edhe një krenari të ligjëshme për vendlindjen e tyre, Mallakastrën e cila përfshihet në juridiksionin e këtij qarku.

Xhevati u shfaq në letërsinë shqipe në mesin e viteve vitet ’60 shekullit kaluar dhe me talentin dhe aftësinë e tij krijuese u rreshtua shumë shpejtë në radhën e emrave më të mëdhenj të letërsisë shqiptare për fëmijë si: Bedri Dedja, Odhise Grillo, Dionis Bubani etj.

Biografia e Xhevatit është sinteza e njeriut të heshtur të punës dhe intelektualit të përkushtuar përjetësisht në udhën e vështirë të artit. Ajo na çon fillimisht në fshatin Kutë, ku ai lindi në vitin 1936, pastaj në Fier ku u arsimua deri në nivelin e shkollës së mesme dhe më pas në Tiranë, ku mbaroi studimet e larta universitare në degën gjuhë - letërsi shqipe. Fill mbas universitetit filloi punë në revistën “Pionieri” dhe në vitin 1975, “qarkulloi” në Fier sipas politikave të kohës dhe punoi në arsim. Pas tre vjetësh u kthye sërish në Tiranë dhe punoi redaktor në organet letrare “Zëri i Rinisë”dhe “Fatosi.”

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Xhevati nuk e ka hequr kurrë penën nga dora.

Librin e parë poetik me titull, Kam një harmonikë”, e ka botuar në vitin 1965, në Prishtinë. Nga kjo kohë e në vazhdim, ka botuar 16 libra, në gjininë e poezisë e të përrallës, nga të cilat një pjesë jan ribotuar disa herë. Në vitin 1984, libri i tij, “Era vizaton” u vlerësua nga LShA të Shqipërisë, si libri më i mirë i vitit. Ky vlerësim u përsërit edhe në vitin 1989 me librin “Letrat e vjeshtës.” Në vitin 2005 botoi vëllimin Rruazat e vesës” i cili bëri jehonë tek lexuesi dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e vlerësoi me çmimin “Pena e argjendë.”

Për krijimtarinë e Xhevatit kan shkruar kritik të njohur në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ndërsa studiuesi Xhevat Syla nga Prishtina ka botuar një libër monografik kushtuar jetës dhe veprës së tij letrare. Kritika e ka vlerësuar si poeti që solli një qasje të re në letërsinë shqipe, qasje që hyn në fondin e artë të kësaj letërsie dhe pasuron botën e fëmijës me dashuri, edukim qytetar dhe patriotizëm.

Sot, Xhevati mban statusin e poetit për fëmijë, më të madh ndër të gjallët, në Shqipëri dhe Kosovë. Kan kaluar dhjetra vjet dhe hierarkia e vlerave të tij nuk ka ndryshuar. Do kalojnë dhjetra e qindra vite të tjerë, do ndërrohen breza e do vijnë të tjerë poetë, por vepra letrare e Xhevatit, do mbetet një shenjë e ndritshme e letërsisë shqipe, një gur qoshli në kulturën tonë kombëtare.

Paralel me poetin Beqaraj, në vendin e nderit të këtij Qarku u radhit edhe poeti, publicisti dhe përkthyesi Xhevdet Shehu.

Xhevdet Shehu u lind në Hekal, në vitin1955 dhe mbas përfundimit të shkollës 8 vjeçare të fshatit, vazhdoi shkollën e mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier dhe në vitin 1979 u diplomua për agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ndërsa në vitin 1983 mbaroi sërish studimet e larta për gazetari në Universitetin e Tiranës pranë fakultetit të shkencave Politiko-Juridike.

Pasioni për gazetarinë tek Xhevdeti është shfaqur që në vitet e para studentore. Në vitin 1977 ai u emërua kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë”, duke shënuar kështu fillimin e karierës së tij të gjatë e të suksesshme të gazetarisë, e cila nuk është ndërprerë deri më sot, përgjatë 44 viteve. Gjatë kësaj periudhe ai ka punuar në disa organe qendrore të shtypit shqiptar si: “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Pasqyra”, “Albanian Daily Neës” dhe “Telegraf,” ndërsa nga viti 2013 e në vazhdim, punon si gazetar në të përditshmen “Dita”. Në mesin e viteve ’90, Xhevdet Shehu punoi si korespodenti i parë i “Zërit të Amerikës” në Shqipëri.

Xhevdeti ka një kontribut poliedrik në fushën e letrave. Përveçse gazetar, ai është edhe poet, prozator dhe përkthyes. Në biografinë e tij krijuese janë mbi dhjetë tituj librash të cilat fillojnë me vëllimin poetik “Blerimet e marsit” botuar në vitin 1977, “Rini e bukur” më 1984 dhe poema për fëmijë, “Peneli i çuditshëm”, më 2005.

Në vitin 2001 botoi librin me esse “Pararendës”dhe një vit më vonë librin publicistikë“Ambasadori VOA.”Në vitin 2007 botoi monografinë “Episode me dritë – Duke kujtuar Dyrr Këllicin,”në vitin 2015 botoi“Prapaskena – Hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste” dhe më 2016 botoi librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës.”

Xhevdet Shehu është i njohur edhe si përkthyes i mbi njëzet librave nga disa autorë bashkëkohorë kryesisht anglezë dhe amerikanë, në epiqendër të të cilave janë çështja shqiptare dhe ballkanike. Librin e parë të përkthyer e ka botuar në vitin 2005, "Midis serbëve dhe shqiptarëve - Një histori e Kosovës" nga Miranda Vickers për të vazhduar më tej me librat: "Çështja Shqiptare - Riformësimi i Ballkanit" nga James Pettifer dhe Miranda Vickers, "Misioni Amerikan në Shqipëri" nga Peter Lucas,"Ç'po bëhet me Çështjen Çame?" nga Miranda Vickers,

"Shqiptarët - Një histori moderne" nga Miranda Vickers, "Enigma e historisë malazeze" nga James Pettifer dhe Averil Cameron, "Jetë dhe Vdekje në Ballkan" nga Bato Tomasheviç, “Ëoodhouse, Zerva dhe Çamët” nga James Pettifer,

Në syrin e ciklonit” nga George Tenet, “Etapa e re e çështjes çame”, nga James Pettifer dhe Miranda Vickers,“Grekët – Vendi dhe njerëzit që nga koha e luftës” nga James Pettifer etj.

Xhevdeti është ndërkohë edhe një aktivist i spikatur shoqëror, veçanërisht në kuadër të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Mallakastra”si një ndër themeluesit dhe kryetari i saj në vite dhe si anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it. Ai mban titujt; “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it” dhe “Nderi i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut.”

Titulli “Nderi Qarkut Fier”që ju akordohet këtyre dy personaliteteve të kulturës, nuk është nder që ju përket vetëm figurave të tyre. Ky titull rrezaton ndërkohë nderim edhe për vet Qarkun e Fierit, pasi emra të tillë si Xhevat Beqaraj, Xhevdet Shehu etj, janë emra që dekorojnë panteonin e vlerave të këtij Qarku dhe si të tillë, e meritojnë plotësisht këtë respekt të veçantë institucional.

Nuri Plaku

103 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page