Pleqtë e Kuçit u mblodhë...


ASPEKTE SHQIPTARE NGA LUFTA ITALO-GREKE

Dilaver Goxhaj

Lufta italo – greke, 81 vite më para, e cila filloi më 28 Tetor 1940 dhe përfundoi në prill 1941, nuk ka gjetur ende një pasqyrim të plotë në historiografi. Lufta italo – greke është edhe pjesë e historisë së Shqipërisë gjatë atij konfliktit që iu vu zjarri Evropës. Sikundër dihet, ushtria italiane pësoi disfatë dhe u detyrua të tërhiqej. Në të vërtetë, në këtë luftë, Shqipëria është përfshirë drejtpërsëdrejti, pasi klasa politike u vu në shërbim të okupatorit Italian. Ajo klasë politike kolaboracioniste e vunë vendin tonë me akte zyrtare në gjendje lufte me Greqinë, akte që, veç firmës së mbretit Viktor Emanuel III, mbannin edhe firmën e kryeministri kuisling, Mustafa Kruja, duke e quajtur një okazion për krijimin e”Shqipërisë së Madhe”. Ky ishte një iluzion, pasi kufijtë nuk mund të ndryshoheshin dhe të caktoheshin në kohë lufte, aq më tepër nga Fuqitë e Boshtit që i priste disfata e sigurtë. Por faktikisht populli shqiptar nuk e mbështeti atë vendim të qeverisë së Mustafa Krujës.

Si rrjedhojë e atij nënshkrimi nga Mustafa Kruja, Shqipëria pas okupacionit Italian po vihej edhe nën okupacionin grek, që do t’i kushtonte veçanërisht Jugut të Shqipërisë. Duke u reshtuar në anën e agresorit, kolaboracionistët e bënë Shqipërinë, nga një vend viktimë e agresorit në një palë ndërluftuese, pjesmarrëse në sulmin kundër Greqisë në krah të Italisë.

Në zbatim të atij vendimi të Qeverisë Kuislinga, në verën e vitit 1940, në çdo komunë apo fsht të Shqipërisë, qeveria italiane u mundua të regjistronte milicë vullnetarë për t’i çuar në luftë kundër Greqisë. Në fshatin Vuno të Himarës shkoi vetë ish-konsulli Meloni dhe togeri i S.I.M për Himarën Luigj Moreti, ( i cili, për krimet e kryera këtu, u vra në pritë më 26 gusht 1942, nga një njësit partizan i komanduar nga Zaho Koka). Por këta misionarë fashistë nuk mundën të regjistronin as edhe një milic në Vuno. Për këtë dështim, italianët bënë arrestime e burgime si dhe internuan në Shkodër dhjetra veta. Ndërsa Foto Gjinin, Gogo Zhebon, Niko Llagurin dhe Orest Mitron, pasi i arrestuan dhe i torturuan barbarisht, i pushkatuan gjatë rrugës në fshatin Dhërmi. Këtë ngjarje dhe përgjigje që u ktheu populli i Vunoit, ai popull e ka përjetësuar në këngë:

O Vuno, fshat i Bregdetit,

bukuri e vilajetit.

Vuno, fshat i Shqipërisë,

ç’përgjigje dhe Italisë,

Melonit me ca fashistë,

Moretit me munafikë,

kur të kërkuan milicë,

për luftën kundër Greqisë.


Të kërkuan po s’u dhe,

ndaj të vunë në batare.

Popullin ta torturuan,

shtëpitë t’i përvëluan.


Edhe burrat që t’i muarr,

ca në burg, ca internuar.

Seç muar katër të mirë:

Gogo Zhebo e Foto Gjinë,

Nikon dhe Orest trimë.


Ndërsa në Krahinën e Mesaplikut për të mbledhur vullnetarë të tillë, shkoi eksponenti i fashizmit Qazim Koculi me shokë, ku mblodhi kryesinë e kësaj krahine. Mbledhja u bë në Milenjë, fushë në bregun e djathtë të Lumit të Vlorës, që i përket fshatit Gjorm. Qazim Koculi kërkonte t’i bindte krerët e krahinës së Lumit të Vlorës, që të rekrutonin forca vullnetare për milicinë fashiste. I pari e mori fjalën Qazim Koculi. Ky filloi t’u fliste krerëve për çlirimin e Çamërisë nga Greqia. Pasi mbaroi fjalën Qazim Koculi, ishte Ahmet Cani nga fshati Brataj i Vlorës, atdhetar dhe luftëtar i shquar, që u ngrit i pari dhe e kundërshtoi vendosmërisht, duke bërë që mbledhja e Milenjës të dështonte. Dhe këtë ndodhi populli i Labërisë e ka përjetësuar në këngë:

Erdhën shokët të kërkojnë:

Hajde o Ahmet të shkojmë,

na kërkon Qazimi Gjormë.

- Ti Qazim pse na ke folë?

Me Greqi ne do luftojmë.

- Qazim Koculi të thonë,

po këtë nuk ta pranojmë.