
Si po shuhet kështu pulsi i Botës
siç shuhet edhe pulsi i atij që
pritet të vdesë…
Hej njerëz, ku jeni, si u mbyllët kështu
në shtëpi, të trembur e t’alarmuar,
duke harruar, fundi i fundit,
se jeni qytetarë?
Shiheni hartën e Botës! Kuqëlon ajo
anekënd si nga një hemorragji e pandalshme!
Apo, në e pafshi ndryshe: kuqëlon ajo
si e përfshirë nga një zjarr apokaliptik
Si u zhdukët nga rruga, nga uzinat,
zyrat, stadiumet, koncertet,
bibliotekat, arat që duan
punuar, mbjellë e plehëruar?
Si kështu, nuk do të vazhdojë më jeta?
Si u zbrazën shkollat, o njerëz, kopshtet,
si u boshatisën sheshet e lodrave, pishinat,
pistat e skive?
Si u braktisën deri edhe shtëpitë e Zotit,
kishat, xhamitë, sinagogat edhe në
ditët e ceremonive të Festave të
Mëdha?
Po kortezhet mortore, si u zhbënë,
e të ikurit nga kjo botë s’i ndjek kush pas
në banesën e fundit?
Në katedralet e akullta priftërinjtë
me maska antivirus në fytyrë,
mu si vetë kirurgët
kanë përpara veçse arkivolin
dhe, fotografinë me shiritin e zi,
diagonalisht mbi ballin e të
ndjerit, të vrarë nga Covid-i.
Njëlloj, me maskë në fytyrë priftërinjtë bekojnë
të sapomartuarit, me maskë gjithashtu dhe ata,
që puthja e parë pas ceremonies,
s’ua bashkon dot buzët…
Eh, njerëzimi është fshehur si në sekuencat
e atyre filmave fantastiko – shkencorë,
me të cilët, më shumë
argëtohemi, sesa i marrim
seriozisht për aluzionin që
na ofrojnë.
Eh, veç zogjtë e bukur këndojnë
Jashtë;
Falëminderit zogj
Që na ndiqni ende!
Makinat s’lëvizin, trenat supersonikë
gjithashtu, shinat e tyre s’janë më
rreze shndritëse, ato janë
ndryshkur sakaq…
Avionët mbi pista, qullen nën pikëllimin
e shirave si t’ishin shpendë të plakur
që e kanë humbur aftësinë e fluturimit.
Zbrazëti dhe palëvizshmëri, a thua se
njerëzimi e ka braktisur nderkohë
Tokën e tij dhe, po shtegton
drejt planeteve të rinj,
ku do ta presin Zanafilla
të tjera e Perëndi të tjera…
Ngrirë në palëvizshmëri gjithçka,
një stopcamera pa kohë, pa zhvillim
e pa histori…
Hej, njerëz, ku jeni? Ju, prindër që
keni sjellë fëmijë në këtë botë
ç’bëni, si u gjunjëzuat kështu
pa pritur e pa kujtuar
një e nga një.
Nga Europa n’Australi, nga Amerika
n’Azi, e kudo gjetkë…
Hej, njerëz, të strukur si minjtë, kurrë
më parë s’i keni ngjarë kaq shumë
njeri – tjetrit!
Ah, veç zogjtë e bukur këndojnë jashtë;
Falëminderit zogj
Që ende vazhdoni të na ndiqni…
Covid19
Covid19
As atomi vetë s’do t’ju trembte ndoshta kështu
Njerëz,
Madje, as asteroidet që do të mund t’i turreshin
Tokës me energji kinetike të skëterrshme,
Sepse, sa për ngrohjen globale,
asqë doni t’ia dini…
I mbushët frigoriferët dhe qoshet e shtëpisë
me gjithfarëlloj ushqimesh
madje edhe me t’atillë
që s’rezistojnë e prishem shpejt;
I mbushët shtëpitë mu si ato kafshët e egra,
kur përgatiten t’ibernojnë.
U zutë e u rrahët nëpër supermarketet,
qoftë edhe për ca rulota
letre higjenike ju, ju qytetarët
e megapoleve europianë dhe
amerikanë, me shoqëri konsumi.
Unë i hedh një vështrim panoramik bibliotekës sime
dhe, zgjedh të lexoj Don Kishotin…
Letra higjenike
Letra higjenike
Por, kaq teknologji t‘jashtëzakonshme
kërkuaka prodhimi i letrës
higjenike, që s’plotësohen dot
kërkesat e domosdoshme të familjarëve?
