top of page

Poete dhe shkrimtare brilante me krijimtari të pasur




Të shkruash për krijimtarinë letrare të dr. Flora Brovina duhen studime të shumta, analiza të thella e të holla. Por në këtë shkrim dua të cek një analizë të shkurtër për librin e 9-të poetik “Përflakje e stuhi” që të befason, të impresionon e të frymëzon. Dr. Flora Brovina, një zonjë e rrallë, veshur me dritë, që thinjat dhe rrudhat e ballit nuk i fsheh, është dhe mbetet një personalitete e lartë poliedrike, jo vetëm si mjeke humaniste, doktore e aftë dhe e guximshme e paqes dhe e luftës, por dhe një luftëtare e qëndrestare e rrallë, një mbretëreshë e heroizmit të kombit, simbol i lirisë e pavarësisë, një politikane e aftë, e ndershsme dhe publiciste, poete e shkrimtare brilante me një krijimtari të pasur, që ka sjell para lexuesit poezinë e modernitetit që në vitin 1973.

E ndritura dr. Flora Brovina është autore e shtatë librave me poezi dhe e dy romaneve, shumica të përkthyera e të botuara në gjuhë të huaja, në New York, Holandë, Rumani, Gjermani etj. Që në vitin 1973 është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një ndër themelueset e LDK-së, udhëheqëse e Lidhjes së Gruas Shqiptare, pjesëtare e shoqatave dhe institucioneve ndërkombëtare, “Qytetare Nderi” e disa bashkive e komunave në Kosovë e Shqipëri. Ajo mban në gjoksin e saj 30 dekorata, çmime kombëtare e ndërkombëtare, si një ndër personalitetet më të shquara të shekullit.

Në vitin 1999 Flora Brovina shpallet një ndër tri gratë më me ndikim në botë dhe në vitin 2000 merr çmimin nga UNESKO “Gruaja më me ndikim në Ballkan”. Në prill të vitit 1999 zihet robe lufte dhe dënohet nga Serbia me 12 vjet heqje lirie. Por presioni ndërkombëtar e detyroi Serbinë ta lironte këtë grua të rrallë, të vlerësuar nga mbarë bota e qytetëruar. Megjithëse dr. Flora Brovina është shumë e thjeshtë dhe modeste, është quajtur “Nora e Kelemendit”, “Nënë Tereza”, “Mbretëresha Teutë”, “Antigona e Kosovës”, “Dora d’Istria”, “Shote Galica”, apo shkrimtarja e madhe indiane “Amrita Pritam”... Por le të merremi me poezitë e saj kumbuese, shkruar me frymë moderniteti dhe ndërtuar përmes teknikash befasuese, që e bëjnë poeten princeshë të vargut.

Vëllimi “Përflakje e stuhi” është shkruar me still të zhdërvjelltë, me gjuhë të pastër e të latuar, me dhimbje fizike, shpirtërore e komunikim të drejtpërdrejtë, si dëshmitare e realitetit. Poezia e saj shpesh ka nota rebelimi, pasi ajo është një det i gjërë, me dallgë të stuhishme. Është poetja e qëndresës dhe e shpresës, e dhimbjes dhe e lotit. Libri ka një lëndë të pasur poetike, me vargun plot peshë mendimi, me fjalën që të le pa zë. Titujt të befasojnë. Dua të theksoj se poetja sjell norma të reja estetike, që e ngre lart poezinë shqipe. Poetja primare ka fuqinë e fjalës, që bëhet simfoni e shpirtit, hark ylberi mes njerëzve.

Duke qënë një vëzhguese e hollë e realitetit dhe një enciklopediste e rrallë, ajo përpunon mendimin me kthjelltësi, duke e kthyer në art, veshur me nuanca të larmishme. Ndaj poezia e saj rrjedh e pastër dhe vazhdon rrugën pa pengesa, është e hapur dhe e komunikueshme me lexuesin. Fjala e matur dhe e gdhendur si një gurë kështjelle, stolisur me kolorit të pasur vendoset aty ku duhet. Profesori i nderuar, Agim Berisha, librin poetik “Përflakje e stuhi” e quan poezi e dhimbjes, e mallit dhe flijimit. Autorja e nis librin me poezinë “Jetë”. Një jetë e rëndë në të egrën stuhi:

Raketat bien, / si lulet e shpresës,

një foshnje e kuqe / prishi qetësinë.

Shpresa, Liria, Liridona

flaka, si ta quajnë / kush tha.

Ajo ngriti kokën, / jam jeta,

jeta që erdha / me emër në Kosovë.

Pasta qau e qeshi / foshnjërisht.

Ligjërata poetike është e drejtpërdrejtë dhe krejt e natyrshme, me një strukturë vargu të veçantë. Ajo di të gërshetojë dramatiken me liriken dhe me mjeshtërinë artistike. Përmes metaforave të fuqishme jep mesazhin. Te poezitë “Atdheu I” dhe “Atdheu II” gjejmë fuqinë e fjalës që të impresionon e të frymëzon.

Atdheu është dashuria mbi dashuritë,

altar ku gjunjëzohesh, / ku betohesh

para një shqiponje flatra hapur...

Atdheu është dashuri e vetme

për të mos vdekur.



