Përsiatje*
Letërsia është një pasion i madh; të përpiqesh të bësh klasifikime, nuk është e këndshme. Në këtë sferë, nuk ka një ‘matës’ shterues, përfundimtar; e kotë të kërkojmë një hartë të përsosur… Gjithsesi, ndër dallimet kryesore në këtë lëmë, është ngjërimi i fjalës. E shkruara është e vështirë për atë që shkruan, por leximi nuk duhet të jetë mundim për atë që lexon. (“Edhe letërsia është një formë gëzimi. Nëse lexojmë diçka me vështirësi, autori s’ka qëlluar në shenjë.” H. L. Borges) Kështu, mendoj se nuk ‘lodhesh’ teksa lexon autorë me bosht dhe botë, të çdo kohe e brezi, që nga ‘qëndrestarët’ e letërsisë si Xhevair Spahiu, Hiqmet Meçaj, Shpresa Kapisyzi, Nexhip Ejupi apo Kujtim Dashi, te autorë të mëkëtejmë, tash profesionistë, si Linda Agolli, Qazim Muska, Anila Toto, Pozaet Qose, Fatmir Gjestila, etj. Duke shfletuar romanin “I fundmi i shalëgjatëve” të shkrimtarit Thani Naqo, ndjen shijen e një proze të qetë e të pasur në fjalor dhe stilistikë, shikon ‘të vizatuar’ karaktere që sot rëndom i mungojnë letërsisë.
Me fjalë të tjera, Letrat Shqip vazhdojnë të pasurohen, me krijimtari dhe emra. Por ndërkaq, qielli i fjalës të trazohet mërzitshëm edhe nga grafomania. (Etja për të shkruar pareshtur, pavarësisht mundësive e rrethanave; tash po shndërrohet në stil jetese, kokëfortësi.) Megjithatë, për një grafoman, nuk mund të thuhet se nuk di të shkruajë apo shkruan me gabime. Aspak. Ai shkruan pak a shumë mirë, por në një mënyrë të mërzitshme, pra nuk është aq i talentuar sa të rrokë gjetje nga ato më të veçantat; ndonjëherë edhe një subjekt interesant, ai e sjell pa emocione, performon me figuracion të vakët, përdor një gjuhë të varfër e, më në fund, nuk arrin të zgjojë vëmendjen e lexuesve a shikuesve. Për mendimin letrar dhe tregun, grafomani mbetet njëlloj barre. (Në rrjete këso shkruesish janë me shumicë; edhe pse duke ndjekur njëri-tjetrin, krijojnë njëlloj zhurme virtuale.)
Grafomani nuk mund të pranojë që cedon, që shkruan dobët, që leximi i krijimit të tij është sikur të marrësh frymë me të keq, që më së koti e konsumon pyllin dhe rrjetet; grafomani është gjithnjë në ‘qiellin e shtatë’, i pëlqejnë jashtë çdo kontrolli të shkruarat dhe fotot e tij dhe nuk dallon dot ku ndahet pëlqimi i vërtetë nga qasjet hipokrite apo sa për të shkuar radhën. Më në fund, grafomani nuk ka pushtet mbi krijimin e vet, nuk di të përmbahet, për çka marrëdhëniet e tij me lexuesin bëhen të vështira. Grotesku i qenies së tij është ajo që nuk është…
■
Ta zbusim pak gjykimin. Ndonjëherë është e vështirë të ndash një krijim të mirë nga një tjetër mesatar apo i rëndomtë; ndodh që edhe lexues e letrarë të stërvitur me fjalën, qëndrojnë të hutuar përpara shkrimesh këso.
Më në fund, grafomaninë po e ‘përtypim’. Sado që nuk shkon në dimensionin e duhur, e përsëris, një grafoman, formalisht, shkruan disi mirë; tregon, shprehet, krijon papushuar vargje apo fraza, përpiqet ta fusë lexuesin në kurthin e ndonjë subjekti herë sentimental, herë krahinor, herë politik… Ai, së paku, nuk është një ‘gafoman’. Po, një pjesë e madhe e atyre që shkruajnë, për vete a për mediat, mund të quhen ‘gafomanë’; që do të thotë se shkruajnë keq, me gabime sintaksore e drejtshkrimore, anipse kokën e mbajnë përpjetë, kalli bosh.
Po përpiqem të sjell më poshtë disa fjali këso, nga ‘gafomanë’ që mbahen për letrarë e gazetarë. Këto janë radhë për ata që dinë të lexojnë, por edhe për krijues që kanë modestinë të kuptojnë se e mira s’ka fund. Shkruan dikush: “Pak metra larg shtëpisë, një makinë iu afrua ku prej së cilës një person qëlloi me armë drejt tyre.” (Ka nevojë për koment?) Ja titulli i një shkrimi të njërës prej të përditshmeve të Tiranës, ku mund të gjesh sakaq dy gabime drejtshkrimore: “Kush vërtetë kërkon t’a djegë Shqipërinë?” (vërtet/ta) Shikoni çfarë tenton të quhet letërsi: “Në brendësi të shpirtit tim,fshihet një tjetër njeri,ku askush se ka takuar…” Etj. (Përtej mungesë së spaciove, përtej keqpërdorimit të pjesëzës mohuese (se për s’e) kemi edhe një ankorim pa vend të fjalës së papërcaktuar ‘ku’, që ‘krijon’ kaosin sintaksor.)
