
Vullnet Mato
Shoh me keqardhje plejadën me yje, bukuroshet dhe bukuroshët e djeshëm! Rrudhur në fytyrë, zbardhur mbi krye, mikeshat dhe miqtë e mi të hershëm,
Mes nesh ishin, disa princesha bukurie, disa artistë elegantë, për t’i pasur zili. Punuam pa menduar, vyshkje pleqërie, por rrudhat në pamje, na dhanë fisnikëri..
Kësaj jete ne i dhamë frymëmarrje të re, ndonëse për gjeneratën tonë, qe e rëndë, me luftë, me rindërtime, me këngë e hare, me urrejtje klasore, me përplasje pa vend.
Si na shkoi ajo rini e vrullshme, kaq shpejt, sikur na çon në det, një lumë i rrëmbyer? Na duket e jetuam pak, të shkurtrën jetë, disa të kënaqur, të tjerë të zhgënjyer!
Por kjo jetë me halle, s’na përkuli kurrë, se të nesërmen e përjetuam me shpresa, për agime të ndritshme, mbi malet me gurë, por fati na dha bollëk, vetëm nipër e mbesa.
Megjithatë, brezi ynë ka mese të krenohet, ka hapësirat e bëmave, që ne po lëmë pas, këngët tona të pavdekshme që nuk harrohen, lastarët e rinj të brezit, që mbollëm me gaz...
Së fundi kuptuan se të plakesh, qenka privilegj, se nuk fitohen lehtë, përleshjet me vështirësitë, pasi shumë njerëz, nuk arrijnë të bëhen pleq, të mbyllin misionin jetësor në të gjitha lartësitë.
Ndaj plejada jonë gëzon, që u bëmë pleq e plaka, ftojmë gjithë të moshuarit, në këto maja të larta!