top of page

POEMTH PËR TORTËN E DASHURISË ADOLESHENTE


Thani Naqo

Psherëtimat zukatin përshpirtje për të vdekurit,

ajo shkundi dëborën e pesëdhjetë dimrave,

përveshi fustanin me trendafila të zinj,

iu shalua mbi gjunjë,

ia mbërrtheu kokën me pëllëmbët kockore,

u ngjitën rrëmbimthi buzët,

lëvizën protezat,

u lënduan mishrat e dhëmbëve,

përzjenë firomat,

përzjenë ledhatimet.

Djersa e athët u ndërmendi klorofilin e gërshetave të shelgjeve lotues,

kumbullnecet që mpijnë dhëmbët,

oshafet e goricave,

thanat purpurojnë koriet,

kajthiten lajthitë nga lodërzimet e ketrave,

gjethet ndiqen n'ajri,

puthen me njëra-tjetrën,

thërmohen dhe bëhen humus...

Rëndesa e pleqtë gulshoi nëpër shkallë,

Bryma e pesëdhjetë vjeshtave ua kish përzhitur lulet adoleshente,

zverqet,

si kanistra,

këmbët e krahët model i dhimbjes klasike për rakitikët.

Ajo shpërvesh gonxhen e vyshkur të trendafilit,

flak petëlzat mbi trupin e tij,

drita e kaltëryer u thërmua në rrjetat e kortinave,

pikëlohen siluetat e shpërfytyruara.

-Jemi të vdekur të pa mbuluar, - thanë të dy në të njëjtën kohë; klithma e kukuvajkës preu tortën adoleshente.

2020

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page