Por, po ta kërkonte superteknologjinë,
ju do të mund ta prodhonit,
ju që keni avionë, nëndetëse, raketa, celularë,
automobilë luksozë, e çfarë jo?
Ju që keni në dispozicion t’ekonomisë
tuaj tërë krahun e lirë të
botës anekënd, ju që keni robotë
skllevër n’uzina e fabrika.
Letrat higjenike
Letrat higjenike
Ah, por u trembët të gjithë, e thamë këtë,
e prapë do ta themi!
Deri aq pra, sa në varrin e nënës, apo babait,
s’i venë as kalamajtë e tyre,
as nipër e mbesa, pale miq e shokë!
U mbyllët të gjithë n’ato mjedise klaustrofobikë
dhe ruani njeri – tjetrin
se mos teshtijë a kollitet, skuqet
nga temperatura e lartë dhe,
shpërndan Covid-in, duke ju
përlarë të gjithëve ç’jeni…
Tek zdërhalleni në divanë e kolltukë konfortë
e ndiqni të trembur lajmet pa ndërprerje;
kyçur dyert, puthitur dritaret, fikur kondicionerët,
sepse nga s’mund të futet tinëzisht
Vdekja Covid19, e padukshme
si personazhi i Herbert Uellsit…
Ndiqni lajmet, veçse fund e krye t’hidhur,
por ja n’iPad –et, ju shfaqen
pornostaret, modelet, aktoret,
vetë Kim Kardashian, që s’di kujt marifetçiu
i ka vajtur ndër mend të thotë se, Kimi
me vështrimin e saj,
buzëqeshjen e përmbajtur
dhe të sofistikuar
Të kujton mrekullisht Xhokondën…
Por ju, sigurisht vështroni
gjithë përqëndrim bythët tonike,
gjinjtë e shpërthyer që ju dhurojnë në
videot virale bujaret
Dhe, ah dhe oh për bythët e Demi Rose,
për gjoksin e Pamelas
e gjithfarësoj pornostaresh mikluese
të cilat gjithashtu janë, si të gjithë
n’karantinë, por pozojnë për ju, fansa
me bikini, topless apo, nudo në vaskat,
ku pluskojnë petale trëndafilash…
Dhe, në shtëpi, në shtëpi
nga miliarderi më i çmendur
gjer te morracaku më i humbur…
Covid19,
Ti e paske seriozisht
Barazinë,
Jo siç e patën komunistët me pallavrat e tyre
Demagogjike.
E pra kështu, sivjet s’do ta shohim dot pranverën;
barin që bleron, pemët përplot lule të bardha,
të kuqe, rozë, që fluturzojnë flu flu mu si
peizazhet e inpresionistëve!
Kaq mrekulli e sensualitet ka jashtë, sa të çmend
idiotësia e ngujimit!
Tekefundit, po qentë kush do t’i shëtisë ?
I morëm në qafë kafshët e ngrata…
I morëm,
Por ambientalistët s’ngurrojnë të thonë:
Duke u ndalur veprimtaria njerëzore,
Lëvizja e nxituar, duke u ndalur,
Uturrima e dridhjeve të Tokës u ul,
Kontributi për mjedisin sizmik u rrit…
O, qenkësh pastruar atmosfera e Londrës,
Romës Parisit Nju Jorkut Nju Delhit Milanos,
por e kujt jo ?
Ah, sheshet e megapoleve me monumentet shumëfigurësh
të robotëve humanoid tashmë, te bazamentet
e të cilëve shkruhet dukshëm:
Banorët më të Rinj të kuartiereve…
Por, ç’sugjeroni ambientalistë,
Të rrimë ndryrë edhe ca ?
Vetëm zogjtë e bukur këndojnë jashtë
Falëminderit zogj,
Që guxoni të na ndiqni ende!
Ku jeni ju shkencëtarë, ju të lauruarit
me Çmimin Nobel në mjekësi
kimi, fizikë, gjenetikë?
Ku janë shpikjet dhe zbulimet tuaja
me efekt epokal, që do të shtonin
jetëgjatësinë gjer më 150 vite a më shumë?
Ku jeni? Apo jeni fshehur edhe ju si gjithkush?
Si s’rendët në Kinë, të përfitonit përvojën e vyer
të kolegëve e të nguteshit për vaksinën anti – Covid19?
Kujt do t’i duhet pas një viti, kur të kenë vdekur
(qoftë larg!) kushedi sesa njerëz?
Ç’prisnit, apo edhe ju, jeni burokratizuar e shkëputur
nga përditshmëria?
