
Çamëri Çamëri
Çarë ndarë e vranë
Mizorisht
Vajkëndove n’histori !
Zjarret tragjikë si të Trojës,
Trojet e lashtë, Çamëri,
Si çdo herë mes luftërash,
T’i dogjën përsëri…
Ishte i errët qielli
Atë ditë,
Çamëri
Vajmëri,
Tërë rrudha resh ishte
Dhe, i menduar,
Si balli monumental i Hasan Tahsinit,
Teksa ullinjtë paqësorë,
Mbetur pas
Askush s’i vuri re që ishin thinjur…
Vajmëri
Çamëri
Në sfond të zjarreve
Bijtë e tu refugjatë
Martirë klasikë të lirisë,
U nisën në kalvar,
Shkulur nga dheu
Siç shkulet nga krahërori
Dhe zemra , bam !
Një bohçe plaçkash me vete
Gjithë frymë të fshehtë vendlindjeje…
Dhe, ca fotografi vogëlushësh
Rropatur tashmë gjallëvdekur
Rrëpirave ,
Mbi gjinjtë e shterur të nënave.
Ah, s’janë kurrgjë krojet e mehur,
Para atyre gjinjve !
Pastaj ca foto të tjera
Burrash dhe grash të paepura
Si lulet e malit.
Poza në ditët e ndritshme të dasmave
Dhe, festave pagane,
Përzier e përzier me krodhe buke
Që pikëllimi t’i ngec
Në fyt si gjemb...
Oh, bohçja e lehtë pupël,
Bohçja e rëndë plumb, oh,
Mbyllur e lidhur
Gjithë nyja dhembjesh
Nga dora që mblodhi ç’mundi
Mes zjarresh e lebetish
Vajmëri
Çamëri…
Këto bohçe, kur t’i zgjidhnin
E të nxirrnin
Fotografitë e Çamërisë,
Me të mbërritur në strehëzën e re,
Në krahun tjetër të Shqipërisë,
Ah, si do t’i digjte
Prushi i mallit...
Vargani i gjatë
Me refugjatë
Ndahej e ngjitej
Shpat më shpat e monopat,
Zgrip më zgrip greminash,
Gravurë e ashpër bardh e zi
Herë si pikëçuditëse,
Me lotin këputur përfund,
Herë si pikëpyetje,
Harkuar si dyshimi…
Por çamët, mbi gjithçka
Kishin me vete
Shpirtin tënd të paprekshëm,
Çamëri,
Si një koracë që s’thyhet
E s’humb
Kurrsesi !
Shpirtin tënd,
Çamëri,
Që ngërthen frymëzim sublim,
E mbron përjetësisht
Dialektin tënd të gjerë,
Rrënjëthellë,
Pa le të thonë e stërthonë
Gjuhëtarët sharlatanë
Se, qenkësh fosilizuar…
Shpirtin tënd
Shpirtin tënd
Që ta mban syrin
Përgjithmonë të kthjellët,
Dhe ritmin e valleve të kënduara,
Bashkë me veshjet e bijave...
Sa keq llogaritë
I bënë çdo herë
Armiqtë e tu
Moj Çamëri,
Moj Vajmëri !
Ishte i rëndë qielli,
Çamëri,
Aqsa të kërruste shpinën.
Por n’agun e ditës së re,
Bashkë me diellin
Lindi një fëmijë!
Klithma e tij
Gjer te trojet jehoi
Dhe ,fashiti zjarret,
Çamëri
Çamëri…
1991
PARISI ME MASKE
( Walking Tour Around The City )
Ç’shurdhëri pikëlluese
E ç’zbrazëti tej e tej në Paris !