Atdheu shtrihet në çdo anë,

rreth e brenda meje,

ré shiu i lotit / ku pikon malli,

përqafim i munguar / është atdheu.

Poetja e njeh mirë artin e fjalës dhe forcën ndikuese të saj. Atdhe, dashuri, dhimbje dhe jetë! Edhe te poezia “Komandant” para varrit të legjendarit Adem Jashari, poetja parapëlqen ta ndërtojë poezinë në bisedë me komandantin. Stili i saj fjalëpak, elegant e thelbësor, krijon një metaforë të magjishme.

Komandant, / nuk të ze varri,

legjendën varri nuk e zë...

Lexuesi dhe studiuesi ngelet pa fjalë. Një gjetje e rrallë që s’do koment. Heronjtë janë të gjallë përjetësisht. Në të gjitha poezitë e saj, me një thjeshtësi befasuese dhe urtësi poetike, gjejmë figurën, motivin dhe realizimin artistik. Në poezinë kushtuar Mandelës Adem Demaçi shikojmë vrullin shpirtëror të poetes, dhimbjen dhe fuqinë e emocionit.

Një shtëpi e vogël, / si mund ta zinte një Mandelë?!

Në një kënd të dhomës, / një palë këpucë të vjetra burgu,

dëshmi që flasin...

Në cilat burgje t’i kërkoj këpucët e tua, Bacë

asnjë shtëpi muzé / nuk i ze këpucët tona drejt lirisë.

Në ciklin poetik “Burgu” qëndron akt akuza ndaj pushtuesit serb, qëndron dhe sakrifica e një populli, pesha e dhimbjes dhe shpresa për çlirim, liri e pavarësi. Te poezia “Zgjim feniksi” shprehet:

Çmenduria nuk paska kufi,

egërsi / kufomat flasin,

o dhimbje, deri kur më, deri kur?!

Po kështu dhe te poezia “Lapsi i prangosur” autorja me pak fjalë na tregon se pushtuesit frigoheshin nga inteligjenca, nga mendja dhe lapsi ata frigoheshin:

Para se të më venin prangat

ata e burgosën lapsin tim...

Te poezia “Kënga”, shkruar në burgun e grave në Serbi, me pak fjalë jepet qëllimi. Liria po agon.

Jehonte kënga / nga burgu në burg,

nga qelia në qeli,

shtrëngoheshin më shumë prangat,

kënga fluturoi drejt lirisë.

Tashmë Kosova martire, me peshën e dhimbjes dhe plagët që i kullonin gjak, merr frymë në prag të lirisë. Te cikli poetik “Vjeshtë” poetja gërsheton natyrën me njeriun. Poezitë marrin një kolorit ngjyrash si gjethet e zverdhura në stinën e fundvjeshtës. Poetja shkrin dhimbjen, trishtim e pikëllim. Dhimbja dhe durimi përballohen. Pesha e dhimbjes rëndon mbi thembrën e durimit. Në poezinë “Gratë” autorja jep rolin dhe fuqinë e gruas. Ata mëshirohen me natyrën, duke qënë jeta e përtëritjes së njerëzimit. Gratë janë dashuria, malli, dhimbja dhe vetë jeta që triumfon mbi vdekjen.

Grua, natyrë që nuk dorëzohet

dimrave, e qetë i pret stuhitë

gjeth i fundit në degë...

Autorja nuk lodhet për të gjetur subjektin. Te poezia “Gurë varri” ajo frymëzohet te një flutur që qëndron mbi lulëkuqet e varrit. Ajo fluturonte rreth gurit, sikur ishte e dashuruar, ndaj trimat nuk janë vetëm. Te varret janë harkuar fjalët, paçka se lotët pikojnë mbi lule. Dhembja dhe dashuria për të dashurit nuk ka kufi. Te “Baladë për Doruntinën” lexuesi mëson legjendën e dashurisë, të dhembjes dhe sakrificës së motrës për vëllain. Për të gjetur varrin e vëllait motra betohet në prehrin e nënës, të cilën e quan altar dhe bëhet Konstandinë.

Verbova natën nga dhimbja për ty,

mora sytë e shqiponjës dhe gjuhën e botës,

po varrin nuk ta di, o vëlla...

Do ta gjej një ditë / motra ty,

sa t’i këpus prangat, / sa t’i shemb muret,

sa t’i mjekoj plagët.

...Do të të gjej, o vëlla!

Poezia e Brovinës buron nga shpirti dhe inteligjenca. Ajo ecën dhe përthyerja e vargut bëhet natyrshëm sa që të befason. Autorja s’i kushton shumë rëndësi rimës, por fuqisë së fjalës. Ajo sjell një rrymë të re të poezisë moderne, sjell realitetin me një stil të veçantë, me një intuitë të lartë krijuese, me një gjuhë të pasur e të pastër poetike, me një metaforë të magjishme, me një intonacion të fuqishëm artistik dhe strukturë të re të modernitetit. Duke kërkuar thellë fuqinë e fjalës krijon vargje të shkurtra me peshë të lartë mendimi. Ajo është ndër poeteshat më të përkthyera në gjuhë të huaja të botës, e vlerësuar me çmime të larta. Një mendje krijuese brilante dhe enciklopediste e rrallë. Do ta quaja një mal të gjelbëruar në letërsinë shqipe.



Bajram Canameti

81 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page