
Ah, ç'm'u shkrep të bëhem fëmijë,
në kokë më mbinë qime të ashpra.
M'u hollua zëri e përsëri,
korijeve ndoqa mëllenja e laraska.
Ah, ç'm'u shkrep të bëhem shkollar,
në bangë ndenja me më të shëmtuarën.
Veç ajo s' më tha "i pagdhendur-fshatar,"
për hatër të saj kurdisa kitarën.
Ah, ç'm'u shkrep të bëhem djalosh,
këpucëgrisur e trazavaç.
Të bukurat e plakura më lanë me lot,
ringjalla të ikurat e lodruam prap'.
Ah, ç'm'u shkrep për cinglamingla,
për leqe me qime prej bishtave të kuajve.
Gjahtar i malluar korijeve prita,
gjer zbriti nga qielli tufa e gargujve.
Qiellin e grizoi reja e grinjtë,
shpirtëra të bardha, të lehta e të buta.
Butë-butë m'u ulën mbi sup e qerpikë,
butë-butë, butë - butë siç ulen fluturat...
E gjatë dhe e magjishme nata e mesdimrit,
fërshëllimat e erës fshijnë gjurmët e mia.
Thëngjijtë u treten e me pahun e hirit,
u mbuluan ëndrrrat që pa fëmijëria...
2016-2020