Ja një fragment nga një ‘recension’: “Ngjarja në libër fillon qysh në faqet e para ndodh me një rastësi, më saktë keqkuptim që ndodh rëndom, por është bindës.” (Lexojeni edhe njëherë. Kuptuat gjë?) Një ‘recension tjetër: “Unë nuk hyj në të apasionuarit, por më tërhoqi vëmendjen titulli i romanit, ‘X’ me autor ‘Y’ (pa mbiemer) por dhe kopertina intrigonte, që kisha lexuar dhe më parë një libër të tij, ndaj vendosa ta blej.” (Shkruar nga dikush me ‘titull’.) Ja edhe një fjali sërish nga një shënim letrar: “Ne essenë, tënde përshkruhet me hollësi, se sa e vështirë dhe me dhembje jetohet jeta e krijusit letrar.” (Shenja pikësimi pa vend, gabime gjuhësore, patetizëm, skematizëm.) Ja tani një ‘patriot’ i madh, edhe letrar biri i botës: “Në pesqintë vjeteë robëri të otomanëv turqë, Shqipëria jo vetëm mbijetojë…” (Zot, na mbaj mendjen!) ‘Gafomania’ s’ka kufi. Lexoni: “Aktorja është nisur me vajzat pesëvjeçare binjake drejt kryeqytetit francez të Parisit.” (Bukur, hë? ‘Kryeqyteti francez i Parisit’.)
‘Gafomania’ ka mbërthyer edhe institucionet. Ja një fjali nga formulimi i një teksti për dekorim: “Luftëtar trim dhe drejtues i artilerisë i forcave shqiptare, i cili ka luftuar me trimëri të rrallë…” Hë, nuk duket si pjesë e hartimit të ndonjë katranjozi? Përvese përdoren shpesh ‘trim’ dhe ‘trimëri’, fqinjësia gramatikore e përemrit lidhor ‘i cili’ nuk shkon te kryefjala (këtu po e shoh të zgjeruar: ‘Luftëtar trim dhe drejtues i artilerisë’) por te përcaktori tjetër: ‘I forcave shqiptare’. Durim! Ka edhe më keq. Gafomania bashkohet ndonjëherë me alabakërinë. Ja titulli i një ‘shkrimi’: “Kush ia ka me t’futme Ramës?” Hë? Si ishte kjo? Ose më mirë çfarë ishte kjo? Analizë? Opinion? Zot, ku kemi mbërritur! (Sado me nënkuptime apo në devijim të homonimisë burimore leksikore, prapë është një banalitet që në krye të të shkruarës dhe nuk ka pse të shkojë te lexuesi.)
■
Pse gjendemi në këtë mjerim? Le të përpiqemi të tërheqim diçka nga tufa e madhe e arsyeve: Kakofonia e shoqërisë shqiptare në shumë fusha. Kultura vetjake (ajo e përgjithshme, letrare, gjuhësore) e pamjaftueshme; e pakët, e cekët. Përhapja në mënyrë të frikshme e sëmundjes së delirit. Rrënimi i hallkave botuese. Përfshirja në profesionin e gabuar. (Jo çdokush mund të bëhet shkrimtar e gazetar.) Një trazim të madh në këtë ‘histori’ sjellin administrat me kahje politike, me njerëz jo të aftë, që mëtojnë atje ku s’u takon. Abuzime, tarafe, përzgjedhje të sforcuara autorësh dhe shtëpish botuese sipas interesave, pagesave dhe deri sipas përkatësisë partiake apo për shkak të fiksimit në autorë të caktuar, të gjitha këto po i sjellin një dëm të pallogaritshëm kulturës shqiptare. Mungesa e sinqeritetit ndaj pjestarëve të komunitetit artistik sa edhe ndaj zhvillimeve e vlerave, është pjesa tjetër e dhimbshme e tufës së arsyeve pse jemi në këtë gjendje; si në çdo fushë, pak a shumë.
Ani. E kam thënë edhe në ndonjë rast tjetër, ashtu si të shkruarit, edhe formulimi i përshtypjeve apo ideve, është një punë vetjake. Në këtë temë, nuk mund të përjashtohet subjektivizmi. Në të gjithë botën shkruhet dhe publikohet shumë; askush nuk e di ku shkon dukuria… Kështu që, përtej çdo dileme, në shënime këso nuk kemi ndërmend të ‘vrasim’ ndokënd dhe as t’i bëjmë monument dikujt tjetër. Assesi. Shprehja e mendimeve ndjek dimensionin e munguar në letrat shqip; që do të thotë se mendimi kritik duhet ndihmuar. Pastaj, ekspertë të tekstit le të qasen për të thënë një fjalë më shumë.
………………………………………………………………
*Ky shkrim është pjesë e një shënimi më të gjatë, në proces, bashkë me “Arti përtej klisheve”. (Shih “Fjala e lirë” ose faqen e autorit ne Fb.)
Comentarios