Pas një viti, pas një viti…
U marrosën të tërë nga teoritë
konspirative gjithfarësoj,
që, mesa duket çorientojnë qëllimisht publikun
e fshehin të vërtetën, atë të vërtetë që,
pale kur do ta mësojmë e si do ta mësojmë…
Përsëri na përmendni profecitë e Nostradamusit,
e të ca plakave qorre nga Ballkani?!
Si kështu, gjithçka paskësh parathënë Nostradamusi ?
Atëherë, mbajeni Librin e tij mbi tryezën e punës,
ndërkohë që s’mbani më Librin e Shenjtë dhe,
shfletojeni shfletojeni, mësojeni t’ardhmen e na
parandaloni krizat e fatkeqësitë.
Ç’është ky kult i Nostradamusit që mitizohet e mitizohet ?!
Turp,një mijë herë turp,
Që pritët t’ju gjejë pandemia
Duarkryq!
Dhe…
Specialistët përsësi në retorikën që s’ndalet :
Lani duart
Lani duart
Me ujë të nxehtë
Dhe sapun
Sepse shkuma e tij…
Po mirë, tashmë u dashka të lajë duart njerëzimi,
deri tani ç’paskësh bërë? Sa mijëra vjet të shkuara,
e gjer më sot, duart rregullisht duhej t’i kish larë?
Duart i lau edhe vetë Ponc Pilati, ndonëse metaforikisht…
Mizoria e Covid-it duhej që të laheshim?!
Kjo këshillë gjithë qortim po i jepet mbarë njerëzimit.
Po mirë, pa provojeni t’ia jepni këtë këshillë,qoftë
edhe kalamajve të grupit të vogël të kopshteve ?
Po, edukatere, e dimë e dimë që duhet t’i lajmë duart,
Do të përgjigjeshin hareshëm në kor ata…
Kur vinë Krishtlindjet,astronautët,
me një shkencëtare në mes,
na urojnë që nga platforma
n’hapësirën e kthyer
në një park teknologjik,
siç mburreni ta konsideroni ju:
Sondat, pas muajsh të tërë udhëtimi,
sjellin fotografi mbresëlënëse
nga Marsi e Jupiteri, sjellin
materie kozmike e harta
gjithë mister…
Por në Tokë, njerëzit e terrorizuar,
kacafyten dhe Letrën Higjenike,
nëpër supermarketet bosh
njeri – tjetrit ia rrëmbejnë!
Ah, por zogjtë e bukur këndojnë
Jashtë!
Falëminderit zogj,
Që guxoni ende të na ndiqni
Ne njerëzit, që për të parë
Diellin,antibiotikun e Zotit,
Hapim një cep të perdes së dritares, si ai aktori
i paaftë që hap në prapaskenë paksa
perden, tek tundohet të dalë
në skenën e madhe, të luajë rolin
që i kanë caktuar …
COVID19
COVID19
Te mbyllur në dhomat e tyre, në karantinë
nga kolera, murtaja, e të tjera Vdekje të Zeza,
shekuj më parë Bokaçio shkroi Dekameronin,
Pushkini Eugjen Onjeginin, Njutoni, pasi i ra
molla mbi kokë, jo Molla e ndalueme e Adamit dhe Evës,
molla që e përndezi në tru të zbulojë Gravitetin e të
shkruante ligjet themelore të fizikës pa zbulimin e të cilëve,
me gjasë Epoka e Iluminizmit zor se mund të kishte
ndodhur q’atëherë…
Shekspiri, në kulm të krijimtarisë shkroi: Mbreti Lir,Makbeth,Romeo e Zhulieta,
Himnin e Dashurisë në kohë të Murtajës…
Eh, Londra, Moska, Firence, Parisi…
Murtaja, Kolera, me radhë Vdekjet e Zeza
Po sot, nën mbylljen e dhunshme Covid19,
Ç’do të krijojnë artistët vallë,
Ç’do të zbulojnë e shpikin shkencëtarët?
Specialistë, e gjithë ç’jeni,
Veçse një lajm prirem t’ju besoj:
Atë që thoni se, Covid19
Vetëm fëmijët s’i prekërka!
Lavdi Zotit,
Kështu qoftë!
Botën këta fëmijë, le ta bëjnë
Më të mirë se ç’e bëmë ne!
Ah, sa bukur këndojnë zogjtë
Jashtë!
Zogjtë dhe Femijët plot thirrma gëzimi,
Ah, falëminderit
Zogjve …
24/03/2020