Urat mbi Senë,njëra pas tjetrës,
Si përherë aty janë
Me abazhurët, stolat ndanë trotuarit
Dhe monumentet…
Por,ç’t’i kapërcesh;
Avenjutë në të dyja anët
Njëlloj të shkreta janë…
Parisi me Maskë
Si u bënë njerëzit kështu
Njëfytyrësh,
Mbuluar që nga mjekra,
Gjer te sytë,
Të cilët shpesh dhe ata,
Mbulohen me syze t’errëta.
E me gjasë mbi krye
Ngjeshet një kapele…
Si u njësuan të gjithë
N’identitetin rrafshues të maskës,
Prej së cilës,dhe zëri
Mbytur del,i paartikuluar;
Në distancë të detyruar prej dy metrash
S’e merr vesh ç’thotë partneri;
Lypset të thërrasësh pa takt
E të humbësh privatësinë.
Covid 19
Ç’emër konkret me një numër pas,
Që s’e has n’asnjë besëtytni
E n’asnjë faqe të simbologjisë…
Ç’emër ashpërsisht konkret,
Por askush s’e sheh vrasësin,
Që bëhet m’i frikshëm me frontin rrethor
Treqind e gjashtëdhjetë gradë…
Maska Maska Maska
Të bardha dhe,të zeza,
Si divizë e vdekjes…
Tashmë ato janë një aksesor i domosdoshëm
Pa të cilin s’del dot nga shtëpia;
Më parë mund të harrosh celularin
Pa marrë me vete,
Portofolin,më parë mund të harrosh pa marrë,
Por kurrsesi maskën !
Le ta injorojë ajo
Kravatën e re që ke lidhur,
Këmishën e kollarisur dhe ,
Kostumin ,sado elegant qofttë…
Le t’ua mbulojë ajo rrafshueshëm
Femrave të kuqin,
Ah, të kuqin e trëndafiltë
Të buzëve !
Me ç’qejf e me ç’dëshirë
Të hysh e të blesh në butikët luksozë ?
Sapo gjendesh përballë
Xixëllimave të Bvlgari – t,
Të kaplon absurdi;
Absurdi të çmotivon tek të lëbyren sytë
Përballë kometave të Swarovski-t .
Afashinantë koleksionet pranverë – verë
Të Vuitton-it, Armani-t ,
E të kujt jo ?
Parfumi i ri i Chanel-it
Ah,ç’afrodiziak!
Por iku pranvera,vera po fluturon;
Të shohim vjeshtën flori …
L’amour L’amour
Por në Paris stinët sërish
Të katërta magjepsëse janë
Si tablotë e Monesë !
E ndoqët besoj,videon virale
Me atë zonjën parisiane,
Që policët e tërhoqën zvarrë,
Sepse
Refuzonte maskën ?
Turma, si turma në rolin e vet,
U mblodh të shihte e të bënte me ngut video,
Dhe sellfi me të dhunuarën në sfond
Që miqve të tyre
Ua nisën urgjent…
Kush guxoi të thoshte një llaf
Kundër dhunës primitive të policisë
Së shtetit demokratik ,në mes t’Europës,
Që shkelte me të dyja këmbët
Të drejtat themelore të njeriut,
Ia mbyllnin gojën në çast :
Vini mask !
Paris L’amour L’amour,
O,Champs Elysees
Champs Elysees,
Ti e tillë je
Në diell,në shi,pasdite ,në mesnatë…
Po ç’mesnatë ?
Për ty ka veç mbrëmje
Që zgjat gjer n’ag…
Maskë mbi Place de la Concorde
Mbi Place Charles de Gaulle maskë,
Mes të dymbëdhjetë gërshetimet e kryqëzimeve…
Ah,por maskë edhe mbi Arc de Triumph
Të poshtëruar;
Mbi Tour Eiffel gjithashtu; !
A s’e shihni renë e zezë
Vende – vende, hekurash e çjerrë ?
Ah,por maskë ka dhe mbi Notre Dame,
Q’e dogjën idiotësisht mizorisht !
A e kujtoni sa show u bë
Me donacionet milionëshe për ringritjen e saj ?
