Heshtja e psherëtimat zukatin përshpirtje për të vdekurit,
ajo u dha flokëve mbrapa
shkundi dëborën e njëzet e pesë dimrave,
përveshi fustanin e ngjeshur me trendafila,
iu shalua mbi gjunjë,
ia mbërrtheu kokën me pëllëmbët kockore
i ngjiti rrëmbimthi buzët e saj me të tijat,
të dyve u lëvizën protezat dhe u lënduan mishrat e dhëmbëve.
Ajo llokovitet mbi gjunjët e tij,
ai përfytyron gjimnazisten,
lëkurëbutë si dëbora e parë,
prek gryerjet e shpërlarjet nëpër rrudha,
psherëtiu me dhimbje dhe çerek shekulli u tret.
Përzjenë firomat e fundit,
tani, - tha ajo, - le të vdes,
jam nuse e kurrorëzuar.
Aroma e athët në gropëzën e fishkur midis gjinjëve,
i ndërmendi klorofilin e gërshetave të shelgjeve lotues,
buzët e eshkuara i fanitën oshafet e kumbullave gjatore.
-më lodhi rruga e gjatë, - tha ai,
u çapit si qënie shekullore,
rëndesa e pleqtë gulshoi nëpër shkallë,
ktheu kokën dhe pa që ajo shtrinte fustanin,
dhe mbulonte vithet e kofshët me trendafila të vyshkur.
Bryma e vjeshtave mërgimtare ia kish përzhitur djalërinë,
pastaj tregoi zverkun në formën e kanistrës,
pastaj këmbët e krahët si të rakitikëve
dhe pati guxim t’i thote:
-akulli i arratisë më mirë kur shkrin pak e nga pak.
Ajo shprishi gonxhen e fundit,
i flaku petëlzat drejt tij dhe u përgjigj me ironi e zë vajtues:
-Arratia nuk është heroizëm,
por egoizëm që vret - e shtoi me zë ledhatar:
-Akoma je i turpshëm e qullash.
Buzëqeshja e drojtur e saj iu fiksua kur ajo fiku llambën,
drita e kaltëryer u thërmua në rrjetat e kortinave,
dhe ia larushiti asaj siluetën.
-Jo sonte, - tha ai me zë të tjetërsuar.
-E mjera unë, - ofshau ajo.
Shukosi fustanin me trendafila të zinj,
e pikëluar nga mijëra dritëza të kaltëryera,
doli e përplasi derën.
-Ti e unë jemi të vdekur të pa mbuluar, - gjëmoi klithma e saj egërshane.
2020
Comments