Për të lënë një gjurmë të Kohës,
Gjer dhe pishinë projektuan të hapnin
Ca biçimër arkitektë mbi Katedrale,
Kinse për të larë mëkatet të krishterët e përkorë,
Siç i lajnë dhe besimtarët hindu
Në lumin e shenjtë Gang…
Epo,ajo vogëlushja,tek shkonte në shkollë,
Dhuroi një euro
Për Notre Dame –n e djegur,
Paçka se mbeti pa ngrënë hamburgerin
E mëngjesit…
Parisi me Maskë
Por Sena rrjedh
Kështu dhe Palais de Justice
La Defense ultra moderne
Kështu,
Kështu Saint Michel, shpirti i Parisit,
Pigalle dhe Montmartre po kështu,
Madje me maskë robëruese
Edhe grataçielat farfuritëse
Të s’ardhmes…
Kanë mbyllur kavaletat
Piktorët e trotuareve,
E kush do t’u blejë gjësend atyre;
Atyre tashmë,mbuluar me maskë
Kush do t’u pozojë ?
Crazy Horse s’hasdiset më,
Yjet e kuq Moulin Rouge,
I ka shuar;
Helikat s’vërtiten,a thua se andej
Një donkishot ia behu
Dhe i shtangu
Me ushtën e tij,
Që ndalte kohën.
Burrat janë ndryrë me bashkëshortet
Në shtëpi;
Pa punë prostitutat heroina,
Sex dolls pa punë gjithashtu.
Parisi me Maskë
Por Sena rrjedh
Ah,por ju propozojmë të vizitoni
Me radhë gjithë pavijonet
E Luvrit mitik !
Virtualisht virtualisht
Përndryshe dhe Xhokondës
Do t’i duhet të vërë maskë !
Virtualisht
Virtualisht
Siç duket një ditë
Gjithçka do të kryhet
Thjesht virtualisht .
Këtë herë
Gishti i Madh monumental i Sezar Baldaccinit,
Gishtin e Jul Çezarit perandor
Më solli ndër mend drejtpërdrejt…
Me maskë Parisi
Por Sena rrjedh
Besomëni !
Në vesh mrekullisht më kumbojnë
Këngët e Mirej Matjesë
Dhe Edit Piafit,
Zonjave si prerjet e vogla
Të monedhave prej ari…
Më kumbojnë mrekullisht
Këngët e Sharl Aznavurit
Dhe, Iv Montanit melankolik
Me Les Fauilles Mortes
Të Zhak Preverit …
Ajo tastiera e fizarmonikës
Mos drithëron flu flu
Si valëzimet e Senës,
Domethënë …
Si regëtimat e zemrës tënde ?
O, përsëri Parisi
Ka këngëtarë të famshëm
Dhe poetë të gjallë me emër :
Mund t’ju përmend njëherësh disa…
Të cilët,tashmë në trotuare dhe pedonale
Gjerbin kafen tek shkruajnë me maskën nën gushë
Si lak që të mbyt.
E dini ?
N’intervistat me mikrofon në dorë,
Në sheshet dhe ndanë parqeve,
Populli ,kur u pyet,
Gjer te Preveri i numëroi poetët…
Kjo ,thjesht do të thotë:
Sa vështirë është sot
Të hysh në shpirtin e një kombi ;
Të bëhesh legjendë,
Sa vështirë është sot !
Paris L’amour L’amour
Je gjenetikisht kozmopolit
Edhe pse mbuluar me maskë
Dhe,
Mbetur pa turistë…
L’amour
Qyteti i shenjtë,
Ku lindin e lindin
Kulte artistësh.
Ah,ja dhe Bar Hemingway !
Hej,Heminguej,
Ti ke të drejtë :
Parisi
Eshtë një festë
E pambarimtë…
Parisi me Maskë
Por Sena rrjedh
Rrjedh …
2020 Gusht
Comments